DOSSIER

Presidenti Wilson dhe Shqipëria

10:46 - 05.03.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Xhezair Zaganjori  – Më 6 mars 2020 mbushen plot 100 vite nga përfundimi i korrespondencës intensive dymujore ndërmjet Presidentit amerikan Wilson me kryeministrat e Fuqive të Mëdha Europiane, lidhur me statusin dhe fatet e territoreve shqiptare. Insistimi i palëkundur i tij, mbrojtja e drejtë dhe parimore që ai i bën përmes tyre Shqipërisë së vogël, ishte unike për kohën, ishte e paimagjinueshme, tepër e guximshme dhe vendimtare. Pa mohuar respektin dhe simpatinë e padiskutueshme që ai kishte fituar për shqiptarët, duhet theksuar fort se kjo mbrojtje bëhej në emër të filozofisë së re, vlerave të reja e të papërsëritshme që SHBA-të u përpoqën të implementojnë përmes programit me 14 pika të Presidentit Wilson në marrëdhëniet ndërkombëtare pas Luftës së Parë Botërore, në funksion të lirisë, sigurisë dhe një paqeje të qëndrueshme mes shteteve, ku do të prevalonin parimi i kombësisë dhe ai i vetëvendosjes së popujve.
Në fakt, megjithëse me shumë vonesë, ky kontribut i jashtëzakonshëm i Presidentit Wilson është vlerësuar në Shqipëri pas ndryshimeve demokratike të viteve ’90. Megjithatë, shumë pak është folur për përmbajtjen e këtij kontributi, për faktet dhe dokumentet konkrete që provojnë qartë atë çfarë ndodhi 100 vjet më parë. Nga ana tjetër, motivi i drejtpërdrejtë për këtë artikull gazete janë edhe studentët, të cilët kur iu flas apo i pyes në mënyrë “provokative” për punimet e Konferencës së Paqes, për krijimin e Lidhjes së Kombeve si dhe për Konferencën e Ambasadorëve të Fuqive Aleate, tri ngjarje që janë ngushtësisht të lidhura me njëra-tjetrën, shpesh rrudhin supet apo janë konfuzë rreth kontributit madhor të ish- Presidentit amerikan në mbrojtje të tërësisë territoriale dhe rikonfirmimin e statusit juridiko-ndërkombëtar të shtetit shqiptar.




Dihet që Woodrow Wilson ka qenë Presidenti i SHBA-ve në dy mandate, apo për 8 vite me radhë, nga viti 1913 deri në vitin 1921. Ndër të tjera, u dallua për përpjekjet e tij në implementimin sa më mirë në realitetin amerikan të një sistemi parlamentar sipas modelit britanik, për liberalizmin modern të qeverisjes si dhe për politikën e jashtme mjaft aktive, duke i nxjerrë SHBA-të nga i ashtuquajturi izolacionizëm. Me rëndësi të veçantë në këtë drejtim ishte insistimi i tij në Kongresin Amerikan, në prill të 1917-ës për t’i shpallur luftë Gjermanisë, duke i rreshtuar kështu SHBA-të qartësisht e aktivisht përkrah Antantës, gjë që ndikoi dukshëm apo edhe përcaktoi fitoren e këtij koalicioni kundër Aleancës Qendrore. Po në vitin 1917, Presidenti Wilson do të përpunonte dhe shpallte programin e tij të njohur e ambicioz me 14 pika, përmendur më sipër, përmes të cilit shumë shpejt do të fitonte mendjet dhe zemrat e njerëzve jo vetëm në SHBA, por edhe në Europë dhe në mbarë botën. Synimi i këtij plani ishte krijimi i një rendi të ri ndërkombëtar, garanci e të cilit duhet të bëhej Lidhja e Kombeve, si zbatim në praktikë i ideve gjeniale të Emanuel Kantit, të përçuara veçanërisht në botimin e tij të vitit 1791, me titull “Për një paqe të përjetshme” (“Fur eine Ewiges Frieden”). Ky plan do të bëhej natyrshëm objekt i diskutimeve edhe në Konferencën e Paqes, pavarësisht skepticizmit apo xhelozisë që kishin në fillim ndaj tij, veçanërisht Franca dhe Britania e Madhe. Nga ana tjetër, shumë pak dihet që Presidenti Wilson ka qenë edhe një akademik dhe profesor i shkëlqyer në fushën e drejtësisë, filozofisë dhe shkencave politike. Për vite të tëra ka dhënë mësim në disa nga universitetet më të njohura në SHBA, duke pasur gjithashtu edhe botime të shumta në këto fusha.

Nënshkrimi i armëpushimit nga Gjermania në nëntor të 1918-ës shënon edhe mbarimin e LIB. Fuqitë fituese organizuan në Paris Konferencën e Paqes, detyrat kryesore të së cilës ishin traktatet e paqes me Gjermaninë dhe aleatët e saj, si dhe projekti i Presidentit Wilson për krijimin e Lidhjes së Kombeve.
Në Konferencën e Paqes morën pjesë 32 delegacione zyrtare. Punimet e saj u çelen më 18 janar të vitit 1919 dhe do të përfundonin më 21 janar të vitit 1920, pasi në të njëjtën ditë (pra më 21 janar 1920) filluan punimet e Sesionit të Parë të Asamblesë së Përgjithshme të Lidhjes së Kombeve. Vendimet kryesore të Konferencës u morën në tryezën e Katër të Mëdhenjve, të cilët përfaqësonin katër fuqitë kryesore fituese të Luftës së Parë Botërore, që ishin Kryeministri i Francës George Clemanso, Presidenti i SHBA Woodrow Wilson, Kryeministri i Britanisë së Madhe David Lloyd George dhe Kryeministri i Italisë Vittorio Orlando. Parë në këndvështrimin personal, Katër të Mëdhenjtë përfaqësonin në parim filozofi e qëndrime krejt të ndryshme. Tri Fuqitë Europiane vinin në fakt kryesisht me mendësinë e vjetër të këtij kontinenti për ta përdorur këtë tribunë si mjet për të kënaqur pretendimet e palës fituese në formën e rregullimeve të reja territoriale apo reparacioneve. Vetëm delegacioni amerikan nuk kishte asnjë pretendim të tillë. Në terma më konkrete mund të thuhet se Clemanso ishte i interesuar për dobësimin maksimal politik dhe ekonomik të Gjermanisë si dhe për ndryshime të rëndësishme territoriale në dëm të saj. Ai ishte skeptik për planin me 14 pika të Presidentit Wilson, por ishte dakord për krijimin e Lidhjes së Kombeve. Mbështeste gjithashtu pretendimet e Greqisë dhe të Jugosllavisë në Adriatik, Ballkan e Mesdhe. Presidenti Wilson ishte personi më parimor dhe më vizionar i Konferencës. Plani i tij synonte vendosjen e një paqeje të qëndrueshme në botë, bazuar në parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare bashkëkohore. Edhe ndaj Gjermanisë, Wilson kërkonte një qëndrim më të drejtë e objektiv, duke theksuar ndër të tjera se edhe në të ardhmen, “… për krijimin e një paqeje të qëndrueshme në Europë e në botë, ne kemi nevojë për partnerë të aftë e dinjitozë, të gatshëm për të marrë angazhime të përbashkëta”. David Lloyd George mbështeste më shumë qëndrimet e Francës, por kërkonte gjithashtu gjetjen e balancave me pozicionet dhe propozimet e SHBA-ve. Orlando ishte i përqendruar kryesisht te realizimi i premtimeve territoriale që Britania dhe Franca i kishin bërë Italisë në vitin 1915 me Traktatin e fshehtë të Londrës.

Delegacioni amerikan dallohej gjithashtu edhe për nga numri disi më i paktë i ekspertëve, por njëkohësisht edhe nga niveli shumë i lartë i tyre. Mjafton të përmendet që gjashtë nga tetë këshilltarët kryesore të Presidentit Wilson që morën pjesë aktive në komisionet e shumta të ngritura nga Konferenca e Paqes, ishin profesorë të shquar të universiteteve më të njohura të SHBA-ve, përfshirë këtu edhe Clive Day, profesor në Universitetin e Kalifornisë, i cili do të angazhohej shumë për çështjen shqiptare gjatë Konferencës. Por megjithatë, dy nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Presidentit Wilson në këtë Konferencë ishin Sekretari i Shtetit Robert Lansing si dhe Nënsekretari i Shtetit Frank Polk, i cili në vitin 1920 do të bëhej edhe Sekretar Shteti në Detyrë i SHBA-ve. Do të ishte pikërisht Polk, ky jurist dhe diplomat i shquar që do të drejtonte delegacionin amerikan deri në fund të punimeve të Konferencës së Paqes, pas largimit nga Parisi të Presidentit Wilson dhe të Lansing, në qershor 1919. Ai do të nënshkruante dokumentet kryesore dhe do të mbronte me sa mundej çështjen shqiptare si përsa i përket statusit, ashtu edhe kufijve të përcaktuara nga i ashtuquajturi Koncert Europian në Konferencën e Londrës të vitit 1912-1913.

Në Konferencën e Paqes së Parisit kishte me shumicë edhe përfaqësim nga trojet dhe mërgata shqiptare. Në total thuhet se ishin shtatë dërgata të tilla. Megjithatë, përfaqësimin zyrtar shqiptar në konferencë e bëri delegacioni i Qeverisë së Durrësit. Nuk mund të lihet pa u përmendur kontributi i jashtëzakonshëm për punimet e Konferencës i komunitetit shqiptar në SHBA, e veçanërisht i shoqërisë “Vatra”.
Konferenca e Paqes u njoh me pozicionin zyrtar shqiptar që në fillim të punimeve. Delegacioni i Qeverisë së Përkohshme të Durrësit i kryesuar nga Kryeministri Turhan Pasha, i paraqiti asaj më 12 shkurt 1919 një memorandum të veçantë lidhur me “Rivendikimet e Shqipërisë”, ku ndër të tjera kërkohej që kombi shqiptar “të mos pësojë cungime të tjera, përkundrazi ai kërkon të riintegrohet në kufijtë e tij etnikë, duke iu kthyer në gjirin e tij popullsia shqiptare e shkëputur me dhunë…” nga Traktati i Berlinit i vitit 1878 dhe Konferenca e Londrës e vitit 1913.

Ndërkaq, duhet dalluar se diskutimi i çështjes shqiptare dhe mbrojtja e saj nga Presidenti Wilson dhe delegacioni amerikan në tërësi janë bërë në dy faza të ndryshme të punimeve të Konferencës së Paqes. Faza e parë përfshin diskutimet në muajt shkurt/mars 1919 në Komisionin e Posaçëm lidhur me Kërkesat Territoriale të Greqisë, i cili ishte krijuar nga Këshilli i Kryetarëve të Qeverive të Konferencës së Paqes. Ky komision do të kishte në përbërje nga dy përfaqësues për secilën nga katër Fuqitë e Mëdha (SHBA, Britani, Francë dhe Itali). Për SHBA-të, anëtarë të tij ishin bashkëpunëtorët e ngushtë të Presidentit Wilson në Konferencë, Clive Day dhe William Westerman. Faza e dytë apo vendimtare përfshin letërkëmbimin e drejtpërdrejtë nga Uashingtoni në periudhën 10 janar-6 mars 1920 të Presidentit Wilson me Kryeministrat e Francës dhe Britanisë.
Përsa i përket fazës së parë, duhet theksuar se që me fillimin e punës së komisionit, (më 12 shkurt 1919), duke shqyrtuar pretendimet e tejzgjatura me shkrim dhe me gojë të Kryeministrit grek Venizellos, ku ndër të tjera kërkohej marrja e të gjitha territoreve shqiptare në jug të vijës që bashkon dhe përfshin qytetet nga Korça në Gjirokastër e me dalje detare në Palasë, z.Clive Day, në emër të delegacionit amerikan do të ishte i vetmi që do të bënte menjëherë vërejtjen e rëndësishme se në asnjë mënyre “… nuk mund të pranonte zgjidhjet e propozuara nga ai (z. Venizellos – shënimi ynë) …pasi ato nuk përkojnë me kufijtë etnikë”. Po kështu, në seancën e dytë të punimeve, z. Day, duke kundërshtuar jo vetëm të dhënat e shumta të ardhura në Komision, por edhe argumentet e anëtarëve të tjerë, do të paraqiste pikëpamjen zyrtare të delegacionit amerikan përsa i përket të ashtuquajturit Vorio Epir. Ai thekson për këtë qëllim se nga të dhënat e marra nga vetë Lidhja Epirote e Amerikës si dhe ato të grumbulluara nga ekspertë e vëzhgues të njohur e të paanshëm, rezulton se “… pjesa veriore e krahinës në diskutim (Epirit të Veriut) është me prirje shqiptare… Prandaj është e nevojshme që për interesa më të përgjithshme, të mos i jepet asgjë Greqisë pa e studiuar më parë çështjen në thellësi “.

Është interesant të theksohet se në seancën e 26 shkurtit, kryetari Komisionit, francezi Jules Cambon, pyet nëse është apo jo me vend të dëgjohen gojarisht edhe tri delegacionet e tjera (nga Shqipëria, Vorio-Epiri dhe Thraka), apo të mjaftohen me paraqitjen e argumenteve të tyre me shkrim. Delegati amerikan, Clive Day, theksoi se të paktën delegacioni shqiptar i Qeverisë së Durrësit duhet të dëgjohet, pasi përfaqëson pozicionin zyrtar të këtij shteti. Përfaqësuesi britanik ndërhyn duke thënë se nuk do të ishte me vend të ftoheshin në komision shqiptarët e shumtë të shpërndarë nëpër botë, që kërkojnë të dëgjohen. Delegati francez përmendi gjithashtu se nuk ka një qeveri zyrtare shqiptare, por thjesht një qeveri fakti, krijuar vetëm pak kohë më parë. Megjithatë, në fund të këtij debati u vendos të dëgjoheshin të paktën tri përfaqësi, ajo e Qeverisë së Durrësit, e Vorio-Epirit si dhe e Thrakës Perëndimore.
Mbi këtë bazë, më 27 shkurt 1919, para Komisionit mbi Pretendimet Territoriale të Greqisë paraqitet një pjesë e delegacionit shqiptar i përbërë nga Turhan Pasha, Mihal Turtulli dhe Mehmet Konica. Nuk është rasti të zgjatemi mbi këtë çështje. Mund të theksohet vetëm që Turhan Pasha u përpoq që në fillim të argumentonte të drejtën legjitime të Qeverisë së Durrësit për të përfaqësuar në këtë Konferencë interesat e shqiptarëve. Më pas folën me radhë Mihal Turtulli dhe Mehmet Konica, të cilët duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të shumta të komisionit, argumentuan në mënyrë brilante se tokat e të ashtuquajturit Epir i Veriut, apo më saktë Shqipëria e Jugut, janë banuar në pjesën më të madhe të tyre gjithnjë nga shqiptarët.
Nga seanca e mëvonshme të komisionit mund të veçohet si më me interes debati lidhur me Korçën dhe rrethinat e saj. Duke kundërshtuar ndërhyrjet e delegatëve britanikë e francezë që mbështeteshin thjesht në statistikat e dhëna nga Venizellos, ndërhyn disi i nervozuar Clive Day, duke theksuar ndër të tjera se sipas delegacionit amerikan, mbështetur nga dokumente apo anketa të shumta ushtarake si dhe botime të udhëtarëve të huaj, kryesisht britanikë, rezulton qartësisht “… që banorët e rrethit të Korçës janë me prirje më tepër shqiptare…”. Por nga ana tjetër, pas insistimit franko- britanik, komisioni bie parimisht dakord që për fshatrat në jug të Gjirokastrës të bëheshin verifikime të mëtejshme, për të propozuar më vonë nëse ato duhet t’i liheshin Shqipërisë, apo t’i kalonin Greqisë.

Seanca e fundit e komisionit është realisht një tragjikomedi më vete. Debati zhvillohet lidhur me rivendikimet apo pretendimet e Shqipërisë, të bëra me shkrim e me gojë nga delegacioni i Qeverisë së Durrësit. Kryetari i komisionit, Cambon, konstaton me mjaft vonesë se Konferenca e Paqes ka krijuar tri mekanizma apo “…tri organe që po merren me të njëjtën çështje…”, (që në fakt ishte copëtimi si plaçkë lufte i Shqipërisë nga tre prej aleatëve të Antantës, Greqi, Jugosllavi dhe Itali – shënimi ynë), në një kohë që nuk kishte asnjë mekanizëm të Konferencës që do të mund të shqyrtonte sado formalisht pretendimet e palës shqiptare. Mbi këtë bazë, komisioni vendos të pyesë Këshillin e Lartë nëse ishte apo jo kompetencë e tij (komisionit) të merrej edhe rivendikimet shqiptare. Puna e këtij komisioni do të përfundonte praktikisht më 21 mars 1919, për t’ia përcjellë vendimmarrjen Këshillit të katër të Mëdhenjve të Konferencës së Paqes.
Në periudhën në vijim (qershor 1919) Presidenti Wilson do të largohet nga Konferenca e Paqes, së bashku me Sekretarin e Shtetit Robert Lancing, duke lënë në krye të delegacionit amerikan Nënsekretarin e Shtetit, Frank Polk. Megjithatë, siç do të shihet edhe më poshtë, nga Uashingtoni Wilson do të vazhdojë të mbajë kontakte të ngushta e të vazhdueshme me të gjithë delegacionin e tij në Paris dhe përmes tij, edhe me tre kryeministrat e Fuqive kryesore Aleate.
Në këto rrethana të reja, ajo që mund të veçohet për Shqipërinë është Memorandumi i 9 dhjetorit 1919 i tri Fuqive Aleate (Britani, Francë dhe SHBA), nënshkruar respektivisht nga Crown, Klemanso dhe Polk, në kuadër të Konferencës së Paqes lidhur me Çështjen e Adriatikut. Ndër të tjera, ky memorandum shpreh vullnetin paraprak për vendosjen e kujdestarisë (mandatit) italiane mbi Shqipërinë në emër të Lidhjes së Kombeve. Ai konfirmon gjithashtu edhe kufirin verior dhe lindor të Shqipërisë, ashtu siç ishte përcaktuar nga Konferenca e Londrës në vitin 1913, ndërsa kufiri i jugut lihet të saktësohet përfundimisht përmes bisedimeve të mëvonshme, duke pasur parasysh disa kritere edhe të dhëna të caktuara.

Por, më 14 janar 1920 do të kemi një zhvillim krejtësisht të papritur në punimet e Konferencës së Parisit. Duke u justifikuar me mungesën e përfaqësuesit zyrtar të SHBA-ve, Polk, në Konferencë, kryetarët e delegacioneve të tri Fuqive të tjera Aleate (Britani, Francë dhe Itali) i bënë një retushim të dukshëm Memorandumit të 9 dhjetorit 1919. Krahas plotësimit të dëshirës italiane për Fiumen (Rijekën), lidhur me vendin tonë u vendos ndër të tjera që i gjithë veriu i Shqipërisë, përfshirë edhe Shkodrën, t’i kalonin Jugosllavisë, ndërsa i gjithë jugu, përfshi edhe Korçën e Gjirokastrën duhet t’i kalonin Greqisë. Vlora dhe ishulli i Sazanit kalonin nën sovranitetin e plotë italian. Ndaj këtyre ndryshimeve reagoi menjëherë Sekretari i Shtetit amerikan Lansing. Në një letër që ai i dërgonte ambasadorit amerikan Wallace, në Paris më 20 janar 1920, i kërkonte të vinte në dijeni menjëherë kryeministrat aleatë Clemanso dhe Lloyd George që “… Presidenti (amerikan) nuk mund të pranonte …” ndryshimet e bëra. Dy ditë më vonë, në një letër të përbashkët drejtuar z. Lansing, kryeministrat francez dhe britanik përpiqen të argumentojnë urgjencën dhe nevojën e këtyre ndryshimeve “… për të plotësuar kërkesat thelbësore të të gjitha palëve të interesuara”.
I revoltuar nga ky qëndrim, më 10 shkurt 1920 do të kemi reagimin e fortë, të drejtpërdrejtë dhe lapidar të vetë Presidentit Wilson ndaj këtij projekti tërësisht të padrejtë. Pasazhe të tij, të tkurrura në maksimum, por tepër me vlerë, do t’i gjeni në vijim për të gjykuar më mirë mbi mesazhet, rëndësinë dhe filozofinë unike që ato përçojnë. Aty thuhet ndër të tjera që, “… Mendimi i përbashkët i yni ka qenë se nuk është as e drejtë e as zgjidhje që të aneksohen si plaçkë lufte territore të banuara nga një komb tjetër. Memorandumi i 9 dhjetorit 1919 ruante deri në një farë mase, unitetin e shtetit të Shqipërisë. Ai i 14 janarit 1920 e ndan popullsinë shqiptare, pavarësisht protestave të saj të fuqishme, midis tri shteteve të huaja. Këto dispozita dhe shumë të tjera të memorandumit të 14 janarit, të negociuara pa dijeninë dhe pa miratimin e Qeverisë amerikane e ndryshojnë krejt aspektin e rregullimit të Çështjes së Adriatikut. … Ne nuk mund të japim pëlqimin tonë për një rregullim që përbën një mohim absolut të parimeve për të cilat hyri në luftë Amerika. Qeveria amerikane nuk është e gatshme të njohë asnjë zgjidhje të padrejtë, të bazuar në një traktat të fshehtë, kushtet e të cilit janë të papajtueshme me situatën e re në botë… Shtrohet çështja nëse Qeveria amerikane ka mundësi të bashkëpunojë apo jo me fuqitë shoqe të Europës për këtë vepër të madhe: ruajtja e paqes në botë nëpërmjet zhdukjes së shkaqeve kryesore të luftës… Por më parë duhet sqaruar se çfarë duhet kuptuar me drejtësi dhe barazi në marrëdhëniet ndërkombëtare… Nëse do të lejohet të shtihen në dorë me forcë territore të caktuara… duke e vendosur çështjen në favor të vetë agresorit; nëse një ambicie e tillë arbitrare do të gjejë realizimin e vet në dëm të të vegjëlve dhe të dobëtëve; nëse rendi i vjetër i gjërave që ka sjellë kaq fatkeqësi në botë do të vazhdojë të mbretërojë, atëherë nuk ka mbërritur ende koha për qeverinë tonë që të bashkohet me fuqitë e tjera… Populli amerikan është i gatshëm të marrë pjesë në një ndërmarrje kaq të lartë, por të shumtë janë ata që druhen se mos bien në një politikë… që është e huaj për idealin dhe traditat e tyre. T’i futësh ata në një politikë si ajo që shprehin propozimet e fundit mbi Adriatikun, t’i detyrosh ata të mbështesin padrejtësinë në dëm të vetë drejtësisë do të ishte njësoj si t’i quaje krejt të përligjura dyshimet e tyre. Qeveria jonë nuk mund të marrë mbi vete një përgjegjësi kaq të rëndë”.

Reagimi i gjatë i Presidentit Wilson mbi Memorandumin e 14 janarit do të merrte përgjigjen e përbashkët të kryeministrave britanikë e francezë një javë më vonë, më 17 shkurt 1920. Përmes saj, ato përpiqen sërish të justifikojnë disa nga ndryshimet. Por përsëri, me një ton edhe më të prerë, në letrën e dërguar atyre më datë 25 shkurt 1920, Presidenti Wilson do të theksonte mes të tjerave se, “parimi themelor për të cilin kemi luftuar është që asnjë qeveri apo grup qeverish nuk ka të drejtë të disponojë territorin ose të vendosë përkatësinë politike të një populli të lirë, cilido qoftë ai… Drejtësia dhe e drejta e vetëvendosjes duhet të zëvendësojnë agresionin dhe presionin politik. Ndarja e Shqipërisë në tri pjesë, siç parashikohet në marrëveshjen franko-angleze, mund të pranohej me qejf nga Qeveria jugosllave, por Qeveria amerikane nuk mund të pranojë që dy krahinat (shqiptare, veriu dhe jugu, shënimi ynë) të vihen nën kontrollin e kombeve me të cilët ato nuk kanë as gjuhën, as qeverinë dhe as potencialin ekonomik të njëjtë”.
Me gjithë sqarimet e mësipërme, është interesant të vihet në dukje se dy kryeministrat aleatë vazhdojnë të insistojnë për të marrë pëlqimin e Presidentit amerikan, të paktën për t’i dhënë Jugosllavisë qytetin e Shkodrës dhe krahinat përreth saj. Në letrën që ata i dërgojnë atij një ditë më vonë, pra më 26 shkurt 1920, i premtojnë se marrin angazhimin për “… të plotësuar dëshirat e popullit shqiptar për një qeveri krejtësisht autonome, por duke marrë në konsideratë nevojën për t’i garantuar edhe Jugosllavisë një dalje në Adriatik, në krahinën e Shkodrës…”. Por, edhe njëherë Presidenti Wilson do të jetë shumë i qartë dhe i prerë mbi këtë temë. Në letrën që ai u dërgon kryeministrave Klemanso dhe Lloid Xhorxh më 6 mars 1920, vë në dukje se ai “…deklaron sërish që nuk do të miratojë asnjë plan që do t’i jepte Jugosllavisë një kompensim territorial në pjesën veriore të Shqipërisë, në vend të diçkaje që mund t’i shkëputej gjetiu… Jugosllavisë”.
Me këtë letërkëmbim intensiv duket se merr fund trajtimi i çështjes shqiptare në kuadër të Konferencës së Paqes. Diskutimi në parim i saj do të vazhdonte, megjithëse pa praninë fizike të SHBA-ve, në Lidhjen e Kombeve dhe në Konferencën e Ambasadorëve. Megjithatë, pozicioni i Qeverisë amerikane ishte tashmë i qartë për të gjithë. Ato nuk do të njihnin asnjë ndryshim territorial në dëm të Shqipërisë. Më 9 nëntor 1921, e mbledhur në Paris, Konferenca e Ambasadorëve të Britanisë, Francës, Italisë dhe Japonisë do të vendoste në emër të Lidhjes së Kombeve “Njohjen e Qeverisë së Shqipërisë, të mëkëmbur si shtet sovran dhe i pavarur”, duke konfirmuar njëkohësisht edhe kufijtë e përcaktuar nga Konferenca e Londrës e vitit 1913. Dhjetë ditë më vonë, Këshilli i Lidhjes së Kombeve do të miratonte një rezolutë të veçantë, që u kërkonte trupave ushtarake jugosllave të tërhiqeshin menjëherë nga territori shqiptar. SHBA-të nuk ishin pjesë direkte e kësaj vendimmarrjeje, pasi Kongresi Amerikan për arsye politike nuk kishte ratifikuar Kartën e Lidhjes së Kombeve.
Në fakt, ndjeshmëria e presidentit dhe delegacionit amerikan ndaj çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes bënë që menjëherë pas Luftës së Parë Botërore të shtohet dukshëm në SHBA interesi dhe simpatia për Shqipërinë. Kjo kishte munguar thuajse totalisht më parë, kryesisht për shkak të politikës izolacioniste dhe indiferencës së SHBA-ve në përgjithësi ndaj çështjeve europiane. Padyshim që siç është theksuar edhe më sipër, rol të veçantë pozitiv në këtë kthesë historike luajti shoqëria “Vatra” krijuar që vitin 1912 nga veprimtare të shquar të komunitetit shqiptar të Amerikës (kryesisht me origjinë nga Korça e rrethinat e saj, si Faik Konica, Fan Noli, Kristo Floqi e të tjerë). Ndër të tjera, mund të përmendet letra e Fan Nolit e datës 21 gusht 1915, drejtuar Sekretarit të Shtetit, Robert Lansing, përmes së cilës i lutej të informonte Presidentin amerikan “… to use his moral influence to prevent partition of Albania” (të përdorte ndikimin e tij për të penguar ndarjen e Shqipërisë). Sigurisht që bëhej fjalë për Traktatin e Londrës të vitit 1915, i cili megjithëse i fshehtë, nuk mund t’i shpëtonte nuhatjes diplomatike të patriotëve shqiptare. Ky traktat do të njihej i plotë vetëm pas botimit të tij nga qeveria sovjetike në janar të vitit 1918. Shumë shpejt, në fillim të marsit 1918, edhe “Vatra” do të protestonte fuqimisht ndaj këtij traktati. Deklarata e “Vatrës” shkonte edhe më tej kur theksonte se shqiptarët janë të bindur që pas mbarimit të luftës dhe rivendosjes së pavarësisë, Shqipërisë i duhet ndihma dhe bashkëpunimi i një kombi të madh, pa ambicie politike e pa pretendime territoriale dhe se SHBA-të duket se janë ai komb, tek i cili shqiptarët “…can look with perfect confidence” (kanë besim të plotë). Pikërisht për këtë arsye mendohet se në Departamentin e Shtetit të SHBA, në nëntor 1918, qarkulloi një material konfidencial me titull “Brief Recommendations regarding Albania”, ku ndër të tjera propozohej që Qeveria amerikane të mund të mbështeste “… vendosjen e këtij territori nën mandatin e një Fuqie të Madhe pa interesa të drejtpërdrejta mbi Shqipërinë” dhe se “SHBA-të duket që janë fuqia e vetme që plotëson këtë ideal dhe që mund ta pranonte këtë mandat ndërkombëtar”.
Me sa duket, për këtë qëllim si dhe për të grumbulluar më shumë informacion për delegacionin amerikan në Konferencën e Paqes në Paris, në periudhën mars/prill 1919 u dërgua në Shqipëri Joseph Haven, konsulli amerikan në Torino. Pavarësisht zhurmës, peripecive dhe kundërshtive të shtypit grek ndaj sondazheve të tij në jug të vendit, ai do të deklaronte qartësisht në raportin përfundimtar për Departamentin e Shtetit se “Zgjedhja e parë dhe kërkesa e përgjithshme në të gjithë Shqipërinë pa përjashtim, është vendosja e kontrollit të administratës amerikane…”.
Për të përforcuar mendimin dhe qëndrimet e saj, një vit më vonë, në pranverën e vitit 1920, Qeveria amerikane do të dërgonte edhe një mision të dytë në Shqipëri, zëvendëskonsullin e përgjithshëm amerikan në Romë, Robert Hammond. Kjo vizitë nuk kishte zhurmën dhe publicitetin e misionit të parë. Edhe raporti i tij është i mbushur me lëvdata e vlerësime për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndër të tjera, aty theksohet se “Shqipëria është një hapësirë e shkëlqyer për zhvillim… dhe se shqiptarët në tërësi i adhurojnë dhe i duan SHBA-të dhe idealet e amerikanëve në mënyrë fanatike…” (The Albanians as a whole worship and love the US and American ideals to a fanatical degree), dhe se “ato do të donin shumë një mandat amerikan mbi Shqipërinë…”. Në vijim kishte edhe një fushatë të kufizuar në shtypin amerikan mbi këtë temë. Ndër të tjera, William Howard, Sekretar i Përgjithshëm i Fondit Shqiptar të Ndihmës (Albanian Relief Fund), botoi një artikull në revistën “The Christian Work”, organ i këtij fondi në Uashington, me titull “Një Republikë Amerikane në Europë”, ku ndër të tjera propozonte që Presidenti Wilson të ndihmonte në shpalljen e Republikës se Shqipërisë, duke i garantuar njëkohësisht edhe mbështetje, ndihmë e mbrojtje të privilegjuar. Rekomandohej gjithashtu krijimi i një qeverie të re shqiptare, zyrtare të së cilës të bëheshin edhe persona të shquar nga komuniteti shqiptar në SHBA. Por, këto do të mbeteshin vetëm plane. Sidoqoftë, situata e krijuar nga Konferenca e Paqes si dhe informacionet zyrtare pozitive mbi vendin tonë do të çonin shpejt në njohjen de jure të Shqipërisë nga SHBA-të më 28 korrik 1922. Marrëdhëniet diplomatike do të vendoseshin më 4 dhjetor 1922, kur i Dërguari i Jashtëzakonshëm dhe Ministri Fuqiplotë i SHBA-ve, Ulysses Grant – Smith, diplomat karriere, do t’i paraqiste letrat kredenciale në Tiranë, kryeministrit shqiptar Xhafer Ypi.
Me mbarimin e mandatit presidencial në vitin 1921, Woodrow Wilson do t’i përkushtohej sërish jetës akademike, me fokus kryesor impaktin e brendshëm e të jashtëm të revolucionit amerikan, që përfundoi me miratimin në Kongres të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-ve më 4 korrik të vitit 1776, si dhe çështjeve tepër të rëndësishme, që kanë të bëjnë me origjinën dhe rreziqet e totalitarizmit. Sidoqoftë, përkeqësimi i shëndetit u bë shkak që ai ndërronte jetë me 3 shkurt të vitit 1924. Duhet theksuar gjithashtu që për shkak të angazhimit tepër aktiv e parimor në Konferencën e Paqes së vitit 1919, atij iu dha çmimi Nobel për Paqe. Wilson konsiderohet edhe sot si një nga presidentët më të mirë dhe më të suksesshëm të SHBA-ve. Padyshim që edhe shqiptarët e vlerësojnë dhe e kujtojnë me respektin e mirënjohjen më të thellë këtë burrë të shquar shteti, i cili u bë realisht engjëlli mbrojtës i tyre 100 vjet më parë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.