OPINION

S’ka normalizim ekonomik pa vullnet politik!

10:00 - 10.09.20 Dr. Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dokumenti i nënshkruar në Uashington më 4 Shtator,  si hap  i rëndësishëm në marrëdhëniet Kosovë – Serbi  mund të shihet nga disa këndvështrime; sidomos lidhur me kosto&përfitimet, ndikimet në aspektet gjeopolitike dhe më kryesorja, perspektiva që çel për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse të shumëpritur. Duke e vlerësuar me të mirat dhe të metat dhe larg çdo fetishizimi, ky dokument ka nxjerrë sërish në pah raportin midis politikës dhe ekonomisë dhe më konkretisht  përparësinë absolute të normalizimit politik mbi atë ekonomik dhe çdo fushe tjetër. Për rrjedhojë,  që të « mos i marrë era » dhe që të realizohen pa vonesa të mëtejshme, angazhimet e 4 Shtatorit  duhen «  veshur » dhe shoqëruar me vullnetin e përbashkët politik; ky i fundit,  i « përkthyer » në njohjen e ndërsjellë, dmth vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë – Serbi.  Ja, shihni dhe Marrëveshjen më të fundit midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit, e përmendur dhe si model për Kosovën dhe Serbinë; pika e parë e saj, pra «  the breaking news »  ishte çelja e ambasadave në të dy vendet!




Përpara dhe pas 4 Shtatorit, janë dhënë argumenta  të ndryshme për të na mbushur mendjen se « normalizimi ekonomik » me fonde, punësim, projekte, investime, etj do të çojë në normalizim politik! Ndaj, le ta themi « copë » : po, ekonomia është forcë mbështetëse, motivuese dhe nxitëse për një vend. POR, vetëm kur në themel  dhe në krye të saj, veçanërisht në fazat fillestare është POLITIKA. Sepse pa vullnet politik,  arritjet dhe zhvillimet e ndryshme ekonomike do të jenë të kufizuara, të brishta dhe përherë në mëshirë të fatit. Të vendosësh ekonominë para politikës, sidomos në Ballkan është si të «  vesh karrocën përpara kalit ».  Duke e njohur në hollësi këtë problematikë, falë përvojës 40 vjeçare si ekspert ekonomik dhe diplomat brenda dhe jashtë vendit, po e shtjellojmë këtë sfidë dhe realitet madhor duke iu referuar kronologjikisht ngjarjeve më të spikatura historike  në 75 vitet e fundit; veç të tjerash, ato ndihmojnë për të gjykuar  drejt dhe dialogun Serbi – Kosovë.

Në vitin 1944 liderët e Belgjikës, Luksemburgut dhe Holandës i dhanë fund armiqësive të tyre të  kaluara dhe në egzil në Londër krijuan «  BENELUX », laboratorin e parë eksperimental të BE-s.  Ndonëse grupim ekonomik, Benelux  ishte në radhë të parë konkretizimi i vullnetit politik të atyre tre vendeve për t’u dhënë fund armiqësive të së kaluarës, duke u bashkuar për  paqe, demokraci dhe  bashkëpunim. Edhe miqësia dhe partneriteti emblematik franko-gjerman lindi dhe u zhvillua mbi gjakun dhe  rënojat e  27 luftrave të përgjakshme mes tyre, kur pajtimi e ca më pak miqësia  ngjante utopi e vërtetë. Por ja që ajo u kthye në një kohë rekord në një realitet dinamik rrezatues. Pika kulmore ishte në vitin 1963 kur Adenauer dhe Charles De Gaulle nënshkruan në Paris Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit të Elizesë. Më parë,  Gjenerali De Gaulle ishte ftuar në rezidencën e tij private homologun gjerman, çka ishte shumë më tepër se një gjest politik.  Veçse, gjithë këto arritje dhe lançimi i projektit të madh europian u paraprinë qartë nga njohja e tyre e ndërsjellë, si republika të reja demokratike, si shprehje e  vullnetit politik që t’i linin pas të këqiat dhe me vështrim nga e ardhmja Euro-Atlantike.

Duke ardhur te BE-ja, ajo u parapri nga administrimi i përbashkët  i  prodhimit të qymyrit, çelikut dhe atomit nga gjashtë shtetet themeluese; ndonjë publicist i njohur e përmend këtë fakt gabimisht si shenjë të normalizimit ekonomik! Mirëpo, qymyri çeliku dhe atomi nuk ishin mallra dosido me vlerë tregtare, por « lëndët e para » që ushqyen  makinerinë e përbindshme të dy luftrave botërore. Ndaj dhe pa shmangur efektet e tyre shkatërrimtare, çka u mundësua me krijimin e Komuniteteve të Atomit dhe Qymyr& Çelikut, BE-ja do të ishte reduktuar në  një  OJQ ose projekt paqeje dhe begatie vetëm në letër! Veç kësaj, ndonëse fillimisht u emërtua si bashkësi ekonomike&tregtare, BE-ja  ishte traktat dhe projekt i mirëfilltë politik, ku 6 fituesit dhe humbësit, të mëdhenj e të vegjël të Luftës së II Botërore i bashkoi mbi të gjitha vullneti politik. Kujdrs, ky projekt gjigand me 27 vende antare dhe me 6 të tjera që « presin në radë » filloi me njohjen e ndërsjellë të vendeve antare.

Në fillimin e viteve 70,  « Ostpolitik » e famshme e Kancelarit Brandt zëvendësoi doktrinën që mbante emrin e ish-presidentit të parë gjerman të Komisionit Europian, Ëalter Hallstein ; Ostpolitik ose «  ndryshimi nëpërmjet afrimit » synonte shembjen e rregjimeve lindore, tanimë jo më me forcën e armëve dhe ushtrive, por me reforma dhe marrëdhënie ekonomike, tregtare, njerëzore, rinore, etj. Gjithsesi, hapi i parë  në kuadrin e Ostpolitik ishte njohja e RDGJ-së dhe pranimi i saj në OKB ! Vetëm se kjo njohje u bë brenda 2 viteve dhe jo si Serbia që dhe tani, 12 vjet pas pavarësimit të Kosovës, konfirmimit të saj nga GJND dhe 100 njohjeve vazhdon « avazin e Mukes » !

Po aq relevant është shembulli ynë me Gjermaninë Federale. Pas tri vizitave historike të Strauss në mesin e viteve 80, pati shumë demarshe dhe negociata pa sukses për promovimin e tregtisë dhe bashkëpunimit ekonomik dypalësh. Jo se nuk kishim patur dhe më parë të tilla  shkëmbime, por ato ishin të të kufizuara, për shkak të mungesës së  marrëdhënieve diplomatike. Ato u (ri)vendosën në Tetor 1987; se sa domethënës  ishte ky akt/fakt, këtë e tregoi Ministri i Jashtëm legjendar Hans Dietrich Genscher; ai  zbriti më 23 Tetor 1987 në Tiranë, ku vendosi dhe gurin e themelit në godinën e Ambasadës gjermane. Nuk kaloi asnjë vit dhe më 22  Tetor 1988 u nënshkrua Marrëveshja e  Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar me Gjermaninë, modeli i parë i këtij lloji me vendet perendimore. Paskëtaj e sidomos pas viteve 90 pati jo thjesht normalizeim, por një dinamizim të paparë të marrëdhënieve ekonomike dypalëshe. Kështu ndodhi dhe me Britaninë e Madhe dhe  SHBA-të pas vitit 1991.

Më tej, në Qershor 1985 u krijua i famshmi Schengen Europian që hyri në fuqi më 1995, mbasi u miratua dhe  protokolli për zbatimin e tij.  Theksojmë se vendet që bënin pjesë në Hapësirën e katër lirive të mëdha të lirisë, jo vetëm njihnin dhe respektonin njera tjetrën, por kishin farkëtuar vullnet të përbashkët politik, miqësi dhe partneritet të pashembullt për katër dekada rresht. E pra, pikërisht ky komponent thelbësor dhe vendimtar mungon në rastin e Mini-Schengenit, ku ka tre vende që nuk njohin njeri tjetrin, ose gjysma e tij. Sepse në parim, Mini- Schengen  është në rregull ; madje ai është përmendur qysh ne Samitin e BE-së të Selanikut më 2003 dhe më vonë, por gjithmonë me idenë dhe shpresën që Serbia do të njihte Kosovën e pavarur. Shqetësimi me Mini-Schengenin nuk ka të bëjë aspak me emrin, por me  besueshmërinë e tij; që fillon nga mungesa e vullnetit politik, sfondi historik shqiptaro-jugosllav, nguti i madh dhe  momenti jo i përshtatshëm kur u lançua, kur Kosova ishte në zgjedhje dhe me ndryshime qeverish. Shto këtu dhe mbivendosjen e Mini – Schengen me projekte dhe programe të tjera të mëparshme rajonale, sidomos CEFTA, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, etj! Në këto kushte, shtrohet me të drejtë pyetja : kur Mini – Schengen na qënka aq jetik dhe i rëndësishëm, atëhere, përse Serbia si  promotore e tij nuk e njeh Kosovën, ose të paktën të japë shenja se do ta bëjë këtë në të ardhmen, duke filluar nga heqja e preambulit përkatës kushtetues? Shkurt hesapi, promovuesit e tij, por sidomos Serbia nuk kanë mundur « to make the case » pra të bindin me Mini-Schengenin.

Këto ditë, një gazetar i njohur shqiptar shkruante se dhe Izraeli nuk i ka gjetur të zhdukurit, por kjo nuk e ka penguar të zhvillojë marrëdhëniet ekonomike dhe njerëzore me Gjermaninë. Po, madje  të zhdukurit mund të mos gjinden asnjëherë të gjithë; por, ama, ndryshe nga Serbia, Gjermania e ka njohur Izraelin, i ka dëmshpërblyer viktimat e Holokaustit, ka ngritur një Muzeum të madh të hapur në qendër të Berlinit ; çdo president dhe kancelar gjerman kërkon ndjesë për nacional-socializmin dhe krimet e tij, edhe pse nuk janë përgjegjës, mbasi nuk kanë qenë në qevertë e Hitlerit, si Vuçiç te Milosheviç ; madje emblematiku Willy Brandt « bëri xhiron e botës » në dhjetor 1970 kur u përul në gjunjë përpara monumentit të tyre në Varshavë dhe kështu me radhë. Sa larg janë liderët serbë që nuk kanë bërë as gjestin  më të vogël të ndjesës ndaj shqiptarëve të Kosovës ! Madje, Beogradi vazhdon të nderojë gjeneralët e genocidit në Kosovë, ndërsa Reçakun e quan « trill perendimor » !

Këto por dhe plot shembuj të tjerë dëshmojnë  qartë se pa vullnet politik, veç jo me fjalë e batuta, por të shprehur ose të paktën të nënkuptuar politik, çdo synim për  normalizim ekonomik do të mbetej vetëm tentativë pa të ardhme. Mund të bëhen autostrada dhe hekurudha dhe te ketë disa arritje; por, për aq kohë sa mungon vullneti politik, ato mund të ç’bëhen ose sabotohen shumë shpejt, madje të kthehen  në «  mollë sherri ». Në këtë kuptim, 4 Shtatori rezultoi një shans i madh i humbur ; jo pse nuk u përfshi  njohja e ndërsjelltë; por sepse nuk ishte e vështirë që dhe me këmbënguljen e Prishtinës, kjo mungesë të kompensohej me një frazë standard në hyrje të dokumentit, që figuron në çdo marrëveshje të kësaj natyre, pak a shumë: « nisur nga dëshira dhe vullneti politik për ……me synim përfundimtar njohjen e ndërsjellë, të dyja palët ….» Kjo frazë nuk  do t’i kushtonte asgjë Serbisë, sepse nuk do të kishte  angazhim dhe afate. Atëhere, kur dhe një fjali e tillë  e tremb Beogradin si «  djallin nga temjani » kjo tregon se Serbia nuk e ka dhe as që do  të  shprehë, qoftë dhe «  midis reshtave » vullnetin politik për njohjen e Kosovës.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.