EKONOMI

Projektbuxheti 2022, Delina Ibrahimaj: Rritje 10% të masës së ndihmës ekonomike për të gjitha familjet

11:30 - 02.11.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi projektbuxhetin e vitit 2022 në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, i cili është dhe komisioni përgjegjës për shqyrtimin e ligjit financiar më të rëndësishëm të shtetit. Ministrja u shpreh se projektbuxheti 2022 është buxheti më i madh në historinë e shtetit shqiptar dhe fokusohet në prioritete si: vijimi i reformave strukturore për të garantuar rritje ekonomike dhe punësim, mbështetja e shtresave në nevojë, rritja e produktivitetit, forcimi i shtetit ligjor, digjitalizimi i ekonomisë dhe vijimi i investimeve kyçe në infrastrukturë. Ajo shtoi se falë reformave ka pasur shumë përmirësime në shumë sektorë të ekonomisë. “Falë reformave dhe politikave të duhura që u ndërmorën, ekonomia arriti të rikthehej në norma të larta rritje, ku specifikisht për vitin 2022 parashikojmë një rritje 4.1%, duke mbajtur një nivel mesatar prej mbi 4% për vitet pasuese 2023 dhe 2024. Produkti i Brendshëm Bruto për banor është rritur nga 466 mijë lekë në vitin 2013 në 568 mijë lekë në vitin 2020 dhe pritet që në vitin 2022 të shkojë 661 mijë lekë për banor. Kështu, papunësia ka pësuar rënie. Ajo ka qenë në nivelet 16.4% në vitin 2013, ka zbritur në 11.6% në vitin 2019, ndërkohë që pritet të zbresë nivelin 10.3 % në vitin 2022. Të ardhurat totale në buxhetin e shtetit kanë njohur rritje të fortë falë politikës së duhur fiskale dhe miradministrimit fiskal. Në vitin 2013, të ardhurat ishin në nivelin 327 miliardë lekëve ose sa 24.8% e GDP. Ato kanë pësuar rritje deri në 460 miliardë lekë ose 27.4% e GDP në vitin 2019. Të ardhurat totale pritet të arrijnë në 484 miliardë lekë këtë vitin 2021 ose sa 28.8% e GDP, teksa parashikohen në 536.8 miliardë lekë në vitin 2022”, -theksoi ministrja.




Rimëkëmbja ekonomike

Ministrja theksoi se projektbuxheti 2022 ka si objektiv primar rimëkëmbjen ekonomike, pas përballimit me sukses të dy fatkeqësive natyrore, që goditën vendin tonë në mënyrë të njëpasnjëshme. “Ky objektiv madhor – tha Ibrahimaj – bazohet në pritshmëritë e qeverisë për një rritje ekonomike domethënëse në vitin 2021 me 7.6%, ndërkohë që për vitin 2022 rritja ekonomike parashikohet në nivelin 4.1 %. “Në mbështetje të ekonomisë, bizneseve dhe buxheteve familjare, qeveria reagoi shpejt ndaj dy fatkeqësive që ndodhën në vendin tonë. Në kuadër të pandemisë u ndërmorën një sërë masash, pjesë e dy paketave të ndihmës, si dyfishimi i ndihmës ekonomike për një periudhë dymujore, mbështetja për të punësuarit nëpërmjet pagave të luftës, si dhe mbështetja ndaj biznesit përmes dy garancive sovrane. Ekonomia shqiptare ka pasur një rikuperim të shpejtë në gjashtëmujorin e parë të 2021. Për këtë periudhë, Produkti i Brendshëm Bruto ka shënuar rritje prej rreth 11.9 për qind krahasuar me një vit më parë”, – bëri të ditur Ibrahimaj.

Pritshmëritë

“Rritja ekonomike përgjatë periudhës 2022-2024 pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat, ashtu edhe nga investimet. Ndërkohë që kërkesa e jashtme neto pritet të ketë një efekt pozitiv të moderuar. Eksportet si të mallrave, ashtu edhe të shërbimeve (veçanërisht turizmi) pritet të kenë një ecuri të mirë, por njëkohësisht pritet që edhe importet të kenë po ashtu një rritje (në reflektim të rritjes së kërkesës agregate, veçanërisht investimeve), e për rrjedhojë kontributi neto i kërkesës së huaj në afatmesëm pritet të jetë serish pozitiv, por ndjeshëm më i moderuar se ai i kërkesës së brendshme”, – tha ministrja e Financave dhe Ekonomisë. Ajo shtoi më tej se konsumi final total për periudhën afatmesme, 2022–2024 parashikohet të rritet në terma realë me mesatarisht 2.6 për qind në vit, duke kontribuar me mesatarisht 2.4 pikë përqindje në vit në rritjen e PBB. Ndërsa investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma real me 5.5 për qind në vitet 2022-2024, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 1.2 pikë përqindje në vit.

Projektbuxheti 2022

Duke u ndalur në mbështetjen e sektorëve prioritarë, ministrja përmendi se në arsim synohet të mbahet niveli konstant në raport me PBB prej mbi 3% gjatë periudhës 2022-2024, ku përveç rritjes së pagave me 6% për 36 mijë mësues të ciklit parauniversitar, do të financohen me përparësi një sërë projektesh. Në shëndetësi dhe mbrojte sociale financimi do të mbetet dukshëm mbi 3% të PBB mesatarisht për periudhën 2022-2024, ku përveç rritjes së pagave me 6% për rreth 18500 mjekë dhe infermierë, do të financohen me prioritet një sërë politikash. Bujqësia do të përfitojë rreth 12.7 miliardë lekë në vitin 2022, ku vetëm 1 miliard lekë do të jetë garancia sovrane për mbështetjen e fermerëve. Në infrastrukturë synohet vijimi i financimit për një sërë veprash infrastrukturore. Për sektorin e mbrojtjes synohet arritja e targetit 2% të PBB të dakordësuar me NATO-n në vitin 2024. Për kulturën financimi do të jetë në total 4.1 miliardë lekë për vitin 2022, që përbën dhe shumën më të madhe të buxhetit që ka përfituar ndonjëherë ky sektor, ku do të financohen me prioritet disa projekte. Në sektorin e turizmit dhe mjedisit do të alokohet garancia sovrane 1 miliard lekë dhe me prioritet do të alokohen fonde për pastrimin e plazheve dhe për pastrimin e qyteteve. Në sektorin e zhvillimit ekonomik dhe punësimit do të financohet me prioritet projekti i mbështetjes së bizneseve ‘start-up’ në shumën 250 milionë lekë për çdo vit. Pagesa e papunësisë për naftëtarët dhe garancia sovrane 1 miliard lekë, për manifakturën dhe sipërmarrjen.

Gjithashtu, rindërtimi dhe përballimi i pandemisë COVID-2019 mbeten prioritete që do të financohen përmes projektbuxheti 2022 ku, 20 miliardë lekë parashikohen për përballimin e procesit të rindërtimit, duke synuar përfundimin e këtij procesi brenda vitit të ardhshëm. Për vitin 2022 dhe 2023 do të alokohen në mënyrë të veçantë, respektivisht 2.7 miliardë lekë dhe 2 miliardë lekë shpenzime për blerjen e vaksinave anti-COVID. “Do të kemi rritje nëpërmjet programit të mbrojtjes sociale dhe konkretisht do të kemi rritje 10 % të masës së ndihmës ekonomike për të gjitha familjet që përfitojnë nga ndihma ekonomike. Nga ana tjetër, do të dyfishohet ndihma ekonomike për të gjithë familjet që janë me 3 apo më shumë fëmijë, ku përfitojnë rreth 15 mijë familje. Trefishimin e ndihmës ekonomike për gratë e dhunuara dhe trafikuara dhe fëmijët jetimë nën 18 vjeç. Do të ketë një fokus te të rinjtë, për mbështetje të gjerë për fëmijët nëpërmjet një programi shumëdimensional, i cili do të aplikohet nëpër shkolla, për nxitjen e sporteve, arteve dhe zejeve. Do të vijojë reforma e dixhitalizimit, e cila parashikon të rrisë eficiencën në punën e institucioneve dhe parashikon të vijojë përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, si dhe të ndihmojë luftën kundër korrupsionit”, – theksoi Ibrahimaj.

Rindërtimi dhe pandemia

Në projektbuxhetin e vitit 2022 vijon të jetë në fokus trajtimi i dy prioriteteve të ardhura si pasojë e dy fatkeqësive natyrore që goditën vendin tone. Në projektbuxhetin e vitit 2022 parashikohen 20 miliardë lekë për përballimin e procesit të rindërtimit, duke synuar përfundimin e këtij procesi brenda vitit të ardhshëm. “Për vitin 2022 dhe 2023, kemi alokuar në mënyrë të veçantë respektivisht 2.7 miliardë lekë dhe 2 miliardë lekë shpenzime për blerjen e vaksinave anti-COVID, ndërkohë që shpenzimet e tjera për përballimin e situatës së krijuar prej COVID-19 reflektohen në rritjen e konsiderueshme të shpenzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe të FSDKS”, – tha Ibrahimaj.

Borxhi publik

“Për sa i përket objektivit madhor të uljes së borxhit publik, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj disa aspekte kyçe: deficiti fiskal parashikohet në 5.4% të PBB-së, në ulje krahasuar me të pritshmin e 2021-shit prej 6.8% të PBB. Në vitin 2022, të ardhurat totale të buxhetit parashikohen të arrijnë 536.8 miliardë lekë dhe nga këto, të ardhurat tatimore janë 500.1 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat janë 360.5 miliardë lekë. Ndërkohë që të ardhurat nga kontributet planifikohen 112 miliardë lekë. Krahasuar me të pritshmin e vitit 2021, të ardhurat gjithsej të buxhetit të shtetit për vitin 2022 parashikohen të rriten me 7.8%, si pasojë e jetësimit të Strategjisë Afatmesme e Mbledhjes së të Ardhurave, e cila synon të përmirësojë politikat tatimore për forcimin e mbledhjes së tatimeve, përputhshmërisë dhe sistemeve të monitorimi. Shpenzimet buxhetore për vitin 2022 janë programuar në nivelin e 637.6 miliardë lekë, ose 34.1% e PBB-së. Në terma nominalë, shpenzimet buxhetore për vitin 2022 janë rreth 28 miliardë lekë më shumë se plani i përditësuar i shpenzimeve buxhetore për vitin 2021, duke e bërë kështu buxhetin më të madh të të gjitha kohërave”, – tha ministrja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.