AKTUALITET

Sanatoria, leje qëndrimi e përkohshme për emigrantët klandestinë në Itali

15:01 - 22.05.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Emigrantët shqiptarë që punojnë ilegalisht në shtetin italian, tashmë mund të pajisen me dokumente të rregullta dhe të kenë leje qëndrimi të përkohshme. Fatmirësisht qeveria italiane ka miratuar dekretin më të fundit Sanatoria (Rinisja) që do t’u vijë në ndihmë emigrantëve që punojnë në sektorët e përcaktuar në ligjin e ri. Drejtuesja e Patronatit INAS Albania, Beskida Aliaj tregon për “Gazeta Shqiptare” se falë vendimit të ri, emigrantët e parregullt do të mund të legalizojnë marrëdhëniet e punës dhe të përfitojnë nga sistemi shëndetësor italian falas. “Sanatoria u aprovua. Emigrantët e parregullt, pra punonjësit ekstrakomunitarë me qëndrim të parregullt (klandestinë) është parashikuar Sanatoria për legalizimin e këtyre marrëdhënieve të punë, e për rrjedhojë pajisjen me dokumente qëndrimi të të huajve. Emigrantë të parregullt të pranishëm në Itali e “të padukshëm” për sistemin shëndetësor italian, qeveria italiane mendoi seriozisht për legalizim të të huajve të parregullt”,-theksoi Aliaj për “Gazeta Shqiptare”. Ajo më tej shton se të interesuarit duhet të bëjnë një kërkesë të plotë pranë zyrave së INAS që gjenden edhe në qytetet italiane. “Së shpejti lajme të qarta për sa i përket pajisjes me Permesso di Soggiorno për klandestinët. Për të gjithë ju që ndodheni në Itali ju sugjeroj të pyesni edhe te zyrat tona në qytetet e ndryshme ku ndodheni në Itali për të bërë kërkesën e plotë. Zyrat janë Patronato Inas Cisl”,-shton drejtuesja e INAS Albania.




Ligji i ri

Ligji i ri i publikuar në Fletoren Zyrtare italiane parashikon legalizim për të punësuarit në të zezë në bujqësi e si kujdestarë pranë familjeve dhe lejeqëndrime të përkohshme për të gjithë ata që u ka skaduar e nuk kanë mundur ta përtërijnë. Kjo masë u kërkua me forcë nga ministrja e Bujqësisë Bellanova, sipas të cilës, “këtej e tutje “të padukshmit” nuk do të jenë më të tillë; nga sot fiton shteti që është më i fortë se kriminaliteti”. Për ministren e Brendshme Lamorgese, përfshirja e Sanatores për të huajt në dekretin Rinisja është shprehje e synimit të qeverisë që të garantojë dinjitetin e njerëzve, mbrojtjen e ligjshmërisë dhe nevojat e tregut të punës, për të siguruar nivele të përshtatshme të mbrojtjes së shëndetit individual dhe kolektiv, në përputhje me emergjencën shëndetësore të jashtëzakonshme dhe për të inkurajuar legalizimin e marrëdhënieve të parregullta të punës. Pas miratimit të dekretit Rinisja, punëdhënësit mund të paraqesin një kërkesë, për të lidhur një kontratë pune me shtetas të huaj të pranishëm në territorin kombëtar ose për të deklaruar ekzistencën e një marrëdhënie pune të parregullt, akoma në vazhdim, me shtetas italianë ose të huaj. Për të njëjtat qëllime, shtetas të huaj, me leje qëndrimi të skaduar më 31 tetor 2019, mund të kërkojnë një leje qëndrimi të përkohshme, e vlefshme vetëm në territorin kombëtar, që zgjat gjashtë muaj nga paraqitja e kërkesës.

Kush përfiton?

Sipas vendimit më të fundit, legalizimi i të huajve përmblidhet i gjithi në një nen me 20 paragrafë të dekretit Rinisja. Në vendim nënvizohet se të gjithë punëdhënësit që për të përballuar emergjencën shëndetësore, kanë punësuar në të zezë shtetas të huaj me qëndrim të parregullt mund të kërkojnë legalizimin e marrëdhënies së punës dhe pajisjen me lejeqëndrim të të huajve kundrejt lidhjes së një kontrate të varur pune. Kjo masë është e vlefshme edhe për legalizimin e punës së padeklaruar për punëtorët italianë, të punësuar më parë në të zezë. Do të mund të përfitojnë nga kjo Sanatore të gjithë ata që janë identifikuar nga forcat e rendit të pranishëm në Itali para 8 marsit 2020 ose që kanë mundësi të tregojnë se jetojnë në Itali që para kësaj date. Masa e legalizimit nga ana e qeverisë do të aplikohet për të gjithë ata emigrant që punojnë në sektorët: bujqësi, mbarështrim, blegtori, peshkim e akuakulturë, asistencë për persona me sëmundje ose aftësi të kufizuara dhe punë shtëpiake.

Lejeqëndrimi i përkohshëm

Të gjithë të huajt që kanë një lejeqëndrim të skaduar nga 31 tetor 2019 e këtej, të papërtërirë e të pakonvertuar, të pranishëm në Itali më 8 mars 2020, që kanë kryer më parë punë në sektorët profesionalë tek të cilët aplikohet legalizimi, mund të kërkojnë një lejeqëndrim të përkohshëm për kërkim pune, të vlefshëm për 6 muaj e vetëm për territorin italian. Nëse para skadimit të këtij lejeqëndrimi lidhin kontratë pune, (gjithnjë në sektorët që përfitojnë një ky legalizim) mund ta konvertojnë në lejeqëndrim për punë të varur.

Paraqitja e kërkesës

“Të gjitha kërkesat duhet të paraqiten nga 1 qershori deri më 15 korrik, me mënyra që akoma nuk janë përcaktuar e për të cilat do të vendosin ministritë e Brendshme, e Ekonomisë, e Punës dhe e Bujqësisë”,-thuhet në ligjin e ri. Në rastin kur kërkesën e legalizimit e paraqet punëdhënësi, duhet të paguajë një shumë prej 400 euro për çdo punonjës. Nëse është i huaji që bën kërkesë për lejeqëndrimin e përkohshëm duhet të paguajë 160 euro.

Kategoritë jopërfituese 

Do të hidhen poshtë të gjitha kërkesat e punëdhënësve të dënuar më parë për favorizim të imigracionit klandestin apo skllavërimit, për ndërmjetësim të paligjshëm dhe shfrytëzim të punës. Do të konsiderohen të pavlefshme edhe kërkesat që nuk pasohen nga lidhja e kontratës së rregullt të punës. “Nuk do të kenë të drejtë të përfitojnë nga ky legalizim të huajt që kanë marrë dekret dëbimi, janë dënuar për vepra penale të parashikuara nga neni 380 i kodit penal, për krimet kundër lirisë individuale, për trafik lëndësh narkotike, për shfrytëzim të prostitucionit, për favorizim të migracionit të paligjshëm. Natyrisht do të hidhen poshtë të gjitha kërkesat që deklarojnë fakte të rreme”,-theksohet në vendim.

Përfitues dhe të penalizuar

Personat që përfitojnë:

-Të gjithë të huajt që kanë një lejeqëndrim të skaduar nga 31 tetor 2019 e këtej, të papërtërirë e të pakonvertuar, të pranishëm në Itali më 8 mars 2020, që kanë kryer më parë punë në sektorët profesionalë tek të cilët aplikohet legalizimi, mund të kërkojnë një lejeqëndrim të përkohshëm për kërkim pune, të vlefshëm për 6 muaj e vetëm për territorin italian.

-Nëse para skadimit të këtij lejeqëndrimi lidhin kontratë pune, (gjithnjë në sektorët që përfitojnë një ky legalizim) mund ta konvertojnë në lejeqëndrim për punë të varur.

Personat e penalizuar:

-Do të hidhen poshtë të gjitha kërkesat e punëdhënësve të dënuar më parë për favorizim të imigracionit klandestin apo skllavërimit, për ndërmjetësim të paligjshëm dhe shfrytëzim të punës.

-Do të konsiderohen të pavlefshme edhe kërkesat që nuk pasohen nga lidhja e kontratës së rregullt të punës.

-Nuk do të kenë të drejtë të përfitojnë nga ky legalizim të huajt që kanë marrë dekret dëbimi, janë dënuar për vepra penale të parashikuara nga neni 380 i Kodit Penal, për krimet kundër lirisë individuale, për trafik lëndësh narkotike, për shfrytëzim të prostitucionit, për favorizim të migracionit të paligjshëm

-Do të hidhen poshtë të gjitha kërkesat që deklarojnë fakte të rreme

 

Emigranti përfiton leje qëndrimi për 8 sektorë pune:

Masa e legalizimit nga ana e qeverisë do të aplikohet për të gjithë ata emigrant që punojnë në sektorët:

-bujqësi,

-mbarështrim,

-blegtori,

-peshkim,

-akuakulturë,

-asistencë për persona me sëmundje

-asistencë për persona me aftësi të kufizuara

-persona që kujdesen për punë shtëpiake.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.