AKTUALITET

INTERVISTA/ Pensionistët në kohë pandemie, Faik Xhani: Jemi në ditë të hallit, 26% s’marrin dot ilaçet

13:50 - 13.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Pensionistët janë një ndër kategoritë më të riskuara nga COVID-19. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Faik Xhani, kryetar i shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm Vijues i Pensionistëve të Shqipërisë”, tregon se pensionistët janë në ditë të hallit, pasi hasin vështirësi të mëdha psikologjike, financiare dhe shëndetësore. Ai thekson se nuk kanë marrë asnjë pagesë shtesë gjatë periudhës së pandemisë, ndërkohë, rreth 85000 pensionistë jetojnë vetëm dhe një pjesë e fëmijëve të tyre nuk komunikojnë me ta. Xhani i kërkon qeverisë një rritje të numrit të ilaçeve të rimbursuara, një rimbursim në masën e 300 mijë lekëve për ata që do të kurohen në klinikat private, si dhe rritje të pensioneve me 10%.
Si kanë qenë këta muaj pandemie për pensionistët?
Edhe për pensionistët, anëtarë të shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm Vijues i Pensionistëve të Shqipërisë”, pandemia ka qenë stresuese. Ajo ka ndikuar drejtpërsëdrejti në izolimin e tyre. Për fat të mirë, shumë pak anëtarë të shoqatës sonë, për të mos thënë fare, janë prekur nga kjo sëmundje. 10 veta kanë humbur jetën nga sëmundje të ndryshme, kryesisht në Tiranë dhe Fier. A kanë pasur mbështetjen e duhur nga shteti, duke qenë se bëjnë pjesë edhe në kategoritë më të riskuara nga virusi? Përgjithësisht pensionistët, anëtarë të shoqatës sonë, kanë pasur mbështetjen dhe kujdesin e duhur nga organet shtetërore të shëndetësisë. Veçanërisht Qendrat Shëndetësore me mjekët e familjes kanë treguar kujdes të veçantë dhe kanë qenë të gatshëm për çdo rast të përkeqësuar. Poliklinika e madhe e Tiranës ka specialistë të aftë dhe të përkushtuar. Po kështu, në rastet e rënduara spitali “Nënë Tereza” ka ndërhyrë me shpejtësi, me ambulanca dhe personel, sapo janë lajmëruar.
Keni marrë ndonjë pagesë shtesë gjatë kësaj periudhe?
Pagesë shtesë në pensione nuk ka pasur. Vetëm ata që janë në kufijtë e varfërisë dhe kanë persona në ngarkim kanë marrë kujdes nga njësitë bashkiake, por që është një numër fare i vogël.
Sa e vështirë është për një pensionist të blejë përveç ushqimeve dhe ilaçeve, edhe maska e dezinfektantë?
Të jemi realistë, pensionistët janë në ditë të hallit! Ata janë taksapaguesit më të rregullt. Shumica dërrmuese marrin pension 15.000 lekë e poshtë. Ujë e drita u shkojnë 3.000-3.300 lekë në muaj. Shumica vuajnë nga 1 apo 2 sëmundje kronike, që vetëm për ilaçe harxhojnë së paku 3.000 lekë në muaj. Pra mesatarisht çdo pensionist paguan 6.000 lekë detyrime e ilaçe në situatë të zakonshme. Shto këtu harxhimet për maska, dezinfektues e ilaçe për COVID-19, pra e rëndojnë jashtëzakonisht ekonominë e tyre, e bëjnë shumë të vështirë jetesën. Janë 26% e tyre që nuk marrin dot ilaçet efektive që u rekomandojnë mjekët për arsye ekonomike.
Si kanë vepruar ata pensionistë që jetojnë vetëm? Si ia kanë bërë për të dalë, për të blerë ushqime e ilaçe?
Te ne janë 85 mijë pensionistë që janë vetëm. Një pjesë e fëmijëve të tyre as që marrin mundimin të komunikojnë e jo më t’i ndihmojnë. 8% janë në gjendje shtrati. Kishim një rast tani shpejt në Tiranë që ndonëse nëna ndenji 30 ditë pa gojë, e paralizuar, nuk erdhi asnjëri nga tre fëmijët, vetëm në varrim erdhën dy. Ne si shoqatë, së bashku me “Rrjetin Mosha”, nën kryesimin e Dr. Alban Yllit e Genta Qirjakut, jemi munduar t’u vijmë në ndihmë me grupe të rinjsh dhe kujdestarë informalë. Prandaj i kemi kërkuar qeverisë që kujdestarët informalë (ata të afërm që kujdesen për ta) të trajtohen me një shpërblim prej 10.000 lekësh në muaj. Gjithashtu kemi punuar me studentë të fakultetit të mjekësisë dhe infermierisë si dhe me të rinjtë e shkollave të mesme për të ngritur grupe vullnetarësh për t’iu shërbyer atyre. Nga shteti është miratuar edhe asistenca shtëpiake – që është për t’u përshëndetur megjithëse në fillimet e saj – si masë e kujdesit shëndetësor e social. Realisht mbetet një problem social i mprehtë, që kërkon zgjidhje, sepse ndihma mbetet ndihmë sekondare, kurse ato janë të nevojshme për 24 orë rresht.
A ndihen të rrezikuar pensionistët? Dhe si ka ndikuar pandemia në gjendjen tuaj emocionale, duke ditur qe raportohen përditë vdekje të moshës së tretë?
Është e padiskutueshme që pandemia ka ndikuar negativisht në gjendjen emocionale dhe psikologjike të tyre. Vetë organizmi i tyre, por edhe propaganda, i ka shtuar streset. Gjyshërit janë bërë si gogola, sikur ata janë e keqja e jo pandemia. Ngarkesën e tyre emocionale e tregon edhe fakti që shumë prej tyre vetëvriten, vetëvaren e i japin fund jetës në mënyrë tragjike. Nga studimet del se 1 në 4 vuan nga sëmundjet nervore, demenca etj. Trajtimet për COVID-in kushtojnë shtrenjtë.
A keni pasur raste të pensionistëve që janë infektuar por s’kanë pasur para të blejnë medikamentet?
Nuk kemi ndonjë informacion të saktë për këtë. Disa individë që kemi pasur në Tiranë, Vorë e Kamëz i kanë përballuar me ndihmën e fëmijëve se, sa për pensionin që marrin, as që bëhet fjalë t’i marrin ilaçet e COVID-19.
Cilat janë kërkesat e pensionistëve drejtuar qeverisë shqiptare?
Kemi kërkuar rritjen e numrit të ilaçeve të rimbursuara, dhe sidomos fishat për diabetikët; një rimbursim në masën e 300 mijë lekëve për ata që do të kurohen në klinikat private; rritjen e kujdesit shëndetësor në përgjithësi, sidomos të asistencës shtëpiake. Gjithashtu kërkojmë ndihma nga pushteti vendor për familjet më në nevojë. Ne i kemi kërkuar qeverisë që të mos ketë pensione shteti nën 20 mijë lekë dhe të rriten me 10% pensionet minimale të qytetit dhe fshatit. Gjithashtu i kemi kërkuar shpërblim në fund të vitit sa një pension social, që të mos rrijë qeveria për çdo fundvit duke marrë vendime “jo 30 apo 50 mijë lekë”.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.