KULTURË

Abdyl Banushi/ Shqiptari që erdhi të vriste Enver Hoxhën me bomba në xhepa

12:34 - 29.09.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fundnëntori i vitit 1974, zbardhet plani te libri “Si nuk u vra dot Enver Hoxha”




Në librin e tij “Si nuk u vra dot Enver Hoxha”, studiuesi Ylli Polovina ndalet në disa prej përpjekjeve për të eliminuar udhëheqësin komunist. Kur kishte kapërcyer viti 2000 dhe shkrimtari Mihallaq Qilleri, pas një periudhe emigracioni në SHBA qe rikthyer në Shqipëri, për arsye që ishin fare spontane, i afroi shtypit të Tiranës një temë shpërthyese: si kishte ndihmuar të rindërtonte në një libër kujtimet e personit që kish dashur të vriste Enver Hoxhën.

Ky bashkëkombës spektakolar ishte i emigruari politik në SHBA, Abdyl Banushi. Sipas rrëfimit të Qillerit, ato që ky i fundit i vuri përpara “ishin ca shënime të mbajtura nëpër burgje, me fletë të zverdhura e të shkruara me lloj-lloj ngjyrash e lapsash, sepse autori kishte kaluar nëpër një sërë peripecish, vuajtjesh e dënimesh që, të mbledhura së bashku, do të bënin një rast unikal. Plot 31 vite burg, të ndarë në dy periudha: 1945-1961 dhe 1975-1990. Ndërkohën e kishte kaluar në arrati: Vitet e para në Greqi, pastaj në SHBA. Në ato mote erdhi me misione disa herë në Shqipëri, derisa u kap e u riburgos”. Më poshtë pjesë prej ngjarjes së viteve 1970.

Nga Ylli Polovina

Tashmë Abdyl Banushi nuk mund të kryente asnjë veprim kundër regjimit të Tiranës pa u ditur dhe përgjuar kjo gjë nga dega e jashtme e Sigurimit të Shtetit shqiptar. Por këtë situatë të re ai as e shkonte nëpër mend, po ashtu edhe ata bashkëpunues me të, prapa nxitjes së të cilëve kishte shumë mister për forcat dhe duart që i shtynin.

Ai nisi një fazë të re të luftës së tij të armatosur kundër Enver Hoxhës dhe sistemit të tij politik stalinist. Mes të tjerash do të hidhte në erë dy ambasada të tjera. Në aktakuzën e dy hetuesve Sokrat Çomo dhe Dhimitër Beshiri për këtë zhvillim të ri në veprimtarinë antikomuniste të Banushit thuhet: “Në vazhdim të kryerjes së detyrave të planëzuara nga organizata “Fronti i Rezidencës Antistaliniste Shqiptare” në kuadrin e 30- vjetorit të çlirimit të atdheut, i pandehuri Abdyl Banushi, së bashku me dëshmitarin Tom Mernaçaj, me datën 10 nëntor 1974 u nisën nga Nju-Jorku për në Shqipëri, me qëllim për të kryer detyrat e ngarkuara nga kjo organizatë dhe konkretisht: Të hyjë ilegalisht në RPSH si drejtues i një bande të armatosur, të kryejë vepra terroriste duke vendosur lëndë eksplozive në Ambasadën e RP të Kinës dhe në monumentin e J.V. Stalinit në Tiranë, të vërë në shërbim të organizatës elementë armiq të pushtetit popullor, njerëz të deklaruar e të dënuar për krime kundër shtetit, për t’i pasur baza të zgjerimit të veprimtarisë së tyre armiqësore dhe kryerjen e veprimtarisë së spiunazhit, t’u dërgonte prej këtu ambasadave të shteteve të huaja të akredituara në RPSH memorandume protestë në emër të organizatës, me qëllim për të provokuar ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike të këtyre shteteve në vendin tonë; të shpërndante materiale propagandistike me përmbajtje të theksuar armiqësore kundër pushtetit popullor dhe në kthim të vendoste lëndë eksplozive në Ambasadën e RPSH në Vjenë”.

Më tej: “Natën e 28-29 nëntorit 1974 i pandehuri Abdyl Banushi pasi u furnizua me lëndë eksplozive në bazën e tyre në Greqi, i ndihmuar nga të arratisurit Nikolla Plasoti, Lefter Guveli, Gaqo Gaqi e Arqile Tasho, të njohur si agjentë të zbulimit grek e amerikan dhe të përdorur nga ana e tyre në veprimtari diversioniste kundër vendit tonë, tentoi të futet ilegalisht në Shqipëri, në zonën e Konispolit, por për shkaqe të pavarura prej tij u detyrua të kthehet”. Sipas Njësitit Special të Zbulimit Shqiptar në Nju-Jork, në nëntor 1974 Abdyli vetë i tretë u nis nga Nju-Jorku në Athinë, prej andej në Janinë; aty mori kontakte me Lefter Guvelin dhe Nikolla Plasotin.

Këta ishin vlleh të arratisur në Greqi më 1951: të dy e spiunonin Shqipërinë në favor të zbulimit grek dhe kjo qe e dokumentuar katërçipërisht në Tiranë, në dosjet e tyre.

Këtu e dinin hollësisht se Lefter Guveli mbante një sasi armësh luftarake në një magazinë të tij dhe ia premtoi Abdylit që të pajiste me armatimin përkatës grupet diversioniste për në Shqipëri. Ndërkaq njeriu tjetër i grekëve, Nikolla Plasoti, mori përsipër ta shoqëronte Abdylin deri në vijën e kufirit.

Ky në këtë periudhë punonte me një taksi në Igumenicë. Kur Banushi i kërkoi ndihmë për t’u futur në rrethin e Gjirokastrës, Plasoti i foli përgjithshëm dhe theksoi se futja në Shqipëri konsiderohej me rrezikshmëri të lartë. Pastaj shtoi se, sapo të kalonte kufirin, do ta denonconin e kapnin.

Lidhur me bazat që i nevojiteshin Abdylit, vllahu Nikolla Plasoti iu përgjigj se bazat e tij qenë “goditur nga Sigurimi Shqiptar” dhe “u bënë shumë vite që kam hequr dorë e shikoj punën time”.

Ai e këshilloi të shkonte në Konicë e ta studionte vetë kufirin karshi Sarandaportit dhe atje, në ato rrethana me mot dimri, mbase gjente një shteg për të kapërcyer kufirin. I pakënaqur nga Plasoti dhe duke e peshuar mirë paralajmërimin që ai i dha se, sapo të kalonte kufirin shqiptar do ta denonconin, sigurisht duke hamendësuar se pas kësaj direktive për t’u tërhequr nga plani i tij vetjak për aksione të armatosura kundër regjimit të Enver Hoxhës, Abdyl Banushi vendosi të shkonte në sektorin e postës greke karshi Sarandaporti (te Tri Urat).

Që atje hodhi në lumin Vjosa, nga pjesa greke, një sasi fletushkash të plastifikuara të cilat që në Nju-Jork i pati përgatitur në emër të “Frontit të Rezistencës Antikomuniste (Antistaliniste).

Lumi ato i shpërndau në brendësi të tokës shqiptare dhe u vërtetua që disa nga këto fletushka arritën deri në Mifol të Vlorës. Pas kësaj bashkë me të vetët mori rrugën e kthimit të drejtpërdrejtë për në Nju-Jork, ku raportoi se “kishte kryer rikonjicionin e nevojshëm për t’u futur në Shqipëri” si dhe kishte futur ilegalisht “posterat” e prodhuara prej tij e Mexhit Dibrës”.

Përveç surprizës greke për të ndenjur mënjanë nga plani i tij, në rrugën për në SHBA, Banushi do të kishte edhe një të papritur tjetër.

Këtë e zbulon aktpadia e dy prokurorëve, çfarë si burim informacioni ka pasur atë që gjatë hetimeve kishte pohuar ai vetë: “…i pandehuri Abdyl Banushi nuk mundi të realizojë as aktin terrorist në ambasadën tonë në Vjenë, për arsye se gjatë udhëtimit me tren në territorin jugosllav, në afërsi të Shkupit, organet jugosllave gjetën lëndët eksplozive, të cilat i pandehuri i kishte fshehur në një kabinë tjetër të trenit. Në këtë mënyrë, u detyrua të kthehet në Nju-Jork”.

VJEN ME BOMBA NE

XHEPA PER TE VRARE

ENVER HOXHEN

Në librin e tij “Një zë në shkretëtirë”, botuar nën kujdesin e shkrimtarit Mihallaq Qilleri, Abdyl Banushi tregon sikur në fundnëntor 1974 jo vetëm ka hyrë në Shqipëri, por edhe ka tentuar vrasjen e Enver Hoxhës, episod që e ëndërronte me kohë të kryhej dhe t’i jepte statusin e heroit.

Ja disa fragmente të shkëputura nga ky rrëfim: “Më datën 20 nëntor 1970, së toku me Tomën dhe Ded Mërnacin u nisëm nga SHBA. Kuptohej itinerari: Athinë-Prevezë dhe pasi të furnizoheshim atje me gjithçka na duhej, të kalonim kufirin për në Shqipëri.

Më 22 nëntor ishim në Filat të Çamërisë, ndërsa në orën 21 të po asaj dite nisëm të ngjitnim Malin e Stillos. Kundërzbulimi shqiptar ishte vënë menjëherë në dijeni të misionit tonë. Në urën e lumit Povlla ishte vendosur një patrullë e fortë e cila qëndronte aty edhe në ditë të zakonshme. Por, tani me afrimin e festave komunistët merrnin masa të rrepta sigurimi sepse e dinim se ne godisnim pikërisht atëherë. Kështu që u detyruam ta kalonim lumin në këmbë. Ishte ftohtë. Sapo kishin nisur shirat e para të vjeshtës. Lumi kishte shumë ujë. Por, ne i kishim të gjitha mjetet. Baza jonë e parë ndodhej në fshatin Aliko të Sarandës. Në Gjirokastër u strehuam në bazën tonë të përhershme, në familjen Jonuzi. Qenë po këta njerëz që na prenë pesë bileta për në Tiranë…

Punët po shkonin mirë dhe ne, ja ku po hynim në kryeqytet.

Mirëpo, nuk ishte aq e lehtë. Në Urën e Subashit ishte vendosur një postbllok me policë e ushtarë të cilët kontrollonin të gjitha mjetet dhe njerëzit e panjohur që kalonin s’andejmi. Në orën 5 të mbrëmjes do të gjendeshim të strehuar në familjen Bineri në Tiranë.

28 Nëntor 1974. Tirana ishte zbukuruar e gjitha për festë. Nuk e kishim të vështirë të dilnim nëpër qytet, aq shumë lëvizje kishte. Por, gjithçka duhej ta kryenim të nesërmen, prandaj nuk largoheshim shumë nga baza jonë. Për të parë situatën doli disi më larg vetëm njëri nga tanët, Sulejmani. Ishte i armatosur me pistoletë e granata përfund bluzës së trashë. Doli deri në sheshin “Skënderbeu”. Do të provonte të depërtonte së paku deri te vendi përballë tribunës, tashmë të ngritur për paradën e nesërme. Por, masat ishin të tilla, sa as te trotuari përballë hotel “Dajtit”, ku vendosej zakonisht orkestra frymore, nuk lejohej të afrohej askush.

Vendosa të dilja vetë njëherë. Iu afrova drejtimit të tribunës, por kishte aq shumë njerëz të aktivizuar për sigurinë e saj e të vendit përreth, sa e ndjeva se do ta kisha shumë, shumë të vështirë. Të nesërmen, më 29 Nëntor, tentuam t’i afroheshim edhe njëherë tribunës, ashtu, kinse të shtyrë nga turma e njerëzve. Por, nga sheshi “Skënderbeu” e deri te Ura e Lanës gjithçka ishte në një kontroll aq të rreptë, sa nuk mund të depërtonte as miza”.

Në pamundësi për ta kryer atentatin, Abdyl Banushi në librin e tij ngul këmbë se nga baza Bineri “ne u detyruam të dilnim natën nga kati i dytë me litar, pas pallatit. U larguam më këmbë për në Yzberisht, ku kishim një bazë tjetër”.

Më pas vijon: “Të nesërmen, më 30 nëntor, u detyrova të hyja vetë në Tiranë. Së paku të kryenim aksionin e ambasadës kineze. Iu afrova ndërtesës e cila gjendej në një vend tepër të rrezikshëm… U ktheva pa bërë asgjë. Megjithatë, në konsultimet e pasdites vendosëm të hynin përsëri në Tiranë. Kësaj radhe baza do të ishte familja Begeja… në familjen Begeja bëmë një mbledhje të shpejtë, ku analizuam situatën. Vendosëm të ndryshonim menjëherë bazën. Kështu, u detyruam të hynim në Ndroq në familjen Mancaku…Familja kishte një kasolle të madhe për kafshë dhe ne u stabilizuam atje për shtatë ditë. Ishte e pamundur të hyje përsëri në Tiranë. …U detyruam të niseshim për në Fier”.

E FUSIN ME LOJË AGJENTURORE NË KUFI DHE E ARRESTOJNË

Sigurisht, pas dështimit të moshyrjes fare në territorin shqiptar kur këtu zhvilloheshin festimet e 30-vjetorit të çlirimit, Abdyl Banushi duhej të tërhiqej, por ai vazhdonte të besonte se Enver Hoxhën mund ta hiqte qafe fizikisht. Kështu hodhi hapin tjetër. Sipas aktakuzës, “i pandehuri Abdyl Banushi, në datën 26 mars 1975 u nis përsëri nga Nju-Jorku dhe pasi u furnizua me armatime dhe lëndët eksplozive të nevojshme në bazën e tyre në Greqi, shkoi në Titograd të Jugosllavisë me qëllim për t’u futur ilegalisht në Shqipëri nga sektori kufitar i Shkodrës. Më datë 8 prill 1975, rreth orës 01.30, në kohën kur i pandehuri kishte kaluar kufirin shtetëror të RPSH dhe ishte futur ilegalisht 600-800 metra në thellësitë tokës sonë, dëshmitari Tom Mernaçaj e goditi atë me trupin e automatikut në kokë dhe ua dorëzoi rojeve tona kufitare”. Sipas anëtarit të Njësitit Special të Zbulimit Shqiptar në Nju-Jork Meno Dedaj dhe librit të tij “Emigracioni shqiptar”, pjesa e dytë, “Insistues dhe i vendosur”, Abdyli duke diskutuar në picerinë ku qëndronte në Nju-Jork, pronarit (edhe ai i arratisur nga Veriu) i kërkoi që të bënte një njohje terreni për t’u futur në Shqipëri nëpërmjet kufirit verior.

“Pronari”, pasi e peshoi problemin, i rekomandoi “burimin” tonë si “kompetent” për vijën e kufirit dhe me lidhje të shumta në Shkodër…

Të tre: A.Banushi, “pronari” dhe “burimi” ynë, studiuan së bashku me hollësi kufirin. U përqendruan te pika e Hanit të Hotit.

Gjetën harta, përcaktuan ku vendoseshin rojat tona, ku posta jugosllave, patrullat ku lëviznin më shumë etj… E përcaktuan edhe itinerarin e mundshëm për të hyrë deri në brendësi të tokës sonë. Vranë mendjen se si të shmangnin klonin: duke gërmuar truallin nën të, në vende të rrëpirëta… ku dheu zhvendosej më lehtë etj.

Për deri te kloni u piketua një shoqërues. Ai do t’u garantonte – në afërsi të kufirit – njerëz e baza të besueshme. Në Shkodër brenda do të ndërlidhte Abdylin me të besuarit e “burimit”.

Shpërblim i premtuan një shumë të majme në dollarë”. Vijon shpjegimin Meno Dedaj: “Planifikimet e tyre na raportoheshin në kohë optimale. Nga ne, mbi një kombinacion, Abdylit iu ofrua një adresë reale, te “Shallvaret”, në Tiranë.

Adresa e lakmuar prej tij, në fakt, i përkiste një lidhjeje agjenturore të ambasadës jugosllave”. Më tej: “Personat e përgatitur enkas, s’e pranuan ofertën e tij, duke e dyshuar. Mbetur vetëm, i kërkoi me insistim “burimit” që ta shoqëronte deri në Shkodër. “Burimi” nxori një mijë e një arsye kundërshtuese, por i rekomandoi dikë, me të cilin A. Banushi, pa u menduar dy herë, u nis drejt Romës.

Në Romë mori takim me Hasnedarin. U konsultuan lidhur me hyrjen në Shqipëri nëpërmjet kufirit jugosllav. U vendos: të bëhej kalimi nga një pikë e Crna Gores (Mali i Zi). Aty – nga të afërm të shoqëruesit – Abdyl B. u armatos (me automatik e pistoletë).

Sapo vuri këmbët në territor shqiptar – midis Shkodrës e Malit të Zi- A. Banushi u mbërthye, u gozhdua dhe iu dha drejtësisë”.

Sipas Meno Dedaj, tre vetë të kamufluar si diplomatë të Misionit tonë të Përhershëm pranë OKB-së, mes tyre edhe Sokrat Çomo që më pas do ta hetonte Banushin dhe formulonte aktakuzën kundër tij, “Kapja dhe arrestimi u mbajt tepër sekret për një kohë të gjatë… Ndërsa lidhjet e tij në Nju-Jork nuk ekspozuan asnjë interes: Mexhit Dibra nuk bëzante, madje tregohej fare i paditur për ecejaket e Abdylit.

Në shtypin e emigracionit s’pati reagime, as në emisionet radiofonike të “Legalitetit” apo “Ballit Kombëtar”. Nuk u komentua aspak nga kryesia e Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Nga organizatat e tjera nuk pritej të kishte komente. I vetmi i tulatur – Sabaudin Hasnedari…ndërpreu kategorikisht vizitat në Ambasadën Shqiptare; as Romës nuk iu afrua për një kohë të gjatë”.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.