Kosova

“Nuk ka më vende në spital”/ Kryeministri paralajmëron masa të reja: Kosova në rrezik nga vala e dytë e koronavirusit

15:39 - 29.06.20 Gazeta Shqiptare

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u shpreh se situata nga pandemia e koronavirusit në Kosovë “është nën kontroll të brishtë”.



Në një konferencë për media në Prishtinë, pas takimit të Komitetit për menaxhimin e situatës me koronavirus, Hoti tha se Klinika Infektive është e stërmbushur me pacientë me koronavirus dhe se atje nuk ka më vende për njerëz.

“Janë duke u krijuar vende shtesë nëpër spitale rajonale”, tha ai. Hoti bëri thirrje që të zbatohet plotësisht vendosja e maskave, distanca fizike dhe larja e duarve.

Jemi në rrezik nga vala e dytë, na ndihmoni që mos ta mbyllim komplet ekonominë si para tre muajve”, tha Hoti, i cili paralajmëroi mundësinë e masave të reja për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Masat e reja, sipas Hotit, do të përfshinin reduktimin e punësimeve në institucione, mbylljen e bizneseve ku ka raste të paraqitura me koronavirus, mbajtjen në izolim të personave të infektuar dhe kontrollin e tyre, si dhe ndalimin e grumbullimit të mbi 100 personave në ambiente të hapura ose të mbyllura.

Hoti tha se ata që nuk i zbatojnë masat, do të përballen me ligjin. Për mbikëqyrjen e tyre është i autorizuar Inspektorati sanitar, tha ai.

Hoti po ashtu paralajmëroi se, bazuar në situatën aktuale, vështirë se mund të hapen pishinat, lokalet e natës e të tjera.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe drejtori i Institutuit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani, të cilët po ashtu morën pjesë në konferencë për media, i bënë jehonë thirrjes së Hotit, duke thënë se moszbatimi i masave do të sjellë pasoja.

“Ne jemi në fazën e tretë të hapjes graduale ekonomike dhe shumica e veprimtarive janë lejuar. Kjo ka rezultuar me rritje të numrit të rasteve pozitive me Covid-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi]. Nuk mund të thuhet që ishte e papritur, por kjo ka rezultuar me rritje të numrit të pacientëve që kërkojnë trajtim spitalor në Klinikën Infektive”, tha Zemaj, duke shtuar se e gjithë kjo situatë është pasojë e mosrespektimit të masave.

Zemaj tha se Ministria që ai drejton, mes tjerash, është duke përgatitur strategjinë e re të testimeve, me qëllim të, siç tha, “testimeve në masë”.

Zemaj, megjithatë, nuk ofroi detaje në lidhje me këtë strategji.
Drejtori i IKSHPK-së, Ramadani, tha se testimet janë të garantuara për çdo qytetar që ka indikacione epidemiologjike.

“Në një vend, në një vatër, ku rezulton një person pozitiv, Instituti Kombëtar i gjurmon të gjitha rastet e kontaktit dhe të gjithë ata me shenja testohen në radhë të parë, në mënyrë energjente”, tha Ramadani.

Kosova, deri të dielën, ka konfirmuar gjithsej 2,677 raste me koronavirus.

Prej tyre, 1,203 janë aktive, ndërsa 49 pacientë kanë vdekur.

Në 10 ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar 844 raste të reja me koronavirus.

Ditëve të fundit ka ndodhur që deri në 46% e të testuarve në 24 orë të dilnin pozitivë me Covid-19.

Kosova bën pjesë edhe në listën e 11 vendeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që përballen me transmetim të shpejtë të sëmundjes Covid-19. / REL

 

 

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

CLOSE
CLOSE