OPINION

Rama do fërkojë duart, për sa kohë që opozitarët mbeten pragmatistë

09:14 - 16.01.21 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Do kishin një zë shumë më të besueshëm për publikun shqiptar nëse do të tregonin se konform programit dhe fizionomive, partitë e vogla opozitare, do ndiqnin këtë apo atë strategji. Në fakt, nuk po ndodh ashtu, ndërsa të gjithë satelitët e PD-së presin dhe testojnë çdo hap të Bashës, që do sjellë ofertat për ta (lexo kryetarët) në ditët në vazhdim. Duka, në treshen e Durrësit; Shehi në dhjetëshen e Tiranës; Dule në Vlorë e me radhë, janë lajme më të rëndësishme sesa ajo që ofrojnë vetë partitë e tyre. Ndërkohë për kryetarin e nderit të PD-së, Berisha, megjithë peshën e madhe ka bjerrje dhe kjo duket qartazi, tashmë kur ka pak më shumë zëra, që flasin për të. Megjithatë, janë pak e shumë pak, ata që flasin qartësisht për fytyrën e ardhshme të frontit opozitar. Qoftë dhe për Berishën.




Tek e fundit, pragmatizmi (lexo: interesi) është ideologjia e vetme e opozitës. Rama, justifikimi i dukshëm i rokadës së pushtetit. Ndaj, të gjitha fushatat politike në Shqipëri nuk u bënë për idetë dhe risitë që do i sjellin së ardhmes apo modelet ekonomike, por thjesht për heqjen e Nanos, Berishës, Ramës tani dhe pas tij, kryeministrit të radhës. Por, a po vdesin elektoratet e partive të vogla?! Përveç kryetarëve të tyre, të cilët janë shfrytëzuar si emra për të zëvendësuar emrat e PD-së, të papërballueshëm për ta dhe vetë Bashën, si Topalli, Patosi, Bregu, Xhepa etj., ata kanë mbushur vargun e gjatë të opozitës me partiza, që në fakt thjesht e kanë gërvishtur Ramën.

Duke marrë parasysh skakierën shqiptare, shikohet qartë se elektoratet janë të polarizuara, ndërsa një pol i tretë e përbën LSI-ja, parti mirëfilli pragmatizmi, por që gjithsesi guxon. Kauzat e shumë partive drejtohen dhe bashkohen vetëm në një drejtim, dhe kjo lidhet me heqjen e kryeministrit aktual Edi Rama. Në artikulimet e z.Basha ka pasur disa problematika dhe tryeza, dhe për këtë duhet lavdëruar, përveç një fakti, që shpesh nuk janë mbështetur me asistencën e duhur. Dhe, në këtë drejtim, partitë e vogla, përpos përpjekjes së madhe për t’iu qepur PD-së, kishin kohë ta ndihnin. Veçse, ato, i kanë humbur identitetet e tyre ideologjike prej kohësh, duke mos ndihur fillimisht elektoratet e tyre dhe e dyta duke mos i dhënë një dorë ndihme të madhe PD-së, që të vetmin argument bindës, për të vetët, ka zëvendësimin e Ramës. Ky i fundit, me dehjen e pushtetit, por edhe me përfitimin nga gabimet dhe konfuzionin e këtij fronti, është duke fjetur mbi dafina, pasi deri më tani apatia dhe sidomos mungesa e duhur e njerëzve të ndryshimit e bëjnë të besojë se i është afruar mandatit të tretë.

Në të gjithë këtë qerthull, që në fakt, nuk është shumë i koklavitur, humbësi më i madh është zgjedhësi i thjeshtë shqiptar, ai që beson alternativat, por edhe që po ia fryjnë kokën me argumente programore, ndërkohë që elektorati i tyre i vërtetë flet me mospraninë dhe numrat poshtë kryetarëve që as nuk ekzistojnë. Veçse, me zgjuarsinë e tij, ky publik do të dijë të zgjedhë, dhe urojmë që ta shkundë këtë konfigurim politik, i cili ia ka zënë kaq keq frymën vendit. Me afrimin e zgjedhjeve, një gjë po kuptohet qartë se: opozitarët e sotëm janë thjesht pragmatistë. Dhe, ky është lajmi i keq, ndaj Rama ende po fërkon duart i qetë. (Javanews)

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.