Kryesore

Portat e Charles Aznavour, kur ai ishte gati të vinte në Shqipëri

14:30 - 11.06.20 Nga Luan Rama
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Luan Rama –  “E mendoi Shqipërinë si të ishte Armeni, por ngjarjet e 1998-ën me antitanket në bulevard e penguan”




Charles Aznavour ka disa vite që ka vdekur. U shua si një njeri i moçëm shumë, në heshtje, ashtu siç donte ai. Ashtu siç edhe thoshte: “Çdo mbrëmje, para se të fle, pyes veten nëse nesër do ta shoh dritën e diellit. Është një ankth i vazhdueshëm, por që zgjat pak sekonda dhe që shuhet duke më zënë gjumi. “Si të mund të flasësh për gjëra të tilla”, – do pyesni ju? Por, kjo është më e fortë se unë. E megjithatë, kjo s’më pengon që të kem një besim të patundur tek Zonja Jetë”!

Aznavour u varros jo larg Parisit, në varret familjare Aznavour, pranë nënës dhe atit, pranë njerëzve të tij, në një varrezë të bukur, të paqtë. I thashë një ditë vajzës sime të më çonte atje. Dhe shkova në Monfort me atë kishë mesjetare dhe me një foto të Nënë Terezës. Doja ta shihja, ta përshëndesja. Një këngëtar e muzikant i madh, që kisha pasur fatin ta njihja. Atëherë isha diplomat në Paris. Disa herë kisha shkuar për festën e Armenisë, kur ai ishte ambasador në Paris dhe në UNESCO. I entuziazmuar nga këto takime e kisha ftuar të vinte në Shqipëri. Ishte viti 1998. Simpatik dhe i qeshur siç ishte, ai pranoi menjëherë. I dinte dëshirat e vendeve të vogla dhe e mendoi Shqipërinë si të ishte Armeni. U lidha me impresarion e tij dhe ai po përgatitej kur ngjarjet e 1998 me antitanket në bulevard dhe arkivolin e vendosur në zyrën e kryeministrit e bënë të pamundur që Aznavour të vinte e të këndonte. Ishte për të vënë kujë… Kështu, ideja e ardhjes së Aznavour në Tiranë mbeti thjesht një dëshirë, një ëndërr. Ishte një njeri i mrekullueshëm. Të gjithë e donin. Ishte ambasador, por mbi të gjitha një artist i madh, këngëtar e intelektual, i cili shfaqej në media gjithnjë me atë thjeshtësinë e tij proverbiale. E doja shumë, e dëgjoja gjithnjë. Madje më vonë, në Trouville të Normandisë, një këngë e tij, “Mama”, më mbyti në ngashërim duke kujtuar nënën time dhe ai në këngë nënën e tij. Ishte njerëzori… “Duhet të jem i vetmi diplomat në botë, – thoshte ai, – që e lashë shkollën në moshën 10-vjeçare për t’iu ngjitur skenës. Eh, ç’histori…”! Po, jeta e tij ishte dhe është një mësim i madh për njeriun në çdo cep të botës. Një mësim i kurajës, vullnetit, punës dhe talentit. Kur po afronte moshën e një shekulli, kur ende këndonte me një zë më të qetë, ai u bë një lloj filozofi. Jeta e tij ishte një filozofi më vete. Ja ç’thoshte ai: “Jeta përbëhet veç nga porta që hapen e mbyllen. Dhe jeta jonë ka kaluar kështu, në pragjet e këtyre portave. Por ka porta që përplasen apo që mbyllen me zhurmë, ka që kërcasin apo që mbyllen në heshtje. Disa prej tyre na tregojnë gjëra pa kuptim e që na mbajnë të mbyllur brenda. Janë porta fatkeqësie. Të tjera hapen plot hire dhe na çlirojnë: janë porta lumturie. Papritur kemi çelësin në dorë dhe shohim se është një çelës “ut” apo një çelës “sol”, çelës ëndrrash, çelësi i fushave. Por vjen një ditë dhe jeta mbaron. Dhe atëherë vendosim hapat në gjurmët tona dhe ajo që dikur atje ishte misterioze, shohim se në atë prag s’ka më sekrete për ne. Atëherë ne kujtojmë atë kohë të bukur kur shtynim portat me kënaqësinë për të dalë në dritë. E kam jetuar jetën time nga një prag në tjetrin, kam braktisur hajatin e injorancës për të depërtuar në kubenë e dijes, në kulisat për të hyrë në skenë, kam lënë atë të varfërisë që më së fundi t’ia dalë mbanë, gjithnjë i pakënaqur, gjithnjë idealist, gjithnjë i përballur me një portë më të lartë, më të rëndë, që dukej e pakalueshme por që pastaj e kaloja. Nga hija në dritë nuk kishte veçse një hap. Por, ai hap ishte çështje e gjithë ekzistencës sonë”.

Kishte diell atë ditë në Monfort. Veç kurorave, fëmijët e qytetit kishin vënë në varrin e Aznavour edhe kukulla të vogla, si të linin aty praninë e tyre në një koncert imagjinar, me siguri. Më tutje një varr ishte mbuluar nga lavando me lulet e saj vishnje aq sa emri i të vdekurit nuk dukej gjëkundi. Ja një varr që ka jetë, mendova duke sjellë në mëndje këngët e Aznavour “La Boheme”, “Que c’est triste Venise” apo “Emmenez-moi”… Por ajo që jeton nga historia njerëzore është ajo ç’ka i jep ti botës, ja pse ai u bë një qytetar i botës. Aznavour asnjëherë nuk kishte menduar të hynte në histori. Ishte historia ajo që e mori dhe e bëri të vetën. Para se të ikte nga kjo botë, Aznavour nuk kërkoi asgjë, veç kujtoi portat e jetës: “Atëherë përshëndetje

mos e përplasni portën para se të iki

sepse për gjumin tim të përjetshëm

doja të kishte veç zhurma të natyrës

në vendin tim të fundit, të gjelbëruar

që të më përkundin butësisht

atëherë faleminderit dhe së shpejti

por sidoqoftë mos u nxitoni

në përjetësi asgjë nuk nxiton

jo, vërtet

asgjë, kështu besoj

ose dua të besoj”…

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.