OPINION

Presidenti Biden si lëvrues i Mendimit Politik Amerikan

09:41 - 23.01.21 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në vende si SHBA, mendimi intelektual i nivelit të lartë zhvillohet në rang akademik, në universitete, në mediat e mëdha, në shtëpitë botuese të rëndësishme, me studime, artikuj, libra, debate televizive etj. Këto të gjitha përbëjnë atë që mund të quhet si Mendimi Amerikan dhe që ka krijuar Doktrinën e Eksepsionalizmit Amerikan, të SHBA si “qyteti mbi kodër” dhe si fener për botën. Por Mendimi Amerikan nuk kufizohet në rrethet akademike dhe te studiuesit, as vetëm në debatet e profesorëve në media. Ky mendim, në një masë apo në një tjetër induktohet te politikanët, të cilët janë ndjekës të vëmendshëm të zhvillimit të Mendimit Amerikan, qoftë si lexues, qoftë si teleshikues. Pastaj ata e reflektojnë në mendimin e tyre politik mendimin intelektual, atë shkencor të zhanrit filozofik, sociologjik, antropologjik, politologjik etj. Madje politikanë të caktuar bëhen edhe vetë lëvrues, zhvillues të Mendimit Amerikan.




Një shembull të tillë e patëm me fjalimin inaugurues të Presidentit Biden. Ky fjalim mund të quhet një manifest i Mendimit Amerikan, i themeleve të tij dhe i shtigjeve të ardhshme të tij. Me këtë nuk dua të them se Presidenti Biden u soll si udhëheqësit e vendeve komuniste që jepnin direktiva në të cilat përcaktohej mendimi zyrtar i vendeve të tyre, që ishte i detyrueshëm për shoqërinë. Presidenti Biden në fjalimin e tij inaugurues nuk përcaktoi linjën zyrtare të Mendimit Amerikan. Ajo që bëri Presidenti Biden është se reflektoi në mendimin e tij politik tërësinë e Mendimit të përparuar Amerikan bashkëkohor, si dhe traditën e tij.

E ndoqa fjalimin inaugural të Presidentit Biden me vëmendjen e kulturologut, të studiuesit të Mendimit Shqiptar që ka interes për të vënë re se si induktohet Mendimi Intelektual Akademik Amerikan në Mendimin Politik Amerikan të përfaqësuar në këtë rast nga Presidenti Biden. Duke u ngritur mbi politikanin në lartësinë e filozofit, z. Biden e quajti fitoren e tij jo si fitoren e një kandidati, por si fitoren e një kauze, asaj të demokracisë.

I gjithë fjalimi i Presidentit Biden përshkohej nga fryma e të qenit i vetëdijshëm se Mendimi Politik i liderit të SHBA-ve duhet të reflektojë Mendimin Intelektual Amerikan. Kjo u duk qartë kur Presidenti Biden tha:

“Unë e di se forcat që na ndajnë ne janë të thella dhe janë reale. Po unë gjithashtu e di që ato nuk janë gjëra të reja. Historia jonë ka qenë një luftë konstante midis idealit amerikan se ne jemi krijuar të barabartë, dhe realitetit të ashpër dhe të shëmtuar se racizmi, nativizmi, frika, demonizimi na përçajnë ne”.

Në këto fjalë është përmbledhur filozofia e gjithë sfidës që ndesh sot shoqëria amerikane, sfidë e cila kërkon një zgjidhje. Presidenti Biden e ka zgjidhjen e tij, sa të thjeshtë aq edhe të vështirë, të cilën ai e shpalosi kur tha: “Historia, feja dhe arsyeja na tregojnë rrugën, që është rruga e unitetit”. Në këtë fjali gjenden tri shtyllat e Mendimit Amerikan, që janë historia, feja dhe arsyeja. Historia që mëson me traditën, feja që e furnizon shoqërinë amerikane me moralin dhe arsyeja që përbën lidhjen e liberalëve amerikanë, të cilëve iu përket Presidenti Biden, me Iluminizmin. Të tre këta elementë, që përbëjnë bazën e kulturës amerikane, funksionojnë bashkërisht duke krijuar Mendimin Politik amerikan, në variantin liberal të tij, që ka si një nga bartësit e tij më të njohur pikërisht z. Biden me thirrjen dhe përpjekjen e tij për të rindërtuar unitetin e shoqërisë amerikane atje ku ka marrë të krisur. Dhe në këtë sfidë Presidenti Biden nuk është aspak një “Don Kishot” që fantazon kot së koti. Presidenti Biden e di mirë se nuk janë të paktë ata që duke e dëgjuar të flasë kështu do ta quajnë një “Don Kishot” amerikan që i ka hyrë një aventure të pamundur. Ai tha në fjalimin e tij:

“Unë e di se duke folur për unitet, kjo mund t’u tingëllojë disave si fantazi e marrë, këto ditë”.

Ka jo pak njerëz në Amerikë dhe në botë që duan që Presidenti Biden të dështojë në këtë sfidë të tij, por ky do të ishte një dështim jo vetëm për Amerikën, por edhe për botën, duke pasur parasysh rolin që ka Amerika në botë.

Presidenti Biden e di se kur një lider flet për unitet, ai mund të keqkuptohet, pasi këtë fjalë e kanë keqpërdorur dhe vazhdojnë ta keqpërdorin shumë diktatorët e të gjitha ngjyrave, por që me “unitet” kanë pasur parasysh nënshtrimin e shoqërisë ndaj tyre. Prandaj Presidenti Biden, kur foli për unitet e bëri të qartë se nuk kishte parasysh atë unitet mbytës për të cilin flisnin dhe flasin shumë diktatorët.

Biden tha: “E drejta për të mos qenë dakord, paqësisht. Brenda ledheve mbrojtëse të republikës sonë kjo është ndoshta forca më e madhe e kombit tonë. Më dëgjoni qartë mua: Mosdakordësia nuk duhet të na shpjerë në përçarje”.

Pra unitet në diversitet. E pluribus unum (Nga të shumtët një), siç është edhe motoja e SHBA.

Si botues në shqip i shën Agustinit që jam, më bëri përshtypje që Presidenti Biden në fjalimin e tij iu referua këtij shenjtori-filozof duke thënë:

“Shumë shekuj më parë Shën Agustini, një shenjtor i kishës sime, shkroi që një popull ishte një shumësi e përcaktuar nga objektet e përbashkëta të dashurisë së tyre (Presidenti Biden e përsëriti pjesën e fundit të kësaj fjalie, duke e theksuar atë: e përcaktuar nga objektet e përbashkëta të dashurisë së tyre). Çfarë janë objektet e përbashkëta që ne si amerikanë i duam, që na definojnë ne si amerikanë? Unë mendoj se ne e dimë. Mundësitë, siguria, liria, dinjiteti, respekti, nderi, dhe po, e vërteta”.

Siç shihet, Presidenti Biden theksoi nga elementët që përmendi, pikërisht të fundit, të vërtetën. Dhe Presidenti Biden në fjalimin e tij e përmendi pesë herë “të vërtetën” si vlerë që duhet mbrojtur. Z. Biden u bë i pari President amerikan dhe me siguri i pari lider në botë që i bëri thirrje popullit të tij që të mbrojë të vërtetën dhe të luftojë gënjeshtrat. Ai tha:

“Në javët dhe muajt e fundit ne kemi marrë një mësim të dhimbshëm. Që ekziston e vërteta, por ekzistojnë edhe gënjeshtrat, gënjeshtrat e thëna për pushtet dhe për përfitim. Dhe secili nga ne ka një detyrë dhe një përgjegjësi si qytetarë, si amerikanë dhe veçanërisht si liderë, liderë që janë zotuar të nderojnë Kushtetutën tonë dhe të mbrojnë kombin tonë, të mbrojnë të vërtetën dhe të mposhtin gënjeshtrat”.

Me këtë Presidenti Biden, jo vetëm e bëri të qartë se, me ardhjen e administratës së tij, ka marrë fund ajo periudhë e paraardhësit të tij kur qeveria e gënjente publikun amerikan duke thënë njëkohësisht se ishte bërë viktimë e lajmeve të rreme, por se ai kërkonte bashkëpunimin e të gjithë amerikanëve për të mposhtur gënjeshtrat e dëmshme për Amerikën. Dhe, në kontekstin e theksimit të mbrojtjes së të vërtetës, ai tha diçka që më bëri përshtypje si kulturolog. Presidenti Biden shpalli si rrezik për vendin atë që e quajti kultura e fakteve të rreme. Dhe për këtë në fjalimin e tij kishte edhe një fjali që më tërhoqi vëmendjen. Ai tha: “Ne duhet të kundërshtojmë kulturën në të cilën faktet manipulohen, madje sajohen”.

Mënyra më e mirë sesi një qeveri mund ta bëjë këtë është duke nxitur kulturën e komunikimit transparent të shtetit me publikun. Dhe fjalimi i Presidentit Biden përmbante një frymë që rrezatonte pikërisht një kulturë të tillë komunikimi me publikun.

Unë e di se do të ketë nga politikanët tanë që do të kopjojnë ide nga fjalimi i Presidentit Biden dhe do t’i shartojnë për t’i përdorur në politikën shqiptare. Por unë, si qytetar i këtij vendi, do të doja që liderët tanë të frymëzohen nga ky fjalim, jo thjesht ta kopjojnë për retorikë politike. Por ndoshta në këtë pikë duhet t’i them vetes ato fjalë që tha Presidenti Biden për atë sesi e shikojnë kritikët e tij:

“Unë e di se… kjo mund t’u tingëllojë disave si fantazi e marrë, këto ditë”.

Biden këto fjalë i tha në kontekstin e premtimit se nuk do t’i zhgënjente ata që i besuan qeverisjen e vendit të tij. Fatkeqësisht, të thëna për mua fjalët e mësipërme, në lidhje me ëndrrën politike që shpreha më lart, mund të quhen me të drejtë “fantazi e marrë”. Së paku tani për tani. Kur do të kemi edhe ne një lider që të jetë njohës dhe lëvrues i Mendimit Shqiptar, si dhe përçues i tij në politikë?

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.