OPINION

Refleksione De Radiane

07:16 - 27.07.20 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nëse mund të ketë ndonjë autor e veçanërisht ndonjë poet në letërsinë shqiptare që paraqet probleme, të cilat mund t’i quajmë madje dhe mistere, ky është De Rada.
Kemi prej tij një “autobiologji”, që na pajis me ato që mund të quhen të dhënat e problemit. Po nga ana tjetër, këtë problem, na duket se sipas mendimit dhe gjykimit të tij, ai nuk arriti ta zgjidhte; synoi vetëm ta zgjidhte duke punuar mbi këto të dhëna në mënyra të ndryshme e duke u rikthyer shpesh mbi to, por pa mundur dot t’ia dilte mbanë, njëlloj sikur të kish gabuar diku në veprimet e veta. Mirëpo, siç dihet, një veprim të drejtë është e lehtë ta ndjekësh, sepse atij mund t’ia rikrijosh gjithmonë hapat e ndërmarrë, ndërkohë që nuk mund ta bësh dot një gjë të tillë për një veprim të gabuar.
E duke folur përtej metaforës, të dhënat që na ofron De Rada mund të interpretohen kështu: qëllimi i poemave të tij (ashtu si dhe i gjithë jetës së tij), ose më mirë misioni – që në mënyrë mistike – ai ndjente t’i qe besuar nga Zoti, ishte rilindja e Shqipërisë, pra rivazhdimi i asaj jete që kish qenë e Shqipërisë në epokën e vet më të mirë, atëherë kur qe komb kristjan në rrugën e zhvillimit dhe arritjes së një qytetërimi kristjan, përkrah ose barabar me kombet e tjera kristjane. Veçantitë, që mund t’i quajmë politike të programit të tij, variojnë nga koha në kohë, sipas rrethanave historike dhe i bëjnë të njohur poetit irracionalitetin e kësaj apo asaj ëndrre të tij; po gjithsesi, kjo ishte ajo ideja fikse që i mbeti përherë e palëvizshme. Më tej, karakteristikat shpirtërore me të cilat Shqipëria do të kish mundur të futej ose të rifutej në rrethin e kombeve të qytetëruara kristjane, më shumë se sa te historia, ai i zbuloi te tradita poetike e popullit shqiptar. Madje, qe pikërisht kjo traditë ajo që e frymëzoi, ashtu siç mendonte ai, në saktësimin përfundimtar në mendje të misionit që ndjente t’i qe dhuruar nga Provania, por që nuk arrinte dot ta ravijëzonte qartë.
Dhuntitë personale poetike dhe formimi letrar i viteve të rinisë qenë pas kësaj vetëm instrumentet – që sipas tij – Provania i dha në dorë për t’i dhënë jetë veprës së vet. Mirëpo pajtimi ose përputhja e qëllimit me mjetet nuk i doli asnjëherë e lehtë, ndaj ai nuk u ndje kurrë i kënaqur. Ky është edhe një tjetër shkak pse autori i rinovoi herë pas here veprat e tij, pavarësisht se duhet thënë se nuk qe i vetmi në letërsinë shqiptare; mjaft të kujtojmë këtu Sqiroin dhe ribërjen e poemës së tij të famshme “Te dheu i huaj”, apo dhe vetë Fishtën, “Lahuta e Malcis” përfundimtare e të cilit (botim i 1937) e krahasuar me episodet e botimeve të para, ngjan si vepër më vete.
Në thelb, që në rini De Rada shfaq mbresat e ekzistencës së një bote të vet poetike, përtej asaj të fituar nga leximet; këngët popullore i afruan një fushë të re ku të mund ta jetonte këtë botë, e një gjuhë të re, më të freskët e më arkaike, për ta bërë atë më interesante. E ai u krodh në të pa shumë shkujdesje, duke zbukuruar shumë prej motiveve të shkollës romantike, përtej atyre tassiane apo të këngëve tradicionale. Rezultati qe një përshtypje e thellë dhe e lumtur e lexuesve tashmë të mësuar me fantazinë e tassianëve dhe romantikëve, e që të shtyrë prej parimeve të kësaj rryme prisnin me festë gjithçka që mund të tingëllonte si një epikë autentike popullore. “Megjithatë, nuk besoj, nënvizon Valentini, se një lexues shqiptar i epokës do të kish njohur, përtej gjuhës dhe frazeologjisë, shumë prej botës së tij në poetikën e autorit”. Nuk mund ta themi nëse De Rada ishte apo jo i ndërgjegjshëm për një gjë të tillë; e nëse qe, nuk mund të shtojmë nëse kjo ndërgjeshmëri do ta kishte shmangur vallë nga mënyra e tij e të shkruarit (nisur nga bindja se, nëse do të donte, ai fare lehtë mund të shkruante edhe ndryshe). Ajo ç’ka mund të themi me siguri është fakti se me poemat e tij, ai s’ndihej kurrë plotësisht i kënaqur, pavarësisht se ish i ndërgjegjshëm se bëhej fjalë për diçka të madhe. Ja, pse shumica prej tyre, edhe pse të ripunuara shpesh, mbetën për të në gjendjen e tentativave të pakënaqura asnjëherë.
Gjithsesi, duhet nënvizuar dhe fakti tjetër; Këto lloj veprash, ai jo vetëm i botonte, por dhe i ndjente si gjëra të mëdha. Edhe ne, që jetojmë sot në një distancë të mjaftueshme kohe për t’ua vlerësuar brendinë dhe efektet, pas gjithë atyre komenteve e kritikave, duhet të arrijmë në përfundimin e njëllojtë, se bëhet fjalë për diçka të madhe. Po si vallë mund të shpjegohet kjo gjë? Për të dhënë një përgjigje të drejtë, këtu lipset të dalim nga fusha e letërsisë, e artit apo erudicionit, e historisë apo çfarëdolloj fushe tjetër. Pasi na duhet të shqyrtojmë thellësisht historinë e jetës së tij, madje më tepër, atë të shpirtit të tij, që aspak për kryelartësi a sipërfaqësueshmëri, a e bëri të ditur në “Autobiologjinë” e vet.
Është njohur që më parë, por është risaktësuar edhe kohët e fundit, se i ati i De Radës, ashtu si gjyshi e stërgjyshërit e tij, në përputhje me ritet dhe zakonet e Kishës Bizantine së cilës i përkisnin pjesa më e madhe e arbëreshëve të Italisë, patën qenë priftërinj.
Po kështu njihet dhe fakti se ai krenohej duke thënë se i përkistë një “race të përpunuar, të kultivuar”, pa harruar të theksojë se “fusha e mburojës së shtëpisë sonë është e bardhë, si e Guelfëve”; prej kësaj, mund të kuptohet lehtësisht se autori duhet të ketë qenë një kristjan i thekur dhe i devotshëm, çka hedh poshtë disa zëra mbi “antiklerizmin” e tij. E në fakt, për një antiklerizëm të vërtetë deradian është e pamundur të flasësh: bëhet fjalë vetëm për disa shprehje të shpenguara dënimi për disa forma të caktuara të praktikave religjioze popullore, të lejuara apo të favorizuara nga kleri; pjesa tjetër e botëkuptimit të tij fetar përbëhet nga shenjat e një besimi të fort-rrënjosur në ndërgjegje. Për të, “e keqja më e madhe është se marramendja e fortë që shkaktuan në mendjet e dobëta zbulimet moderne të shumë forcave të Materies, solli zhvendosjen e përqendrimit te prania e Qenies spirituale dhe të padukshme, për të preferuar kësisoj, siç thuhet në gjuhën popullore, shërbëtorin në vend të padronit”. Ja pse shndërrohet në themelor pohimi se “privilegji i njerëzve dhe i kombeve (e këtu duhet vërejtur me kujdes edhe përfshirja e fjalës kombe) qëndron në njohjen e autorit të botës dhe të qëllimeve të tij”.
E ky është një çelës goxha i përdorshëm në zbërthimin e profetizmit deradian. Përveç krenarisë së origjinës së vet, një rëndësi të madhe ai i jepte edhe fillesave të para të jetës spirituale, që i gjejnë gjurmët e tyre në moshën 13 vjeçare. Ia vlen të zgjatemi duke lexuar rrëfimin e tij: “…Në atë vit librat asketikë nisën të zëvendësonin Tasson dhe leximet e tjera. Madje, ndalova të lexoja çfarëdolloj libri tjetër që nuk qe i shenjtë, duke preferuar manualet e historisë religjioze. Duke e menduar sot një gjë të tillë, këtë ndryshim ia atribuoj Mirësisë hyjnore të ardhur përmes leximeve të shumta, natë e ditë në Institutin e Shën Dhimitrit, veçanërisht mbi jetën e Shenjtëve të Kishës. Digjesha nga dëshira të isha përherë me ta… Nisa kështu të flisja e të flisja për ta edhe me shokët e mi. I bindur në vërtetësinë që sapo kisha rrokur, mbajta një rrëfim për Pashkë, në ditën e Kungimit të shenjtë, që e mrekulloi Dom Karmine Dramis nga Mbuzati. Që atëherë, herë pas herë profesorët vinin netëve e dëgjonin pas porte, ato çka unë u thosha fëmijëve të tjerë në dhomën ku flinin…”
Nga ana tjetër, është e vërtetë që e gjithë kjo zjarrmi shpirtërore, De Radës iu ftoh që një vit më pas, për shkak ndoshta të qetësimit të ardhur nga jeta pa rregulla e pa orar në shtëpinë e prindërve gjatë pushimeve të verës apo të miqësisë së ngushtë që ai lidhi me një vërsnikun e tij në fshat; por përsëri, parimet e veta të besimit, brenda autorit ngelën për gjatë gjithë jetës të gjalla e vepruese, në udhëheqje të çdo gjykimi e mendimi të tij. Aq më tepër që ato herë pa here vinin e zgjoheshin nga ndodhi të caktuara providenciale, ndaj të cilave ai mbeti gjithmonë i ndjeshëm në shpirtin e vet padyshim të pasur me prirje mistike dhe aspak të zakonta. Për ta dëshmuar këtë, mjafton të shohim qëndrimin e tij përballë disa fakteve të caktuara, që te çdokush tjetër do të quhej, nëse jo i palogjiktë, padyshim i papritur. Mund të përmendim këtu rastin e procesit gjyqësor në dëm të të vëllait, shërimit të tij të mrekullueshëm pas sëmundjes së vitit 1840, apo edhe një herë shërimin e madhërishëm të një vëllai tjetër, pas një sëmundje të rëndë. E në të gjitha këto momente, siç shpjegon Zef Valentini, me autoritetin e vet të padiskutueshëm që i jep njohja e thellë dhe rigoroze e mistereve të kësaj fushe, “te De Rada ia vlen të shënohet ai lloj fluturimi pindarik, tipikisht mistik, që e lidh lajmin e një mirësie të kryer jo me sensin e një mirësie personale, por të një vizioni të gjerë teologjik të gjithë-atësisë së Zotit”.
E në lidhje me këto fakte e shpjegime, edhe vetë autori në shkrimet e tij, ka një koment që vlen për të gjithë ata studiuesit e veprës së vet që përpiqen ta matin e ta vlerësojnë De Radën, pa i atribuar religjiozitetit të autorit një rëndësi themelore. “Unë do të rrëfej gjithmonë veç për suksese të vërteta, edhe pse e di shumë mirë se i flas një gjenerate shumë kryeneçe, që ka për divizë shprehjen “Quid est veritas? (Ku është e vërteta?) të Ponc Pilatit”.
“Megjithatë”, shkruan duke ngritur tezën e vet ndoshta gjeniale Zef Valentini, ”e vërteta është se ky njeri mistik, duhet të ketë ndjerë e besuar të ketë për rilindjen kristjane të Shqipërisë një mision të atillë me atë që pat besuar të kishte Dantja për gjithë kristianizmin në jubileun e vitit 1300. Ai s’u shpreh kurrë qartësisht në lidhje me këtë besim, ndoshta për arsye modestie, duke menduar të mos jetë i denjë për një gjë të tillë. Por në vëllimin e periudhës së parë të “Autobiologjisë” së tij, autori do të shkruajë: “Në vetvete, ngjarjet e jetës sime nuk kanë kurrfarë vlere për të tjerët, as kurrfarë vlerësimi prej tyre. Vlerësimi i takon lartësimit “të bërjes dhe pasjes” së një gjuhe kombëtare, mbrojtëses së vërtetë të kombit shqiptar”.
Ndoshta teologët, përfundon Valentini, nuk e kanë kaq të lehtë të pohojnë ekzistencën e misioneve profetike të poetëve, ashtu siç nuk janë të lehta të pohohen zbulesat e tyre të vërteta mistike e të mbinatyrshme, me pretendimin e drejtë për të mos i dhënë Zotit përgjegjësi që nuk janë të tijat”;
Mirëpo, kjo sprovë nuk synon të zhvillohet në fushën e teologjisë, por përkundrazi në atë të letërsisë dhe historisë, ndaj ajo nuk mund ta mohojë kurrsesi besimin te ajo provani në të cilën De Rada besonte kaq ethshmërisht e me kaq entuziazëm. Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet e të mos pranohet misioni që Provania i ka shënjuar jo vetëm çdo personi, por edhe çdo kombi. Ja pse, si De Rada, duhet të dashurojmë të mendojmë për një Shqipëri, të vogël vërtet e rrjedhimisht jo të pasur në krahasim me shtetet e mëdhenj, por fisnike, madje të pajisur me një fisnikëri hyjnore e për këtë arsye, të pashlyeshme kurrë. Ja, pse si De Rada, duhet të besojmë edhe në provaninë e veprës së tij; natyrisht, mund të shtohet se ai qe i pari që bëri të njohur në Evropë ekzistencën e një Shqipërie atdhe të heronjve e tokë të sentimenteve fisnike, të denjë për një jetë të sajën ashtu si çdo komb tjetër, të cilit Zoti i ka dhënë një fytyrë e për rrjedhim, një mision. Jo shumë shpejt, vepra e tij u njoh dhe u çmua në Shqipëri. Sot ajo është e njohur më shumë për vlerat letrare, pra për petkun e saj; ndërkohë që ka shumë nga ata, që ai do t’i quante Pilatë, të cilët nuk arrijnë dot të njehësohen në konceptin e vet goxha fisnik religjioz të atdheut të tij fisnik, për shkak se për ta nuk është shpirti, por materia ajo që u intereson.
Ja, pse si De Rada, ne sot duhet të kemi po të njejtën kredo; të besojmë po njëlloj edhe në Provaninë e tij, në misionin që ai i dha Shqipërisë, mision ky që do të mund të vihet në veprim, vetëm atëherë kur të bëhen realitet idealet e De Radës.




 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.