Kryesore

“Aleanca e Teatrit”, letër presidentit të Parlamentit Europian

09:30 - 05.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Aleanca për Teatrin” i ka dërguar një letër David Maria Sassolit, President i Parlamentit Europian përmes së cilës kërkojnë një dëgjesë speciale në Parlamentin Europian kushtuar shembjes së Teatrit Kombëtar. Duke i treguar se çfarë ka ndodhur në dy vite, ata ndalen në natën e 17 majit dhe i bëjnë me dije paditë e ngritura dhe shkeljet ligjore me të cilat, u krye “akti barbar” i shembjes sipas tyre. Njëherësh, ata kujtojnë mbështetjen që çështja e Teatrit ka pasur nga aktorë e faktorë europianë, politikë a autoritete të trashëgimisë. 




LETRA

Për: David Maria SASSOLI, President i Parlamentit Europian

Për dijeni:

Ursula von der Leyen, PRESIDENTE

Josep Borrell Fontelles, PËRFAQËSUES I LARTË/ZËVENDËSPRESIDENT

Margaritis Schinas, ZËVENDËSPRESIDENT

Mariya Gabriel, KOMISIONER

Didier Reynders, KOMISIONER, Drejtësi

Janez Lenarčič, KOMISSIONER, Manaxhim krize

Olivér Várhelyi, KOMISIONER, Fqinjësia dhe zgjerimi

Jutta Urpilainen, KOMISSIONER, Partneritetet ndërkombëtare

Luigi Soreca, Ambasador i Delegacionit të BE në Shqipëri

Hermann Parzinger, President Ekzekutiv, Europa Nostra

Sneška Quaedvlieg-Mihailovic, Sekretare e Përgjithshme, Europa Nostra

Tiranë, 3 Qershor 2020

I nderuar President Sassoli,

Në emër të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë ne dëshirojmë të sjellim në vëmendjen e Parlamentit Europian, një kërkesë miqësore për një dëgjesë speciale në Parlamentin Europian me organizata dhe aktivistë të shoqërisë civile shqiptare rreth shembjes të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë.

I nderuar President,

Shqipëria është një përfituese neto e fondeve të BE-së miratuar nga Parlamenti Europian dhe administruar nga Delegacioni Europian. Një dëgjesë e tillë do të ishte një akt përgjegjshmërie dhe llogaridhënieje në raport me taksapaguesit europianë dhe një rast për të bërë thirrje për transparencë publike mbi impaktin e granteve të BE-së në fushën e kulturës dhe trashëgimisë në Shqipëri për të siguruar që këto fonde përdoren siç duhet dhe me mençuri.

Ne përfaqësojmë një Aleancë të qytetarëve dhe artistëve. Që nga shkurti i vitit 2018, me një mbështetje në rritje të publikut dhe ndërkombëtare, ne jemi angazhuar për të ruajtur dhe restauruar Teatrin Kombëtar ekzistues të ndërtuar në 1938-39 dhe shembur së fundmi në një aksion qartësisht të paligjshëm të iniciuar nga Bashkia e Tiranës, si dhe për të bllokuar ndërtimin e një teatri të ri në qendër të qytetit të Tiranës. Disa akuza dhe procese gjyqësore janë në zhvillim kundër kryebashkiakut të Tiranës dhe zyrtarësh të tjerë publikë të përfshirë në këtë situatë.

Shembja e Teatrit u urdhërua dhe u krye më 17 maj 2020, si rezultat i një operacioni të urdhëruar nga Bashkia e Tiranës, i mbështetur nga rreth 1500 oficerë policie, i cili ndërkombëtarisht dhe veçanërisht nga disa përfaqësues të lartë të BE-së, u dënua si një veprim barbar dhe një shkelje e shtetit të së drejtës dhe e masave të sigurisë publike të zbatuara nën regjimin Covid-19.

Bashkimi Europian, përmes Komisioneres për Kulturën Mariya Gabriel dhe “Europa Nostra”, organi më i dalluar europian kushtuar mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, në mënyrë të përsëritur deri disa ditë para prishjes, i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të mos procedonte me shembjen e ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar, i cili më 24 mars ishte përfshirë në programin “7 Vendndodhjet më të Rrezikuara” të “Europa Nostra”, të drejtuar në bashkëpunim të ngushtë me Institutin e BEI.

Ne po punonim me “Europa Nostra” drejt qëllimit tonë për të restauruar Teatrin Kombëtar dhe kur fluturimet të ishin përsëri të mundshme pas pandemisë, ne po prisnim që ekipi i ekspertëve të Institutit “Europa Nostra” dhe Institutit të BEI të vizitonte Teatrin Kombëtar dhe të fillonte me konsultimet teknike në lidhje me punën në vijim. Shkeljet e rënda të ligjit të qeverisë së Shqipërisë drejtuar nga Edi Rama dhe të bashkisë Tiranë të drejtuar nga Erion Veliaj, përveç trazirave sociale dhe publike në Shqipëri, kanë çuar në:

  • Dy çështje të hapura në Gjykatën Kushtetuese, të cilat për shkak të procesit të vetingut janë bllokuar dhe kur ajo të bëhet funksionale duhet të vendosë mbi: (1) ligjin special të miratuar nga parlamenti shqiptar në 2018 ndërsa presidenti refuzoi dy herë për ta konfirmuar atë, i cili do të transferonte terrenin e Teatrit Kombëtar publik tek një kompani private për zhvillim; (2) Vendimin e Këshillit të Ministrave të 8 majit 2020 që transferoi këtë terren publik të Teatrit Kombëtar nga Ministria e Kulturës tek Bashkia e Tiranës;
  • SPAK të hapë hetime për keqbërje të kryetarit dhe zv / kryetarit të bashkisë së Tiranës në lidhje me projektin e Teatrit Kombëtar;
  • Avokati i Popullit i Shqipërisë të fillojë një hetim në lidhje me (1) vendimin e Këshillit të Ministrave të 8 majit i cili transferoi këtë terren publik të Teatrit Kombëtar nga Ministria e Kulturës tek Bashkia e Tiranës dhe (2) të gjithë shkeljet e ligjit dhe të të drejtave të njeriut në lidhje me operacionin e Bashkisë dhe Policisë më 17 maj 2020;

Dhe më tej:

  • Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit që të (1) organizojë protesta në qytetet e mëdha të Shqipërisë për të sjellë frymën e rezistencës 28-mujore kundër shkeljes së shtetit të së drejtës, veprimeve të paligjshme kundër trashëgimisë kulturore dhe historike dhe pronës publike dhe (2) të organizojë një mbledhje mbarëkombëtare firmash të ngjashme me referendum për rindërtimin e Teatrit Kombëtar ashtu si ishte dhe aty ku ishte, që po ndërmerret si në internet ashtu edhe fizikisht në secilin nga qytetet ku protesta shkon. Mbi 20 000 njerëz kanë nënshkruar deri më sot.
  • Media kudo në Europë dhe botë ka nisur ta dënojë aktin si “barbar” dhe si të ngjashëm me atë nazist “Nacht und Nebel – Natë dhe Mjegull”.
  • Njëzet deputetë të Parlamentit që ta adresojnë këtë akt dhe të kërkojnë nga Komisioni Europian në një letër të hapur që të dënojë shembjen e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë në raport me vendet fqinje për të promovuar një politikë, që respekton trashëgiminë kulturore, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës.

Duke qenë se Shqipëria ndodhet para portës së Bashkimit Europian, për të nisur shpejt negociatat për t’iu bashkuar familjes së Bashkimit Europian, ne e konsiderojmë të një rëndësie madhore që Parlamenti Europian të hedhë një vështrim më të kujdesshëm lidhur me çfarë po ndodh në Shqipëri. Aspirata jone për shtetin e së drejtës dhe vlerat e përbashkëta europiane është më e fortë se kurrë më parë dhe lipset të mbështetet dhe mbrohet.

Për këtë arsye ne ju kërkojmë për mundësinë që të skeduloni një pikë në një nga mbledhjet e ardhshme plenare të Parlamentit kushtuar eksplorimit të një dëgjese speciale mbi Teatrin Kombëtar të Shqipërisë. Për këtë qëllim, një grup artistësh dhe intelektualësh shqiptarë do të udhëtonte nga Tirana për t’i prezantuar audiencës së shquar të përbërë nga deputetë të Parlamentit Europian arsyet se pse çështja e Teatrit Kombëtar vërtet është kthyer në një çështje për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Ne shpresojmë që ju do ta merrni në konsideratë këtë kërkesë miqësore dhe do ta shqyrtoni atë seriozisht në bashkëpunim me Komisioneren për Kulturën Mariya Gabriel, 20 deputetët që kanë nënshkruar letrën publike për dënimin e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe organet më të larta vendimmarrëse të organizatës suaj të nderuar.

Me përshëndetjet më të mira,

“Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.