Opinion-Komente

Marrëveshja e re e ekstradimit SHBA- Shqipëri, pse jemi në një pikë historike

08:23 - 25.03.21 Etilda Gjonaj

Kjo është një marrëveshje që shënon një pikë historike, pasi është një marrëveshje ekstradimi që është nënshkruar midis MD, palës shqiptare dhe asaj të SHBA në datën 22 dhjetor 2020. Dhe pasi ka kaluar edhe miratimin edhe nga Këshilli i Ministrave, sot ne flasim dhe diskutojmë në këtë Komision një marrëveshje e cila është nënshkruar pas 87 vjetësh. Dhe ky traktat zëvendëson traktatin dypalësh të ekstradimit të nënshkruar në vitin 1933, i cili ka hyrë në fuqi më 1935, pas ratifikimit dhe nënshkrimit të protokollit të shkëmbimit nga Faik Konica, i cili ka qenë ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA dhe Cordell Holl, që ka qenë Sekretar i Shtetit të SHBA-ve, duke dëshiruar për ta modernizuar dhe përshtatur këtë marrëveshje me realitetin e kohës që jetojmë.
Pa dyshim kjo marrëveshje është një rezultat i një pune të gjatë midis përfaqësuesve teknikë të grupeve negociatore dypalëshe, dhe një bashkëpunim tejet i ngushtë midis dy qeverive tona. Është një sukses i jashtëzakonshëm, pasi pas shumë vitesh që kishte mbetur si marrëveshje e cila, përtej faktit që kishin filluar diskutimet shumë herët, nuk kishte arritur të përfundohej nga pala shqiptare. Dhe besoj është një sukses, jo vetëm që ne arritëm ta përfundojmë, por edhe nënshkrimi i saj në vetvete dhe zëvendësimi i traktatit të vjetër përbën një sukses edhe për marrëdhëniet juridiksionale gjyqësore midis dy shteteve, shtetit shqiptar dhe SHBA-ve.
Ndërkohë me marrëveshjen e re realizojmë zgjerimin dhe përditësimin e kategorive të veprave penale për të cilat mund të kërkohet ekstradimi nga palët, mbi bazën e parimit të kriminalitetit të dyfishtë, duke përfshirë tanimë edhe ato vepra penale të cilat në traktatin e 1933 nuk gjendeshin, siç janë ato me karakter tatimor, financiar, korrupsioni, veprat mjedisore, veprat në fushën informatike dhe çdo vepër tjetër që dënohet me heqje të lirisë për një periudhë maksimale prej më shumë se 1 viti apo për një dënim më të rëndë, me përjashtim të atyre veprave penale që kanë karakter politik.
Për sa i përket nevojës që pa dyshim e diktuar edhe nga koha e gjatë ku legjislacioni i të dy palëve ka ndryshuar në mënyrë të vazhdueshme, por njëkohësisht duke mbajtur në konsideratë edhe marrëveshjet ndërkombëtare që janë ratifikuar nga Shqipëria, lindi si domosdoshmëri edhe rinënshkrimi i kësaj marrëveshjeje.
Një ndër arsyet të cilat na sollën në këtë marrëveshje të re ka qenë pikërisht nevoja e përqasjes me konventën e Këshillit të Europës për ekstradimet e ratifikuara nga shteti shqiptar, dhe njëkohësisht dhe dy protokollet e tjera të ratifikuara për protokollet shtesë të Konventës Europiane për Ekstradim.
E dyta lidhet me parashtrimin e zgjidhjeve efektive për disa raste që kanë të bëjnë me ato vepra penale që nuk gjejnë parashikim në traktatin mbi ekstradimin të Shqipërisë dhe SHBA-ve, pra të vitit 1933, e cila parashikonte një sërë veprash penale që janë objekt ekstradimi, por që nuk përfshijnë tërësinë e veprave penale që sot parashikojnë legjislacionet e të dy shteteve. Njëkohësisht edhe nevojën e kategorizimit të veprave penale të aplikueshme mbi bazën e masës së dënimit dhe një numri të konsiderueshëm figurash të veprave të reja penale.
Në këtë drejtim traktati i ekstradimit paraqet një risi dhe përmirëson dukshëm, procesin e ekstradimit ndërmjet palëve, duke marrë në konsideratë që legjislacioni penal ka pësuar ndryshime ndër vite dhe Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë përmban një sërë veprash penale, të cilat nuk gjenin pasqyrim në përmbajtjen e traktatit ekzistues të 1933, por që mund të jenë objekt ekstradimi.
Gjithashtu disa nga veprat penale të përcaktuara nga kjo marrëveshje mund të mos përcaktohen si të tilla të vitit 1933 nga legjislacioni penal në fuqi, duke mos pasur për rrjedhojë shkaqe dënueshmërie të veprimeve apo mosveprimeve të kryera nga subjekti i ekstradimit dhe që mund të hasen në ndryshime thelbësore për sa i përket njëkohësisht edhe terminologjisë juridike të përdorur, e cila tashmë pas 87 vitesh ka një ndryshim tërësor.
Traktati i ekstradimit të 1933 përcakton mospranimin e ekstradimit për veprat penale që kanë karakter politik, dhe për vepra penale që kanë lidhje me këto. Ndërkohë traktati që sot po diskutohet në këtë komision dhe i miratuar nga Këshilli i Ministrave, parashikon refuzimin e ekstradimit jo vetëm për vepra penale me karakter politik, por edhe vepra penale me karakter ushtarak të cilat nuk janë vepra penale sipas së drejtës penale të zakonshme.
Njëkohësisht janë zgjeruar dhe përcaktuar qartë veprat penale në këtë marrëveshje që po diskutohet sot në këtë Komision, të cilat nuk do të konsiderohen si vepra penale politike, si dhe parashikohet mosdhënia e ekstradimit nëse autoriteti ekzekutiv i shtetit të kërkuar çmon se kërkesa për ekstradim është e motivuar politikisht pavarësisht përjashtimeve të përmendura në dallim dhe në përmirësim me çfarë përmbante traktati i 1933.
Marrëveshja për të cilën po diskutohet shënon një hap përpara në luftën kundër krimit sa u përket vendeve tona, pasi ofron tashmë instrumente të reja për të luftuar me efikasitet format e reja të kriminalitetit dhe për të mos lënë asnjë shteg në ndjekjen penale dhe sigurimin para drejtësisë të autorëve përgjegjës për kryerjen e veprave penale në të dy vendet tona.
Marrëveshja është një sinjal i qartë dhe i vendosur ndaj të gjithë shkelësve të ligjit se askush nuk do të gjejë asnjë strehë për t’iu shmangur zbatimit të ligjit penal, si në SHBA ashtu edhe në Shqipëri.
Akti që po diskutojmë sot është njëkohësisht një shenjë e qartë e vullnetit të palëkundur të Qeverisë Shqiptare në drejtim të zbatimit të ligjit, të forcimit të shtetit të së drejtës, por njëkohësisht është edhe një provë e mbështetjes së pakursyer të aleates sonë SHBA në realizimin e këtij objektivi të përbashkët.
Dhe mbështetja politike dhe teknike e SHBA është shprehur më së miri nga ana e konceptimit dhe hartimit të një sërë reformave të rëndësishme që ne kemi ndërmarrë. Dhe besoj që ky finalizim i kësaj marrëveshjeje pas 87 vitesh është gjithashtu një shenjë pozitive dhe një sinjal pozitiv i asaj që kemi nisur bashkërisht me SHBA në luftën kundër kriminalitetit.
Për sa i përket realizimit të kësaj marrëveshjeje, ashtu siç thashë është një rezultat i punës së përbashkët në grup të përfaqësuesve tanë dhe kontributi i të gjithë palës së SHBA.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje vjen fill pas miratimit të marrëveshjes së Eurojust të nënshkruar nga MD, përmes vendosjes për herë të parë të Prokurorit të parë ndërlidhës Shqiptar në Hagë, dhe ndërkohë duke i shtuar edhe këtë marrëveshje si një marrëveshje që garanton instrumentet e reja për të garantuar bashkëpunimin ndërgjyqësor midis dy shteteve, e sjell luftën kundër krimit dhe atij ndërkufitar në një nivel të ri.
Dhe mund të them që për këtë marrëveshje, pavarësisht se ka vite që diskutohet, është kryer një konsultim i gjerë me të gjithë partnerët, të gjitha institucionet shtetërore të cilat janë të detyrueshme për t’i marrë mendimin, dhe për këtë arsye unë sot jam vërtet e kënaqur në këtë moment kur diskutohet në këtë komision dhe më pas për miratim nga Kuvendi i Shqipërisë dhe më pas për të sjellë, ashtu siç thashë, një ndryshim të ri edhe për këtë marrëdhënie me SHBA, si aleati ynë në luftën kundër krimit të organizuar.



*Fjala e ministres së Drejtësisë në komisionin e Politikës së Jashtme

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.