Aktualitet

“Mediat në luftë për lajmin e parë, por koronavirusi mund të jetë i fundit”, Murati ngre alarmin: Qeveria të përfshijë në paketë mediat dhe gazetarët

14:22 - 26.03.20 gsh

Kryeredaktori i Gazeta Shqiptare dhe gazetari Erl Murati i kërkon qeverisë që të mos diskriminojë asnjë biznes në vend në paketën e ndihmës duke përfshirë dhe mediat në situatën e krijuar nga koronavirusi. Në një lidhje direkte në News24, Murati tha se duhet të ketë prioritete që janë shtresat vulnerabël apo shëndetësia por nuk duhet të ketë diskriminime.Pasi kjo bombë biologjike ka efektet e saj edhe në tregun e medias që mbahet me reklama. Ai shtoi se mediat shpesh janë në garë për lajmin efundit por se koronavirusi mund të jetë i fundit për shumë prej tyre.



“Kjo bombë biologjike të cilën bota e vuan prej disa muajsh tashmë pritet të ketë efekte të drejtpërdrejt dhe anësore që mund të shndërrohen në një bombë ekonomiko-financiare në çdo sektor. Ajo që kisha shkruar është një apel, ndaj qeverisw shqiptarë të cilën e përgëzoj për paketën financiare dhe e ftoj që kjo paketë të ishte gjithpërfshirëse ndaj çdo biznesi në vend. Sigurisht që ka prioritete por nga ana tjetër nuk duhet të ketë diskriminime. Jo thjesht biznesi i madh apo i vogël por të gjithë. Në fushën e medias kjo bombë biologjike ka efektet e veta sepse tregu i medias për momentin ka shumë vështirësi pasi mjaft reklamues të mëdhenj, biznesi i madh është tërhequr nga reklamimi për mediat ndaj ka nevojë që në këtë paketë ekonomike të përfshihet dhe media. Shtypi i shkruar që nga 13 marsi nuk del në print. Në një farë mënyre jemi pajtuar dhe kemi pranuar apelin për të dekurajuar daljen e njerëzve nga shtëpia, të njerëzve në pikat e shitjes së gazetës ndaj kemi mbajtur vetëm versionin online”, tha Murati.

Sipas tij, sektori i shtypit dhe ¼ e popullsisë në botë është e paralizuar por nëse kjo situatë do vazhdojë do ketë edhe një bombë ekonomike-financiare në gjithë sektorët, përfshirë dhe mediat.“Një polic, një çiklist, një kamerier që ka mbyllur punën por dhe një gazetar duhet të jetë në vëmendje të qeverisë, të paketës.

Shqetësimi tek gazetarët është i pranishëm. Unë e thashë jo thjesht në sektorin e shtypit por momentalisht bota është e paralizuar. ¼ e popullsisë e banorëve të botës është e ngujuar, janë njerëz të profesioneve të ndryshme. Janë ngujuar sepse jeta është e para. Por nëse kjo situata do vazhdojë do kemi dy probleme jo vetëm bombën biologjike por edhe ekonomike-financiare.

Shumë media, portale, në Shqipëri por edhe në botë, mburren që kanë ato lajmin e fundit kur ndodh por mendoj se në situatën aktuale, nuk dua të bëj Kasandrën po koronavirusi do jetë vërtetë lajmi i fundit. Nuk dua të jem pesimist dhe uroj që kjo situatë të mbyllet sa më shpejtë”, u shpreh Murati.

Sa i përket shtypit të shkruar, Murati tha se burimi kryesor i mediave janë reklamat e bizneseve të mëdha. “Këto biznese të mëdha kanë filluar të tërhiqen nga reklamat sepse kanë vështirësi ekonomiko-financiare për të operuar për shkak të situatës. Për momentin vijon në tkurrje. Nuk jemi ndoshta në pikën e fundit, në një situatë terminale por frika është që kjo situatë do të vazhdojë. Duket që të paktën deri në muajin qershor do kemi një ngujim masiv të botës.

Edhe gazetarët janë njerëz që jetojnë me rrogë dhe kanë nevojë dhe ata të bëhen pjesë e kësaj pakete. Bëhet fjalë për paratë e buxhetit që ne i kemi nxjerrë nga xhepat tona. Paratë e paketës ekonomike janë paratë e gjithë shqiptarëve”, deklaroi Murati.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.