AKTUALITET

Dr. Alban Haxhi: Alkoli dhe kokaina në shtatzëni, pasojat e frikshme te fëmija

10:10 - 01.03.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga dr. Alban Haxhi, Toksikolog dhe Adiktolog, specializant në Obstetrikë dhe Gjinekologji




Kohët e fundit shoqëria jonë është përfshirë gjithmonë e më shumë në “kënaqësinë” e përdorimit të drogërave dhe alkolit duke bërë që dhe efektet e padëshiruara të tyre të shtohen dhe të evidentohen në jetën e përditshme shëndetësore dhe sociale në Shqipëri. Duke marrë shkak nga numri i rritur i pacientëve që përdorin lloje dhe sasi të ndryshme të drogave më bëri të shkruaj këtë artikull për një kategori të veçantë dhe të paprekur nga proceset edukative dhe shëndetësore në shoqërinë shqiptare, që janë femrat dhe përdorimi i kokainës, alkolit para dhe gjatë shtatzënisë ku do theksoja në mënyrë të domosdoshme ndërhyrjen e institucioneve përkatëse në parandalimin e përdorimit dhe pasojat që vijnë në këtë kategori të cilat do të trashëgohen në mënyrë të pafajshme dhe te pafalshme nga fëmijët e lindur nga këto nëna. Një fenomen që ka filluar të rritet në shoqërinë tonë është përdorimi i kokainës nga nënat gjatë shtatzënisë. Çfarë ndodh me fëmijën dhe me nënën në këto kushte?
Në konspektin e përgjithshëm!
Kokaina është një drogë ilegale, shumë atraktive në formë pluhuri me ngjyrë të bardhë, por mund të gjendet dhe në forma të ngurta, të cilat duke u djegur mund të aspirohen në formë tymi. Përdorimi i saj është shumë i rrezikshëm pasi mund të shkaktojë vdekjen nëse merret në sasi të madhe apo e shoqëruar me drogëra të tjera. Përdorimi i kokainës në shtatzëni do të ishte dyfish më e rëndë pasi jep probleme shumë serioze si për nënën dhe për fëmijën. Efektet e kokainës prekin sistemin nervor dhe atë kardio-vaskular. Në sistemin nervor dëmton cilësinë e shikimit, të dëgjimit dhe të prekurit. Mund të japë dhimbje stomaku, ndjesi të vjellash, dridhje trupi, dhimbje koke, vështirësi në gëlltitje. Mund të ndryshojë mënyrën e të menduarit dhe të shfaqë gjendje ankthi, depresioni, paranoja, frike, uri etj. Në sistemin kardio-vaskular dhe respirator mund të japë: Atak Kardiak; Hipertension Arterial; Fenomene të trombozave apo hemorragjive të trurit; konvulsione; depresion të frymëmarrjes; humbje të vetëdijes; rënie te theksuar në peshë; humbje të nuhatjes; infeksione të rënda kur merret në mënyrë injektabël. Duke njohur atraksionin e fortë që shkakton kokaina ndodh që shpesh femrat dhe kur ngelen shtatzënë nuk mund të shkëputen prej saj dhe vazhdojnë ta përdorin. Kokaina është drogë e cila kalon placentën dhe shkon e futet në trupin e bebit dhe jep pasoja të rënda për të dhe nënën e tij. Në këto kushte fëmija kthehet indirekt në një “përdorues”, jo për faj të tij, që do ti japë atij një sërë pasojash që mund të jenë dhe të rrezikshme për jetën. Në shtatzëni mund të ndodhë të kenë: Shkëputje të placentës, e cila do të sillte kequshqyerje dhe mosoksigjenim për bebin po ashtu dhe hemorragji masive për nënën që shpesh do i kushtonte jetën të dyve. Gjithashtu, do të sillte: lindje të parakohshme; aborte spontane; Sindromën e Abstinencës së Neonatit (NSA), i cili nënkupton një grup simptomash që fëmija i porsalindur, tashmë i varur nga droga që ka përdorur nëna gjatë shtatzënisë, do të ndjejë mungesën e drogës (pas shkëputjes nga trupi i nënës) duke na shfaqur shenja klinike si: dridhje; probleme me gjumin; të qara shpërthyese dhe të gjata, të cilat mund të zgjasin deri në disa javë pas lindjes. Fëmija mund të shfaqë dhe simptoma të vonshme të cilat konsistojnë në: probleme të përqendrimit; Vështirësi në të mësuar; Probleme me shikimin dhe dëgjimin.
Përdorimi i alkolit në shtatzëni
Përdorimi i alkolit gjatë shtatzënisë është i dëmshëm pavarësisht llojit dhe sasisë që konsumohet. Alkoli kalon placentën dhe nëpërmjet kordonit umbilikal futet në trupin e bebit duke dhënë një sërë problemesh brenda dhe jashtë trupit të nënës. Ajo që vihet re te fëmijët e nënave alkoliste është Sindromi i Çrregullimeve Alkolike Fetale, (FASDs), i cili ka këto karakteristika: Pamje jo normale të fytyrës; koka e vogël; peshë e vogël; koordinim i dobët i lëvizjeve fizike; gjendje hiperaktive; vështirësi me përqendrimin; memorje e dobët; vështirësi në të mësuar; probleme me të folurin; inteligjencë e ulët; aftësi gjykimi dhe arsyetimi të dobëta; probleme me gjumin; probleme me dëgjimin dhe të të parit; probleme me zemrën, veshkat, kockat.
Rekomandimet
E parë në të gjithë këtë kontekst do të rekomandoja: Parandalimin e përdorimit të kokainës dhe alkolit nëpërmjet proceseve të edukimit që ofrohen në institucione arsimore të detyrueshme dhe pranë qendrave shëndetësore familjare; trajnime të mjekëve të familjes, obstetërve dhe neonatëve për të bërë një anamnezë të thellë në këtë aspekt dhe njohjen e simptomatologjisë së pacientëve dhe fëmijëve me varësi nga drogat dhe alkoli; ngritja e qendrave të edukimit dhe detoksifikimit të nënave dhe kujdesit për fëmijët me probleme të lindura të kësaj sfere.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.