DOSSIER

Etnologu Mark Tirta (me rastin e 85-vjetorit të lindjes)

15:37 - 21.05.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Prof. dr. Luan Malltezi – Kisha kohë që po mendoja të shkruaja një shkrim për profesor Tirtën. Me të përshëndetem vazhdimisht në Bibliotekën Kombëtare. Profesor Tirta është etnolog ose etnograf, siç i thoshim para viteve ‘90. Me të njihem që nga viti 1972. Sot ai ka tituj dhe grada shkencore “doktor, profesor, akademik”.

Tirta ka punuar që nga viti 1968 në Akademinë e Shkencave – Institutin e Etnografisë.

Pas viteve ‘90 ka dhënë leksione si etnolog në universitetin UFO, Fakultetin e Shkencave Sociale, Fakultetin Histori-Filologji (Dega e Gazetarisë) dhe në universitetin “Barleti”. Ndonëse ka vite që ka dalë në pension, ai vazhdon të punojë për botimin e veprave të tjera në fushën e etnologjisë.

Profesor Tirta ka botuar shumë artikuj dhe punime monografike si:

“Etnokultura Shqiptare-Ligji Dokesor”, “Dukuri të artit të drugdhëndies në Kosovë”, “Elemente të kulteve ilire te shqiptarët-kulti i diellit”, “Etnografia shqiptare”, “Nga simbolika e motiveve në artin e zbatuar popullor”, “Mitologjia ndër Shqiptarë”, “Mirdita e moçme e migrime të popullsisë së saj”, “Mirdita në histori dhe etnokulturë”, “Mirdita”, “Mbi zanafillën e disa motiveve në gurgdhendje në shtëpitë fshatare shqiptare”, “Gjurmët e lashtësisë në Mirditë”, “Gjurmët e besimeve të lashta në krahinën e Dibrës”, “Dukuri të artit të gdhendjes në Kosovë”, “Dëshmi migrimesh të popullsisë në shek. XV-XVII nga Kosova në Mirditë”, “Shtresime mitologjike në epikën legjendare”, “Panteoni e simbolika”, etj..

Profesor Tirta ka marrë pjesë në 120 takime ndërkombëtare dhe ka botuar mbi 70 artikuj shkencorë në revista shkencore evropiane.

  • Mark – i thashë një ditë në bibliotekë – a mund të pimë një kafe bashkë këto ditë?
  • Me kënaqësi, tha – po ku po e lëmë?
  • Ku të duash ti – thashë unë.
  • A takohemi nesër në ora 10:00 te kafeneja e mirditorëve dhe e dibranëve?
  • OK, po ku bie kjo kafene thashë unë.
  • Si, nuk e din ku bie kjo kafene? Këtu more në qendër të Tiranës, në të majtë të hotelit të madh të Tiranës.

Profesor Tirta ka lindur në “Ligjin” të Oroshit të Mirditës më 21 maj 1935. Ndonëse është në moshë, mbahet mirë; ai ulet dhe punon në shtëpi ose në Bibliotekë Kombëtare çdo ditë.

Ndryshe nga më parë kur ishte i ri, Marku tani mban syze optike me xham të trashë dhe kapele stofi në dimër. Atë e sheh thuajse gjithmonë të ecë ngadalë në rrugë duke mbajtur një çantë lëkure në dorë. Tirta është i ngrohtë dhe thjeshtë, i çiltër dhe i sinqertë me miqtë dhe kolegët e tij.

Në kafene profesorin e njihnin të gjithë. “Këtu pi kafene çdo ditë – tha ai – kjo është kafeneja e mirditorëve dhe dibranëve”. Kafeneja ishte plot me burra në moshë. Sapo u ulëm, kamerierja na solli dy gota raki. “I keni nga zotëria përballë – tha ajo”. Profesor Tirta ngriti gotën për ta përshëndetur. “Shëndet profesor Marku – përgjigjet miku i tij me zë të lartë, – është raki e re, tani e kam zier, provoje një herë”.

“Mark – i thashë duke hapur bisedën, – po përpiqem të përgatis për botim një libër me shkrime për historianë dhe studiues që kam njohur në Institut. Kam dëshirë të shkruaj edhe një shkrim për ty, më 21 maj ti mbush 85-vjetorin e lindjes”.

Marku duket nuk priste këtë nga unë, më pa me vëmendje dhe nuk tha asnjë fjalë. “Po përpiqem të shkruaj edhe një shkrim për profesor Pollon – vazhdova unë – dhe nëse ke diçka për të, ma thuaj”.

“Bën mirë që po shkruan për Pollon – tha ngadalë – Marku. Të gjithë kemi detyrë të shkruajmë për drejtuesit tanë. Profesor Pollo ka qenë historian dhe drejtues serioz, por unë e kam të vështirë të jap ndonjë gjë për të, sepse nuk kam pasur shumë lidhje me të”.

“S’prish punë Mark; kalojmë tek ty, si fillim desha të pyes a shkon shpesh në Mirditë, ç’njerëz ke atje, ke apo jo prona atje, se për prona po vriten njerëzit sot”?

“Po more shkoj – tha ai. – Para demokracisë shkoja një herë, dy herë në vit, tani shkoj më shpesh, atje kam vëllanë dhe nipat e mi, atje – tha duke qeshur – kam edhe 4-5 shtëpi. Shtëpia jonë ka qenë dikur shtëpi e madhe, por u nda në disa familje kur u krijua kooperativa; ndarjet u bënë për arsye ekonomike, si ‘i ndarë’ fitoje më shumë tokë, më shumë bagëti”. Marku foli po ashtu, me shumë nderim për nënën dhe të atin e tij, për fëmijërinë, jetën në kooperativë”.

“Para kolektivizimit – thotë ai – kemi qenë mirë, im atë ishte i zoti, fitonte shumë; bënte gëlqere dhe shiste atë, ai punonte mirë edhe tokën, kishim perime, fruta, zarzavate. Tokën e kishim të mirë, kishim vresht, mana të bardhë dhe mana të kuq, me manat bënim raki, rakinë e shisnim sepse njerëzit e blinin për festa, me paratë blinim drithë; vëllai pastaj punonte drurin, bënte djepe, stola, karrige, mobilie të thjeshta etj”…

“Kur u ngrit kooperativa, – tha Marku duke qeshur nga unë – gjithçka u prish”.

 

 

Marku e ka filluar i vogël shkollën.

“Kur isha 6 vjeç – tha ai – abati i Oroshit thërriti babain tim dhe i tha: ‘Na jep një fëmijë për prift Mark Nikollë Prenga, shko në shpi, bisedo me njerëzit cilin djalë do na japësh, sepse do të fillojë shkollën menjëherë”.

Im atë kishte gjashtë fëmijë. Të parët e shtëpisë u ulën dhe pleqëruan kërkesën e abatit.

Unë isha i dobët si fëmijë, qaja dhe tronditesha lehtë.

“Po çojmë Markun – thanë ata – ky për punë nuk bën, ishalla bën për kalem”.

Të nesërmen im atë më çoi në Orosh tek abati, ky më përkëdheli në faqe dhe më pyeti nëse dëshiroja të bëhesha prift, unë u përgjigja “po!”.

Shkollën fillore – tha Marku- do ta bëja në Kuvendin Françeskan në Trashan të Lezhës, të mesmen në Shkodër dhe të lartën në Romë. Të gjitha shpenzimet për shkollimin tim do të ishin të kishës.

Abati caktoi dom Mark Gjonin si mësues, “me këtë – thotë Marku, – fillova shkrim, këndim, aritmetikë.. Marku shkonte në abaci 4 herë në javë dhe bënte 2 orë mësim në ditë. Ai vazhdoi kështu për 6 muaj. “Abacinë e kisha larg rreth dy orë në këmbë – thotë Marku, rruga më lodhte se isha i vogël. Kur filluan të fluturojnë aeroplanët në qiell në kohën e pushtimit fashist, im atë nuk më la më të shkoja në shkollë. Mua sigurisht më erdhi keq sepse doja të mësoja”.

Një shtysë tjetër për të mësuar, Marku pati pas vdekjes së dy vëllezërve të nënës që ishin në Kryezi. Këta kishin shumë libra, pasi ishin të arsimuar. “Librat – thotë Marku – erdhën në Orosh me porosi për fëmijët e Mrikës, siç quhej nëna ime. Kryeziu ishte larg një ditë rrugë në këmbë nga Oroshi”.

Librat në shtëpi filluan t’i lexonin dy vëllezërit më të mëdhenj të Markut, Pjetri dhe Gjoni që kishin kryer 5 klasë fillore.

Librat ishin shqip, italisht, frëngjisht, gjermanisht; shqip ishin librat e Naimit, Çajupit, Fishtës si “Gomari i Babatasit”, “Anzat e Parnasit”, “Lahuta e Malsisë”. Ne kënaqeshim duke i dëgjuar këto libra nga vëllezërit – thotë Marku por unë thosha “si do t’i lexojmë vetë këto libra? Kështu, kur u hapën shkollat në Mirditë, unë mësoja me qejf, sepse doja të lexoja librat që kishim në shtëpi”.

Marku ka qenë nxënës me rezultate të shkëlqyera në shkollë. Për të nxitur arsimin në zonat malore, shteti u jepte nxënësve të dalluar bursë për të blerë rroba, libra shkolle. Marku ka qenë nxënës në Durrës në vitet 1948-1950 dhe nxënës në Shkollën e mesme Pedagogjike në Tiranë. Ai kreu studimet e larta në Institutin 2-vjeçar të Shkodrës dhe më pas Fakultetin Histori–Filologji, në Tiranë.

Në vitin 1960 unë isha mësues në Shpal – thotë Marku – mblidhja toponime, antroponime dhe i çoja në Arkivin e Institutit të Historisë. Këto materiale paguheshin nga Instituti, ishte një komision që i vlerësonte ato me çmime.

Në shtator të këtij viti dy nxënës më folën për një varrezë të vjetër në Bukël, aty sipas tyre kishte shumë objekte arkeologjike. Bukli është një vend malor i veçuar, i mbuluar me lisa. Bukli ishte rreth 2 orë e gjysmë larg Shënpalit.

Unë nuk e dija ku ndodhej varreza në Bukël dhe u nisa të nesërmen atje me dy nxënësit e mi; kur mbërrita mbeta i habitur. Unë pashë atje mbi një altar në formë paralelopipedi me gurë, monedha antike, objekte bronzi, bakri e hekuri. Kuptova menjëherë se ishin objekte varresh të shek. VI-IX pas Krishtit. Këto objekte i kishin nxjerrë nga varret, fshatarët e Letaj në Bukël kur kishin hapur ara për t’i mbjellë me misër. Për të mos rënë në mëkat, ata i kishin ngritur këto në altar. Ashtu i entuziazmuar desha t’i marr me vete këto objekte, por nxënësit më thanë: mos i merr të gjitha profesor, sepse janë objekte varresh… Njerëzit nuk do ta shohin mirë këtë punë.

Të nesërmen shkova prapë në Bukël, por pa nxënësit e mi, kësaj radhe kisha marrë me vete një kazëm për të bërë gërmime; me të mbërritur atje hapa tre-katër varre dhe i mora të gjitha objektet që zbulova. Këto objekte i kam mbajtur në një kuti kartoni në dhomën time ku flija në Shënpal dy muaj. Këto i solla më 27 nëntor 1961 në Muzeun Arkeologjik te profesor Hasan Ceka.

Aty u mblodhën menjëherë të gjithë Selim Islami, Skënder Anamali dhe arkeologë të tjerë, Ceka njoftojë menjëherë Androkli Kostallarin, Aleks Budën, Eqrem Çabej për objektet e zbuluara nga unë në varrezën e Bukëlit në Mirditë.

Arkeologët më ngritën në qiell në fillim, por më vonë nuk u ndjenë më. Ata ishin të interesuar të tregonin se e zbuluan vetë varrezën e Buklit, prandaj nuk më morën kur filluan gërmimet atje.

Markut i kishte ardhur keq për këtë, arkeologët nga Tirana – tha ai – nuk bënë gërmime të tjera në Mirditë. Po të isha bërë arkeolog, mund të kisha bërë shumë gërmime në Mirditë.

“Mark, – e pyeta pasi heshti pak, – ju kini mbaruar fakultetin për mësues, arsimtar, si ndodhi që u bëtë etnolog”?

“Unë kam qenë nxënës i dëgjueshëm – tha ai – unë dëgjoja shumë këshillat e mësuesve në shkollë. Mua më ka nxitur të merresha me etnologji, arkeologji dhe histori, shkrimtari Petro Marko. Petro Markon e kishim mësues letërsie në shkollën pedagogjike në Tiranë. Ai na thoshte, se sipas legjendave, banorët e Himarës e kishin origjinën nga Mirdita, pasi nëna dhe gjyshja e tij i kishin gunat si të Mirditës… Unë – dëgjoja dhe çuditesha- thotë ai.

Profesor Petro na shtynte të blinim dhe të lexonim libra sa më shumë. Ai na porosiste të abonoheshim në revistat ‘Nëntori’, ‘Buletini i Institutit të Shkencave’. Ai na porosiste të mblidhnim toponime, antroponime, gjëegjëza, përralla, këngë të vjetra popullore për Gjergj Elez Alinë, Mujo Halilin. Unë këtë punë bëja kur kthehesha në Mirditë. Mua më ka inkurajuar shumë për kërkime edhe mësuesja Davide Lleshi në Mirditë dhe Jup Kastrati në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër”.

Pas vitit 1961, Marku ngriti muzeun arkeologjik etnografik në Rrëshen, mblodhi dhe dërgoi në Tiranë materiale etnografike dhe folklorike, botoi artikuj me karakter historik në shtyp. Me punë të vazhdueshme arriti të bënte një fjalor me 6500 toponime të Mirditës, të cilin e depozitojë në Arkivin e Institutit të Gjuhësi-Letërsi.

Më 1968 ai u emërua etnolog në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë, sektorin e etnologjisë.

“Kur u emërova etnolog në Tiranë, Jup Kastrati dhe drejtori i Institutit 2-vjeçar në Shkodër, Mihal Prifti më thanë: po pse mor Mark nuk erdhe në Shkodër siç të kemi kërkuar ne, po kështu edhe ministri i arsimit Thoma Deljana më tha po pse mor Mark nuk erdhe në ministri në sektorin pedagogjik.

Unë u habita kur më thanë se më kishin kërkuar. Edhe Hasan Ceka më tha se më kishin kërkuar në Muze Arkeologjik.

Gjithsesi, në emërimin tim, në Tiranë unë isha i njohur për profesor Budën, profesor Çabej, profesor Kostallarin, profesor Domin – thotë Marku.

Rrëfimi i sinqertë i Markut më kishte bërë për vete, kur heshti pak, unë i thashë: Paske ecur mirë Mark në Mirditë, paske bërë vërtetë punë shumë të mirë, por për këto ke pasur besoj edhe mbështetjen e pushtetit, partisë.

Marku më pa me vëmendje dhe pastaj tha:

-Sigurisht familja jonë në Mirditë nuk kishte probleme me pushtetin. Ne konsideroheshim njerëz të afërt të familjes së Bardhok Bibës. Pavarësisht nga kjo, unë punoja vetë në Mirditë. Megjithatë, edhe unë kam kaluar një situatë të rëndë në Mirditë. në vitin 1961 në u hap fjala se unë do të bëhesha shef seksioni i arsimit në Mirditë sepse kisha kryer studimet e larta.

Por kjo nuk ndodhi, mua më mobilizuan dhe më dërguan ushtar në ishullin e Sazanit. Në Sazan na mbajtën një muaj karantinë, pastaj na caktuan si roje. Kjo që më ndodhi më tronditi shumë. Unë rrija ditë të tëra pa folur me njeri, “si është e mundur pyesja veten që më nisën  ushtar kur në Mirditë ka rreth 35-40 mësues që nuk kanë kryer arsimin e lartë”?

Unë vazhdoja të isha i tronditur në Sazan, një ditë vendosa madje edhe të vrisja veten. Megjithëse u përpoqa, nuk arrita dot ta bëj këtë, pushka ishte e gjatë, unë nuk arrija dot ta vija grykën e pushkës në gush, ta zbrazja dhe t’i jepja fund jetës. Më pas hoqa dorë nga ky veprim, sepse kur bëri një përpjekje të tillë një ushtar tjetër, u bë një mbledhje e gjerë në Sazan. Të gjithë me radhë, komandanti, oficerët, kapterët, marinarët kritikuan jo vetëm ushtarin, por edhe familjen, dhe prindërit e tij.

Në Sazan një ushtar korçar më tha t’i nisja letër KQ (komitetit qendror), unë nisa jo një por disa letra, një në Komitetin e Partisë në Mirditë, një në ministrinë e Arsimit, një në Ministrinë e Mbrojtjes. Nga këto ankesa mu ul shërbimi nga tre në dy vjet. Ushtarët më uronin për këtë, por për mua vendimi nuk kishte ndonjë vlerë të veçantë. Unë vazhdoja të isha i mërzitur, kapteri i togës nuk sillej mirë, kurse sekretari i Byrosë më bëri mjaft lehtësira, më mori në zyrë për të shtypur materiale sekrete në makinë shkrimi, pastaj më dha 7 ditë leje.

Atëherë u takova me tim vëlla, Gjonin, që punonte në Ministrinë e Mbrojtjes. Këtij i kërkova të ndërhynte në ministri për të më lëvizur nga Sazani.

Vëllai kishte peshë në ministri, punonte në Drejtorinë e Ndërlidhjes në sektorin e radiotelegrafit. Nëpërmjet këtij shërbimi, Ministria e Brendshme lidhej me agjenturën e vet jashtë shtetit. Vëllai im ishte specializuar brenda dhe jashtë për profesionin e tij. Dy-tre muaj pas ndërhyrjen së tij mua më erdhi urdhër-transferimi për në Tiranë. Në Sazan kalova kështu 7-8 muaj ushtar.

Në vitin 1961 Marku u emërua drejtor shkolle dhe inspektor arsimi në rrethin e Mirditës.

Dhe a e di pse ndodhi gjithë kjo punë, pse më morën ushtar dhe më dërguan në Sazan? Sepse shefi i vjetër i arsimit në Mirditë kishte mik shefin e organizimit ushtarak. Ky me mobilizoi padrejtësisht dhe më dërgoi ushtar në Sazan.

Unë e kam pësuar edhe në Institutin e Historisë nga këto hile të njerëzve të këqij, intrigantë.

Në fund të vitit 1975 dhe në fillim të vitit 1976, mua më hoqën nga shtypi shkrimet “Kulte të bujqësisë e të blegtorisë në popullin tonë”, “Kulti i të parëve e të vdekurve ndër Shqiptarë”, “Kulte të natyrës në popullin tonë”.

Unë u sulmova në Këshillin Shkencor se në shkrimet e mija kishte qëndrime që binin në kundërshtim “me politikën zyrtare të partisë”. Këshilli Shkencor vendosi që të shkoja tre vjet me punë në Malësinë e Tiranës prapa Dajtit, “si bartës i ideologjisë borgjeze revizioniste obskurantiniste”. Akuza u ngrit fillimisht në organizatën e partisë nga kolegë të mi etnografë.

Akuza ishte tendencioze, unë kisha si temë studimi “MITOLOGJI dhe BESIME”. Unë botoja artikuj, ata që i lexonin më lavdëronin autorin. Unë kundërshtova me forcë këto akuza por pa dobi. Ishte profesor Buda dhe profesor Çabej që më shpëtuan që të mos bija në greminë prej nga nuk do të mundesha të dilja më”.

“Organizata bazë e Partisë së Institutit Histori-Gjuhësi – thotë Marku – ka qenë pa diskutim e rreptë në zbatimin e vijës së PPSH, por unë në shkrimet e mija nuk shkelja vijën e partisë; brenda organizatës kishte pesë-gjashtë njerëz të këqij, intrigantë, egoistë që ngrinin probleme të paqena në organizatë. Këto njerëz tronditnin gjithë organizatën me qëndrimet e tyre të padrejta.

Profesor Tirtja flet fjalët më të mira për sekretarin e organizatës bazë të partisë së Institutit të Historisë profesor Shyqyri Ballvora. Profesor Ballvora – thotë Tirta bënte çmos “të mbyllte problemet tendencioze që ngriheshin nga individë të veçantë brenda organizatës”. Kështu ka qenë edhe profesor Jorgji Gjinari thotë ai.

Këta “ekstremistë të majtë” ngrinin vazhdimisht “probleme kuadri” në Institut, këta ngritën problem edhe për etnologen Andromaqi Gjergji. “Andromaqi – thotë Tirta, shpëtoi vetëm nga Aleks Buda, për të mos u larguar nga Instituti. Andromaqi ishte etnologe e zonja – thotë ai. Ajo u bë objekt diskutimi në organizatën e partisë sepse “kishte pasur të atin kryetar komune në kohën e fashizmit”. “Andromaqi shpëtoi kot…dhe ja se si – thotë Marku: kur u formua Akademia, Enver Hoxha i thotë Ramizit: Po i biem në qafë Akademisë, po i kërkojmë shumë gjëra, shko një herë atje dhe shih si i kanë punët, ç’nevoja kanë, se thonë se kanë nevojë për makina për të zhvilluar ekspedita arkeologjike, etnografike”.

Kur shkoj Ramizi profesor Buda i tha: “Kemi një etnologe shumë të mirë në Institut, por ata në Institut kanë vendosur ta heqin për arsye biografike; heqja e saj na dëmton se etnologët e tjerë i kemi të rinj”. Pas disa ditësh – thotë Marku, në Institut erdhi një vendim nga KQ që Andromaqi të rrinte aty ku ishte.

Edhe mua më shpëtoi Çabej dhe Buda thotë ai. Një ditë kur po ecja me biçikletë për në punë, më ndalojë profesor Çabej, unë kisha në biçikletë djalin përpara dhe vajzën prapa dhe po i çoja në çerdhe.

“Si je Mark, si po shkon me mitologjinë? pyeti ai.

“Pse Mark kaq mirë e njihje profesor Çabejn” – pyeta unë i çuditur.

“Oh, e kam njohur siç thashë që në vitin 1961, profesor Çabejt i shkoja edhe në zyrë sepse ai kishte lënë porosi që kur të vij Marku të shkoja në zyrë tek ai. Edhe Çabej më thërriste në zyrë dhe më pyeste se çfarë kuptimi kishte kjo apo fjalë. Unë shkoja tek Çabej sa herë vija në Tiranë, ai punonte në një zyrë ku ishte Ali Dhrima dhe Seit Mancakun. Unë e pyesja për shumë gjëra dhe Çabej m’i shpjegonte, kur unë i kërkoja ndjesë për shqetësimin ai më thoshte “s’ka gjë; s’ka gjë; eja për çdo gjë”. Pastaj, profesor Çabej ëshë marrë vetë me mitologji; ai ka shkruar për mitologjinë që në vitet ‘30 kur ishte student në Vjenë. Ai ka shkruar po ashtu për figurat mitologjike “Zana” Vitorja, “Gjigandët”. Profesor Çabej ka studiuar edhe eufemizmat ndër shqiptarë.

“Ah profesor, i thashë kur më ndaloj, kam rënë keq në Institut, duan të më heqin nga puna. i thoni një fjalë profesor Budës për mua – thashë unë i dëshpëruar dhe i tronditur sa më s’ka. Të nesërmen në ora 07:15 shkova vetë në Akademi për të takuar Budën. Kur zbriti nga makina unë ju afrova dhe i thashë:

“Mirëmëngjesi profesor, a mund të vij pak në zyrë”.

“Patjetër Mark” – tha ai dhe më mori përkrahu duke më vënë djathtas, unë desha të dilja majtas, por ishte e pamundur se ai nuk më la.

Duke qarë i tregova si i kisha punët në Institut. “Unë profesor, shkruaj shkrime për mitologjinë por në organizatën e partisë më akuzojnë se nuk mbroj vijën e partisë në shkrimet e mija. Unë nuk di profesor si mund të bëj politikë me mitologjinë siç më akuzojnë. Unë flisja dhe qaja. Profesori nuk dinte gjë për punën time, ai u trondit duke më parë ashtu të dërrmuar”. “Dëgjo Mark – tha ai – këto ditë kemi mbledhjen e presidiumit të Akademisë”. (Atëherë Presidiumi kishte nëntë anëtarë). Pika e tretë e mbledhjes, është për probleme të ndryshme, këtu unë do të marr fjalën dhe do ndërhyj për çështjen tënde, unë do të flas plotësisht në favorin tënd, gishti im do të jetë për ty”. Pas 12 ditësh, profesori më thirri në Akademi. “Mark – tha ai, çështja jote u zgjidh, do të qëndrosh në Institut por temën do ta ndryshojmë”. Këtë më tha pas dy ditëve edhe Stefanaq Pollo që më thërriti në drejtori. “Kemi diskutuar dy orë e gjysmë për ty në Akademi shoku Mark, do të jesh aty ku je, nuk do të lëvizësh nga puna, temën do ta ndryshojmë”.

“Me profesor Budën – thotë Marku – kam pasur vazhdimisht lidhje; për shembull, mua më vinin shumë ftesat në Institut për të marrë pjesë në veprimtari shkencore që organizoheshin nga institucione europiane, këto ftesa vinin për mua me emër, por këto në mënyrë abuzive përpiqeshin t’i merrnin punonjës të tjerë. Unë shkoja tek Buda si kryetar i Akademisë së Shkencave për këto qëndrime të turpshme. Buda më dëgjonte me vëmendje dhe kur bindej se kisha të drejtë thoshte prerë: “Jo, jo, asnjë tjetër nuk do të shkojë, t’i do të shkosh sepse është në fushën tuaj ky problem”. “Aleksi ishte burrë i ndershëm – me të nuk luante njeri kollaj”, thotë Tirta.

“Për Budën dua të tregoj edhe diçka tjetër – thotë ai. – Ti e di, se pa njohjen e gjuhëve të huaja nuk mund të shkosh përpara si specialist, si studiues, ai që është studiues është i interesuar të lexojë literaturë në gjuhë të huaj. Kur erdha në Institut unë kisha dhënë provim disa gjuhë të huaja në katedrën e gjuhëve të huaja në universitet si rusisht, serbo-kroatisht, italisht, fëengjisht”.

 

Në vitet ‘80 fillova të studioj edhe anglisht, bleva katër metodat e anglishtes “essential” dhe për tre muaj me radhë mësova me mësues privat 20 leksionet e para.

Mirëpo një pasdite kur po studioja në Bibliotekën Kombëtare m’u afrua Buda dhe më pyeti çfarë po lexon. Kur unë i thashë se po “mësoja anglisht” ai tha: “Jo, Mark nuk ka kuptim të mësosh anglisht, ti njeh mjaft gjuhë, bën mirë të mësosh ato mirë ndryshe nuk do të mund t’i shfrytëzosh siç duhet”.

Marku flet me respekt më tej për etnologun Rrok Zojsi. Më vjen mirë kur flet kështu për të, sepse profesor Rrokun e kam pasur komshi në pallatin që ndërtoi Instituti i Historisë në vitin 1971. Rrok Zojsi kishte kryer gjimnazin e Shkodrës dhe kishte emër si etnolog. Ai njihte shumë mirë gjermanishten, italishten, frëngjishten, serbo-kroatishten. Profesor Buda e vlerësonte shumë atë, mbaj mend një fjalë të Rrokut në një mbledhje të Këshillit Shkencor për fiset malësore.

“Kur ata ulen në një vend – tha Rroku – ata dinë mirë, deri tek i pesëdhjeti, vendin që i takon secilit”. Për Rrokun thuhej se kishte sjellë “në krah” parmendën e drurit nga Mati në Muzeun Etnografik në Tiranë. Rroku ishte njeri i qeshur, bujar dhe i thjeshtë. Rroku pinte cigare, për të thoshin se kur dilte me të shoqen dhe frynte erë, ai kthehej me kurriz për të ndezur cigaren dhe ecte para pasi ndizte cigaren, duke harruar gruan. Por këto ishin shaka që tregoheshin edhe për të shoqen pasi ishte edhe ajo një grua me humor. Rroku kishte nisur të shkruante shkrime etnologjike që në kohën e Zogut. Marku më tregoi se Rrokun e kishte tërhequr në Institut profesor Buda. Kjo kishte ndodhur andej nga viti 1945 kur kishte ardhur në Tiranë një delegacion nga Kroacia; në delegacion ishin edhe dy etnologë. Në takimin me Sejfulla Malëshovën, që ishte ministër kryetari i delegacionit kroat tha se ju keni në Shqipëri një mësues që quhet Rrok Zojsi; ai është marrë me kërkime etnografike, a mund të na e jepni atë se na duhet si etnograf? Aleks Buda nuk foli por i tha veçmas Maleshovës, se Zojsin duhet ta mbajmë vetë; në mbrëmje profesor Aleksi i tha delegacionit kroat se personin për të cilin interesoheni nuk mund t’ua japim sepse na duhet si etnograf.

Nga Tirtja mora vesh se Rroku kishte pasur “biografi të keqe”, e motra me të shoqin ishte vrarë në kryengritjen antikomuniste të Postribës. “Organizata e partisë dhe drejtoria kanë dashur një qind herë ta hiqnin profesor Rrokun nga puna, por nuk kanë mundur, sepse e mbronte profesor Buda. Nga Rrok Zojsi kemi sot shkrime dhe botime me vlerë të veçantë si, “Arti Popullor në Shqipëri”, “Ndamja krahinore e popullit shqiptar”, “Mbi të drejtën kanunore të popullit shqiptar”, “Dasma në krahinën e Skraparit” etj..

Tirtja flet mirë edhe për Qemal Haxhihasanin, edhe ky kishte mbaruar shkollën pedagogjike në Elbasan, më pas kishte shkuar si mësues në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi. Qemal Haxhihasani botonte shkrime me karakter etnografik para çlirimit… edhe Qemali kishte probleme në biografi dhe rrinte kokulur. Edhe Qemalin e ka mbrojtur Buda”, thotë profesor Marku.

Të lodhur nga biseda që zgjati deri në mesditë, u ngritëm nga kafeneja për të shkuar në shtëpi. Rrugën e kishim bashkë, rrugën “Myslym Shyri”. Po ecnim ngadalë duke kujtuar etnologë dhe historianë që kanë ndërruar ndërkohë jetë. Pasi kishim bërë shumë rrugë vura re Markun që po kërkonte me sy rrugicën ku duhej të kthehej. “Ku e ke shtëpinë, Mark pyeta unë – duket shtëpia jote që këtu ku jemi”?

“Jo nuk duket – tha ai. – Shtëpinë e kam mbrapa atij pallati të lartë, shi pallati verdhë që duket atje. Kam shtëpi të madhe, tha ai – kam katër dhoma”.

U habita pak kur dëgjova këtë, sepse di se ai jeton vetëm me të shoqen. “Po si – e pyeta unë, ke blerë apartamentin e komshiut”?

“Jo, jo – tha – këtë shtëpi e kam nga profesor Buda, para viteve ‘90?”

“Si Buda – thashë i çuditur – ka ndërtuar ndonjë godinë Akademia”?

“Jo, jo – tha ai. – Buda ndërhyri në Bashkinë e Tiranës për të më dhënë zgjerim, sepse unë kisha shumë libra dhe nuk kisha ku t’i mbaja”.

“Pse Mark, të ka ardhur Buda ty në shtëpi? Sa libra kishe”?

“Unë kam mbi 20 mijë libra dhe revista – tha ai me gjysmë zëri – kisha shumë problem ku t’i mbaja këto”. Këtë problem e kisha diskutuar shumë herë me një gjuhëtar të Institutit të Historisë, që kaloi më vonë në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë të Akademisë së Shkencave. Ky i kishte thënë profesor Aleksit për librat e mi. Aleksi më thirri në Akademi dhe në tha: “Si nuk më ke thënë Mark për problemin që ke me librat? Po unë profesor – i thashë – kam ardhur për shumë probleme pune te ju, por nuk mund të vij për probleme personale. – Jo, jo, – tha – nuk është problem personal ky për ju. Interesohuni në lagje – tha Buda – dhe më sill emrin e kryetarit të lagjes suaj”. Pas ndërhyrjes së profesorit, lagjja më ofroi disa apartamente, por unë nuk pranova, sepse ishin larg etj., Profesor Buda më pyeste vazhdimisht “u rregullua puna jote Mark”?

Mërzitur nga qëndrimet e autoriteteve të lagjes, Buda u ngrit një ditë dhe shkoi direkt te kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. Unë me dy fëmijë dhe gruan isha prej vitesh në një dhomë e kuzhinë në një godinë dykatëshe. Bashkia e Tiranës e ngriti këtë godinë edhe një kat më lart dhe më dha mua katër dhoma e një kuzhinë.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.