OPINION

Arena e cirkut me vaksinën

10:27 - 13.01.21 Andi Bushati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në të gjitha vendet e botës ku ka filluar procesi i vaksinimit anti-COVID, pranohet njëzëri se problem më i madh sesa rreziku i efekteve anësore, është beteja me vaksionofobinë. Falë konspiracionistëve që po mbijnë kudo si kërpudhat pas shiut, falë idhtarëve të teorive komplotiste që thurin fabula për çipat përgjues, efektet e 5G, apo sterilizimin e popullsisë, një pjesë e mirë e njerëzimit është skeptike ndaj vaksinave të reja dhe ka frikë prej tyre.




Ky fenomen po vihet re në masë edhe në vende të zhvilluara perëndimore. Mes të cilave shkëlqen p.sh. Franca, ku më shumë se gjysma e popullsisë i sheh me dyshim këto armë të reja ndaj pandemisë.

Në këtë panoramë botërore, as Shqipëria nuk bën përjashtim. Në një sondazh në fund të vitit që shkoi nga “Idra Poll”, theksohej se 54% e shqiptarëve janë dyshues ndaj vaksinës dhe se vetëm 19 për qind e tyre janë të gatshëm ta marrin.

Për t’u përballur me këtë digë të pakapërcyeshme, që ka të bëjë sa me frikërat, paranojat, mungesën e informimit dhe mosbesimin tek institucionet, vendet e përparuara që filluan të parët fushatën e vaksinimit përdorën absolutisht, vetëm një armë: transparencën totale.

Është interesante të shikohet se si u veprua me vaksinën që u hodh e para në treg, atë të Pfizerit. Kamerat e televizioneve u ftuan në fabrikat ku ajo prodhohej, u përcaktua me saktësi vendndodhja e tyre, u mat deri në detaje udha nëpër të cilën ato do të transportoheshin, u treguan GPS-të që do të matnin temperaturat -70 gradë brenda kamionëve transportues, u prezantuan makinat e policisë apo të ushtrisë që do i shoqëronin, frigoriferët e veçantë ku do të ruheshin derisa të mbërrinin në duart e një infermieri që do ta bënte dozën gati për injektim.

I gjithë ky operacion i pashembullt transparence, me mundim dhe kosto tejet të lartë, kishte si qëllim të vetëm zhveshjen nga çdo lloj velloje misteri dhe dyshimi që mund të shërbente si lëndë e parë për vaksinoskeptikët. E, me gjithë këto përpjekje, beteja ende është larg të qenit e fituar.

Po çfarë ndodhi në Shqipëri? Këtu u zgjodh 100% rruga e kundërt. Në ditën e parë të fillimit të fushatës së vaksinimit, që edhe ajo u ndryshua sipas interesave propagandistike, kryeministri doli dhe tha se origjina e vendit nga vinte vaksina ishte sekret. Se rruga e transportimit, që kërkon kushte speciale, në koli izotermike të mbushura me akull karbonik, duhej mbajtur e fshehtë. Se vendruajtjen që kërkon frigoriferë në –70 gradë do ta merrnim vesh më vonë.

Për t’i bërë edhe më të forta dyshimet shërbejnë edhe dilemat e mbetura pa sqaruar: mirë vendin e origjinës nuk e tregokemi dot, se kështu na paskësh kërkuar dhuruesi, po mënyra e transportit dhe kushtet e ruajtjes në Shqipëri, pse u dashkan mbajtur sekret?

Natyrisht që këto pyetje nuk i fashit dot Edi Rama, as me deklaratat delirante se Shqiptarët po vaksinohen vetëm prej aftësisë së tij si lypës profesionist, as batutat për transportin e Pfizerit me kuaj dhe me mushka.

Duke ngritur në çdo hap kultin e fshehtësisë dhe sekretit, Rama e shkallmoi që në nisje fushatën e vaksinimit. Nëse qëllimi i tij është vërtet një imunizim masiv i popullsisë, ai bëri çdo gjë që kishte në dorë që kjo të mos ndodhë. Ai flaku tej të vetmen armë që një lider ka në dorë në këtë betejë: transparencën e plotë.

Ende është shpejt të thuhet nëse këto veprime i bëri për interesa politike të momentit, apo prej pesimizmit të atij që nuk do i duhet të bindë atë popullatë që e ka të pamundur ta vaksinojë dot.

Por, një gjë është e sigurt: nëse ka një rrugë të gabuar për të nisur një fushatë reale, ajo është veshja e saj me mister. Prandaj cirku që pamë në “Arenën Kombëtare”, nuk është zgjidhja që pritej për të luftuar pandeminë./ “Lapsi.al”

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.