OPINION

Shpopullimi si refleksi më i hidhur i një platforme politike të dështuar

09:09 - 27.10.20 Ylli Asllani
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Braktisja e qytetarëve është fatale për një komb.




Pas larjes së duarve me parlamentin, drejtësinë, pushtetit vendor dhe uzurpimin e çdo hallke qeverisëse, vala goditëse e partisë në pushtet ka kohë që tenton Presidencën, zgjedhjet e lira dhe paralizimin e opozitës reale …

Në Shqipëri demokracia po shndërrohet me shpejtësi në autokraci dhe “sistemi i kontrolleve dhe balancave përgjithësisht ka dështuar, legjislativi është shkrirë një me ekzekutivin, Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë janë jofunksionale, dhe qeveria ka anashkaluar çdo proces demokratik”. (Freedom House).

Në këtë situatë të pashembullt politike përtej fasadave të shndritshme kriza ekonomike është ulur këmbë kryq në çdo vatër shqiptare dhe vendi po shkon drejt rrënimit.

Ndërkohë shqiptarët të heshtur po e kërkojnë të ardhmen jashtë kufijve të vendit…

Sipas anketave më të fundit konfirmohet se numri shqiptarëve që po largohen po shtohet me shpejtësi të frikshme. Shpopullimi dita ditës po kthehet në një faktor de stabiliteti. Ai po rrezikon të ardhmen vendit dhe po shkatërron ëndrrën e brezave të rinj për të jetuar në atdheun e tyre.

Shqipëria po përjeton valën e tretë të emigracionit masiv. Kufijve të vendit po i drejtohen shtresat më të konsoliduar, ato që dikur besonin se demokracia shqiptare do të prodhonte prosperitet dhe përgjegjshmëri. Krahas mijëra të rinjve po largohen tashmë shtresat e mesme të biznesit, intelektualëve, specialisteve, si dhe një pjesë dërmuese e fermerëve, blegtorëve dhe banorë të zonave rurale.

Pa dyshim çdo largim është i dhembshëm, por braktisja e fshatit dhe krahinave tradicionale është fatale për një komb. Pasi në çdo vend këto shtresa janë rezerva e fundit, bazamenti i shoqërisë, rregullatori dhe ekuilibruesi i zhvendosjeve të popullatës.

Keqqeverisja vendore dhe shpopullimi

Pa dashur të intervenoj në të gjitha fushat, po ndalem në ndikimin që kriza e qeverisjes ka në funksionimin e njësive vendore, demokracinë lokale si dhe në shpopullimin e krahinave shqiptare.

Pas reformës administrative e territoriale, si dhe mbylljes së ciklit manipulues të votave 4 viteve më parë, partia në pushtet ia doli, që nëpërmjet një skeme antikushtetuese të vendosë pushtetin e saj në gjithë territorin e vendit.

Politika drejtuese ka disa vite që nuk po i jep impulse zhvillimi shoqërisë apo luftës kundër varfërisë, si dhe frenimit të braktisjes së krahinave.

Në këto kushte pesha e sundimit një partiak ishte i tepër për supet e stërlodhura të shqiptarëve.

Edhe pse ‘flamujt e shpresës’ kanë rënë kudo, togat e pushtetarëve vendorë të emëruar së fundmi po tentojnë në krye të bashkive të falimentuara të krijojnë idenë e suksesit, për të fituar kështu simpatinë e zgjedhësve imagjinarë. Ndërkohë që qytetarët po boshatisin qytete e fshatra.

Mungesa e vetëqeverisjes, demokracisë vendore, decentralizmit, si dhe pamundësia financiare po çojnë çdo ditë në një zhvillim të dobët, pa vizion dhe të paqëndrueshëm lokal. Si rezultat kemi humbje të perspektives dhe dëshirës për të jetuar në vend.

Forca transformuese e qeverisë ka rënë, frazat e shkëputura e pa lidhje të saj nuk po frymëzojnë askënd.

Politikanët e saj kanë më të lehtë të eliminojnë kundërshtarët dhe të rrëmbejnë institucionet se sa të fitojnë aksione nëpërmjet mirë qeverisjes.

Kjo situatë është rrjedhojë e një politike pa busull.

Shkelja e parimeve të mirë qeverisjes dhe demokracisë vendore lidhet drejtpërdrejt me bllokimin e zhvillimit rajonal, papunësisë, krijimin e kushteve të varfërisë dhe humbjes së perspektivës.

Në fushën administrative: Dështimi dhe keq menaxhimi reformës së ndarjes administrative dhe territoriale ka sjellë braktisjen e qytetarëve, humbjen e subsidiaritetit, mungesën e transparencës dhe llogaridhënies qeverise vendore.

Në fushën politike: Sundimit politik i një partie, rritja e autoritarizmit, goditja e demokracisë vendore dhe vendosja nën kontroll e të zgjedhurve vendorë po ngushton hapësirat e qeverisjes vendore.

Është absurde të mendosh prosperitet demokratik, zhvillim e mirëqenie pa zgjedhje të lira, gjithë përfshirëse dhe të rregullta.

Në fushën e financave publike: Mos mbulimi me financa të mandateve të njësive lokale po shndërrohet në një makth.

Përdorimi centralizuar, korruptues dhe pa kriter i të ardhurave dhe fondeve publike në rajone po çon në faliment pjesën më të madhe të bashkive.

Shpërndarja e padrejtë e antikushtetuese e financave vendore dhe mos dërgimi fondeve ne rajonet e konsideruara të opozitës po rrit pabarazinë dhe ndarjen krahinore.

Le t’i shikojmë me radhë:

  • Dështimi i reformës së ndarjes administrative dhe territorialë

Reduktimi ekstrem dhe pa kriter i 383 njësive në 61 ishte fatal. Pavarësisht qëllimit të mirë dhe objektivave të pretenduara, reforma administrative e territoriale u modelua gabim.

Pra, fillimisht u bë ndarja e pa studiuar e hartës administrative dhe pas kësaj u bë ligji i qeverisjes vendore në funksion të tij. Në fakt, duhej bërë ligji, të vendoseshin kriteret dhe të kryhej pastaj ndarja.

Së dyti, në qendër të logjikës së ndarjes do të duhet të vendosej analiza e kostos së shërbimeve dhe efikasiteti i zhvillimit të çdo njësie vendore dhe jo ndarja mekanike e kufijve tyre.

Së treti, unifikimi i problematikës urbane me ato të zonave rurale rezultoi i pasuksesshëm. Eliminimi i njësive me profil blegtoral e bujqësor rezultoi fatal.

Në këtë mënyrë këshilltarët bashkiakë u bënë shprehës të politikave jo eficente të rilindjes urbane ne qytete dhe lanë pas dore e politikat dhe investimet e tokës, ujitjes, subvencioneve dhe agrobiznesit.

Si rrjedhojë e kësaj qindra mijëra fermerë e blegtorë janë edhe sot pa mbështetje dhe në mëshirë të natyrës e tregut.

Rritja e autoritarizmit dhe goditja e demokracisë vendore.

Zëvendësimi i të zgjedhurve vendorë në ish- komunat me administratorë të emëruar politikë është një goditje e madhe e interesit dhe përfaqësimit të qytetarëve në forumet drejtuese.

Qeverisja vendore po i largohet qytetarëve, halleve dhe zgjidhjes së problemeve që ata kanë. Bashkëqeverisja dhe rekomandimet e komunitetit po asfiksohen dita ditës.

Pjesëmarrja dhe angazhimi qytetar në vetëqeverisjen vendore është asfiksuar. Në të gjithë territorin po krijohen grupe shoqërore dhe individë të pa interesuar.

Mungesa e llogaridhënies, debatit dhe transparencës në marrjen e vendimeve komunalë po shton keqpërdorimin e fondeve publikë dhe dëmton interesat e qytetarëve.

Drejtimi i centralizuar partiak i bashkive sjell përjashtimin shtresave shoqërore, komuniteteve dhe krahinave të tëra nga mos marrja e shërbimeve.

Mungesa e demokracisë lokale sjell abuzime në pushtet, në përdorimin e fondeve dhe rritjen e shkallës së interesimit të qytetarëve për mbarëvajtjen e krahinës.

Politikat përjashtuese të grupeve shoqërore u arritën kulmin me zgjedhjet e fundit, ku i gjithë pushtetit i kaloi një partie.

E gjithë kjo klimë abuzuese dhe denigrimi sjell dëshirën për largim të qytetarëve në drejtime të një jete me dinjitet.

  • Keqqeverisja dhe menaxhimi i fondeve publike në rajone.

Në këtë depresion total, gjithsesi kishte ngelur edhe një shpresë për të nxitur vetëqeverisjen, biznesin dhe zhvillimin vendor.

Kjo lidhej me përfitimin e fondeve evropiane për rajonet, ku bashkitë e qarqet shqiptare mund të aplikonin drejtpërsëdrejti në Bashkimin Europian.

Por qeveria edhe këtë “lumë fondesh” e ktheu në favor të saj me ligjin “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”, duke i lënë bashkitë dhe qarqet në rolin spektatorit.

Kështu në Shqipëri si rrallë kund në botë fondet dhe të ardhurat publike dhe europiane ndahen pa asnjë lloj kriteri, formule apo merite në mbledhjen e tyre. Ato janë pronë dhe atribut i një individi me emrin kryeministër.

Mungon partneriteti i zhvillimit rajonal apo kombëtar, i cili do të harmonizonte kërkesat e pushtetit vendor me mundësitë e qeverisë. Do të përcaktonte prioritetet dhe do realizonte debatin me qytetarët.

Ndarja e grandeve do të ngelet tërësisht politike dhe askush nuk përgjigjet pse rajone të tëra nuk marrin investime nga fondet për të cilat janë edhe ata kontribuues. Kjo dhe pse e dëmshme është tashmë edhe e padënueshme me ligj.

Partishmëria në ndarjen e të ardhurave reflektohet në mungesën e subvencioneve e investimeve në shumë krahina, në vjeljen e njëanshme të taksave dhe shkatërrimin e konkurrencës.

Kjo ka sjellë që në zona e sektorë të pa privilegjuara nga qeveria të ketë mungesë investimesh, papunësi, humbje shprese dhe braktisje masive.

Vendi po boshatiset çdo ditë dhe po shkon kështu në një drejtim të paditur, ndërkohë që qeverisja e tij ka ngelur peng e interesave okulte, oligarkisë dhe krimit të organizuar.

P.S. Për sa më sipër mund të citonim statistika, të paraqesim edhe grafikë, analiza e deduksione… Por do të ishte e tepërt.

Vetë shpopullimi vendit është refleksi më i hidhur i një politike të dështuar.

 

 

 

Autori

Këshilltar për çështjet e pushtetit lokal i Presidentit të Republikës

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.