OPINION

Skandaloze, përgatitja e mësuesve në universitetet publike

10:49 - 16.10.20 Pëllumb KARAMETA
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

ARGUMENTI  – Pak vite më parë, Sir Michael Barber, këshilltar i qeverisë amerikane për politikat arsimore dhe Prof. Michael Fullan, këshilltar special për arsimin i kryeministrit të Ontarios, të dy ekspertë “par exellence”, studiuan 20 sisteme arsimore në përmirësim, nga e gjithë bota. Ata konstatuan se “cilësia e një sistemi arsimor nuk mund ta kalojë cilësinë e mësuesve të tij”; se “e vetmja mënyrë për të përmirësuar rezultatet e nxënësve, është përmirësimi i cilësisë së orës së mësimit”. Studime të tjera empirike konstatojnë se “cilësia e mësuesve lidhet dukshëm dhe pozitivisht me arritjet e nxënësve” dhe se “ndikimi i kësaj cilësie është shumë më i madh se ndikimet e organizimit të shkollës, drejtimit apo kushteve financiare të saj”. Ngaqë mësuesi e ndikon kaq fort suksesin e nxënësve, edhe te ne, mësuesia është ligjëruar profesion i rregulluar; studenti zhvillon praktikën profesionale 1-vjeçare pas diplomimit dhe titullohet mësues përmes provimit të shtetit. Vitet e fundit është rritur nga 6 – 7 – 7.5 nota mesatare e pranimit në fakultetet e mësuesisë. Megjithatë, pasi diplomohen dhe praktikohen për 1 vit, provimin e shtetit për t’u certifikuar e kalojnë vetëm 45-50% e studentëve. Mos për këtë, po e quaj skandaloze çka bëjnë universitetet publike? Dihet, cilësia jo e mirë e studentëve të pranuar në fakultete ka ndikimet e saj. Por ajo nuk është përcaktuese. Për të kuptuar më shumë, duhet kërkuar më tej, në atë çka ofrojnë vetë këta universitete. Le ta shohim këtë.
VËSHTRIM RRETH GJENDJES
1. Në terma të përgjithshëm, ende fakultetet e mësuesisë, pjesë e universiteteve publike, nuk kanë publikuar dokumentin ku shtjellohen filozofitë, parimet, modeli i kornizës kurrikulare për formimin e studentit – mësues, shoqëruar me kornizën e kompetencave profesionale që duhet të ndërtojnë studentët e diplomuar. Mungesa e dokumentit, që paraqet profilin e të diplomuarit (kompetencat profesionale që studenti fiton gjatë shkollimit), bën që, gjithë sa ofrohet, të jetë “e shtënë kuturu”; ndryshe, investim pa e ditur për se.
2. Vendin e këtij profili, në çdo program studimi, e zë një listë objektivash të përgjithshëm që, duke dashur t’i thonë të gjitha, nuk thonë asgjë. Ndoshta, hartuesit e listës përmes saj përpiqen të thonë disa gjëra. Por shqetësimi është se listat e gjata të dëshirave për objektivat e studimit, nuk e kryejnë punën. Objektivat janë kaq abstraktë dhe të qethur nga detajet, saqë është e pamundur të kundërshtohen; por, po kaq e vështirë të kuptohet, se çfarë duan të thonë praktikisht, apo me çfarë mënyre pedagogu do t’i realizojë ata në proces. Madhështia, por në disa raste edhe paqartësia e objektivave, të bën të qeshësh. Ata janë gjithë sa deklarohen si opinione private të përsosmërisë, në këtë epokë të mbizotëruar nga klishetë. Në të vërtetë, nëse ju do të filloni t’i ngacmoni pak ata, shumë syresh fillojnë të shkërmoqen. P.sh., çfarë duan të thonë hartuesit e programit të studimit “Master profesional mësuesi në gjuhë-letërsi” me objektivin “nxitja e të mësuarit aktiv dhe logjik te studentët për të rritur cilësinë e përvetësimit të njohurive” (theksimi im)? Me këtë objektiv, kupton që hartuesit, ose e konceptojmë arsimin si dikur Platoni apo shkollat evropiane të gramatikës 150 vite më parë, që kishin në themelin e besimit të tyre fetishin e njohurisë; ose nuk e kanë të qartë që sot reformat universitare synojnë shndërrimin e “homo sapiens” në “homo faber”.
Për ta thënë ndryshe; ajo që vlen, sot e në të ardhmen, është të jesh i aftë të ndërtosh njohuri, por dhe të dish t’i përdorësh ato; jo zotërimi i një magazine të pafundme njohurish të përgjithshme për t’i përdorur sipas rastit (sot, këtë e bën më lehtë me ‘Google’, apo jo?). Kulti tradicionalist i dijes është një nga rrënjët e fuqishme të atij mekanizmi gjigant që po zhvlerëson diplomat dhe po ndan mësuesit, inxhinierët, ekonomistët etj., – universitetin pra – nga jeta reale. Kult i cili bën që universitetet të nguliten gjithnjë e më thellë në orientimin akademik, i përjetësuar ky në besime dhe tradita të shumta, që e bëjnë këtë orientim më të fuqishmin e normave të “shenjta” të shkollimit.
Në anën tjetër, vetë objektivat e çdo programi janë vetëm fillesa. Ata përbëjnë, e shumta, 1% të asaj që duhet bërë, nëse duam që studentët të fitojnë jo vetëm njohuritë – siç kërkojnë, p.sh., pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë – por dhe kompetencat profesionale, vlerat dhe qëndrimet që dallojnë mësuesin bashkëkohor. Përmbi të gjitha, këto lista mbartin rrezikun e të qenit të gjera, gjithëpërfshirëse, shumë të fryra dhe të përcaktuara turbullt për të qenë të arritshme. Ndërkohë, ajo që na nevojitet është edhe grupi i kompetencave profesionale, më i përqendruar, më realist dhe me karakter praktik, që vetë pedagogët të mund t’i zhvillojnë me studentët. Objektivat që thonë diçka, duhen çiftuar me përgjigjet e pyetjeve për aspektet specifike. Duke qartësuar lidhjen mes asaj çfarë fakultetet e mësuesisë u ofrojnë studentëve (oferta kurrikulare) dhe gjërave që u kërkohen të bëjnë ata kur ushtrojnë profesionin (kompetencat profesionale). Raportin e cenuar mes tyre e ilustron ngarkesa e programeve Bachelor dhe Master për formimin e mësuesve të matematikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Fillimisht, në programin “Bachelor Matematikë”, gjatë 3 viteve të para, studentët nxënë vetëm dije nga fusha e matematikës (180 kredite). Ndërsa në tabelë paraqitet programi “Mësues Matematike për Arsimin e Mesëm të Lartë” (2 vite) për 2019 – 2021, marrë nga website i fakultetit.
VITI I PARË VITI I DYTË
 Psikologjia e zhvillimit
 Metodika e mësimdhënies dhe mendimi kritik
 Zhvillim kurrikule
 Vlerësim
 Të nxënit dhe menaxhimi i klasës
 Didaktike e matematikës
 Modelim dhe teknika e zgjidhjes së problemit
 Njohuri të informatikës
 Historia e mendimit matematik dhe probleme
 Praktikë profesionale I
 Gjeometria e lartë
 Calculus dhe plotësime në analizë
 Çështje speciale në matematikë
– Çështje speciale në analizë numerike
– Çështje speciale në algjebër
– Çështje speciale në analizë funksionale
– Çështje speciale në analizë funksionale
 Gjuhë e huaj
 Informatika në mësimdhënie
 Praktikë profesionale II




Orë = 627
Kredite = 60 Orë = 648
Kredite = 60

 

Në tërësi, në Bachelor dhe Master, për 5 vite shkollimi, studentit i ofrohen 240 kredite matematikë “puro”. Ndërsa për formimin profesional 60 kredite, ndryshe, vetëm 25% e ngarkesës mësimore. Lidhje e shpërpjesëtuar reflektohet edhe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë për programin e studimit “Master Profesional për Mësues Gjuhë–Letërsie” [shihni web-in e fakultetit]. Gjithashtu, nga tabela e mësipërme, lexuesi mund të kuptojë lehtë që kontributi për formimin profesional ofrohet në vitin e parë, sikundër sheh që, në vitin e dytë, ofrohen vetëm dije matematike, thua se për një mësues matematike janë të pamjaftueshme dijet matematike të ofruara në programin Bachelor. E njëjta, me studentët e gjuhë-letërsisë.
Pyes: A nuk mbivlerësojnë këto oferta kurrikulare orientimin akademik? A nuk e prishin baraspeshën mes disiplinave akademike dhe formimit profesional? A e dallojnë ato përgatitjen e matematikanit nga përgatitja e mësuesit të matematikës; gjuhëtarit nga mësuesi i gjuhës? Unë nuk mohoj aspak rëndësinë e dijeve nga disiplinat akademike, përkundrazi. Këtu, dëshiroj të theksoj nevojën urgjente për t’i riorganizuar dijet disiplinore (shkencore dhe psiko-pedagogjike) në programet e studimit në thellësi dhe gjerësi; për t’i konsideruar ato burime apo situata të vyera për ndërtimin dhe zbatimin e kompetencave; për t’i lidhur ato më qartësisht me çka zhvillohet në shkolla.
PËRTEJ KONSTATIMEVE
1. Nëse duam të formojmë mësues me kulturë të gjerë, oferta kurrikula duhet rivlerësuar nga pikëpamja e profesionit të mësuesisë. Duke e plotësuar atë me elementët që lidhen me epistemologjinë e lëndës, historinë e saj, psikologjitë përkatëse, teoritë e reja të nxënies, apo me risitë e reformës në arsimin parauniversitar. Kështu, mësuesi i ardhshëm ndërton sisteme njohurish të sofistikuara dhe të baraspeshuara rreth fushave të mësipërme dhe kompetencat profesionale të nevojshme, përmes zbatimit të njohurive në situatat akademike në auditorë apo përgjatë praktikës mësimore 1-vjeçare. Por për këtë, do duhet t’u rikthehemi bazave të arsimit bashkëkohor dhe të rikonceptojmë shumë prej ideve tona për fakultetet që përgatitin mësues (dhe jo vetëm), për qëllimet e tyre dhe për mënyrat si duhen trajnuar më mirë studentët. Kjo është mundësia e vyer për të rimenduar mjaft prej gjërave që bëhen në këto fakultete, por edhe përse bëhen ato. Këtu të sjell analiza krahasuese e zhvillimeve në këtë fushë, dekadën e fundit, në botë. Kujtoj se për ndryshimin vlen po aq edhe përsosja e mekanizmave certifikues të programeve të studimit.
2. Përgatitja e profilit profesional të studentit – mësues, që orienton ofertën e baraspeshuar kurrikulare, më shumë se kompetencë e pedagogëve të disiplinave shkencore (matematikore, gjuhësore, historike etj.), mendoj se kërkon kontribute nga një rreth më i gjerë dhe i specializuar ekspertësh. Sepse, për ndryshimin, është normë që ekspertët e fushave të ndryshme të bashkohen dhe të ndërtojnë njohuritë që u duhen, në kontekstin e problemit të pangjashëm me gjithë sa njihnin më parë.
Gjithë sa shkrova ndikohet nga mënyra si është institucionalizuar sot përgatitja mësuesve. Këta përgatiten në fakultete të ndryshme – te shkencat e natyrës, histori – filologjia etj. Në to përgatiten studiuesit/ kërkuesit e rinj në fushat e shkencave përkatëse. Njëherazi, mësuesit e ardhshëm. Lëndët e formimit profesional të degëve të mësuesisë i zhvillojnë pedagogët e departamentit të psikologji-pedagogjisë të Fakultetit të Shkencave Sociale. Këta të fundit ofrojnë kontributin në fakultetin e shkencave, ndërsa varësinë akademike dhe administrative e kanë diku tjetër. Nuk po komentoj këtu problemet që bartin vetë programet e studimit dhe mënyrat se si ofrohen ata. Ajo që vlen të ndryshojë sa më shpejt, është reformimi institucional për përgatitjen e mësuesve. Këta, mund t’i fitojnë diplomat Bachelor në fakultetet shkencore përkatëse, ndërsa formimin profesional të nivelit Master duhet ta marrin në një fakultet të veçantë. Në Kosovë, p.sh., e quajnë Fakulteti i Edukimit.
Nuk i thashë të gjitha, por, çka shpreha, i mendova mirë. Ndërkaq, mendoj se është koha për të shkuar përpara dhe besoj se ka shpresë që Fakulteti i Edukimit të jetë ndryshimi që njerëzit duan të shohin; se përgatitja e mësuesve të rinj do të rilindë dhe se pedagogët tanë mund të bëjnë shumë për këtë.
*Tiranë, më 14.10.2020

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.