KULTURË

KISHAT DHE XHAMITË/ Nga anulimi i lutjeve e faljeve, te këshillimi i besimtarëve

11:23 - 12.03.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tri ditë pasi Italia njoftoi rastin e parë me virusin COVID 19, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë nxori një listë masash të detyrueshme për zbatim në të gjitha kishat katolike në Shqipëri. në datën 29 shkurt Konferenca njoftoi se si parandalim përveç udhëzimeve të botuara nga Instituti i Shëndetit Publik, ipeshkvinjtë e Kishës Katolike në Shqipëri, vendosën që në kishat e vendet e adhurimit dhe të kremtimit të sakramenteve nuk do të mbahet uji i bekuar te hyrja e kishës. Besimtarët duhet të përkulen dhe të gjunjëzohen me respekt në kishë duke zëvendësuar ujin e bekuar. Si masë e dytë e tyre, vendosën që në përshëndetjen e paqes (dhënia e dorës nga fundi i meshës), meshtari dhe besimtarët mos t’ia japin dorën njëri-tjetrit, por të përshëndeten me uljen e kokës; besimtarët ta marrin kungimin vetëm me dorë.
Mes të tjerash, kisha katolike e Shqipërisë vendosi që:




Besimtarët janë nxitur të mos prekin më dorë statujat e shenjtërve;
Meshtarët dhe motrat që ofrojnë shërbesa në shtëpi pleqsh dhe institute të tjera të ngjashme duhet të ndjekin udhëzimet e dhëna nga Instituti për Shëndetin Publik për parandalimin e infeksioneve;
Shtegtimet, ceremonitë dhe të gjitha format e tjera të bashkimit (takime profesionale e baritore) mund të vazhdojnë duke ndjekur udhëzimet e përgjithshme.
Vendimi i mësipërm ishte marrë më 29 shkurt, 10 ditë para se Shqipëria të prekej zyrtarisht nga rastet e para dhe para se qeveria të merrte masa drastike.
Masa ka të ngjashme ka marrë edhe Kisha Ortodokse e Shqipërisë. Një njoftim i saj, thekson se me pjesëmarrjen në Kungatën e Shenjtë nuk transmetohen sëmundjet pasi është kungim në Shenjtërinë Hyjnore. Megjithëkëtë, ajo kërkon që të shmangen përqafimet dhe kontaktet e afërta; të shmanget puthja e ikonave, një përulje përpara tyre tregon shpresëtarin tonë ndaj ikonave; të shmanget marrja e bekimit te klerikët (puthja e dorës); besimtarëve që janë të moshuar ose me sëmundje të tjera, të shmangin përkohësisht pjesëmarrjen në shërbesat në kishë dhe të ruhen kushtet e higjienës të këshilluara nga Ministria e Shëndetësisë.

KOMUNITETI MYSLIMAN
I SHQIPËRISË
Të gjithë jemi të vetëdijshëm për seriozitetin dhe përmasat mbarëbotërore që ka marrë epidemia e virusit COVID-19. Feja Islame i jep rëndësi të madhe shenjtërisë së jetës së njeriut dhe mbrojtjes së saj. Në rastet e shpërthimit të epidemive, Profeti Muhamed (a.s.) na urdhëron që: “Nëse dëgjoni se diku ka rënë epidemi, mos shkoni në atë vend! Nëse godet në një vend dhe ju ndodheni aty, mos u largoni që andej për t’i shpëtuar!”. Pra, karantinimi dhe evitimi i të gjitha lëvizjeve të panevojshme është masa paraprake që duhet të merret në të tilla raste.

Feja Islame, gjithashtu, i jep një rëndësi të madhe higjienës personale dhe të ambientit ku jetojmë e punojmë, duke e konsideruar higjienën dhe pastërtinë si pjesë të besimit. Kjo është, gjithashtu, edhe si një nga masat e sugjeruara nga ekspertët për parandalimin e përhapjes së kësaj epidemie.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë duke vlerësuar situatën e paprecedentë të krijuar nga kjo epidemi, ka marrë disa masa të nevojshme për të mbrojtur qytetarët nga një infektim i mundshëm nga COVID-19.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kërkon nga myftinitë e qyteteve marrjen e masave të mëposhtme:
1- Ngarkohen të gjithë myftinjtë dhe stafi i tyre të ndërmarrë fushata sensibilizuese për publikun dhe të inkurajojnë të gjithë besimtarët, kryesisht moshën e tretë dhe personat me sëmundje kronike që t’i kryejnë ritualet fetare në banesat e tyre.

2- Anulimi i tubimeve masive si ligjërata, kurse në xhami, aktivitete të ndryshme dhe sipas rrezikshmërisë në zonën tuaj të anulohet edhe falja e namazit të xhumasë.
3- Pesë kohët e namazit sugjerohet të falen në mënyrë jo të organizuar, ndërkohë ezani të thirret në mënyrë të rregullt në të gjitha xhamitë.
4- Zbatimi me rigorozitet i të gjitha sugjerimeve dhe këshillave të nxjerra nga autoritetet përkatëse në vendin tonë si dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Kërkojmë mirëkuptimin e besimtarëve në respektimin e masave të marra, pasi mbrojtja e jetës dhe shëndetit është një obligim fetar për të gjithë besimtarët.
Pasi të marrim të gjitha masat e nevojshme, t’i lutemi Zotit me lutjen e Profetit Muhamed (a.s.): “O Zot më ruaj nga lebroza, nga çmenduria, nga murtaja, nga epidemia dhe nga të gjitha sëmundjet e këqija.”
Lusim Zotin e Gjithëmëshirshëm që kjo situatë të kalojë pa pasoja për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.