Kryesore

Loja vdekjeprurëse, “Jonathan Galindo”/ Lorela Garuli: Si të kuptoni se fëmija juaj është viktimë e saj

13:15 - 21.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro  – Dy ditë më parë, Policia e Shtetit paralajmëroi prindërit që të bëjnë kujdes dhe të ndjekin aktivitetin në rrjetet sociale dhe internet të fëmijë të tyre. Kjo pasi një lojë e rrezikshme e quajtur “Jonathan Galindo”, mund të arrijë deri në fatalitet nëse bie në kontakt me të miturit duke përdorur forma nga më të ndryshmet për ti shtyrë fëmijët drejt vetëvrasjes. Sakaq, platforma ALO 116 ka bërë me dije se loja ka mbërritur në Shqipëri pasi 5 raste janë raportuar në Telefonin e Ndihmës për Fëmijët. Në një intervistë për Gazeta Shqiptare, Lorela Garuli, psikologe klinike tregon se “Jonathan Galindo” ngjason me lojën e famshme Balena Blu që ccoi shumë fëmijë drejt vetëflijimit në 2016. Ajo shton se adoleshentët apo fëmijë të vetmuar, të cilët nuk socializohen shumë dhe që kalojnë shumë kohë nëpër internet apo rrjete sociale janë më të predispozuar për të rënë pre e lojës. Garuli thekson se Jonathan Galindo nuk është një individ, por janë disa të cilët i gjejnë fëmijët apo adoleshentët nëpër disa rrjete sociale; ‘Tiktok’, ‘Facebook’, ‘Instagram’. Sipas psikologes, edhe në këtë rast, logjika dhe mekanizmi manipulativ i funksionimit të Jonathan Galindo është i njëjtë; fëmijët pjesëmarrës në lojë duhet të kryejnë një sërë provash dhe sfidash (challenge) deri tek format e vetëdëmtimit, ku iu kërkohet të presin apo të çajnë veten.




Prej disa ditësh në media po flitet për një lojë të rrezikshme e njohur si “Jonathan Galindo”, viktimë e të cilës janë të miturit. A ngjason kjo lojë me të famshmen “Balena Blu?

Jonathan Galindo është rreziku i ri i rrjeteve sociale, portreti i të cilit është i frikshëm dhe ngjall frikë. Një personazh anonim që gjurmon nëpër rrjet më të rinjtë e më të vegjlit, si më të brishtë për të rënë pre e tij. Është një fenomen virtual i cili ka vënë në alarm prindër të fëmijëve dhe adoleshentëve, pasi ngjan gjithashtu me të famshmen “Balena Blu” që shpërtheu rreth vitit 2016.

Mendoni se pas “Jonathan Galindo” fshihet një grup personash dhe si arrijnë të bien në kontakt me të miturit?

Në një distance kohore jo shumë të largët, makthi kthehet sërish. Jonathan Galindo nuk është një individ, por janë disa të cilët i gjejnë fëmijët apo adoleshentët nëpër disa rrjete sociale; ‘Tiktok’, ‘Facebook’, ‘Instagram’. Edhe në këtë rast, logjika dhe mekanizmi manipulativ i funksionimit të ‘Jonathan Galindo’ është i njëjtë; fëmijët pjesëmarrës në lojë duhet të kryejnë një sërë provash dhe sfidash (challenge) deri tek format e vetëdëmtimit, ku iu kërkohet të presin apo të çajnë veten.

Si nis kjo lojë dhe çfarë sfidash iu kërkohen fëmijëve që të plotësojnë?

Viktimat e Jonathan Galindo janë të moshës shkollore, e deri 12-13 vjeç apo adoleshentë, të cilëve iu dërgohet një kërkesë e thjeshtë miqësie. Në çastin kur fëmijët e pranojnë kërkesën, iu dërgohet një link ku ftohen të luajnë. Kështu nis rreziku, ku paraqiten një sërë sfidash dhe provash gjithnjë e më të rrezikshme, të frikshme dhe absurde që vënë në rrezik shëndetin fizik dhe psikologjik të fëmijëve dhe të adoleshentëve, që sugjestionohen dhe bëhen lehtësisht viktima. Loja kërkon prej tyre prova “guximi dhe kurajoje”, që çojnë në faza depresive e deri në vetëvrasje nëse fëmijët pjesëmarrës në lojë i nënshtrohen.

Cilët janë kategoritë më të predispozuara për të rënë pre e lojës?

Personat që kanë predispozitën më të madhe të bëhen pre e lojës, janë adoleshentë apo fëmijë të vetmuar, të cilët nuk socializohen shumë dhe që kalojnë shumë kohë nëpër internet apo rrjete sociale. Adoleshentët në përgjithësi, për shkak të etapës së zhvillimit në të cilën ndodhen shpesh përjetojnë konflikte me njerëzit e afërt, me familjarët dhe mbyllen edhe më shumë në vetvete. Gjithashtu, si rrjedhojë edhe e ndryshimeve hormonale, ata shpesh kanë luhatje humori sepse janë akoma në kërkim të një identiteti të mirëfilltë psikosocial. Prandaj, adoleshentët përjetojnë shpesh ndjenja izolimi, depresioni, ulje të vetëvlerësimit. Këto janë disa nga veçoritë kryesore të personave që janë më të brishtë dhe më të rrezikuar për t’u bërë pjesë e lojës. Gjithashtu, kjo lojë nëpërmjet stadeve të saj, bëhet përherë dhe më këmbëngulëse duke kontrolluar aspekte të jetës së fëmijës apo adoleshentit.

Si mund t’i mbrojmë të vegjlit nga ky rrezik që i kanoset?

Sigurisht kjo është pyetja kryesore për prindër dhe profesionistë, sepse përgjegjësia kryesore është e të rriturve për t’i mbrojtur fëmijët. Në radhë të parë, ka të bëjë me kohën shpeshherë të pakontrolluar që prindërit i lënë fëmijët e tyre të angazhuar përpara ekraneve, ndërkohë që janë të zënë me punë të tjera. Kështu që, në këto raste, duket se prindi nuk është në dijeni të asaj që po bën apo po sheh fëmija. Dhe pikërisht për këtë arsye shumë të thjeshtë, që herë pas here, sidomos dhe tek të vegjlit, prindi të kontrollojë me një frekuencë 10-15 minuta përmbajtjen e asaj që fëmija po shikon në telefon apo tablet (mund të kujtojmë këtu sesa e thjeshtë është të kalohet me një klikim nga videot për fëmijë në youtube tek një site pornografik).

Çfarë mund të bëhet kur zbulohet që fëmija ka rënë pre e ‘Jonathan Galindo’?

Në radhë të parë, i duhet shpjeguar me fjalë të qarta, të thjeshta, të vërteta për atë që është duke ndodhur dhe rrezikun që paraqet një lojë e tillë. I duhet shpjeguar që video dhe sfida të tilla e dëmtojnë, fizikisht dhe psikologjikisht dhe duhet t’i ndërpresë. Është shumë e rëndësishme që fëmija të mos fajësohet, të mos akuzohet dhe kritikohet sepse duhet të kujtojmë që në këto raste fëmija është viktimë, jo fajtor dhe përgjegjës. Nga ana tjetër, fëmijët do të këshillohen në mënyrë aktive që të mos pranojnë asnjë kërkesë nëpër rrjete sociale nga të panjohur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.