OPINION

75-vjetori i fitores dhe bota e sotme

08:00 - 09.05.20 Mikhail Afanasiev *
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pandemia COVID-19 ndryshoi të gjitha planet dhe ndikoi në mënyrë radikale në axhendën ndërkombëtare. Pjesa më e madhe e botës ka pushuar së funksionuari, janë anuluar apo shtyrë shumë aktivitete. Midis tyre edhe ato kushtuar përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, fatkeqësisë më të madhe në historinë e njerëzimit. Megjithatë, ngjarjet e asaj lufte të madhe nuk u bënë kurrsesi më pak të aktuale. Përkundrazi, ndoshta në këto ditë të vështira ndihet më fort nevoja për të parë sesi bota, atëherë e copëtuar nga ideologji dhe sisteme të ndryshme, u bashkua dhe mposhti forcat që kërcënonin ekzistencën e saj.




Në përgjithësi pranohet që Lufta e Dytë Botërore filloi në shtator 1939 dhe përfundoi në 2 shtator 1945 me nënshkrimin e Aktit të Kapitullimit të Japonisë. Në fakt, agresioni ushtarak i shtetit nazist i ka fillimet e veta shumë më herët me ndarjen cinike e Çekosllovakisë dhe aneksimin e Austrisë. Luftës i paraprinë aventurat ushtarake të regjimit fashist të Italisë në Etiopi e Shqipëri, ekspansioni militarist i Japonisë në rajonin aziatik. Si anëtar i koalicionit antihitlerian, Bashkimi Sovjetik dha një kontribut vendimtar në fitoren kundër armikut të përbashkët duke humbur mbi 26 milionë njerëz. Humbje të mëdha në jetë pësuan të gjitha shtetet aleate, por edhe shumica e vendeve viktimë të agresionit ushtarak (Kina, Polonia, Greqia etj.).

Transformimet e pasluftës paracaktuan në shumë aspekte zhvillimin e mëtejshëm të planetit deri në ditët e sotme. Ideologjitë nazifashiste e militariste u shkatërruan, u rivendos sovraniteti kombëtar i shumë vendeve të pushtuara nga agresorët. Sistemi i ri i marrëdhënieve ndërkombëtare, i vendosur në Konferencat e Jaltës dhe Potsdamit, i cili ndryshoi bazën e rendit modern botëror, rezultoi të ishte më i qëndrueshëm se sistemi paraardhës, ai i Versajës.

Gjetja e zgjidhjeve të pranueshme ndërsjellshmërisht, menaxhimi “manual” i krizave botërore në periudhën e pasluftës treguan qartë se, edhe në rast të ideologjive në dukje të papajtueshme dhe konkurruese, liderët botërorë kanë mundur të marrin vendime në dobi të ruajtjes së paqes dhe të zhvillimit të qëndrueshëm. Si rezultat i luftës, imazhi moral i shteteve fituese u ngrit, në Azi dhe Afrikë vërehej një rritje e lëvizjes antikoloniale, kulmin e së cilës e shënoi viti 1960, i ashtuquajturi “Viti i Afrikës”, kur 17 shtete të kontinentit morën pavarësinë. Rezultatet kryesore politike të bashkëpunimit të vendeve të koalicionit antihitlerian nuk u tronditën nga erërat e stuhishme të Luftës së Ftohtë dhe konfrontimi i pasluftës. Përfundimi më i rëndësishëm i një partneriteti të tillë ishte koncepti i sigurisë panevropiane, i themeluar nga “Karta për një Evropë të Re” e OSBE-së, 30-vjetorin e së cilës ne festojmë këtë vit.

Çfarë mund të na mësojë sot historia e luftës globale? Së pari, të bashkohemi në luftën kundër kërcënimeve dhe sfidave më të rëndësishme, të cilat, ashtu si kanë dëshmuar ngjarjet e këtyre ditëve, nuk kanë shkuar askund larg nesh. Të tilla janë konfliktet e armatosura, terrorizmi ndërkombëtar, kataklizmat natyrore, pandemia e shfaqur spontanisht dhe e aftë të përhapet shpejt. Në mënyrë që përgjigja ndaj kërcënimeve të jetë sa më efektive, është e nevojshme që lojtarët e fortë politikë e ekonomikë të ndihmojnë ato vende, resurset e të cilave janë shumë më të pakta.

Përvoja e bashkëpunimit midis shteteve anëtare të koalicionit antifashist gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe institucionet e instrumentet e krijuara si rezultat i këtij ndërveprimi, mbeten jashtëzakonisht të nevojshme dhe jo rrallë universale. Bota e sotme vazhdon të funksionojë sipas modeleve të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Institucioni më i rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe sigurisë mbetet OKB, veprimtaria e së cilës bazohet në parimet e së drejtës ndërkombëtare që u hartuan nga një grup juristësh ndërkombëtarë në vitet 1944-1945 dhe formuan bazën e Kartës së Organizatës. Vlen të kujtohet se organizata më e rëndësishme në botë për ruajtjen e shëndetit, Organizata Botërore e Shëndetit u krijua pikërisht në kuadrin e OKB-së në vitet e para të ekzistencës së saj. Ndër shembuj të tillë mund të përmendim forumin e liderëve të ekonomive më të mëdha të botës (“G20”) të krijuar në kushtet e krizës financiare globale në vitet 2008-2010. Jam i bindur se sprova aktuale do të çojë në përmirësimin e mekanizmave, të cilët do të lejojnë shmangien e përmasave të tilla epidemie në të ardhmen.

Historia e lindjes së luftës na paralajmëron të ruhemi ndaj përpjekjeve për të lënë në harresë gjenezën e saj apo për të rishkruar rrjedhën e rezultatet e saj. Autorët e Marrëveshjeve të Versajës që në fillim vendosën të injorojnë Rusinë sovjetike dhe një numër shtetesh evropiane, duke besuar si fëmijë se rendi i krijuar në mënyrë të tillë do t’u shërbente shumë brezave. Ata u larguan menjëherë nga premtimet e dhëna pas Luftës së Parë Botërore për të ndërtuar një “sistem demokratik” të marrëdhënieve ndërkombëtare. Më pas rivaliteti dhe mosbesimi i ndërsjellë midis fuqive evropiane e çuan kontinentin, forcat e të cilit ende nuk ishin rimëkëmbur në një gjendje paralufte. Fyerjet historike, niveli i ulët i besimit dhe miopia politike gjithnjë e më shumë e orientonin botën drejt katastrofës. Politika e favorizimit të agresorit e udhëhequr nga logjika “më mirë plotësojmë kërkesat në rritje të nazifashizmit, sesa kemi diçka të bëjmë me bolshevikët”, e solli botën drejt luftës, e cila u pasua me kriza sociale, ekonomike, politike dhe humanitare të papërjetuara më parë nga njerëzimi.

Nevoja për të ruajtur kujtesën historike ka gjithashtu, edhe një dimension tjetër. Monumentet në nder të heronjve çlirimtarë apo varrezat e shumta të dëshmorëve ndodhen në të gjithë botën. Ruajtja e objekteve të tilla në gjendje të përshtatshme është çështje, si me karakter etik (detyrim të nderojmë të rënët në luftë), ashtu edhe historik. Ndërkohë që nga kjo botë, për fat të keq, po largohen veteranët e fundit dhe rrjedha e historisë gjithnjë e më shumë na ndan nga këto ngjarje, rritet edhe nevoja për të ruajtur vendet, ku historia e Luftës së Dytë Botërore mbetet e gjallë. Asgjë më mirë se prania e dukshme e objekteve historike nuk do t’i tregojë për ngjarjet dhe heronjtë e luftës brezave të rinj të qytetarëve tanë. Fatkeqësisht, në një numër vendesh evropiane vitet e fundit rastet e shkatërrimit apo zhvendosjes së strukturave të tilla janë shpeshtuar. Përpjekjet për të hequr qafe provat materiale të Luftës së Dytë Botërore janë një favorizim i drejtpërdrejtë i harresës historike. Nëse ditari i Anna Frank ose vajzës së Leningradit, Tanja Saviçeva janë monumente të mëdha në letër që flasin mbi çnjerëzimin e ideologjisë së nazizmit, varrezat ushtarake, monumentet në nder të ushtarëve të rënë dhe komandantëve ushtarakë janë një kujtim në gur e metal. Lufta kundër monumenteve është punë e maskarenjve. Trashëgimi botëror i fitores së madhe mbi këto ideologji është, gjithashtu, edhe triumfi i vlerave të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe popujve, të përfshira më pas në konventat përkatëse ndërkombëtare. Vendimet e proceseve të Nurembergut konsoliduan parimet që më pas formuan bazën e dokumenteve kryesore të së drejtës ndërkombëtare. Historia e fitores sonë të përbashkët i ka treguar gjithë njerëzimit se forca e botës qëndron në larminë e saj. Ideologjia e urrejtjes ndaj njeriut, që predikonte nazizmi, synonte skllavërimin e shumë kombeve, shfarosjen e popujve të tërë. Mishërimi i këtyre ideve çoi në fushata agresive ushtarake kundër shteteve më të dobëta. Për fatin tonë të madh, planeti i sotëm ka shkuar larg nga bota që ekzistonte 75 vjet më parë, në të cilën kombe e shtete të tëra ishin në fije të perit duke rrezikuar shfarosjen fizike apo skllavërimin. Si rezultat, është rritur edhe vetë rëndësia, vlera e jetës njerëzore, qasja jonë ndaj saj. Epidemia e tanishme tregon se sa bukur është të jetosh në një botë, ku ruajtja e çdo jete njerëzore është shqetësim universal i shtetit, shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare dhe shkencëtarëve kryesorë. Por, është gjithashtu e nevojshme të kujtojmë se sa e lehtë është të humbasësh qetësinë e dukshme: banorët e Evropës së epokës së ashtuquajtur “Belle Epoque”, të kohëve të lulëzimit të vrullshëm të humanizmit, artit dhe përparimit teknologjik, madje edhe në ëndrrat e tyre të tmerrshme, nuk mund të imagjinonin se çfarë do të duhej të përjetonte Evropa deri në mesin e shekullit të 20-të.

Lufta tregoi se politika e një shteti apo koalicioni shtetesh mund të jetë e suksesshme vetëm, nëse bazohet në respektin e besimin e ndërsjellë midis aleatëve, kombinimin e faktorëve ekonomikë, socio-politikë dhe ushtarakë të ndërthurur tok për të arritur një qëllim të përbashkët. Vetëm një konsiderim gjithëpërfshirës i të gjitha këtyre aspekteve mund të sigurojë efektivitetin e politikave dhe strategjive të shteteve e koalicioneve. Këto parime veprojnë në luftën kundër çdo sfide ndërkombëtare. Agresioni i nazizmit dhe fashizmit i ka treguar të gjithë njerëzimit atë ferr, kujtimi i të cilit për shumë vite ka një efekt zgjues për shumicën e banorëve të planetit dhe elitave politike. Dua të besoj se mësimet e asaj lufte ne do t’i kujtojmë gjithmonë.

* Autori është ambasador i Federatës Ruse në Tiranë

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.