OPINION

Të gjithë për shkollën

10:15 - 20.10.20 Valbona Nathanaili*
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më datë 27 shtator, në emër të fondacionit “Henrietta Leavitt”, një organizatë e shoqërisë civile, i jam drejtuar ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe Rektorit të Universitetit të Tiranës, me një shkresë, me titull “Hartimi i një plani strategjik, për zhvillimin e programeve të studimit, që u mundësojnë të diplomuarve me “Master në shkencë”, në një fushë të caktuar të dijes, të aplikojnë për t’u licencuar dhe punësuar në arsimin para-universitar”.




Shqetësimi i ngritur në këtë shkresë, për shkak të rëndësisë që ka, problematikave që ngre dhe grupeve që penalizon, në pritje të marrë përgjigje nga institucionet që u drejtohet, duhet të bëhet pjesë e një shqetësimi më të madh, më të përgjithshëm, të shndërrohet në shqetësim kombëtar!

Shqetësimi është pamundësia e të diplomuarve me “Master në Shkencë”, në përfundim të një programi studimi të ciklit të dytë universitar, në një fushë të caktuar të dijes, të aplikojnë për t’u licencuar si mësues për arsimin para-universitar. Shqetësimi është individual, sepse janë parà, kohë dhe mund e dije që ikin kot. Shqetësimi është kombëtar, sepse lidhet me arsimin dhe cilësinë e tij, ndryshe a do të kemi më shkencë dhe shkencëtarë!

Kush mund të punojë si mësues?

Me një udhëzim të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në konkurrimin për një vend të lirë pune në institucionet arsimore publike të arsimit para-universitar, mund të marrin pjesë vetëm ata kandidatë që zotërojnë licencën e provimit të shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit.

E njëjta gjë edhe në portalin “Mësues për Shqipërinë”, në rubrikën “Pyetje dhe përgjigje”. Pyetjes “Të gjithë të regjistruarit në portal do të jenë kandidatë për t’u testuar?”, i jepet kjo përgjigje “Do të jenë kandidatë për testim të gjithë aplikantët që kanë diplomë mësuesie sipas dispozitave ligjore dhe nënligjore në fuqi”. Pyetjes: “Aplikojnë në këtë portal ata që kanë mbaruar fakultetin e ekonomisë? – Aplikojnë ata që kanë mbaruar ekonomi, por kanë kryer një Master në mësimdhënie dhe provim shteti”. Dhe akoma: “A do të aplikojnë psikologët? Jo, nëse nuk kanë përfunduar një cikël studimesh në mësuesi”.

Pra, që të punosh mësues, duhet të kesh licencë dhe që të marrësh licencë duhet të kesh mbaruar një fakultet mësuesie, që në rastin e Universitetit të Tiranës, do të thotë të kesh një “Master në Shkencë me profil mësues i arsimit të mesëm të lartë”.

Çfarë thotë ligji?

Profesioni i mësuesit është profesion i rregulluar me ligj. Ndërkohë, Ligji Nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar” në Republikën e Shqipërisë (i azhornuar), në nenin 57 “Profesioni i mësuesit”, pika 4, shprehet: “Profesioni i mësuesit mund të ushtrohet edhe nga individë që zotërojnë diplomë universitare të ciklit të parë dhe të dytë ose diplomë universitare të integruar, të ngjashme ose të përafërt me fushën/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, dhe njohuri të certifikuara në formimin psiko-pedagogjik nga institucione të arsimit të lartë, që ofrojnë programe të studimeve të formimit të vazhduar. Diplomat e njëvlershme, diplomat e ngjashme ose të përafërta me diplomat e sipërpërmendura të këtij neni në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar dhe kriteret për hapjen e programeve të studimeve të formimit të vazhduar në fushën psiko-pedagogjike përcaktohen me udhëzim të ministrit.”

Këtu fillon shqetësimi, në rrafshin individual: Ligji u mundëson të gjithë të diplomuarve të mësipërm, të bëhen pjesë e garës për mësues, me kushtin që të plotësojnë hendekun në dije psiko-pedagogjike, nëpërmjet një programi të kësaj natyre, me më pak para dhe kohëzgjatje të reduktuar, ndërsa udhëzimi i Ministrisë së Arsimit, i përjashton dhe nuk ua jep këtë mundësi, por i detyron të ndjekin një Master të dytë, me më shumë para dhe kohëzgjatje më të madhe. Për më tepër që, “Ligji për arsimin e lartë” kërkon që në këtë rast, shpenzimet e studimit të mbulohen në masën e plotë (përjashton nga kjo tarifë vetëm studentët e shkëlqyer).

Shqetësimi shtohet, sepse nuk janë një e dy studentë, por me dhjetëra.

Shqetësimi shtohet, sepse nuk është vetëm në rrafshin individual, por edhe atë social. Për të pasur arsim më cilësor dhe kurrikul më të pasur, na duhet të mos përjashtojmë asnjë diplomë! Përkundrazi, na duhet: të shfrytëzojmë të gjitha burimet njerëzore; të krijojmë mundësi, për punësim në arsim, nga të gjitha fushat e dijes; ta lehtësojmë karrierën e studentit drejt tregut të punës; të forcojmë bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve akademike; të rrisim mobilitetin e punësimit të të diplomuarve në funksion të interesave personale dhe ato të vendit.

Por ku dallon një Master në Shkencë nga një Master në Shkencë me profil mësues për arsimin e mesëm të lartë?

Këtu është marrë vetëm shembulli i Universitetit të Tiranës. Sipas faqes zyrtare të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, dega Fizikë, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ofron Master i Shkencave në “Fizikë” dhe “Master i Shkencave në “Fizikë”, me profil “Mësues Fizike për arsimin e mesëm të lartë”‎. Sa u takon dijeve, në mënyrë të përmbledhur, një i diplomuar me Master në Shkencë ka dije të thelluara në fushën e fizikës, por i mungojnë dijet psiko-pedagogjike, dhe e kundërta vlen për një të diplomuar me Master i Shkencave në “Fizikë”, me profil “Mësues fizike për arsimin e mesëm të lartë”. Në Masterin e parë shkojnë studentët me mesatare më të mirë, ndërsa të dytin e ndjekin ata që kanë mesatare më të ulët dhe rrallë sepse e kanë pasion mësuesinë, pra si zgjedhje personale.

Përjashtimi i këtij grupi studentësh që përgatit Universiteti i Tiranës, nga tregu i punës së arsimit, bie ndesh: me Ligjin për Arsimin parauniversitar; me “Strategjinë për zhvillimin e arsimit parauniversitar 2014-2020”, në pjesën që flitet për mësuesit, ku theksohet se “Përgatitja e mësuesve të rinj nuk po ecën me ritmet e duhura; sfidat për përmirësimin e programeve të reja janë të mëdha dhe nevoja për mësues të rinj të përgatitur mirë është e padiskutueshme”; me Ligjin për Arsimin e Lartë, në të paktën disa nene (Neni 5: Roli i shtetit në arsimin e lartë: vë në dispozicion fonde publike për mbështetjen e programeve të studimit ose fushave të caktuara të kërkimit shkencor, në përputhje me përparësitë e zhvillimit dhe interesave strategjikë të vendit; Neni 32. “Të mësuarit gjatë gjithë jetës” është ndjekja e veprimtarive dhe/ose programeve mësimore në periudha të ndryshme të jetës, me synim zgjerimin e njohurive për të rritur aftësitë studimore dhe/ose profesionale.

Probleme të tjera

Çdo vit, Departamenti i Fizikës (dhe njësoj edhe departamentet e tjera), diplomon jo më pak se dhjetë studentë me Master në “Shkencë” – ky numër është edhe detyrimi që ka Departamenti i Fizikës për ta hapur këtë program studimi, përndryshe jo vetëm pjesa më e madhe e pedagogëve mbeten pa punë, por humbet edhe gjurma më e fundit e shkencës nga i vetmi universitet që mund ta kemi një pretendim të tillë. Vendosja e këtij numri relativisht të madh për hapjen e këtij programi në shkencë, penalizon jo vetëm pedagogët, por edhe cilësinë e aplikantëve për këtë degë, duke u detyruar të pranojnë jo vetëm studentë me mesatare deri në 5.5, por edhe nga shumë degë të tjera, të përafërta me të. Sigurisht që një problem i tillë, logjikisht, nuk ndikon në kërkesën për hartimin e udhëzuesit të mësipërm, por na çon në një udhëkryq tjetër: a do kemi shkencëtarë në të ardhmen?

Propozoj, bazuar në tri parime bazë: motivim, reflektim dhe përfshirje, sa më poshtë.

  1. MASR, në kriterin “diplomë”, si kusht për të fituar të drejtën për të dhënë provimin e shtetit në profesionin e rregulluar të mësuesit në sistemin para-universitar, për të gjithë kandidatët e interesuar për të ushtruar profesionin e mësuesit, shton zotërimin edhe të një diplome Master në “Shkencë”, plotësuar me kushtin për zotërimin e një certifikate në fushën psiko-pedagogjike.
  2. Në bazë të udhëzimit të MASR, universiteti ndjek hapat për krijimin e një programi të ri studimi me njohuritë e munguara në fushat e cituara, si dhe të gjitha procedurat për miratimin e tij. Për këtë, harton përmbajtjen, silabuset lëndore, procedurat dhe kriteret e kalimit, detyrimet, skemat e vlerësimit etj.
  3. Programet e studimit Master në “Shkencë” në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës duhet të marrin status të veçantë dhe të hapen me jo më pak se 5 studentë, duke i vlerësuar si “përparësi kombëtare”.
  4. Bazuar në vendimin nr. 109, datë 15.02.2017 për “Organizimin dhe funksionimin e agjencisë së sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë e të bordit të akreditimit dhe për përcaktimin e tarifave për proceset e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë”, të zbatojë “pikën 10, objekti i veprimtarisë: a) Vlerësimin e jashtëm të cilësisë për akreditimin e parë dhe periodik të institucioneve të arsimit të lartë e të programeve të studimit që ato ofrojnë”, me fokus programet e studimit Master në Shkencë dhe Master në mësuesi, në të gjitha universitet, private dhe publike.

*Fondacioni “Henrietta Leavitt” është regjistruar me vendim nr. 717 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, dt. 25.01.2019/ www.fhl.org.al

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.