Kryesore

Largimi i një profesori, ndahet nga jeta Profesori i Stomatologjisë

09:40 - 23.09.20 Gazeta Shqiptare

Nga  Prof. As. Dr. Nazmi  Koçi – Më 10 shtator 2020  u nda nga jeta,  Dr. i Shkencave  Mjekësore , ish pedagogu i Fakultetit të Mjekësisë,   Prof. Zenel  Kokomiri.



Si ish-student i tij, por dhe si bashkëpunëtor i Prof. Zenelit për një periudhë mbi 50-vjeçare u ndjeva  i detyruar të them disa fjalë për figurën dhe aktivitetin e tij të spikatur pedagogjik, shkencor, organizativ, mjekësor e njerëzor.

Prof. Zenel Kokomiri ishte  një figurë komplekse dhe e veçantë në llojin e vet. Me interesa të gjëra në shumë fusha si arti, sporti, mjekësia, shkenca , bujqësia e matematika , me dinamizëm të pashoq , miqësor , kontradiktor, i përkushtuar deri në ekstrem, ai ndriti në  83 vitet e jetës së tij. Bile ndriti pak si tepër aq sa ndokujt i vrau sytë. Gjithsesi ai ishte   një xhevahir  midis nesh.

Prof. Zeneli ka lindur në Tiranë më 27 prill 1937 në familjen e një ushtaraku patriot. Ai kreu arsimin 7-vjeçar në Tiranë ku mori njohuritë e para arsimore dhe u brumos me cilësitë e mira të moralit qytetar.

Në vitin 1951 u regjistrua në Politeknikumin Mjekësor që ishte shkolla më në zë e kohës ne fushën e mjekësisë. Ai  u shqua atje si një nxënës i zellshëm e me kërkesa të larta dhe u diplomua n/ dentist me rezultate shumë të mira.

Në vitin 1959 ai u regjistrua në Fakultetin  e Mjekësisë Tiranë,  në degën e  stomatologjisë. Këtu spikaten cilësitë e tij më të mira si  vullneti për të studiuar, dashuria për shokët dhe pedagogët, humanizmi ndaj pacientëve e njerëzve në nevojë, prirjet e veçanta për studime shkencore, dëshira për t’u marrë me sport, afeksioni për muzikën, fotografinë e mjaft të tjera.

Studimet e larta i përfundoi me rezultate shumë të mira  e me sukses të plotë në vitin 1964. Ai është pjesëtar i gjeneratës së parë të  mjekëve stomatologë  që u diplomuan në Shqipëri. Për rezultatet e arritura e cilësitë që mëshironte ai u emërua pedagog i Fakultetit  të Mjekësisë, Katedra e Stomatologjisë, në lëndën  Terapi Stomatologjike.

Nuk është e tepërt të themi se ai i dha  tonin e tij rritjes cilësore të punës studimore shkencore në fakultetin e porsa krijuar. Punën studimore shkencore që ai kishte filluar që student nën udhëheqjen e profesorëve  të nderuar si Përparim Tepelena , Bajram Preza etj., ai do ta çonte më tej duke u bërë shembulli më i mirë e promotor  i  përparimit në fushën e stomatologjisë.

Përdorimi i akupunkturës, jonoferezës, rrezeve halogjene, studime mbi morfologjinë  e pulpes, mikobiologjinë e kanaleve, fluorizimin e dhëmbëve e shumë të tjera si këto, janë probleme që janë trajtuar në nivel shkencor në Shqipëri nga Dr. Zenel  Kokomiri.

Por cilat janë disa veçori  që e bëjnë figurën e tij ndër më të spikaturat në stomatologjinë shqiptare:

Së pari, stili dhe metoda e punës  së tij si mësimdhënës ishin të veçanta, shumë të larmishme e dinamike, jashtë uniformitetit,  tradicionalizmit e shabllonizmit. Një orë mësimi ndryshonte nga e mëparshmja dhe e treta ishte tërësisht ndryshe nga dy të parat. Ndryshonin për nga interpretimi teorik i fakteve, për nga rastet praktike që paraqiteshin, të cilat nuk mungonin asnjëherë e ishin të shumëllojshme , për nga baza didaktike e përdorur si preparatet  histologjike e mikrobiologjike shumë herë origjinale dhe nga puna  e tij, mulazhet, skicat, modelet, teksti, literatura etj. Ne  ishim në një udhëtim krejt të papritura dhe marshonim intensivisht nga e njohura drejt së panjohurës dhe kështu ecja përpara ishte e sigurt e  sistematike, drejt objektivit final.

Orët e mësimit sidomos seminaret e praktikat me të i përshkonte debati, diskutimi i problemeve  kyçe nga të gjithë.  Ai  ishte mjeshtër i debatit që e sajonte në çdo situate, ngrinte pyetje të qenësishme  e krijonte situata  problemore ku përfshiheshin të gjithë edhe ata që ishin më të mefshtë  apo  që nuk kishin lexuar. Nga ato orë mësimi do të largoheshe domosdo duke nxënë në mos gjithçka, shumëçka; ato mbaheshin mend jo vetëm për momentin por  mbahen mend edhe pas disa dekadash. Kushdo që ka pasur rastin të ketë qenë i pranishëm ka plot episode për të treguar.  Unë i ftoj  ta bëjnë këtë.

Së dyti, interesi i tij për shkencën ishte jo vetëm i thellë, por edhe shumë i gjerë. Nga akupunktura e  jonoforeza të përdorura prej tij, deri tek mbrojtja nga avujt e zhivës, prodhimi i endomethazonit, vrojtimi i ndryshimeve mikrobilogjike nga veprimi i disa pastave që përdoreshin për mbushjen e kanaleve e deri  traumat në sport dhe shinat kundër bruksizmit etj. Nëse kjo që paraqita është vërtetë  e gjerë, unë do të thosha se  është vetëm një pjesë e së tërës. Ai u mor edhe me studimin e efektit të mjaltit në stomatologji, përbërjen minerale të ujërave të pijshëm e deri tek llojet e farërave bujqësore. Për këto të fundit ai organizoi një sesion shkencor në Nikel të Krujës, duke sfiduar mijëra agronomë e kuadro të bujqësisë e duke lënë pa mend edhe kuadrot e  kohës që drejtonin sektorin. Siç disa here pushtoi fizikisht maja malesh,  me interesat e tij të gjëra ai donte të pushtonte hapësirën dhe po t’i ishin dhënë mundësitë ai do ta bënte edhe këtë me siguri.

Së treti, prof. Zeneli është botues e referues i shumë materialeve nga disa fusha të stomatologjisë si terapia, endodontia , mjekësia sportive , statistika mjekësore , e deri te bujqësia. Ai ka referuar në dhjetëra e dhjetëra aktivitete shkencore brenda e jashtë vendit. Është ndër botuesit  më të suksesshëm të fushës së stomatologjisë që ka frekuentuar me punimet e tij të gjithë organet e shtypit mjekësor shqiptar e atij periodik. Një zë i fuqishëm i stomatologjisë shqiptare ai është paraqitur në shumë tribuna të mendimit shkencor  ballkanik e ndërkombëtar ku ka përfaqësuar me dinjitet vendin tone. Është  për t’u vlerësuar  kontributi i tij në mbarëvajtjen e revistës Stomatologjia Shqiptare me cilësinë e Sekretarit të Redaksisë. Të gjithë jemi  dëshmitarë të punës  së tij novatore  e këmbëngulëse, që fillonte  te mbledhja e grumbullimi i materialeve , tërheqja e elementëve të rinj në botime , hartimi i rubrikave,  kompozimi i strukturës së çdo numri, cilësia e materialit figurativ dhe shumë probleme  te tjera të botimit cilësor të revistës. Së bashku me kryeredaktorin, Prof. Foto Totin, ata bënë një punë këmbëngulëse jo vetëm për botimin cilësor e dinjitoz të Revistës  Stomatologjike Shqiptare, por njëherazi edhe për akreditimin e njohjen e saj si revistë shkencore.

Së katërti, ai mund të konsiderohet si njeriu i hobeve të shumta dhe interesave të gjëra. Po e filloj me sportin . Dr Zenelit i pëlqente futbolli, në rininë e tij ai luante me ekipin e të rinjve të Tiranës. Është marrë me sportin e skive dhe është admirues i pandryshuar i vendeve malore e sporteve dimërore,  të cilat i frekuentonte me pasion të madh. Është marrë me alpinizëm një kohë të gjatë duke bërë ngjitje të vështira së bashku me figurat më të njohura të këtij sporti. Ai ka fituar tituj sportive, vlerësime e medalje në fushën e alpinizmit. Me siguri do kishte marrë pjesë në ngjitjen e Himalajave deri në Everest , ne se kjo inisiative do te ishte ndërmarrë në kohën kur ai merrej me sport.

Me sportin dhe mjekësinë sportive atë e lidh edhe puna e tij kërkimore shkencore ne Institutin e Fizkulturës ku u vendos enkas  nga Komiteti Olimpik Shqiptar dhe punoi për 23 vjet deri sa doli në pension .

Hobi i veçantë i tij ishte dhe fotografia, sidomos ajo artistike . Admirues i natyrës , i së bukurës, ai ka hedhur shumë pamje në celuloid . Duke  përfituar nga lëvizjet e shumta si turist e alpinist ai ka fiksuar pamje origjinale e të pa përsëritshme që nga Alpet e veriut,  Dardha e Korçës e Voskopoja,  në Korab e në bregdet , në të gjithë Shqipërinë. Me punimet e tij ai ka hapur edhe ekspozita me fotografi artistike dhe ishte anëtar i lidhjes së artistëve të Shqipërisë për fotografinë.

Dr. Zenelit i pëlqente shumë edhe muzika, e njihte dhe e shijonte  atë dhe në rininë e hershme e në Fakultet ai i binte bukur fizarmonikës dhe rinia e atëhershme argëtohej me muzikën e tij.

Së pesti : Do ta konsideroja Prof. Zenelin si njeriu i disertacioneve. Ai punoi si rralle kush për mbrojtjen e titullit shkencor dhe kjo është një odise  e tërë në jetën e tij. Ai u detyrua të realizonte disa disertacione deri sa arriti qëllimin e tij . Udhëhoqi  dy tema qeveritare :

  • Fluorizimi antikarioz me tableta për të gjithë fëmijët e rrethit të Pukës në vitet  1964 – 1972. Ka qënë temë e nivelit qeveritar dhe e ndjekur nga Ministria e Shëndetsisë.
  • Mbi mundsinë e fluorizimit antikarioz të ujrave të pijshëm te  qytetit të Tiranës 1982 – 1984 , që është ndjekur nga Ministria e Shëndetsisë e Ministria Komunale.
  • Aspekti statistikor “leitmotiv”i punimeve shkencore në stomatologji. Ai ka realizuar edhe disa botime të veçanta rreth këtij problemi.
  • Mbi stomatologjinë në sferën sportive që u përgatit në qendrën shkencore sportive ku ai dhe punoi.

Megjithëse udhëhoqi e realizoi shumë studime, tema edhe të nivelit qeveritar, ai arriti të mbronte vetëm një me të cilin mori titullin “ Doktor i Shkencave Mjekësore “ ne vitin 1995.

Me një logjikë të shëndoshë dhe larg influencave anësore që e kanë shoqëruar atë në jetë, ai duhet konsideruar në të drejtën e tij katër herë Dr. i Shkencave.

Së gjashti :” I pari në Stomatologji”

Në se do të isha ngarkuar për të zhvilluar një intervistë  “ alla Çani” me Dr. Zenel Kokomirin, sigurisht do ta titulloja “I pari në Stomatologji”.

  • Ai është i pari që është marrë me sëmundjet e gojës në Stomatologji, ka dhënë lëndën përkatëse në Fakultetin e Mjekësisë, ka kryer disa studime mbi këtë fushë dhe mbi të gjitha ngriti laboratorin e parë mjekësor për sëmundjet e mukozave të gojës. Ky ishte një laborator shumë modern për kohën dhe ngritja e tij pas shumë peripecive e vështirësive të kohës është pa asnjë diskutim kontribut personal i Profesorit të lëndës – Dr. Zenelit.

Aty kryheshin shumë analiza specifike si citologjia exfoliative, përcaktimi i titrit të lizocimës, matja e ph të pështymës me mikrosonda në kanale, përcaktimi i  virulencës së formave  të ndryshme të candida albicans  në candidozën e shfaqur të gojës etj.

Në këtë laborator realizohej edhe demonstrimi në praktikat  mësimore të studentëve e specialistëve të terapisë si ai per pamjet mikroskopike të pulpes se inflamuar, efektet e pastave te mbushjes së kanaleve në mikroflorën mikrobike të tyre, matja e mikrorrymave në gojë në pacientët  me cefale cronike dhe krahasimi i tyre me encefalografi, ndryshimet e mukozës së gojës në sëmundjet e ndryshme si fruthi, rubeola etj. Ai do  fliste me nostalgji për laboratorin e ngritur prej tij dhe për punën që bëhej aty dhe unë si dëshmitar   i fakteve mendoj se kishte të drejtë. Ky laborator mjekësor nuk ekziston me.

Eshtë i pari që në fundin e viteve 60- të ka bashkëpunuar me qendrën e Matematikes  statistikore gjë që e konfirmon edhe sektori përkatës i  Akademisë se Shkencave.  Ai bëri disa botime dhe futi  metodën e përpunimit  statistikor në Stomatologji. Më vonë  Statistika Mjekësore u fut si lëndë e veçantë në kurrikulat e Stomatologjisë dhe është zhvilluar e ka përparuar, por ai hodhi hapin e parë dhe botimet e para në këtë fushë janë realizuar prej tij.

  • Eshtë i pari që hodhi themelet e stomatologjisë sportive në Shqipëri . Ai hapi kartela dhe krijoi skedare te veçantë për të gjithë sportistët sipas llojit të sportit që ata ushtronin, studioi abrazionin e dhëmbëve dhe bruksizmin te sportistët, studioi aktivitetin e muskujve përtypës te peshëngritësit gjatë garave e mjaft probleme të tjera. Dr. Zeneli padyshim hodhi themelet e Stomatologjisë spotive, botoi e referoi shumë materiale me vlera të spikatura shkencore dhe përfaqësoi me dinjitet vendin tonë në fushën e mjekësisë sportive në një disiplinë e cila në shumë vende të Ballkanit mungonte.

 

  • Ishte i pari që realizoi studimin mbi aplikimin e akupunkturës në Ky punim është ribotuar edhe në revistën stomatologjike shqiptare me rastin e  30 vjetorit të daljes së tij për herë të parë  ( Revista   Stomatologjike Shqiptare  Vol. I, viti2000 )
  • ishte i pari që duke qenë në një sektor kërkimi shkencor ,aplikoi për herë të parë në vendin tonë  kompozitet dhe polimerizimin me  rreze halogjene ( 1988 ), çka  për kohën dhe kushtet e vendit tonë ishte përparim i madh.

Lista e fakteve me ”ishte i pari“ është e gjatë por mendoj se mjaftojnë  disa prej tyre   ( çka u paraqitën  më lart ) për ta ilustruar atë, tani kur për largimin e tij lotët flasin e fjalët qajnë.

Prof. Zeneli është figurë e shquar shoqërore e stomatologjisë shqiptare, ballkanike e më gjerë.

  • Ai ishte anëtar i Shoqatës Stomatologjike Shqiptare.
  • Anëtar i Shoqatës Stomatologjike Ballkanike (BASS ).
  • Ai ishte anëtar i Shoqatës së Mjekësisë sportive botërore.
  • Ai ishte anëtar i Shoqatës  sportive Franceze.
  • Anëtar i Lidhjes së artistëve të Shqipërisë për fotografinë artistike .
  • Për të është shkruar në librin “Figura të shquara të mjekësisë shqiptare” vëllimi 2

dhe në librin “Tirana , Personalitete  Shkencore”

  • Ishte Doktor i Shkencave Mjekësore dhe pedagog me eksperiencë të madhe.
  • Këshilli i Ministrave i pat akorduar atij pension të posaçëm.

Largimi i tij i papritur  la në trishtim familjen, vëllain, Ilirin, nipat që gjithmonë do ti quante “djemtë”, të afërmit , miqtë dhe shokët e tij të shumtë. U përcoll me nderimet që i takonin.  Lamtumirë profesori im, profesori ynë. Kujtimi juaj do të rroje përjetë në biseda e në libra, në mendjet e në zemrat tona, Figura si Ju i bëjnë nder shoqërisë dhe Mjekësisë  Shqiptare.

 

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.