OPINION

Si dhe “Pse”-të e Murit të Turpit!

16:53 - 13.08.20 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndonëse kanë kaluar plot 59 vjet nga fillimi i ndërtimit të Murit famëkeq të Berlinit, kureshtja për të ditur më shumë mbi shkaqet, arsyet dhe mënyrën e ndërtimit të tij vazhdon të jetë e madhe. Sipas të dhënave nga burime zyrtare dhe publike të kohës, ideja për ngritjen e tij ishte miratuar në mars 1961 në Moskë, gjatë një mbledhjeje të Traktatit të Varshavës. Megjithatë, në një konferencë shtypi më 15 qershor 1961, në përgjigje të pyetjes së Anna Marie Doherr, korrespondente e të përditshmes prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ish-kreu i RDGJ-së së asaj kohe, Walter Ulbricht pati deklaruar se “askush nuk synonte ngritjen e ndonjë muri”. Ajo që ndodhi më vonë e përgënjeshtroi haptazi Ulbricht.




Vite më parë, historiani gjerman Mathias Uhl, pas kërkimeve në arkivat ruse, ka gjetur të zbardhur protokollin e telefonatës sekrete Hrushov-Ulbricht më 1 gusht 1961, gati 2 javë përpara ngritjes së Murit. Është një bisedë 75-minutëshe, e botuar më 2009-ën në librin “Die Teilung Deutschlands (Ndarja e Gjermanisë).

Në atë bisedë u diskutua gjendja e përgjithshme në RDGJ, prapambetja e saj ekonomike krahasuar me pjesën perëndimore, motivet justifikuese, efektet dhe pasojat e ngritjes së Murit në jetën politike të të dyja Gjermanive e më tej. Ulbricht me këtë rast kërkoi ndihma me krah pune dhe nga Bullgaria me Poloninë, ndërkohë që Hrushovi u tregua i gatshëm  për të dërguar të rinj komsomolas, si “ndihmë për RDGJ-në”. Aty u bisedua edhe për aspektet konkrete infrastrukturore. Me atë rast u miratua edhe justifikimi për atë mur absurd, të cilin Ulbricht pas dy javësh do ta cilësonte si “mburojë mbrojtëse antifashiste”.

Kësisoj, pasi Hrushovi dha pëlqimin zyrtar, të dielën e 13 gushtit 1961, saktësisht në orën 01:54, me mijëra trupa të policisë dhe milicisë gjermano-lindore, të mbështetura nga një arsenal i tërë makinerish dhe tankesh, të rreshtuara të gjitha në vijën e ndarjes, filluan ngritjen e Murit të Berlinit; në një gjatësi 46 km brenda qytetit dhe 110 km ndërmjet tij dhe pjesës perëndimore gjermane, me gardhe dhe tela me gjemba.

Për ngritjen dhe funksionimin e Murit u vu në përdorim një makineri gjiganteske, duke e kthyer Murin në një impiant vdekjeprurës. Në fakt, sofistikimi i tij teknologjik vrastar vazhdoi deri në fillim të viteve ‘80. Fillimisht ai përbëhej nga 12 km pllaka betoni dhe 137 km tela me gjemba, por pas vitit 1964, ai u kthye në një kufi të vërtetë e të frikshëm me të gjitha pajisjet e nevojshme.

Në fazën përfundimtare Muri përbëhej nga 4 breza të përforcuar. Brezi i parë ishte 4 metra i lartë dhe  me blloqe betoni; brezi i dytë ose “zona e vdekjes”  ishte e ndriçuar me prozhektorë me gjatësi 20-100m; quhej kështu pasi kushdo që do të tentonte të hynte në atë zonë, vritej në vend; brezi i tretë përbëhej nga kanale dhe transhe, enkas për të penguar depërtimin e automjeteve; ndërsa brezi i katërt ishte një trase e patrulluar me kordonë me roje të shumtë, me 302 kulla vrojtimi, nga të cilat 32 ndodheshin brenda qytetit të ndarë dhe 20 bunkerë.

Ngritja e Murit të Turpit sinjalizoi dështimin fatal të një sistemi artificial e pa të ardhme. Siç janë shprehur disa ekspertë të njohur dekada më parë, në ish-RDGJ “socializmi ishte për pushtetarët, por jo për masat”. Me gjithë ardhjen e Honeker në krye të kupolës së kuqe gjermano-lindore, dështimet ndiqnin njëri-tjetrin. Edhe pse RDGJ-ja pretendonte të kthehej në një “Prusi të Kuqe”, njerëzit po e kërkonin lumturinë në pjesën perëndimore. Gjatë periudhës 1949–1961, numri i të arratisurve në perëndim kaloi 2.5 milionë veta. Vetëm gjatë periudhës janar–gusht 1961, në pjesën perëndimore kaluan 160.000 refugjatë lindorë. Shkurt, Berlini Lindor nuk arriti të bëhej “vitrina” e socializmit fitimtar dhe model për pjesën perëndimore, por “kafazi” i mbylljes dhe i turpit. Kjo ishte me domethënie të madhe politike, pasi Berlini përfaqësonte vijën e demarkacionit ndërmjet dy botëve dhe sistemeve, Lindjes dhe Perëndimit, kapitalizmit dhe komunizmit, hapjes dhe mbylljes, të kaluarës dhe të ardhmes, izolimit dhe integrimit.

Vërtet që Muri frenoi, madje ndjeshëm numrin e tentativave për kapërcimin e kufirit, i cili u reduktua në 5.000 veta deri në shembjen e tij. Gjithsesi, dëshira për të shkuar në anën tjetër të kufirit, urrejtja për regjimin dhe shpresa se një ditë ai Mur do të shkërmoqej para tyre, fermentuan edhe më shumë ndjenjën e lirisë dhe të demokracisë te miliona gjermano-lindorë. Të dhënat për numrin e të vrarëve janë të ndryshme, por sipas një studimi të fundit, mendohet se janë 136 viktima. Arratisjet për në pjesën perendimore filluan qysh ditën e tretë të ngritjes së Murit. Pikërisht ato ditë, “fotografia që bëri xhiron e botës”, e fotografit Peter Leibing, e cila u bë menjëherë simbol i Luftës së Ftohtë, ishte arratia spektakolare e një roje kufitare nga pjesa lindore e Berlinit në atë perëndimore, i ndihmuar nga një makinë policie perëndimore, nën thirrjet “hajde këtu”. Ishte 19-vjeçari Conrad Schumann, i cili kaloi në sektorin francez e pastaj u vendos në Bavari. Krahas tentativave të shumta për arrati në pjesën perëndimore, për plagosjet dhe vrasjet gjatë tyre, me mijëra e miliona dëshmitarë tregojnë edhe për brengat dhe vuajtjet e tyre shpirtërore të shkaktuara nga Muri.

Siç e kam përmendur hollësisht dhe te libri “Berlini pa Mure” (Toena, 2009) ato janë të përshkruara në qindra libra, poezi, drama, ekspozita, shfaqje teatrale dhe filma mbresëlënës, shumë prej të cilave kam pasur rastin t’i shijoj në Berlin si diplomat më 2001-2006 dhe më vonë. Në to, ashtu si dhe në albumet e shumta me fotografi të atyre periudhave sheh psh., çifte të reja që martoheshin dhe vinin tek Muri në përpjekje për të parë e përshëndetur krushqit, vëllezërit apo motrat përtej Murit; prindër që bien fëmijët dhe i mbajnë në krahë “hopa”, duke u munduar t’u tregojnë se ku janë gjyshërit, hallat apo dajat e tyre; apo fëmijë që luajnë të mërzitur me top, të penguar nga hapësirat e ngushta të Murit, që pyesin të habitur ushtarët se çfarë ruajnë ashtu me automatik te dora; familjarë që ndahen me lot ndër sy, kur ndahen për të shkuar në të dyja anët e Berlinit, dhjetëra linja hekurudhore, metro etj., të ndërprera nga Muri etj., etj..

Të shumta janë debatet dhe diskutimet, madje edhe kritikat mbi reagimin, sipas tyre jo të mjaftueshme të kancelarive perëndimore, e sidomos administratës së Kenedit lidhur me ngritjen e Murit të Berlinit, që u bë kryengjarja e botës në atë kohë. Por, duket se në këto diskutime dhe debatet hera-herës të nxehta, nuk merret sa duhet parasysh, për të mos thënë se nënvlerësohet roli i madh i binomit realpolitik kosto–alternativë në politikë, sidomos në të tilla raste. Harrohet se pranimi i sfidës dhe provokimeve sovjetike për një ballafaqim të ri ushtarak do të kishte një kosto të pallogaritshme për të gjitha palët. Ajo do të krijonte një situatë “lose – lose”, pra ku të gjithë do të ishin humbës. Për më tepër kur, siç dëshmoi përvoja e mëvonshme, perëndimi pati dhe përdori alternativa më të mira, me më pak rreziqe dhe me një çmim më të arsyeshëm politik dhe njerëzor; sidomos Ostpolitik-ën e famshme të Willy Brandt, ose “ndryshimi nëpërmjet afrimit” me vendet lindore dhe jo rrëzimin e tyre më dhunë. Ndaj, dhe Presidenti  Kenedi atë mëngjes të 13 gushtit, kur e njoftuan se po ngrihej Muri i Berlinit, u përgjigj me gjakftohtësi “më mirë një Mur se një luftë”. Gjithsesi, një gjë është e sigurt dhe ndihmon për të sqaruar pozicionin amerikan të asaj kohe; pavarësisht nga ngritja e Murit të Berlinit, tri parimet e saj thelbësore në Berlin nuk ishin prekur: prania e trupave aleate, aksesi i lirë në Berlin dhe ekzistenca e Berlinit Perëndimor. Për këtë, Kenedi kishte dhënë garancitë e tij më 25 korrik 1961, pra vetëm tri javë para ngritjes së Murit, në një fjalim televiziv. Ndërsa, vetëm pak ditë pas ngritjes së Murit, Kenedi dërgoi në Berlin zëvendësin e tij, Presidentin e ardhshëm, Lindon Johnson dhe gjeneralin e famshëm Clay, ky i fundit kishte drejtuar sektorin amerikan në Berlin pas lufte. Mbi të gjitha, Presidenti Kenedi bëri vizitën e tij të paharruar historike në Berlinin Perëndimor, ku më 26 qershor ngriti peshë mbi gjysmë milionë gjermanë të mbledhur në sheshin që sot mban emrin e tij, kur vetëm me katër fjalë të thjeshta, por tingëlluese në gjermanisht bëri pohimin emblematik “Ich bin ein Berliner”. Kjo ishte goditja e parë shkatërruese që mori Muri; të parafundit ia dha Reagani më 12 qershor 1987 te Portat e famshme të Brandenburgut, kur i bëri apelin historik Gorbachovit që të shkonte atje dhe ta shembte atë Mur, çka ndodhi në mënyrë madhështore më 9 nëntor 1989. Gjithçka tjetër është histori.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.