Kryesore

Burri që vinte nga Moska

10:00 - 31.10.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Me flokët pis të zinj, sytë e thellë dhe një zë potent, një burrë që vjen nga Moska, hedh hapa të sigurt e pothuaj ritmikë në shkallaret e mermerta të Institutit të Lartë të Arteve. Çanta e kaftë, ka ndoca shënime mbi partitura. Është dimër, por ai duket spic me një pallto të leshtë, blerë me kursime të vështira në Moskë. Prej andej ka sjellë shumëçka pos palltos, mbi të gjitha një smerald të akullt që do ta shoqërojë gjatë. Burri që vjen nga Moska kthen sytë nga bulevardi dhe për një hop, ai i zhduket nga sytë, ndërsa merr për brenda, ku dëgjohen pianot e vokalicat. Jemi në komunizëm, janë vitet ‘50, dhe burri që vjen nga Moska quhet Avni Mula.




*

Kanë kaluar 40 vjet prej asaj dite dimri. Qëllon të jetë vjeshtë. Mbi shkallaret e mermerta, katër burra mbajnë një arkëmort të drunjtë. Bulevardi zhduket pas dhe burri që dikur vinte nga Moska, vjen të falet për të fundit herë në ‘tempullin’ e rinisë së tij. Burri që vinte nga Moska po i bashkohet xhevahirit të tij të ‘akullt’, që e la vetëm disa vite më parë.

Me një marsh lamtumire dhe duartrokitje u përcoll për në banesën e fundit Avni Mula, kompozitor, këngëtar dhe një nga themeluesit e traditës skenike të Operës. Ai u shua të enjten pasdite në shtëpinë e tij, pranë dy vajzave, Adelina dhe Inva. Homazhet u mbajtën në hollin e Universitetit të Arteve, që pati shërbyer në fillesa, si opera dhe skena e tij.

Inva Mula, e bija e Avni Mulës dhe soprano e njohur, falënderoi të gjithë ata që në ditë të vështira si kjo dolën nga shtëpitë për të nderuar babain e saj.

“Faleminderit, na lehtësuat dhimbjen për babain! U mbajtën homazhet këtu, sepse këtu u shënua fillesa e operës, dhe uroj të ketë jetë të gjatë! Rroftë Avni Mula, rroftë arti shqiptar”. Trupi i pajetë qe kthyer aty ku 92-vjeçari në një rini të largët pati nisur ngjitjen e karrierës së tij si bariton. Gjakovari që kishte luajtur te “Mrika” – opera e parë shqiptare si Gjeta, pati shkuar me studime në ish-Bashkimin Sovjetik. Burri që mandej u kthye nga Moska kish me vete, pos mësimeve mbi artin kompleks, një ruse të bukur që e quanin Nina, që ishte nga Uralet e që kish lënë gjithçka për të ndjekur pas dashurinë që jetësohej me malësorin bariton.

Miq fëmijërie, kolegë të 60 viteve karrierë dhe drejtues të institucionit, shpalosën gjithë kontributet e tij të pashlyeshme në artin më kompleks, duke shënjuar majat e suksesit të tij.

Minella Kriqi, mik i hershëm, tha se ai mund të ketë pasur pengjet e veta, ishte i pangopur me art. “Janë më shumë se 60 vite, që Avniun e bëra ikonën time. Më gjeti pjesëtarë të korit të Operës, dhe pashë tek ai njeriun e kompletuar nga të gjitha anët; një baba shembullor, bashkëshort i devotshëm, për rritjen e dy vajzave, që bënte shumë për shoqërinë”, shprehet baritoni Minella Kriqi.

I ndjeshëm dhe i përlotur ishte Robert Radoja, kompozitor e mik, për të cilin “U shemb një shkëmb, sot zi kombëtare për Avniun”. “E kam pasur mësues, prind, shok dhe koleg tërë jetës sime. Është shumë e vështirë që të gjej fjalët e duhura, por unë do ta përkufizoja me një shprehje; “U shemb edhe një shkëmb nga mali”. Ai tha se Mula ishte i papërsëritshëm.

“I ka kënduar shpirti dhe na ka lënë një pasuri kombëtare. Sot duhej të ishte zi kombëtare, por zakonet janë sipas vendit. Një artist dhe këngëtar i paarritshëm, por edhe një kompozitor që na ka lënë këngë që do t’i këndojmë ndër shekuj”, – tha kompozitori Robert Radoja.

Kujtoi se në fillim, dikur shumë herët në Shkodër e ka pasur mësues. “Na erdhi një mësues që e quanin Avni Mula. Ne u mësuam me të, ndiheshim mirë, dhe një ditë atij i erdhi letra për të shkuar ushtar. Fëmijë siç ishim u ngritëm në protestë. Iu thamë ‘mos na e merrni mësuesin tonë’”, – kujtoi Radoja.

Për akademikun Vasil Tole, që është edhe muzikolog, Mula mbetej “I fundit prej themeluesve të institucioneve shtetërore”, duke kujtuar kështu punën e bërë në Opera e në Ansambël prej Avni Mulës.

Zhani Ciko, ish-drejtor i Operës, tha se Mula ishte figurë e madhe e artit. Po ashtu, Zana Çela, drejtoreshë e Operës, tha se ai ka qenë frymëzues për të, duke kujtuar njohjen e hershme.

Në nderim të figurës së tij, në homazhe erdhën edhe politikanë të njohur në vend.

Ilir Meta, president i vendit, tha se “Mula, pavarësisht se të gjithë jemi të përkohshëm, ka fatin e madh që do të mbetet i përjetshëm me zërin e tij”.

Lulzim Basha, kreu i PD-së, e quajti këtë ditë hidhërimi e gëzimi, pasi “Arti i Mulës i ka bërë krenarë shqiptarët”, dhe siç tha ai “familja jonë e madhe është krenare që ka pasur në mesin e vet një figurë si ai.

Si rrallëherë për shkak të pandemisë, në homazhe erdhi edhe Sali Berisha, ish-kryeministër i vendit. “Nderim për veprën e pavdekshme të këtij kolosi”, – u shpreh Berisha.

Në emër të qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë, para arkëmortit u përulën dy ministret e Kulturës.

Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës e Kosovës, tha se “Kënga e tij na mbajti me atdhedashurinë e munguar në Kosovë”, duke kujtuar kësisoj kohërat e vështira për shqiptarët matanë kufirit dhe duke e parë figurën e Mulës si një bashkim mes dy vendeve. Ajo erdhi në homazhe në emër të qeverisë për të nderuar birin e Gjakovës.

Elva Margariti, ministre e Kulturës e Shqipërisë, tha se humbja e emrave të mëdhenj në kohë pandemie na ka bërë më të ndjeshëm dhe se “Ka simbolikë përcjellja nga Universiteti i Arteve, pasi ndërgjegjëson brezin e ri për emrat e mëdhenj dhe rrugën e nisur”.

Mula do të prehet në Sharrë, duke lënë pas në përjetësi “Valsin e Lumturisë” dhe trashëgiminë e çmuar muzikore.

Me një rrugëtim që nisi në Gjakovë, ndali në Shkodër, u perfeksionua në Moskë dhe preku majat në Tiranë, duke vënë gurthemele të artit, Avni Mula do të mbetet përgjithnjë emri që shënoi historinë e Operës dhe muzikës shqiptare, si brezi i artë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.