Tomas Bërdariç është rikthyer sërish në pankinën e klubit të Vllaznisë, pas shkarkimit të trajnerit Qatip Osmanit.
“Mirë se u ktheve”, shkruan klubi në një postim në faqen zyrtare në Instagram, duke konfirmuar zyrtarizimin e Bërdariç në stolin kuqeblu.
Gjermanokroati ka drejtuar Vllazninë pak kohë më parë dhe ka lënë përshtypje shumë të mira tek klubi shkodran.
Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë e tronditi Vllazninë dhe kjo u duk në vendimin për të mbyllur bashkëpunimin me trajnerin Qatip Osmani dhe ndihmësin e tij Livoreka.
Me një njoftim në orët e vona të mbrëmjes klubi kuqeblu ka zyrtarizuar ndarjen me trajnerin nga Maqedonia e Veriut.
Në njoftim shkruhet se mbyllja e bashkëpunimit është bërë me mirëkuptim, por kuptohet që rezultatet e fundit kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në këtë situatë.
“Vllaznia njofton gjithë opinionin sportdashës se ka mbyllur me mirëkuptim bashkëpunimin me profesor Qatip Osmanin dhe me zëvendëstrajnerin Bashkim Livoreka. Klubi i falënderon për gjithë kontributin e dhënë për skuadrën tonë dhe i uron shumë suksese në karrierën e tyre të mëtejshme”, shkruhet në njoftimin e klubit shkodran”, u tha në njoftim.
Një vendim pak i pritshëm ky, duke qenë se Vllaznia mban vendin e dytë në kampionat dhe është plotësisht në garë për titullin kampion.
Qatip Osmani erdhi në Shkodër pasi kishte nisur sezoni, duke pasuar Migen Memellin. Nën drejtimin e tij, skuadra shkodrane ka pasur një rritje të madhe, pavarësisht rezultateve të fundit.