Intervista

Intervista/ Neritan Ceka, rrëfim nga karantina: Rama të dalë më pak në TV. Opozita? Shembullore

17:00 - 01.05.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Izolimi në shtëpi i ka kufizuar të përditshmen e tij, shëtitjet nga liqeni me bashkëshorten, palestrën, kafet me miqtë apo shfaqjet teatrale… Por “ngujimi” ka shpeshtuar bisedat e Neritan Cekës më të afërmit, sidomos me pjesën e familjes jashtë vendit dhe kryesisht me mbesën “e privilegjuar’. Orët e shumta e zënë librat dhe rikthimi te ribotimet. Arkeologu dhe historiani Neritan Ceka për “Gazeta Shqiptare” flet për eksperiencën e tij me pandeminë e koronavirusit, teksa nuk i fsheh disa pakënaqësi për menaxhimin e situatës nga pandemia, por as nuk mohon faktin se gjithçka është menaxhuar mirë. Ceka shprehet se kjo situatë i gjeti shqiptarët të papërgatitur, në luftë për ekzistencë dhe në skajet e varfërisë, ndërsa shteti u kthye menjëherë në “malin që s’bëzan”… Neritan Ceka, një prej figurave qendrore të pluralizmit politik nuk nguron të japë vlerësimet e tij për liderët aktualë politikë, “armëpushimin” përgjatë pandemisë dhe paralajmërimit se “lufta politike” do të rindizet sërish me afrimin e zgjedhjeve parlamentare. Neritan Ceka është ish-themelues i PD-së, ish-ministër Rendit, ish-kreu i PAD, disa herë deputet në Kuvend, ndërkohë që vazhdon punën me Akademinë e Shkencave, si kryetar i Komisionit Histori-Arkeologji në përgatitjen e programit të një konference të Albanologjisë, që përgatitet për t’u mbajtur vitin që vjen.




Z.Ceka, çfarë ka ndryshuar te ju personalisht izolimi në shtëpi për shkak të Covid-19?

Shumë pak. Kjo, sepse kam ruajtur ritmin e zakonshëm të jetës dimërore, kur e kaloj pjesën më të madhe të kohës në kompjuterin tim. Jam me fat që kam përballë gjithë dritareve të shtëpisë malin e Dajtit, që më duket një referim i sigurt për të mos humbur ndjenjën e hapësirës, sepse të kohës e kam humbur. Në këtë mënyrë, kam rivendosur një raport të humbur me natyrën, duke parë profilet e agimit në kreshtat e tij, që i shtohet edhe kori i zogjve të rikthyer në pullazet tona. Krijimi i një lloj rutine është armiku më i madh i kësaj gjendjeje, që na kthen në Edmont Dantes të qelisë sonë komode shtëpiake. Natyrisht, mendimi im shkon te të gjithë ata që e kanë kaluar këtë periudhë si luftë për ekzistencë dhe mbetet i ngulitur imazhi migjenian i disa burrave të komunitetit egjiptian nën kalanë legjendare të Shkodrës, që prisnin dikë t’i thërriste për të punuar si hamej. Në këtë optikë, ngujimi ka qenë një fenomen thellësisht ekzistencial në Shqipëri, sepse ka vendosur përballë zgjidhjes së problemit të mbijetesës dhjetëra-mijëra familje, që u gjetën të papërgatitura, por edhe të pambrojtura para kësaj gjendjeje. Ka qenë, si të thuash, një prishje e kuadrit të kontratës sociale, ku këta njerëz i kanë deleguar shtetit përmes sistemit politik dhe votës kapacitetet e tyre vetëmbrojtëse. Dhe shteti u kthye menjëherë në “malin që s’bëzan”, siç shkruante Migjeni. Për më tepër, për të fshehur dobësitë dhe paaftësitë e tij, ai u shfaq përmes arrogancës, alarmit dhe krijimit të atmosferës së frikës dhe pasigurisë. Për këtë arsye kam dyshimin që edhe pas largimit të pandemisë, shoqëria jonë do të jetë jo vetëm më e varfër, por edhe më e përçarë dhe më indiferente ndaj gjërave që na bashkojnë si komunitet.

Vazhdoni të mos shkoni dot në palestër e të dilni shëtitje te liqeni…?

Ndoshta kjo është ajo që më mungon më shumë. Sepse ishte një kohë prej dy orësh, me ardhjen rreth liqenit, me gruan time, Linë, kur i kushtoheshim plotësisht njeri-tjetrit. Pastaj ishte edhe kafja në bregun e liqenit, ku mund të takonim shumë prej miqve tanë. Takimi i përjavshëm me dr. Pandeli Çinën, që sillte përherë një përkthim poezie të nobelistëve polakë. Ishte një lloj apeli i moshatarëve dhe druaj që në apelin e ardhshëm disa prej tyre nuk do të jenë. Druaj edhe se nuk do t’i kem edhe koncertet e përdyjavshme të orkestrës së Radio-Televizionit, apo shfaqjet teatrale, që janë nga privilegjet e gëzuara të kryeqytetit.

Si është një ditë e juaja i mbyllur në shtëpi, si e keni organizuar atë?

Kam përfituar nga kjo mbyllje e detyruar për t’iu kthyer disa librave që kam botuar më parë dhe që po i plotësoj me të dhënat e reja në fushën e arkeologjisë. Kam vazhduar punën edhe me Akademinë e Shkencave, si kryetar i Komisionit Histori-Arkeologji në përgatitjen e programit të një konference të Albanologjisë, që përgatitet për t’u mbajtur vitin që vjen. Natyrisht, kam kontaktuar çdo ditë të afërmit, miqtë dhe kolegët e mi. Këtu preferencën e përditshme e ka pjesa e familjes që është jashtë vendit dhe kryesisht mbesa jonë e privilegjuar, Rida. Kontaktoj shpesh me mikun tim të vjetër, Moikom Zeqo, sepse është një kohë reflektimi filozofik dhe të flasësh me Moikomin është sikur të shkosh në një tempull. Është një kohë përsiatje, që nga kujtimet e kohëve që rrihnim brigjet e Karaburunit në kërkim të anijeve antike e deri te gjykimi për të sotmen. Si arkeologë, të dyve na ka preokupuar motivi i ekzistencës, përvoja e gjatë e njerëzimit për të përballuar katastrofat, e materializuar te muret e kështjellave ilire, te shtresat e djegieve të depozituar brenda tyre, që kanë lënë pas ushtritë romake, turmat gote e sllave; anijet e varrosura në thellësitë detare së bashku me përpjekjet e pandërprera për të mposhtur sfidat e natyrës në kërkim të horizonteve të reja, por edhe ekzistenca e unit brenda nesh, guximi për të mos u epur nga presioni i arrogancës, mediokritetit dhe veseve që bart pushteti politik. Këto kohë i jam kthyer më shumë edhe leximit, kryesisht poezisë. Kavafis dhe Bodler janë gjithmonë te komodina pranë krevatit, por edhe kujtimet e arkeologut Leon Rey, një monument historik dhe letrar për gërmimet e tij në Apolloni, apo të Kristo Frashërit, një film i vërtetë i tërë shekullit të kaluar. Përsëris shpesh në mëndje dhe vargje të mësuara dikur përmendësh:

Se pas dimrit vjen një verë

Që do kthehemi një herë

Pranë vatrës, pranë punës,

Anës Vjosës, anës Bunës.

Si ju duken masat shtrënguese të qeverisë dhe zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme?

Unë mendoj se gjendja e fatkeqësisë natyrore është menaxhuar mirë, në standardet ballkanike dhe kanë dëshmuar një shoqëri shqiptare të ndërgjegjshme dhe vetëdisiplinuar. Duhet të vlerësoj në mënyrë të veçantë mjekët shqiptarë, që dëshmuan një shkallë të lartë profesionalizmi dhe ndërgjegje profesionale e civile. Ky ka qenë edhe një mesazh i qartë për politikën, që e ka trajtuar sistemin shëndetësor në mënyrën më diletante, për të mos thënë korruptive. Unë besoj se menjëherë pas pandemisë, duhet të largohen nga ky sistem pseudodrejtorët “menaxherë” dhe duhet ndërmarrë një reformë e thellë e tij nga vetë mjekët. Duhet të ndërtohet një hierarki e vërtetë vlerash me intelektualët shqiptarë, që u dëshmuan me vlera të mirëfillta jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në ekipe të rëndësishme ndërkombëtare. Duhet që patjetër t’i jepet fund maskaradës së emërimit të “intelektualëve” nga klientelat e pashtershme të partive politike, që dalin papritmas si “menaxherë” të spitaleve, instituteve, agjencive, kudo që ka tendera dhe para. Ku ishin gjatë pandemisë? Për fat të mirë nuk iu pa as figura dhe as zëri, po aq sa nuk iu pa edhe “ekspertëve të huaj”, që shfaqen sa herë ka për të ndarë paratë e ndonjë tenderi, apo për të marrë paratë qyl të ndonjë projekti, si ai i Teatrit Kombëtar. Për gjendjen e jashtëzakonshme besoj se po shkon drejt përfundimit me masat e hapjes të parashikuara nga qeveria që javën që vjen. Do t’u shtoja atyre edhe hapjen e plotë të gjitha aktiviteteve prodhuese dhe shërbimeve në disa prej qyteteve dhe rajoneve të tyre, ku nuk janë evidentuar vatra infeksioni, si Saranda, Gjirokastra, Përmeti, Kolonja, Pogradeci, Librazhdi, Peshkopia, Kukësi, etj., si dhe komunikimet midis tyre, por jo me qytetet e infektuara. Këtu do të shtoja edhe qytetet, të cilat nuk kanë pasur raste të reja prej më shumë se dy javësh. Personalisht po pres një liridalje për pensionistët gjatë gjithë mëngjeseve dhe liri udhëtimi edhe për pensionistët gjatë fundjavave. Targetimi i tyre si fashë sociale në rrezik më duket se bazohet në gjykime empirike. Në fakt, mosha mesatare e të vdekurve nga koronavirusi në Shqipëri është 44 vjeç, pra nuk përcaktohet nga pensionistët mbi 65 vjeç. Natyrisht kjo fashë, për shkak të moshës përmban më shumë individë me sëmundje kronike, që ulin rezistencën ndaj virusit, por një statistikë më reale do të ishte ajo që do të mbështetej te numri dhe moshat e të shëruarve. Mbyllja e gjatë e pensionistëve mund të ketë rreziqe dhe pasoja shëndetësore shumë më të rënda se sa krijimi i hapësirave kohore dhe fizike për të lëvizur brenda dhe jashtë qyteteve të tyre.

A ishte e papërgatitur Shqipëria përballë situatës së pandemisë?

Në këtë drejtim Shqipëria nuk mund të bënte përjashtim, po u gjet e papërgatitur në dy drejtime. Së pari, në një sistem shëndetësor rrumpallë, të degraduar nga “menaxhimi” diletantesk dhe korruptiv i agallarëve të emëruar nga politika. Së dyti, me një strukturë shoqërore rrumpallë, ku një e treta e fuqisë punëtore në sektorin e shërbimeve punojnë në të zezë dhe ku pothuaj i gjithë sektori bujqësor është i pasiguruar. Janë njerëz që mbajnë familje me atë që fitojnë sot dhe që u gjendën në rrugë të madhe këto dy muaj. Ajo që është më shqetësuese për Shqipërinë është pas-karantina. Për një gjë jam i sigurt – për pasigurinë e asaj që vjen pas. Që sot janë mijëra familje pa asnjë mjet jetese dhe pa asnjë derë ku të trokasin. Nesër do të jenë disa mijëra vende pune të mbyllura jo vetëm në Shqipëri, por edhe për shqiptarët e emigracionit. Kjo është një krizë që do të vazhdojë shumë kohë dhe që kërkon marrjen e përgjegjësive jo vetëm nga qeveria aktuale, por edhe nga ata që do të jenë nesër në pushtet.

Çfarë rrezikojnë shqiptarët duke qëndruar ende në shtëpi?

Ky është diskutimi më aktual i këtyre ditëve, që nuk përcaktohet nga mërzia e të qenit mbyllur në shtëpi, por edhe nga pasiguria e hapjes. Është si puna e zogut, që është mbyllur një kohë të gjatë brenda në kafaz dhe që ka frikë të fluturojë jashtë tij, kur i hapet deriçka. Nga ana psikologjike do të ketë një periudhë adaptimi të paskarantinës. Do të duhet të rindërtojmë shumë gjëra, duke filluar nga kontaktet personale, nga frika ndaj tjetrit si bartës i rrezikut koronavirus e deri tek ekonomia e secilit deri tek ajo kombëtare. Sa më vonë të dalim, aq më i vështirë do të jetë rimarrja e vetes, por edhe e shoqërisë. Është e trishtuar të shikosh pas kësaj sakrifice kombëtare Shqipërinë në një nga vendet e fundit të rekomanduara për hapje nga   ekspertët. Sipas tyre, duhet të hapemi plotësisht në tetor, kur Italia e masakruar nga koronavirus e ka këtë rekomandim për muajin korrik.

A ishin të nevojshme ndryshimet në Kodin Penal dhe a besoni se do të ketë të arrestuar apo prokurorë, që do të donin të ndiqnin çështje të tilla?

Fillimi i hapjes i bën këto ndryshime të panevojshme dhe pjesa më e madhe e tyre nuk do të gjejnë zbatim, qoftë në nivelin e mbledhjes së provave, të hapjes së procedimit penal nga prokurorët dhe aq më pak të dhënies së dënimit nga gjykata. Ajo që po bëhet mirë është amnistia për pjesën më të madhe të gjobave dhe masave administrative për shkeljet e realizuara nga qytetarët gjatë karantinës. Nuk do të jetë mirë që të kemi një amnisti të dytë edhe për ata që do të penalizohen nga nenet e reja të Kodit Penal. Më e keqja do të jetë, nëse këto nene do të mbeten në Kod edhe pas zhdukjes së pandemisë.

A shikoni një klimë normaliteti të ri mes mazhorancës dhe presidentit? Sipas jush, çfarë qëndron pas zbutjes mes Ramës dhe Metës dhe në këtë rast nuk i referohem vetëm periudhës së pandemisë, por edhe ndryshimeve në Kodin Penal…?

Nuk shoh një fenomen se sa një akt formal, një mesazh nga presidenti për një armëpushim politik. Sigurisht që lufta politike do të ndizet përsëri, të paktën që nga shtatori, me fillimin e klimës elektorale për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Sidoqoftë, në imazhin popullor Presidenti Meta do të mbetet gjithmonë në tribunën e mitingut të muajit shkurt, si lideri që e di se si dhe kur i duhet popullit dhe me të cilin nuk është e lehtë të ngatërrosh urët.

Cili është vlerësimi juaj për kryeministrin Edi Rama dhe ministrat e tij?

Po të kishte dalë më pak në mediat televizive dhe rrjetet sociale, do të kishte dhënë imazhin e një kryeministri në detyrë. Dalja vend e pa vend, sidomos para fotografisë së Ismail Qemalit, me pamjen e lodhur dhe frazat e “babait të kombit”, e kthejnë atë përkushtim në një parodi të babë Qamilit. Sa për ministrat: “kur themi ministrat-kuptojmë Rama dhe kur themi Rama, s’ka më njeri tjetër”.

Si e shihni rolin e opozitës në këtë periudhë pandemie?

Them që ka pasur një sjellje shembullore në konstruktivitetin dhe seriozitetin e saj. Në se ka pasur diçka pozitive në politikën e kësaj periudhe, ka qenë pikërisht ndërtimi i një imazhi të ri të opozitës, që ka rifituar dimensionet që kishte para braktisjes së parlamentit dhe zgjedhjeve. Nëse qeveria do të kishte bashkëpunuar seriozisht me atë opozitë dhe do të kishte zbatuar me kohë disa nga propozimet profesionale të saj, rrjedhojat e krizës do të ishin më të lehta. Kjo vlen edhe më shumë për nevojat e bashkëpunimit në përcaktimin e masave të pasngujimit, veçanërisht për ato të mbështetjes së biznesit dhe bujqësisë në të gjitha kategoritë e saj, me një faturë e cila do të kalojë nga një qeveri te tjetra. Marrja e këtyre përgjegjësive vetëm nga qeveria aktuale minimalisht dëshmon papërgjegjshmërinë e saj.

Po përsa i përket kreut të opozitës, Lulzim Basha…?

Përgjegjësitë krijojnë personalitet të ri tek udhëheqësi politik dhe kjo është ajo që kam konstatuar te Basha. Gjatë këtyre dy muajve kam parë një ngritje të vazhdueshme të personalitetit të tij, qoftë në dinjitetin personal, ashtu edhe të një lideri të ekuilibruar, që punon në ekip. Mendoj se është në rrugën e drejtë të një lideri të tipit europian, që bazohet te programi politik dhe jo te karizma. Natyrisht që kjo është në një lloj konflikti me imazhin popullor të liderit në Shqipëri, që e do atë zhurmëmadh, imponues, mbinjerëzor, pa vënë mend nga zullumet që i ka sjellë ky tip lideri shoqërisë shqiptare. Ndoshta jemi në një moment kthese dhe reflektimi, për të mos thënë mbingopjeje nga karizmat virusale të lidershipit shqiptar dhe përmes Bashës po na ofrohet një model i ri udhëheqësi politik.

Si e konsideroni deklaratën e z.Basha se “opozita që ulërinte nga maja e kokës nuk ekziston më”?

Do të shpresoja të ishte një lloj autokritike e veprimeve populiste të çadrës, bombave Molotov, apo braktisjes së parlamentit dhe zgjedhjeve. Nuk rekomandoj që të përfshiheshin këtu edhe demonstrimet e fuqishme civile të muajit janar, që formësuan një opozitë me përmasa popullore, krahas lëvizjes studentore, që u shua si flakë kashte nga apolitizimi i saj. Demonstrimi i muajit shkurt i thirrur nga Presidenti i Republikës tregoi se ky vend ka rezerva qytetarie, që duhen manifestuar kundër arrogancës dhe arbitraritetit të këtij pushteti dhe çdo pushteti të ngjashëm që mund të instalohet në ndërtesat përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Çfarë i duhet të korrigjojë lidershipit të opozitës që të afrohet me pushtetin?

Së pari, demokracinë e brendshme dhe hapjen e partisë për të krijuar me të vërtetë një lidership tërheqës, si ai i vitit 1990. Kjo do të thotë që karriera brenda partisë duhet t’u nënshtrohet po atyre rregullave që ka administrata dmth., niveli arsimor, përgatitja profesionale, kultura e përgjithshme, përshkallëzimi i karrierës. Kjo do të mënjanonte futjen e injorantëve, kriminelëve, qylaxhinjve, batakçinjve dhe kategorive të tilla që kanë qenë jo vetëm turpi i partive politike, por edhe materiali njerëzor ku janë mbështetur të gjithë uzurpatorët dhe aventurierët e partive politike në Shqipëri. Kjo do të thotë se nuk mund të kandidosh si deputet, pa qenë më parë anëtar këshilli bashkiak, kryetar bashkie, apo profesionist i një karriere të gjatë politike. Pra, të kemi një parti profesionale, ashtu siç i kemi në të gjitha sferat e tjera të jetës, për të mos dhënë shembullin e futbollit. Së dyti, një program i ri për sistemin demokratik në Shqipëri, duke filluar nga ndryshimi i sistemit zgjedhor, mënyra e ndërtimit dhe funksionimit të administratës shtetërore, ndërtimin e hierarkisë së vlerave në politikë, veprimtaritë intelektuale dhe ekonomike, propozimi i një programi ekonomik për Shqipërinë e mijëvjeçarit, targetimi si shtresa të mbështetura për rininë, gratë, pensionistët, artistët e shkrimtarët, shkencëtarët, etj.. Së treti, krijimi i një think tank, ku të ftohen jo vetëm politikanë me përvojë, por edhe intelektualë të pavarur, përmes një fondacioni të modelit të “Konrad Adenauer Stiftung”.

Pas gjendjes së jashtëzakonshme të pandemisë, sipas jush, çfarë duhet të diskutojnë palët politike?

Nuk besoj se pushteti aktual është i prirur të dëgjojë diçka nga opozita. Nëse po, duhet të ketë disa çështje urgjente, siç janë masat për ristartimin ekonomik sipas një perspektive të paktën dhjetëvjeçare, zhvillimi në konsensus i negociatave me BE-në dhe Kodi i ri Zgjedhor.

A jeni penduar për “mallkimin” që bëtë për ata që do të votonin me 30 qershor të vitit të kaluar? Sigurisht jo prej mallkimit tuaj, por pas asaj që deklaruat, shqiptarët kaluan situata të vështira, tërmetin dhe Covid-19.

Sigurisht këto nuk erdhën nga mallkimi im, sepse nuk kam asnjë forcë mbinjerëzore. Më së shumti mund të jenë një provë gnoseologjike për ekzistencën e Zotit, që na ndëshkon për të gjitha paudhësitë që i bëjmë vullnetit të tij, të mishëruar te respekti i vetvetes, lirisë së të tjerëve dhe mosshitja e shpirtit te djalli. Shpresoj që shumë nga ata që shkuan të votonin më 30 qershor dhe nuk janë penduar ende, do të kenë kohë për të reflektuar në muajt që pasojnë.

A besoni se në kushtet aktuale, Shqipëria mund të zhvillojë zgjedhje parlamentare?

Natyrisht që jo, pa kuruar (jo shëruar) dy plagët e mëdha të gjashtë muajve të fundit, tërmetin dhe pandeminë. Zgjedhjet kërkojnë edhe një lloj qetësie shpirtërore dhe sigurie për të ardhmen për zgjedhësit dhe kjo nuk mund të thuhet se ekziston në Shqipëri. Nga na tjetër kërkohet një garanci më e madhe edhe për infrastrukturën zgjedhore, si dhe për vetë sistemin zgjedhor, që përcaktohet nga kodi i ri. Natyrisht që është një barrë e rëndë morale dhe politike që Shqipëria e 30 vjet pas vendosjes së pluralizmit politik të përballët çdo ditë me karikaturën e tij në imazhin e pseudoparlamentit të sotëm kuisling.

Një nga propozimet për reformën e re elektorale ka të bëje me datën e zhvillimit të zgjedhjeve që parasheh ndryshimin e periudhës së përcaktuar për të vendosur datën e votimit si për zgjedhjet qendrore, ashtu edhe ato lokale. Si një figurat qendrore të pluralizmit politik në vend kur i gjykoni si më të përshtatshme zgjedhjet e reja parlamentare?

Mendoj se është një propozim racional, që të paktën e afron nja dy muaj një pranverë të pritshme të demokracisë shqiptare. Do të ishte e nevojshme që të zhvilloheshin në prillin e ardhshëm të dy zgjedhjet bashkë, për t’i dhënë fund edhe karikaturës së dytë, asaj të pushtetit vendor të emëruar.

A besoni se në rrethana të tilla, përmes një gare të barabartë, opozita do të mund të rikthehet në pushtet?

Para së gjithash, Shqipëria ka nevojë për një ristart të sistemit demokratik, për një republikë të tretë. Kjo duhet të fillojë me një kufizim të ekskluzivitetit të dy, apo tri partive në krijimin e establishmentit politik në Shqipëri, duke i kthyer partitë nga administruese dhe përfituese të strukturave ekonomike në promovuese të mendimit dhe programeve politike. Pra, vetëm një opozitë që propozon një Shqipëri ndryshe nga kjo që i është bërë nga nënë njerkë më shumë se gjysmës së shqiptarëve, do të meritonte një rikthim si një rinisje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.