OPINION

Konferenca për të Ardhmen e BE : Dilema mes Europtimistëve dhe Eurorealistëve

22:51 - 10.05.21 Geron Kamberi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me rastin e 9 Majit , Ditës së Europës,  vendet anëtare të BE   do të jenë dëshmitar i një ngjarje të rëndësishme sic është nisja e procesit për të zhvilluar Konferencën për të Ardhmen e Evropës ( CoFoE) .Konferenca shënon fillimin e një cikli aktivitetesh përmes  të  cilave  synohet që duke përdorur qasjen e  demokracisë deliberative( demokracia e diskutimit – një koncept i viteve 80 që u fut nga politologu amerikan Josep Besset dhe u përpunua nga filozofi gjerman Jurgen Habermas) të ndërtohet një platformë e gjerë diskutimi me qytetarët e vendeve anëtare ,  ku të debatohet e ardhmja afatmesme dhe afatgjatë e BE dhe reformat që duhet të ndërmerren për të përmirësuar politikat e institucionet e saj. Ideja e kësaj konference u përshfaq  në 4 Mars 2019  nga presidenti francez  Macron  gjatë fushatës elektorale në Francë për zgjedhjet e Parlamentit Europian të 23-26 Majit 2019. Në thelb rrethanat ku lindi kjo ide ishin të lidhura jo vetëm me realitetin e brendshëm  francez që gëlonte nga revoltat e “ jelekverdhëve” por edhe me faktin se ende nuk ishte kapërdirë largimin i  Britanisë nga BE . Nga ana tjetër si rrjedhojë e rritjes së një euroskepticizmi nga partitë populiste në Europë  të shkaktuar nga  kriza social ekonomike  apo problemet e menaxhimit të migracionit e multikulturalizmit,  po fillonin të dilnin në sipërfaqe terma të tillë  me prapashtesën  si Frexit, Grexit , Italexit që paralajmëronin re të mjegullta mbi projektin e BE . Në këtë rrugëtim drejt  një  Konference për të Ardhmen e Evropës ( CoFoE) u përcaktua  një hartë rruge nga do të ecte konferenca për të mbledhur opinionet e qytetarëve duke synuar që përballë krizave e shqetësimeve , BE të “rishpikte” vetveten në një formë të re . Kjo do të bënte të mundur që tek njerëzit të forcohej bindja se BE  është një projekt që nuk ia vlen të braktiset apo të vihet në dyshim. Propozimi i Presidentit Francez nuk ka kaloi pa vëmendje nga Parlamenti Europian  si institucioni që përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendeve anëtarë të BE.   Në këtë kuadër  më 16 Tetor 2019, Konferenca e Presidentëve të Parlamentit Evropian vendosi të ngrejë një Grup Pune për Konferencën për të Ardhmen e Evropës( CoFoE) që do të përbëhej nga një përfaqësues për çdo grup politik në Parlamentin Evropian dhe një përfaqësues nga Komiteti për Çështjet Kushtetuese (AFCO) .  Grupi pati për detyrë të përgatiste një propozim mbi qasjen e Parlamentit Europian  mbi  Konferencën për të Ardhmen e Evropës( CoFoE), duke përfshirë, ndër të tjera, fushën e veprimit, mënyrën e drejtimit, kohëzgjatjen, strukturën, palët e interesuara, objektivat , aktivitetet dhe rezultatin e pritshëm.  .Në  26 Nëntor 2019 në atë që u quajt si  Dokumenti Jozyrtar për të Ardhmen e Europës ( Non Paper) nga qeveria franceze dhe gjermane u  arrit të përcaktohej  një kalendar veprimesh që parashikonte fillimin e kësaj Konference më 09 Maj 2020  por që  më pas u shty për shkak të pandemisë Covid 19. Në përfundim të kësaj konference , që ishte parashikuar të përfundonte  në pranverën e vitit 2022 , ( cka përkonte me fundin e mandatit presidencial francez) dokumenti me sugjerimet e rekomandimet do ti paraqitej Parlamentit Europian që do tia kalonte më pas  Këshillit Europian (EUCO) , i cili njihet me emërtimin si   Samiti i  BE të kryetarëve të shteteve e qeverive të vendeve anëtare  . Në përputhje me peshën që zë Parlamenti Europian si përfaqësues i vullnetit të qytetarëve të BE, iniciativa  u përqëndrua tek  ky institucion. Si rrjedhojë Komiteti për Çështjet Kushtetuese (AFCO) i Parlamentit Europian  miratoi më 09 Dhjetor 2019  një opinion që përcaktonte kriteret për strukturën e konferencës dhe temat që anëtarët e Komisionit (AFCO) dëshironin të  trajtoheshin gjatë kësaj  konference.  Ndërkohë më  12-13 Dhjetor 2019 u bë diskutimi i parë për këtë konferencë gjatë zhvillimit të Samitit të BE apo   Këshillit Europian (EUCO ) . Krerët e Grupeve Parlamentare të Parlamemtit Europian  miratuan draftin e Grupit të Punës lidhur me  zhvillimin e Konferencën për të Ardhmen e Evropës( CoFoE )duke   votuar më pas më 15 Janar 2020 një Rezolutë  me 497 vota pro që përcakton vizionin e këtij institucioni për Konferencën ,   duke kërkuar gjithashtu që të  negociohet me Komisionin Europian( EU Commission)  dhe Këshillin Europian( EUCO) në mënyrë që Konferenca  të fillonte në 9 Maj, 2020. Ideja ngjalli jehonë në median ndërkombëtare dhe u bë shkas i një debati mes atyre që ua quajtën europtimistë dhe eurorealistë lidhur me rezultatet dhe ndikimin që do të sillte zhvillimi i kësaj konference në përmirësimin, apo ndryshimin e mënyrës sesi kishin funksionuar deri në atë kohë”trekëndshi institucional “ i BE   (Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli Europian) , Në mënyrë jo rastësore ideja dhe vetë procesi  u konsiderua si një “ ballonë prove’ për marrëdhëniet mes  Parlamentit Europian, Komisionit Europian dhe  Këshillit.Në fakt Bashkimi Europian e kishte filluar këtë proces që gjatë Presidencës Sllovake kur më 16 Shtator 2016 nisi një process reflektimi politik në prag të referendumit në Mbretërinë e Bashkuar për tu larguar nga BE. Qëllimi i këtij procesi ishte që të krijonte mes vendeve anëtare të BE një qasjeje të përbashkët dhe hartimin e një plani veprimi për vitet në vijim duke synuar një Europë të sigurteë e të lirë, të begatë e të qëndrueshme  ekonomikisht, sociale dhe të fortë në skenën globale. Përmes Deklaratës së Romës të 2017 që përkonte me 70 vjetorin e Traktatit të Romës që themeloi Komunitetin  Europian, ish- Kryekomisioneri europian Junker e përmblodhi këtë process reflektimi politik duke parashtruar variantet që qëndronin para BE . Në Deklaratën e  Gjendjes  Unionit( Speech on the State of Union)  më 1 Mars 2017 , ai e përmblodhi këtë reflektim duke shprehur  dilemat apo zgjidhjet që   qëndronin para BE se nga do të ecte pas Brexit  , të tilla si 1) Të vazhdojmë ( Carrying on-  EU27 përqëndrohet tek përhapja e agendës së reformës së saj positive) 2 ) Asgjë përvec Tregut të Përbashkët ( Nothing but the Single Market – EU27 të ri-përqëndrohet gradualisht tek Tregu i Përbashkët_ 3) Ata që duan të bëjnë më shumë , le të bëjnë më shumë ( Those Who Want More Do More:- EU27i lejon Shtetet Anëtare të ecin më shpejt së bashku në fusha të politikave të caktuara) 4 ) Të Bëjmë më Pak por më me Efektivitet (Doing Less More Efficiently:- EU27 përqëndrohet të ecë më shpejt e të bëjë më shumë në politika të caktuara ndërkohë të bëjë më pak në të gjitha fushat e tjera ) 5) Të Bëjmë më Shumë  të Gjithë  Bashkë (Doing Much More Together:- EU27 vendosin të bëjnë më shumë  të gjithë së bashku në të gjitha  fushat e politikave ). Këtë qasje  për reformim të BE  e  përforcoi më tej  Ish – Presidenti i Këshillit Europian   Donald Tusk  në Deklaratën  e  Romës të 25 Marsit  2017 kur deklaroi se …” BE nuk është vetëm sllogan, procedura, rregullore. Bashkimi ynë është një garanci se liria, dinjiteti, demokracia, dhe pavarësia nuk janë më ëndrra por realiteti i ynë i përditshëm…’  Përballë këtij procesi edhe Parlamenti Europian përmes Rezolutës së 16 Shkurtit 2017 nis gjatë periudhës Prill 2017- Tetor 2018 një proces diskutimi të quajtur  Seria e Debateve për të Ardhmen e Europës(Future of Europe  : EU Parliament Series of Debates)  .Ato u përmbyllën me Raportin e Komitetit mbi Cështjet Kushtetyese( AFCO)  të 5 Dhjetorit të 2018 mbi Situatën e Debatit mbi të Ardhmen e Europës ( EU Parliament  Report : On the State of the Debate  on the Future of Europe(2018/2094(INI).  Tashmë e kishin radhën qytetarët e BE në mënyrë që debati për të ardhmen e Europës të fitonte legjitimetin e të sillte ato zgjidhje që mund të conin drejt atij procesi “për ta rimenduar Europën’ në mënyrën e duhur . Ndjesia e politikanëve të BE se qytetarët duhet të përfshihen në cështjet e BE për të rritur legjitimitetin e saj e për të mbushur atë që është quajtur “deficit demokratik”.  u vërejt që në vitin 1978,  ku mënyra e zakonshme e përfshirjes së qytetarëve në BE në procesin e vlerësimit të politkave e instiucioneve të BE  u bë  ajo e sondazheve  të Eurobarometrit. Ndërkohë  që nga viti 2012 u  përfshi në Traktatin e Lisbonës (TFEU)  instrumenti zyrtar i Nismës Qytetare Evropiane (Europea Citizinen Initiative ECI) ku përmes saj pranoheshin peticione  nga  qytetarët e vendeve të BE ku paraqiteshin propozine të ndryshme. Kjo përvojë fillimsht u përfshi gjatë Komisionit Barroso ( 2004-2014) ku u zhvilluan pesëdhjetë e një Dialogë  të Qytetarëve( 51 Citizien’s Dialogue)  në vendet e BE që u pasua  nga një dialog përfundimtar pan-Evropian në Bruksel, me pjesëmarrës nga të gjitha qytetet që kishin organizuar një debat,  dhe ku u përfshi edhe Presidenti i  Komisionit Europian, Komisionerët dhe përfaqësues të Parlamentit Europian. Gjatë  Komisionit  Juncker (2014–2019) debatet  e qytetarëve u përfshinë në atë që u quajt  në  Dokumentin e Bardhë për të Ardhmen e Evropës, 1 Mars 2017( White Paper on the Future of Europe). Lidhur me  procesin e debatit  për  të Ardhmen e Evropës , në Maj 2018,  u hartua  një pyetësor me dymbëdhjetë pyetje nga një panel prej nëntëdhjetë e gjashtë qytetarësh  duke u dhënë  mundësinë qytetarëve të shprehin prirjet, shqetësimet dhe shpresat e tyre. Për këtë qëllim  u zhvilluan Konferencat e Dialogut dhe Konsultimet me Qytetarët ( Citizen’;s dialogues and citizen`s consultation Conferences)  ku u përfshi  Presidenti i  Komisionit Europian ,  dhe Komisionerë të ndryshëm . Si rrjedhojë e këtij procesi  më  -09 Maj  2019  lideërve të BE iu dorëzua për reflektim  gjatë Samitit të Sibiut ( Rumani) , Raporti  për  Dialogun dhe Konsultimet me Qytetarët( Citizens Consultations  and citizen’s dialogues : Key Conclusion , 30 April 2019.  Këto zhvillime i kanë paraprirë këtij procesi ndërkohë që formati i Konferencës  për të Ardhmen e Europës( CoFof E)  që do të nisë më 09 Maj 2021,   do të zhvillohet me gjashtë asambletë qytetarësh. Ato do të luajnë një rol qendror ku përmes të cilave përfaqësohen   qytetarë  nga  të gjithë vendet e BE ,  që  duhet të debatojnë mes tyre dhe të  hartojnë rekomandime pwr tiu  paraqitur institucioneve të BE-së.  Nga ana tjetër është parashikuar që për cdo takim të ketë  rreth 200 pjesëmarrës  të cilët zhvillojnë debate për një çështje të caktuar politike. Takimet do të mbahen në qytete të ndryshme evropiane, me pjesëmarrës nga të gjitha Shtetet Anëtare , ndërkohë që Konferenca për të Ardhmen e Europës) CoFoE)  do të drejtohet nga një Komitet Drejtues (Steering Committee) me përbërje nga përfaqësues të Komisionit Europian , Këshillit Europian  dhe shtatë grupet  parlamentare të Parlamentit të  BE.  Në  përputhje me mënyrën sesi do të funksionojë  Konferenca për të Ardhmen e Europës) CoFoE , institucionet e BE-së duhet të shndërrojnë  propozimet që do të dalin prej saj  në ligje ose madje edhe në  ndryshime të traktateve  . Kjo do të nënkuptonte që më pas ato ti nënshtrohen ratifikimit nga  përfaqësues të Komisionit , Këshillit dhe Parlamentit Evropian dhe  të parlamenteve kombëtar të vendeve anëtare të BE . Sic është e ditura tashmë propozimet legjislative të negociuara nga institucionet e BE duhet të paraqiten në asambletë e qytetarëve në mënyrë që ato të përputhen  me idetë e tyre.  Edhe kryekomisionerja e BE , Ursula von der Leyen e përcaktoi zhvillimin e  Konferencës për të Ardhmen e Europës ( CoFoE) si një objektiv të punës së saj sapo mori kryesimin e Komisionit Europian në 2019,  duke  deklaruar se “ …dua që qytetarët e BE ta thonë fjalën e tyre në një Konferencë për të Ardhmen e Evropës, …. Konferenca duhet të bashkojë qytetarët europianë duke i dhënë një peshë të vecantë të rinjve, shoqërsië civile dhe institucioneve të BE si partner të barabartë…të propozjë ndryshiume dhe nëse është e nevojshme dhe të ndryshojë Traktatin e BE..”, Rëndësinë e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e shprehu duke caktuar në Komitetin Drejtues të Konferencës për të  Ardhmen e Europës( CoFoE) , tre zëvendësit e saj sic janë Věra Jourová( Cekia), ZvPresidente e Komisionit Europian për Vlerat e Transparencën, Maroš Šefčovič ( Sllovaki) ZvPresident i Komisionit Europian për Marrëdhëniet Ndërinstutucionale  dhe Dubravka Šuica(Kroaci) ZvPresidente e Komisionit Europian për Demokracinë e Demografinë . Ndërsa Šuica ka për detyrë kryesisht përgatitjen e Konferencës në bashkëpunim me Parlamentin Evropian,  Jourová është caktuar të përfaqësojë Komisionin Europian në Konferencë, ndërsa  përgjegjësia kryesore e Cefčovič-it lidhet me  ndjekjen e rezultateve të Konferencës.  Megjithëse Konferenca për të Ardhmen e Europës ishte parashikuar të fillonte në 09 Maj 2020 , pandemia e Covid 19 e shtyu  atë  për në 9 Maj 2021. Megjithatë zhvillimi i saj ka ndezur një debat mes europtimistëve e eurorealistëve. Tek europtimistët mbizotëron bindja se nevoja për ndryshim  të dukshëm të mënyrës sesi funksionon BE, do të përcillet përmes propozimeve të ndryshme të qytetarëve deri tek ndryshimi i Traktatit të TFEU apo Traktati i Lisbonës  Por eurorealistët  kanë një qasje tjetër  teksa pohojnë se  Samiti i BE apo Këshilli Europian në 20 Qershor 2020 specifikoi në mënyrë të qartë se Konferenca nuk po zhvillohet në kuadër të  Nenit 48 të Traktatit për Bashkimin Evropian (TEU),  që parashikon ndryshimin e traktatit të BE. Në këtë mënyrë ata garantuan se  çdo ndryshim i mundshëm i traktatit është  plotësisht jashtë fushës së veprimtarisë së  Konferencës për të Ardhmen  e Europës( CoFoE)  .Në rast të kundërt procedura   për ndryshimin e traktatit do të duhet të kalojë përmes një neni të veçantë  që lidhet me Nenn 48 pas përfundimit të Konferencës në pranverën e vitit 2022. Përpjekja për ta quajtur këtë iniciativë  një version 2.0 të  Draft- Traktatit  për Krijimin e Kushtetutës së BE( 18 Qershorit 2004) ,  që nuk arriti të marrë miratimin pasi u rrëzua nga  referendunmet në  Francë( 29 Maj 2005)  e Hollandë( 1 Qershor 2005)   , duket se nuk është në favor të europtimistëve . Kjo për faktin  se nuk është e sigurtë  që propozimet e Konferencës për të Ardhmen e Europës ( CoFoE) mund të sjellin ndryshime që kërkojnë  mbështetjen e të gjithë anëtarëve të BE . Pra  propozimi që mund të dalë nga Konferenca për një rishikim të mundshëm të  traktateve të BE, për ta bërë më federale e të unifikuar,  do të kërkonte miratimin e 42 dhomave parlamentare dhe deri në 17 gjykata kombëtare në 27 vendet anëtare të BE . Gjithashtu është  i pashmangshëm zhvillimi i një referendum  në Irlandë dhe ndoshta edhe  anëtarë të tjerë të BE mund të kërkojnë referendum për të miratuar këto ndryshime . Pyetja që endet tek të gjithë është nësë koha e shkurtër prej një  viti ( 09 Maj 2021-13 Mja 2022) do të jetë e mjaftueshme për të  prodhuar nga Konferenca për të Ardhmen e Europës(CoFoE)  ato propozime apo ide që do ta cojnë projektin Europian në një fazë tjetër,  që të jetë i aftë të përballojë sfidat  që e presin, Solidariteti  europian u vu sërish  në provë gjatë pandemisë Covid 19 dhe  paketat  mbështetëse financiare nga fondi i BE nuk munguan për vendet anëtare e kandidate duke ruajtur gjallërinë e europtimistëve.Ndërsa eurorealistët  nuk u ngutën drejt entuziazmit  por vazhduan  të mendojnë se BE po sillet sic e përcaktojnë  traktatet  e rregullat në fuqi për raste të tilla.Por këto dilema do të marrin një përgjigje  në përfundim të këtij procesi, Ka shumë rëndësi që ajo të jetë një konferencë për të ardhmen e  Europës  dhe jo thjesht  një konferencë e ardhshme për Europën.




 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.