Kryesore

Ngërçi i integrimit/ Pse e refuzoi Gjermania ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut

15:19 - 18.01.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ideja e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në vlerësimin që pritet të bëjë Këshilli Europian për negociatat është artikuluar për herë të parë si një qëndrim politik sot nga Tirana zyrtare. Konflikti mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për çështjet e identitetit mund të shkojë drejt kalendave greke, në një kohë që Shqipëria, me shumë mund, ka arritur të marrë një PO nga vende skeptike të Bashkimit Europian, si Franca, Holanda apo Danimarka.




Vitet e kaluara, kryeministri Rama është shfaqur solidar me homologun e tij Zoran Zaev, por Shqipërisë i duhet të kapë shansin për sa kohë zhvillimet e brendshme politike në disa vende të BE-së mund ta përmbysin situatën.
Pikërisht për këtë, në konferencën e fundit të vitit 2021, Rama pranoi për herë të parë si zgjidhje opsionin e ndarjes me Maqedoninë e Veriut.

“Jemi në një fazë absurde të bllokimit, kjo për shkak të vetos së vendosur nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut. Dhe në këshillimin kombëtar kemi kërkuar një opinion nga qytetarët nëse do të mbështesnin një qasje të re, që nëse dhe në fund të presidencës franceze Bullgaria të vijojë veton, të fillojmë hapur të kërkojmë ndarje nga Maqedonia e Veriut. Është vendim me peshë për sa i përket qasjes strategjike”

                                                                                                                                Edi Rama, 30 dhjetor 2021

Shansin për të mbajtur një qëndrim, qeveria shqiptare e pati sot kur ministrja gjermane për Europën, Anna Luhrman vizitoi Tiranën. Në konferencën me zv.kryeministrin Arben Ahmetaj ajo gjend para kërkesës për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonina e Veriut në procesin e vlerësimit për negociatat.

“Integrimi s’mund të lihet si vakuum për lojëra nga vendet e treta. Ne kushtet i kemi arritur individualisht. Askush nuk na del ne kundër në Europë. Kështu që, kërkojmë vlerësim individual” ishte deklarata e Ahmetajt në konferencën e përbashkët për mediat.

Por gjermanët nuk e mendojnë njësoj. Një PO për Shqipërinë dhe një JO për Maedoninë e Veriut do ta zgjaste pa fund ngërçin dhe do ta komplikonte edhe më shumë situatën për Ballkanin Perëndimor.

“Ne nuk dëshirojmë ta komplikojmë më tej apo ta vonojmë më tej këtë proces. Kemi marrë sinjale shumë pozitive dhe nga Bullgaria në këtë kontekst dhe do të vazhdojmë të angazhohemi që ne të mund të gjejmë në një kohë sa më të afërt të mundshme edhe zgjidhjen më të përshtatshme” tha Luhrman.

Por cilat janë sinjalet pozitive për të cilat Gjermania shpreson se do ta zhbllokojnë integrimin?
Duket se Luhrman i referohet një takimi në Shkup mes kryeministrit bullgar Kiril Petkov me homologun e sapomandatuar maqedonas Dimitar Kovaçevski.

I pari ka premtuar një dialog të ri e real, ndërsa i dyti tha se është rënë dakord që emri “Maqedoni e Veriut” të mos kontestohet. Kiril Petkov, foli për një erë të re bashkëpunimi dhe premtoi se do të ketë rezultate.

“Bashkëpunimi Shkup-Sofje do të jetë real. Do të vazhdojmë edhe më tutje të punojmë dhe të sjellim rezultate të sakta që të u mundësojmë qytetarëve të lëvizin lirshëm. Sot jam një optimist i madh i aktiviteteve të përbashkëta, dhe shpresoj se për secilën palë të ketë rezultate në kohë të shkurtër”, ka thënë Petkov.

Ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski tha se me homologun ka rënë dakord për moskontestimin e emrit “Maqedonia e Veriut”.

“Kjo nënkupton se Bullgaria nuk do ta pengojë emrin e shkurtër në ndonjë proces bilateral, dhe për këtë ka njoftuar Kombet e Bashkuara. Më 25 janar mbledhje e përbashkët mes dy qeverive, do të formohen grupe pune që do të punojnë në projekte konkrete dhe në ndërtimin e raporteve më të mira për një të ardhme më të mire”, tha Kovaçevski.

Takimi shihet si një hap më afër konsensusit për vendosjen e një date të konferencës ndërqeveritare, që konsiderohet nisja de facto e negociatave. Nga kjo do të përfitonte automatikisht edhe Shqipëria. Gjithsesi për sa kohë, bullgarë dhe maqedonas diskutojnë, Shqipëria është e dënuar të presë në rolin e spektatorit, për një vendim që pritet prej më shumë se 8 vitesh./GSH.al


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Nuk kane per te mbaruar kurre kleçkat per ne. Edhe po te bjere dakort Bullgaria do dale diçka tjeter.Ne sulmojme njeri tjetrin per tu perfshire ne EU, e jo te na pranojne ato !

    Përgjigju ↓