OPINION

Kontributi i popullit të Kurveleshit në luftën e Vlorës të vitit 1920

09:14 - 30.06.20 Nevruz Hysenaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Edhe pse Lufta e Parë Botërore kishte marrë fund dhe ushtria pushtuese italiane qe detyruar të tërhiqej nga krahinat e brendshme të Shqipërisë, ajo vazhdonte të mbante të pushtuar Vlorën me rrethinat e saj, ku bënin pjesë edhe Tepelena e Kurveleshi. Pushtuesit italianë ngulnin këmbë mbi të drejtën e pushtimit të këtyre viteve në bazë të Traktatit të Fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915 dhe të disa marrëveshjeve të përfunduara midis Fuqive të Mëdha. Sipas këtyre akteve Vlora dhe rrethinat e saj viheshin nën sovranitetin e plotë të Italisë. Këto padrejtësi, që shkelnin rëndë tërësinë tokësore dhe pavarësinë e shtetit shqiptar u pritën me indinjatë të thellë nga populli ynë që organizoi protesta e demonstrate, sidomos në viset e pushtuara.




Lëvizja për të kundërshtuar me forcë pushtuesit po rritej gjithnjë e më shumë. Për përgatitjen e rezistencës së armatosur u formuan si masa organizative komitete të fshehta të “Mbrojtjes Kombëtare”. Një komitet i tillë u krijua edhe në Tepelenë, ku bënin pjesë edhe kurveleshasit Sulo Lekdushi, Myslim Hano e Riza Runa. Komiteti mori të gjitha masat e nevojshme për organizimin e qëndresës kundër pushtuesve në krahinat e Tepelenës e të Kurveleshit. Ndërkohë, aktivistë të këtij komiteti organizonin mbledhje dhe takime në popull. Kështu, më 27 maj 1920, u bë në Gusmar tubimi i popullit të Kurveleshit, ku morën pjesë përfaqësues nga të gjitha fshatrat e krahinës dhe të deleguarit e Komitetit të Vlorës e të Tepelenës: Halim Xhelo, Baba Ahmet Turani, Selam Musai etj.. Në këtë Kuvend Kurveleshi lidhin besën se do të luftonte deri në dëbimin e plotë të pushtuesve italianë. Aty u bë bashkërendimi i veprimeve luftarake midis Kurveleshit, Vlorës e Tepelenës dhe u vendos që çdo fshat të formonte çetën e tij.

Duke iu përgjigjur thirrjes së Kuvendit të Barçallasë, më 29 maj 1920, për të filluar kryengritjen çlirimtare, djemtë e Kurveleshit lanë parmendat dhe tufat e deleve dhe u bashkuan me vullnetin e tyre të plotë me luftëtarët e tjerë. Gati 500 fshatarë të Kurveleshit u grumbulluan në Gusmar dhe së andejmi u nisën për në Beun. Rreth 500 fshatarë të tjerë kurveleshas u nisën për në Tepelenë. Ata ishin organizuar në çeta sipas çdo fshati, duke pasur në ballë nga një fshatar trim e me përvojë luftarake.

Pasi komanda italiane në Vlorë me në krye gjeneralin Pieçentini refuzoi t’i përgjigjej ultimatumit të kryengritësve, të dërguar më 3 qershor nga Beuni, sipas planit të hartuar, shpërtheu sulmi i njëkohshëm në të gjithë zonën e pushtuar, me qëllim që garnizonet italiane të mos kishin mundësi t’i vinin në ndihmë njëri-tjetrit.

Luftimet për çlirimin e Kotës

Kota ishte një nga vendet më të mbrojtura të ushtrisë italiane. Aty ishin ndërtuar fortifikata të shumta të rrethuara me tela me gjemba, ku ishin vendosur forca të mëdha, të armatosura deri në dhëmbë me armët më moderne të kohës. Në luftimet e Kotës nga Kurveleshi morën pjesë: çeta e Rexhinit, e përbërë nga 70 vullnetarë, nën komandën e Riza Runës, ajo e Gusmarit me 60 luftëtarë e komanduar nga Xgafer Meta, e Vermikut me 49 luftëtarë e komanduar nga Naim Vraka, një pjesë e çetës së Lekdushit me 6 luftëtarë e udhëhequr nga Belul Zeneli dhe çeta e Fterrës me 27 luftëtarë e komanduar nga Xhafer Shehu.

Në këto luftime çetat e Kurveleshit do të bashkëvepronin ngushtë me çetat e Salaisë, Smokthinës, Koculit, Vajzës, Gorishtit, Shkozës, Plloçësm Mavrovës, Velçës etj. Sulmi mbi kotë filloi në orën 11 të natës së 5 qershorit, pasi u prenë më parë lidhjet telefonike. Pa bërë asnjë parapërgatitje, kryengritësit duke shfrytëzuar errësirën e natës, në fshehtësi të madhe e rrethuan atë nga të katër anët, iu afruan gardheve me tela me gjemba, i kaluan ato me guna e degë pemësh dhe kur hasën në ndalesën e rojeve armike hapën zjarr të dendur mbi ta. Lufta u ndez e ashpër. Italianët bënin rezistencë këmbëngulëse, duke vënë në përdorim të gjitha llojet e armëve që dispononin. Vullnetarët pa marrë parasysh rrezikun, përmes breshërive të gjyleve e të plumbave u hodhën në një sulm të rrufeshëm duke depërtuar në pozicionet e armikut dhe duke u përleshur me ta. Pas 6 orë luftimesh të përgjakshme Kota ra në duart e luftëtarëve.

Luftimet në Gjorm

Ndër çetat e Kurveleshit që morën pjesë në luftimet për çlirimin e Gjormit, ishin çeta e Kuçit me 109 luftëtarë e udhëhequr nga Meto Peçi, Arshi Saraçi e Rrapo Aliu dhe ajo e Bolenës me rreth 60 luftëtarë e komanduar nga Mato Robi. Këto çeta u erdhën në ndihmë atyre të Gjormit, Tragjasit e Dukatit, të cilat ishin caktuar për asgjësimin e garnizonit italian në Gjorm. Në një kohë me luftimet në Kotë, filloi sulmi edhe mbi repartet italiane të vendosura në Gjorm. As gardhet me tela me gjemba, as pozicionet e betonuara, as armatimi i rëndë i armikut nuk mundi të ndalonte për një kohë të gjatë sulmin e luftëtarëve lebër. Vullnetarët depërtuan me shpejtësi në pozicionet e armikut dhe pas luftimeve të rrepta, që vazhduan deri në mëngjes, komandanti i garnizonit italian, kapiteni Bergamaski, u detyrua të dorëzohej.

 

Luftimet në Babicë-Qafa e Koçiut

Faza e parë e luftës përfundoi me sukses të plotë për kryengritësit. Brenda një nate ranë të duart e luftëtarëve kryengritës të gjitha garnizonet italiane rreth Vlorës. Me mbarimin e kësaj faza u bë grumbullimi i forcave për sulmin për çlirimin e qytetit. Sulmi mbi Vlorë, që ishte nga më të vështirët, nisi në orë 23 të 11 qershorit. Në këtë sulm morën pjesë nga Kurveleshi: çeta e Nivicë-Rexhinit, e Lekdushit, e Progonatit, e Gusmarit, e Kuçit, e Vërmikut dhe e Fterrës. Çdo çetë kërkonte të shkonte në vendin e parë, atje ku rreziku qe më i madh. Çetave të Kurveleshit dhe të Tepelenës iu caktua sektori në Babicë. Luftëtarët u hodhën mbi pozitat e armikut në Babicë-Qafë e Koçiut dhe në kodrat rreth tyre. Pozicionet e italianëve qenë të mbrojtura me dy radhë telash me gjemba, prapa të cilave qenë hapur llogore e ndërtuar fortifikata, ku ishin vendosur topa e mitralozë. Artileria fushore e detare u vu në veprim, prozhektorët e bënin natën ditë. Megjithatë, kryengritësit me vendosmërinë e tyre e thyen qëndresën italiane në shumë pika dhe u futën thellë në ullishtat e Qafës së Koçiut. Por fronti ishte thyer vetëm pjesërisht, prandaj luftëtarët u tërhoqën në pozicionet e mëparshme, duke e mbajtur qytetin të rrethuar. Në mbrëmjen e 12 qershorit vullnetarët u hodhën në një sulm tjetër të furishëm. Luftimet qenë të përgjakshme. Vetëmohimi i luftëtarëve bëri që vija e mbrojtjes armike të thyhej. Afër mëngjesit, luftëtarët arritën pranë shtëpive të para të qytetit, por u tërhoqën me urdhër për të shmangur reprezaljet ndaj popullsisë qytetare, që komanda italiane kërkonte të ndërmerrte si hakmarrje në rast se kryengritësit nuk do t’i ndalnin sulmet e tyre. Akte të larta trimërie treguan ata në këtë betejë. Selam Musai nga Salaria e “zuri topin nga gryka”, duke rënë trimërisht në fushën e luftës. Ranë gjithashtu në fushën e nderit komandanti i çetës së Gusmarit, Xhafer Meta dhe luftëtari Shefqet Islami nga Nivica dhe u plagosën Metlli Leli nga Progonati e Shefqet Shehu nga Lekdushi.

Lufta për çlirimin e Tepelenës

Ndërkaq, që prej disa ditësh qëndronte e rrethuar kalaja në Tepelenë. Me pozitën sunduese dhe me kalanë e saj shekullore, Tepelena përbënte një vend mjaft të mbrojtur për ushtrinë italiane. Më 4 qershor, pa filluar edhe lufta, Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” për Tepelenën i dërgoi një ultimatum komandantit të garnizonit italian, ku kërkonte dorëzimin e qytetit dhe largimin e tij menjëherë nga Tepelena. Siç pohon edhe autori italian, B.Caniglia, ky “ultimatum nuk mund të merrej në konsideratë”. Në mbrëmjen e 5 qershorit, Tepelena që rrethuar nga disa çeta të Kurveleshit dhe të vullnetarëve të rrethit të Tepelenës e të Këlcyrës. Forcat e Kurveleshit përbëheshin nga çeta e Picarit me 64 luftëtarë e komanduar nga Izet Dervishi e Harun Banushi, çeta e Golemit me 70 luftëtarë e komanduar nga Sulo Beqiri, njëra nga çetat e Progonatit me 60 luftëtarë e komanduar nga Neki Daci, njëra nga çetat e Lekdushit me 53 vullnetarë nën komandën e Muharrem Meçaj.

Me kalimin e afatit të ultimatumit, natën duke u gdhirë 6 qershori, kryengritësit filluan sulmin kundër qytetit nga të gjitha drejtimet, por nuk mundën të hynin në qytet, pasi pengoheshin nga zjarri i dendu i armëve të ushtrisë italiane. Më 8 qershor u organizua një sulm tjetër i fortë. Duke përfituar edhe nga njohja e mirë e terrenit, luftëtarët hynë në Tepelenë nga ana e perëndimit, duke u ndodhur ballë për ballë me ushtrinë italiane. Përballë këtij sulmi komandanti i garnizonit, major Kalçini, i urdhëroi ushtarët t’i lëshonin pozitat që mbanin në qytet dhe të mbylleshin në kala, ku mori të gjitha masat për të vazhduar qëndresë. Luftëtarët pa marrë parasysh zjarrin e dendur, vendosën të bënin një sulm të rreptë për të pushtuar kështjellën e për ta detyruar armikun të dorëzohej. Sinjalin e sulmit e dhanë vullnetarët e Golemit, të cilët hodhën disa bomba te porta e kalasë, por në kala edhe kësaj here nuk mundën të hynin. Mbas disa ditë rrethimi, luftëtarët prenë ujin e pijshëm që vinte në kala nga fshati i Bënçës. I kërcënuar nga goditjet e vazhdueshme të forcave vendore, i mbetur pa ujë dhe pas asnjë lidhje me komandën e tij eprore, garnizoni italian në Tepelenë, nuk kishte mundësi të vazhdonte më tej rezistencën. Në këto kushte ai hyri në bisedime me kryengritësit dhe në mëngjesin e 21 qershorit majori Kalçini nënshkroi aktin e dorëzimit.

Luftimet e 22 korrikut

Meqë kërkesat e komandës italiane pranë kryengritësve për t’i ndërprerë sulmet dështuan, ajo kaloi përsëri në provokacione e kërcënime. Më 17 korrik komanda italiane shpalli një urdhër dite, i cili përfundonte me fjalët: “Jemi dhe do të qëndrojmë në Vlorë”. Në përgjigje të këtij kërcënimi komiteti “Mbrojtja Kombëtare” urdhëroi që të fillonte sulmi për çlirimin e Vlorës dhe të Kaninës, që nisi më 22 korrik, afër mesnatës, në të gjithë frontin dhe vazhdoi deri të nesërmen në darkë. Në luftimet e 22 korrikut, forcat kryengritëse u ndanë në 7 drejtime. Vullnetarëve të Kurveleshit iu caktuan këta sektorë: çetat e Picarit, e Lekdushit, e Progonatit, e Nivicës, e Gusmarit dhe e Golemit zunë sektorin Llakatund-Qafa e Fierit, kurse çetat e tjera zunë sektorin e kalasë se Kaninës. Në këto luftime ato u përforcuan edhe me luftëtarët kurveleshas, që kishin ardhur aty pas çlirimit të Tepelenës dhe u mbështetën edhe nga vullnetarët e Korçës e të Mallakastrës.

Forcat kryengritëse u hodhën në një sulm të fuqishëm mbi qendrat e armikut. Luftimet filluan me të njëjtin intensitet në të gjithë frontin, duke ndeshur në një qëndresë të fortë të armiqve. Disa luftëtarë arritën të futen në pozicionet italiane dhe i kapën mitralozët e tyre, duke u përleshur trup më trup. Ndaj të gdhirë të 23 korrikut, vija e parë armike u thye në të gjithë frontin, pjesa më e madhe e pozicioneve të tyre ra në duar të luftëtarëve, kurse pjesa tjetër mbeti e rrethuar. Disa çeta si ajo e Gusmarit dhe e Gjormit hynë në lagjet periferike të qytetit. Në këto luftime u vra luftëtari progonatas Rushit Gaxha dhe u plagosën Tushe Bihaci dhe Jashar Hajredini nga Picari.

E vetmja pikë strategjike e papushtuar jashtë Vlorës ishte kalaja e Kaninës, pozita sunduese e së cilës përbënte një pengesë serioze për luftëtarët. Ajo mbrohej nga një garnizon italian i zgjedhur. Çlirimi i kalasë iu caktua çetave të Bolenës, Gjormit, Kallaratit, Smokthinës, Kuçit etj.. Luftëtarët u hodhën në një sulm të rrufeshëm në majë të Vreshtave të Mëdha mbi forcat italiane, të cilat ishin tepër të fortifikuara. Një mitraloz armik i vendosur në një fortifikatë nuk lejonte përparimin e luftëtarëve. Toto Hosi, komandanti i çetës së Bolenës sulmoi mbi fortifikatë, por një mitraloz i armikut e qëlloi nga një pozicion tjetër me breshëri dhe e plagosi rëndë. Totoja mblodhi forcat dhe u sul mbi fortifikatë, por nuk arriti dot se fuqitë e lanë dhe ra për të mos u ngritur më në këmbë.

Për shkak të pozitës së kalasë luftëtarët u detyruan të sulmonin disa herë nga poshtë lart, pasi zjarri i dendur i detyronte të sprapseshin. Më në fund sulmet e guximshme dhe vetëmohimi i luftëtarëve, bënë që kështjella të bjerë në duart e tyre. Në këto luftime u vra Kafaz Hosi nga Bolena dhe u plagosën Arif Rushani, Sali Dolla dhe Çaush Rodhia, po nga Bolena. I paharruar do të mbetet akti sublim i bolenasit Sino Micolli, i cili dha jetën duke luftuar trimërisht për marrjen e kalasë së Kaninsë. Po ashtu, luftëtarja labe, Rabie Hosi, bashkëshortja e Toto Hosit luftoi me guxim në vijën e frontit përkrah bashkëfshatarëve të saj.

Ishin fitoret e kryengritësve shqiptarë, ato që më së fundi e bindën qeverinë italiane se nuk mund ta mposhte qëndresën shqiptare. Në kushtet e reja që kishin sjellë këto fitore, ajo u detyrua të hiqte dorë nga mandati mbi Vlorën dhe të hynte në bisedime me palën shqiptare. Si rezultat i bisedimeve qeveria e Romës do të respektonte sovranitetin shqiptar mbi Vlorën dhe tërheqjen e ushtrisë italiane nga Vlora dhe pjesët e tjera të vendit.

Siç dihet më 3 shtator çetat vullnetare shqiptare hynë fitimtare në Vlorën e çliruar, të pritura me dashuri dhe entuziazëm nga populli. Ai i brohoriti fitimtarët, midis tyre edhe luftëtarët trime e patriotë te Kurveleshit.

*  * *

Shënim: Të dhënat mbi çetat e fshatrave të Kurveleshit janë marrë nga historikët e fshatrave të krahinës, të depozituara në Arkivin e Institutit të Historisë.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.