OPINION

Pastrimi i parave

07:14 - 23.02.20 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Moneyval është Komiteti i Ekspertëve i Këshillit të Europës, për vlerësimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Task Forca e tij e Veprimit Financiar (në anglisht, Financial Action Task Force ose FATF) vlerëson zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar në vendet që kontrollon. Një ndër këto shtete është edhe Shqipëria. Nëntë vite më parë, më 2011, ne u futëm në Listën Gri të Moneyval, që tregon vendet me rrezik të lartë të pastrimit të parave. Shkaku kryesor ishte Lazarati, “Republika e lirë” e kanabisit, brenda Republikës sonë. Raporti i Moneyval ka edhe një Listë të Zezë të vendeve që pastrojnë para, si p.sh. Irani apo Korea e Veriut. Në vitin 2015 dolëm nga kjo listë, duke na dhënë pesë vjet kohë të largoheshim përfundimisht nga zona e rrezikut. Por ne, njëlloj si qen të liruar nga zinxhirët, me papërgjegjshmëri ekstreme, vrapuam pikërisht në drejtim të kundërt. Duke filluar pikërisht në vitin 2015, përfituam nga të korrat e bollshme të kanabisit të mbjellë me makuteri në të gjitha  cepat e Shqipërisë. Për të pastruar më pas paratë e shitjes së kanabisit kontrabandë jashtë vendit, si një lavatriçe e çmendur brenda vendit. Praktikisht duhet të pastronim rreth 130-140 milionë euro në vit. U futën në këtë lavatriçe firma dhe vula noterësh. Nga para me origjinë jo të qartë, me akte noteriale, u financuan më shumë se një e treta e bumit të ndërtimeve të tre viteve 2017-2019, sidomos në Tiranë, Durrës, Vlorë e Sarandë. Gjithçka që dukej normale në sytë e administratës sonë publike, një pjesë e paguar mirë pikërisht për të mbyllur njërin sy, ose që të dy, regjistrohej si veprime me rrezikshmëri të lartë pastrimi parash nga ekspertët e FATF. Paralajmërimi i fundit serioz nga Moneyval erdhi në dhjetor 2018. Dhe pikërisht kur po ndërmerrnim si qeveri veprime serioze për të kufizuar këtë pastrim gjigand parash, duke filluar nga marsi 2019, ekspertët e Moneyval nisën ta humbin shpresën për ne. Raporti i tanishëm i FATF na futi prapë në Listën Gri të vendeve me rrezik të lartë për pastrim parash. Ngushëllimi i vetëm, jemi në shoqëri të Islandës, e cila edhe ajo u fut nga FATF, për shkak të një interesimi të fortë të kompanive off-shore për vendin e akullt të Europës. Serbia dhe Mali i Zi, po ashtu kanë qenë në Listën Gri disa vite më parë. Serbisë iu deshën një vit e gjysmë të dilte. Po ne, a do të dalim sërish? Operacioni Forca e Ligjit (OFL) po synon pikërisht paranë e pastruar, e cila nuk justifikon burimin tek elementët me të shkuar kriminalë, që kanë vënë pasuri në Shqipëri. Nuk është pak, pavarësisht pikëpyetjeve lidhur me përmbajtjen apo justifikimin e plotë ligjor të veprimeve të OFL. Në dy vitet e fundit 2018-2019, janë 60.5 milionë euro asete të sekuestruara nga hetimet për pastrim të parave dhe rreth 74 milionë euro prona të sekuestruara nga hetimet e grupeve kriminale, përmes ligjit anti-mafia. Diçka serioze po lëviz. Dhe pikërisht kur goditja ndaj krimit dhe forcave të tij të pamata në Shqipëri për të pastruar paranë, po bëhet reale, dalin zëra të shëmtuar që pompojnë vendimin e rëndë të FATF për të rifutur vendin tonë në Listën Gri. Rifutjen ne e meritojmë, për të gjithë atë marrëzi të mbledhjes së kanabisit në vitet 2014-2016 dhe pastaj rendjes drejt ligjërimit të parave të fituara nga shitja e tij. Janë me qindra apartamente, butikë, restorante, kafene, zyra biznesi të hapura dhe që funksionojnë nga paraja e pastruar. Qeveria e ka filluar me paranë e kriminelëve, sipas një qasjeje të SHBA-ve të 90 viteve më parë luftonte, kur shteti më demokratik i botës luftonte shtetin paralel me gjyqtarë e prokurorë të korruptuar të Al Kapones. Shumë shpejt çekiçi dërrmues i goditjes do të vijë drejt zyrtarëve, ish-zyrtarëve, politikanëve dhe ish-politikanëve të korruptuar. Prandaj dhe një shpurë e zgjedhur prej këtyre të fundit tani po mjaullijnë për këtë gjëmë që e gjeti vendin tonë me futjen në Listën Gri të FATF. Edhe pse u duket sikur po lëshojnë hungërima luanësh.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.