Intervista

Të vërtetat mbi vaksinimin/ Flet specialisti, mjeku Drilon Çupi: Shqipëria nuk do të shpëtojë nga vala e radhës COVID

11:00 - 10.09.21 Gazeta Shqiptare

Voltiza Duro – Pavarësisht vaksinimeve, shifrat e infektimeve të reja me covid janë në rritje me ardhjen e stinës së vjeshtës. Por sa na mbron vaksinimi apo imuniteti natyral nga version klasik i sars cov 2 si dhe nga mutacionet e tjera që po përhapen me shpejtësi? Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, mjeku Drilon Çupi, specialist i mjekësisë interne dhe urgjencës në Gjermani thekson se do të do fillojë vala e radhës dhe Shqipëria nuk do të përjashtohet nga kjo “inerci” virale pandemike. Ai shton se nuk mendon se do përsëriten me valët e vitit të kaluar pasi tashmë kemi krijimin e imunitetit natyral përmes infektimeve dhe nëpërmjet vaksinave. Çupi nënvizon se do arrihet përmirësim i situatës nëse popullata imunizohet në masën 85% qoftë me rrugë natyrale përmes infektimit e qoftë me rrugë vaksinale.
Si paraqitet aktualisht situata lidhur me pandeminë Covid-19? A është Shqipëria në fillim të valës së katërt?
Ashtu siç jam shprehur edhe në shkrimet e mia të mëparshme edhe në gazetën tuaj në lidhje me veprimtarinë virale të SARS-CoV-2 në varësi të faktorëve sezonalë dhe atyre mutacional dua të theksoj që veprimtaria virale po ndjek “rrugën” e tij logjike patogjene. Me fjalë të thjeshta kjo do të thotë që me fillimin e rënies së temperaturave në hemisferën e veriut dhe me paraqitjen mutacionale të virusit do fillojë vala e radhës gjatë kësaj pandemie. Shqipëria nuk do të përjashtohet nga kjo “inerci” virale pandemike. Aftësia mutacionale e virusit sjell rënie të efikasitetit të vaksinave në përgjithësi, rritje të transmetueshmërisë, Mortalitetit, morbiditetit dhe rënie të efikasitetit të terapisë. Deri sa të shkëputet “zinxhiri” i transmetueshmerisë së virusit do ketë valë të vazhdueshme pandemike. Ne do jetojmë ndoshta përgjithmonë me këtë virus, por e rëndësishme për ne njerëzit është të gjejmë një metodologji që sistemi ynë imun të jetë superior ndaj tij dhe të ndërpritet transmetueshmëria e lartë e tij. Imunizimi natyror nga infektimi dhe vaksinimi janë metodologjitë kryesore për të arritur këto dy qëllime. Pyetjes që sa efikase janë këto dy metodologji shkenca po ndërton “Puzzlat” e përgjigjes përditë dhe kur të mbarojë kjo tablo atëherë do jetë e qartë për të gjithë njerëzimin. Gara me kohën e përgjigjes është sfida kryesore.
Sa i rrezikshëm është delta dhe variantet e tjera të covid? Cilat janë specifikisht simptomat e tyre? Sa është hospitalizimi dhe vdekjet nga mutacionet në raport me shtrimet dhe vdekjet nga covidin klasik?
Varianti-Delta (B.1.617.2) ka në krahasim me virusin bazë 15 Mutacione, ku dy më kryesoret prej tyre gjenden në Proteinen Spike, që është proteina kyçe që bën të mundur lidhjen e virusit me qelizat e organizmit tonë. Ky ndryshim natyral që bëri virusi bazë rrit transmetueshmërinë në mënyrë më të lartë eksponenciale saqë sipas të dhënave të zyrave të shëndetit publik në Britaninë e Madhe mundësia e përhapjes brenda personave që jetojnë në një shtëpi u rrit me 64% në krahasim me variantin bazë të virusit. Me këtë aftësi mutanti i ri “do arrijë” me lehtë individët labil për sa i përket shëndetit të tyre apo atyre me risqe të mëdha kardiovaskulare. Sipas të dhënave britanike varianti i ri delta mbizotëron tek popullata e re në moshë me simptoma të rrufës nazale dhe dhimbje koke kurse simptomat klasike të Covid-19 që ishin nga varianti bazë si kolla, temperatura, humbja e shijes dhe nuhatjes kishin përhapje jo të shpeshtë. Në Britaninë e Madhe është evidentuar që dhe në rrethin e të vaksinuarve me të dyja dozat është rritur numri i infektimeve të reja, por lajmi i mirë është që në këto raste nuk ka pasur rritje të vdekshmërisë apo stadit të rëndë. Infektimet e reja janë të evidentuar më shumë në moshat e reja dhe në ato të pavaksinuar. Sipas studimeve paraprake në Britaninë e Madhe paraqitet efektshmëria e Biontech/Pfizer pas dozës së dytë rreth 88% në vend të 95% dhe nga Astrazeneca 60% në vend të 66% për stadin e lehtë dhe të moderuar të sëmundshmërisë kurse për stadin kritik dhe vdekshmërinë mbetet një rënie deri në 3%. Dua të nënvizoj që gjithsesi këto shifra janë shumë të kënaqshme në lidhje me efikasitetin e këtyre vaksinave ndaj këtij varianti dhe që nuk ka aspak vend për panik apo dyshim në lidhje me efikasitetin e tyre. Dua të theksoj që edhe personat e vaksinuar kanë aftësinë të transmetojnë virusin më tej. Ngarkesa virale është evidentuar edhe në personat e vaksinuar. Deri tani nga të dhënat që paraqiten nga zyrat statistikore të vendeve evropiane perëndimore vërehet një rritje e shtrimeve spitalore të pacientëve me mutacionin delta, por rreth 90% e pacientëve që janë të shtruar në repartet intensive janë të pavaksinuar. Në 8 javët e fundit mutacioni delta është dominant në infektime duke e kaluar dhe variantin baze viral. Sipas Institutit Robert Koch në Gjermani deri tani në Gjermani ka pasur në individët e vaksinuar në grupmoshat 12-17 vjeç 0% vdekshmëri dhe 0,2% hospitalizim, 18-59 vjeçare 0,1% vdekshmëri dhe 0,9% hospitalizim dhe mbi 60 vjeçare 2% vdekshmëri dhe 1.8% hospitalizim. Për sa i takon shtrimit në repartin intensiv për moshat 12- 17 vjeçare 0%, për moshat 18-59 vjeçare 0,5% dhe mbi 60 vjeçare 1.5%. Kurse pjesa tjetër e mbetur e përqindjes i takon popullatës jo të vaksinuarve ndaj Covid-19.
A presim një skenar me shifra të frikshme shtrimesh dhe vdekjesh si një vit më parë?
Jo vetëm unë por shumë ekspert të ndryshëm në vendet evropiane mendojnë se nuk do përsëritet me valët e vitit të kaluar pasi tashmë kemi krijimin e imunitetit natyral përmes infektimeve dhe nëpërmjet vaksinave. Kjo ka krijuar “njohjen” e sistemit tonë imunitar në virusin. Kjo do të sjelli valë më të vogla në krahasim me ato që kemi përjetuar deri tani.
Sa na mbrojnë vaksinat? Cila është më efikasja? Dhe sa na mbrojnë vaksinat nga mutacionet si delta apo versioni më i ri Mu?
Më lart parashtrova disa shifra në lidhje me rënien e lehtë të efikasitetit të vaksinave ndaj variantit delta. Sipas studimeve paraprake në Britaninë e Madhe paraqitet efekshmëria e Biontech/Pfizer pas dozës së dytë rreth 88% në vend të 95% dhe nga Astrazeneca 60% në vend të 66% për stadin e lehtë dhe të moderuar të sëmundshmërisë kurse për stadin kritik dhe vdekshmërinë mbetet një rënie deri në 3%. Kjo është një rënie e lehtë sipas të dhënave të deritanishme. Përsa i takon variantit Mu akoma nuk ka studime në lidhje me ballafaqimin e tij me personat e vaksinuar. Teorikisht pritet ulje e efikasitetit të vaksinave ndaj tij, por nuk ka akoma evidencë shkencore që ta vërtetojë këtë gjë. Sipas një studimi japonez për variantin Mu, tregon që është rreth 7.6 herë më rezistent ndaj vaksinës Pfizer-BioNtech sesa virusi bazë ndërkohë për transmetueshmërinë e tij nuk ka ende një konkluzion.
Po për vaksinën kineze çfarë mund të themi duke qenë që në spitalin infektiv ka pasur hospitalizime dhe madje vdekje të personave të vaksinuar me dy doza sinovac?
Shqipëria ashtu si shumë shtete të tjera ka zgjedhur që të lejojë popullatën të vaksinohet me vaksinat e firmës Sinovac. EMA nuk e ka aprovuar akoma zyrtarisht këtë vaksinë për shtete të unionit europian. Këto vaksina kanë një mekanizëm veprimi që njerëzimi e njeh prej tashmë 100 vjet, por edhe në studime efikasiteti i tyre ishte shumë më i ulët se vaksinat e tjera që u hodhën në treg. Por në kushtet kur tregu i vaksinave ishte shumë i mangët, vaksinimi me vaksinat kineze ishte një urgjencë ku minimalisht do t’i siguronte njerëzve një mbrojtje 6 mujore nga vdekja dhe dekurse të rënda. Kurse në ditët e sotme mundësia e vaksinimit është komplet tjetër dhe mund të arrijë deri aty sa mund të zgjedhësh edhe llojin e vaksinës. Një studim i publikuar në revistën prestigjioze mjekësore në Britaninë e Madhe NEJM (The New England Journal of Medicine) për vaksinat me mekanizmin e inaktivizuar tregon zyrtarisht që efikasiteti i tyre në lidhje me mortalitetin është 86,3%, ndaj simptomave të lehta 65,7% kurse ndaj shtrimeve spitalore është 87,5%. Kjo tregon që gjithsesi ajo siguron një mbrojtje ndaj COVID-19 në krahasim me ato që nuk vaksinohen.
A duhet të marrin vaksinën Pfizer ose Astrazeneca personat që janë vaksinuar me kinezen dhe nëse po pas sa muajsh?
Deri tani ka pasur studime në Britaninë e Madhe dhe në Gjermani në lidhje me kombinacionin AstraZeneca dhe Pfizer-BioNtech. Personat ishin të vaksinuar me dozën e parë të AstraZeneca dhe më pas u vaksinuan me dozën e dytë Pfizer-BioNtech dhe ky kombinacion ka rezultuar shumë i suksesshëm në përgjigjen imunitare duke krijuar në shumë individë edhe më shumë antitrupa se ato që ishin vaksinuar me 2 doza të Pfizer-BioNtech. Ky kombinacionin u quajt principi Mix and Match. Kurse kombinacione të tjera me vaksina të llojeve të tjera nuk janë studiuar akoma dhe momentalisht nuk ka asnjë studim në lidhje me kombinacionin e vaksinave kineze me llojet e tjera të vaksinave.
A përbën problem miksimi i vaksinave? Çfarë mund t’i ndodhë imunitetit të njeriut?
Kombinacioni i vaksinave duhet të marri dritën jeshile nga rezultatet e studimeve pasi mund të krijohen interaksione midis tyre dhe organizmit dhe krijohen efekte të padëshiruara në organizëm si hyperreagibilitet i sistemit imunitar, reaksione alergjike e imunitare të rënda, etj. Për këtë shkak duhet së pari të presim rezultatet e studimeve e më pas të jepet drita jeshile.
Cilat janë efektet anësore të vaksinave të zbuluara deri më tani?
Efektet e lehta të padëshiruara më të shpeshta janë: Lodhje e përgjithshme, dhimbje koke, dhimbje dhe ënjtje në vendin e punksionit, temperaturë, dhimbje muskulare, ethe, dhimbje artikulare, marrje mendsh. Efektet e rënda të padëshiruara janë : Reaksion alergjik anafilaktik, trombozë të venave të kokës, infeksion i muskulit të zemrës tek të rinjtë, infeksion të nervave të ashtuquajtura Guillain-Barré-Syndrom, çrregullime menstruale tek femrat. Këto efekte të padëshiruara kanë rezultuar deri tani në shifra shumë të vogla.
Kur mendoni se mund të shohim një dritë jeshile në fund të tunelit pas afro dy vitesh bashkëjetesë me virusin e frikën?
Sipas projeksionit shkencor do arrihet përmirësim i situatës nëse popullata imunizohet në masën 85% qofte me rrugë natyrale përmes infektimit e qoftë me rrugë vaksinale. Vetëm atëherë do ulen ndjeshëm hospitalizimet dhe SARS-CoV-2 do kthehet si një virus i zakonshëm ashtu si kushërinjtë e tij që janë virozat sezonale.
A duhet të vaksinohen ata që e kanë kaluar covidin? A mbron më shumë imuniteti natyral nga ai i vaksinës?
Sipas studimeve titri i antitrupave qëndron i lartë nga 6 deri 9 muaj nga mbarimi i fazës aktive të infeksionit. Për këtë arsye është vendosur që pas 6 muajsh infektimi mund të vaksinohen individët sërish. Për sa i takon peshores krahasuese midis krijimit të antitrupave të individëve që e kanë kaluar Covid-19 me ato që janë vaksinuar, ajo anon rreth 13 herë më shumë nga krahu i atyre që e kanë kaluar Infeksionin. Ky është konstatim studimor.
A duhet të jetë vaksinimi i detyruar?
Sipas mendimit tim vaksinimi nuk duhet të jetë i detyruar, por një e drejtë individuale e gjithsecilit. Këtë mendim e mbështes në faktin që çdo vaksinë e deritanishme nuk ka sjellë ulje të transmetueshmërisë apo ulje të ngarkesës virale në individët e vaksinuar. Domethënë një i vaksinuar ka të njëjtin potencial ta përçojë virusin ashtu sikurse një që nuk është vaksinuar. Kjo do të thotë që deri tani kemi studime që çdo vaksinë anticovid mbron individin nga sëmundshmëria dhe jo nga transmetueshmëria. Kështu që është përgjegjësi individuale dhe jo kolektive realizimi i saj. Për ta thjeshtuar shpjegimin tim do e paralelizoja me aktin e duhanpirjes apo pirjes se alkolit, që çdokush është vetë përgjegjës se ç’bën me organizmin e tij përderisa është maturuar mbi 18 vjeç. Nuk mund të detyrosh në këtë kohë një person që mos të pijë duhan apo alkol. Detyra jonë si mjekë është të prezantojmë nga ana shkencore se cilat janë demet dhe përfitimet e duhanpirjes, pirjes se alkolit apo bërjes së vaksinave dhe në fund çdokush është i lirë të vendosi vetë për trupin e tij. Kështu funksionin në një shtet demokratik. Unë personalisht nuk e kam kuptuar politikën edhe vetëe shteteve europiane si Greqia e Franca për bërjen me detyrim të vaksinës. Nëse vaksina e Covid-19 do të rezultonte në studime që siguron mungesën e ngarkesës virale në individët e vaksinuar ateherë futemi në një përfitim kolektiv dhe botëror e atëherë mund të diskutohen masat detyruese për bërjen e kësaj vaksine. Arritja e marrjes së masave detyruese ndërmjet dy palëve në lidhje me një çështje do të thotë mungesë komunikimi midis tyre.
A duhet të bëjnë tampon personat e vaksinuar?
Dua të shpreh dhe një mendim nëse më lejoni në lidhje me bërjen e testeve Covid-19 në aeroporte e restorante e kudo për personat e pavaksinuar. Siç e shpjegova dhe më lart nga pikëpamja infeksiologjike nuk mund të përjashtohen personat e vaksinuar nga bërja e testeve pasi edhe personat e vaksinuar kanë ngarkesë virale në rrugët e sipërme të frymëmarrjes njësoj si të pavaksinuarit dhe transmetueshmëria është e njëjtë dhe pse duhet të veçohen këto 2 grupe në lidhje me bërjen e testit në ambiente të ndryshme. Kjo është një çështje non-sens për të privilegjuar individët e vaksinuar, por që nga pikëpamja infeksiologjike nuk kane pse të jenë realisht të privilegjuar.
Ju falënderoj për intervistën dhe shpresoj që në vazhdimësi të mbetemi sërisht në kontakt për aktualizime të reja shkencore në lidhje me pandeminë.



 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.