DOSSIER

Zbulohet takimi i fshehtë/ Hazbiu: Fiqretja mund të na fusë të gjithëve në një thes! Enveri: S’na e hedh dot neve ajo

20:17 - 11.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

AFRIM IMAJ/ Vetëvrasja në rrethana të dyshimta e Mehmet Shehut, Kryeministrit më jetëgjatë të regjimit komunist, në dhjetorin e largët ‘81, është përjetuar nga Enver Hoxha me peshën e një ngjarjeje të jashtëzakonshme, që ka tronditur nga themelet vetë ngrehinën e shtetit.



enver hoxha kadri hazbiu]

I “divorcuar” me bashkëpunëtorin e tij më të afërt në shtator të vitit ‘81, shefi i Partisë që kishte përpunuar planin për eliminimin e tij si në rastet e tjera me “puçistët” e ushtrisë, “sabotatorët e ekonomisë” apo “devijatorët” e kulturës, është befasuar si asnjëherë kur mori lajmin për vetëvrasjen e Shehut. Kryeministri i vetëflijuar, që ishte piketuar për t’u kryqëzuar, kishte sfiduar papritur gjithë skemën e Hoxhës për ta kaluar në sagën vrastare, me stigmatizime në mbledhje byroje e plenume që përligjnin fillimisht uljen në përgjegjësi shtetërore e partie dhe përfundonin me dënimin me vdekje.

Mehmet Shehu që e njihte mirë këtë praktikë misterioze të shefit të tij, i dha fund jetës duke mbetur deri ditën e fundit Kryeministër i Shqipërisë. Kjo nuk i dogji vetëm skemën e eliminimit Hoxhës, por e ekspozoi atë përpara një situate të rrezikshme që kishte të bënte me mënyrën si do të lexohej ngjarja. Se Kryeministri iku nga kjo botë pa një qortim zyrtar në forumet e larta të shtetit e të Partisë, çfarë mund të prodhonte një pështjellim të madh në opinionin publik. Ndryshe nga rastet e tjera kur Hoxha ua përplaste në fytyrë “tradhtitë” bashkëpunëtorëve, këtë herë ish-mikut të tij duhej t’ia provonte në kushtet post mortum. Tashmë që nuk funksionoi skema e eliminimit, ku epilogu tragjik përmbyllte një fushatë të tërë denigruese, Hoxha nxitoi të ndërtojë një skemë tjetër, e para e këtij lloji në praktikën e tij shfarosëse.

“Prapësitë” që Shehut s’ia kishte vënë njeri në dukje sa ishte gjallë, Hoxha do bënte çmos t’ia rreshtonte një nga një pas vdekjes. Rasti nuk kishte të bënte me një prapësi të zakonshme, por me një aktivitet të ethshëm agjenturor kundër regjimit dhe pushtetit popullor. Për të plotësuar “tablonë e zullumeve” të ish-kryeministrit, shefi i partisë vuri në lëvizje të gjithë mekanizmat zyrtarë që drejtoheshin prej tij. Përpjekjet e Hoxhës në kërkim të provave për të fajësuar Shehun janë arkivuar në një dosje sekrete, dokumentet e së cilës nuk janë bërë asnjëherë publike.

Aty janë porositë e para për të arrestuar Fiqret e Feçorr Shehun, por edhe një mori diskutimesh me drejtues të lartë të partisë e shtetit, të cilët i janë përgjigjur kryeshefit me dyshimet që kanë pasur për ish-Kryeministrin e vetëvrarë. Fill pas ngjarjes së kobshme të dhjetorit ‘81, janë thirrur nga Hoxha me radhë: Ramiz Alia, Hajredin Çeliku, Manush Myftiu, Muho Asllani, Adil Çarçani e tjerë, të cilët kanë ekspozuar para tij edhe detajin më të rëndomtë që mund të komprometonte Shehun. Ndër më interesantët në morinë e këtyre bisedave, është ajo me Kadri Hazbiun, njeriun që kishte drejtuar për një periudhë të gjatë sigurimin e shtetit. Duke filluar nga sot, “Panorama” do të publikojë të plotë atë çfarë është kumtuar në takimin e panjohur HoxhaHazbiu, në 15 prill 1982…

dokumenti

TAKIMI I SHOKUT ENVER HOXHA ME SHOKUN KADRI HAZBIU NË ZYRË, MË 15 PRILL 1982

ENVER HOXHA: Ç’kemi ndonjë gjë të re, Kadri?

KADRI HAZBIU: Kohët e fundit, shoku Enver, jugosllavët kanë afruar në kufirin verior një armatë. Këto janë të dhënat e zbulimit…

ENVER HOXHA: Situata të tilla janë të pritshme kur kemi ngjarje te ne, siç ishte kjo e Mehmetit dhe arrestimet e fundit të Feçor Shehut dhe të Fiqretes…

KADRI HAZBIU: Të pritshme, shoku Enver.

ENVER HOXHA: Çështja është këtu. Me këto që kanë ndodhur aparati i Ministrisë së Brendshme dhe ai i Mbrojtjes duhen spastruar. E spastruam tani Mehmet Shehun, Feçor Shehun e Fiqrete Shehun i arrestuam, pas tyre edhe ca të tjerë. Por kjo nuk është e gjitha…

KADRI HAZBIU: Tani mendimi im është top, shoku Enver. Me këta njerëz kemi të bëjmë me një veprimtari të theksuar armiqësore dhe kemi qenë në pikën e pjekurisë së një puçi. Tani situata duhet adresuar me kujdes që të mos kemi dyshime të drejtuara kot…

ENVER HOXHA: Po kujt se?

KADRI HAZBIU: Si e kam unë mendimin për këtë, shoku Enver, ashtu siç thatë ju. Një herë dyshimet ne duhet t’i vëmë me pozita të partishme.

ENVER HOXHA: Me partishmëri.

KADRI HAZBIU: Pra, nga pozita të partishme do ta vëmë dyshimin, të gjitha këto do t’i analizojmë e do të vendosim çfarë do të bëjmë me arrestimet, kë do të arrestojmë dhe cilët duhen mënjanuar nga ky veprim.

ENVER HOXHA: Po, po, cilët duhen mënjanuar.

KADRI HAZBIU: Dhe unë, në qoftë se ia thashë këto shokut Hekuran, këtë e bëra se hezitoja. Unë kam hezituar vetëm për disa, se a biem tamam atje ku duam apo jo, pa këta njerëz që duheshin hequr nga këto organe s’ka dyshim që duheshin hequr.

ENVER HOXHA: Po, po, po.

KADRI HAZBIU: Dhe në vartësi me këtë, shoku Enver, e kisha çështjen për Ministrinë e Punëve të Brendshme, se për ushtrinë s’më kish vajtur në mendje. Unë jam për këtë që, siç thashë, të arrestojmë, po do ta them mendimin tim pse dhe kë të arrestojmë…

ENVER HOXHA: Për ata që nuk ka ndonjë rrezik, nuk do të veprojmë, më parë do t’i ndjekim që të shohim se me kë ka lidhje ky ose ai person.

KADRI HAZBIU: Atë që nuk përbën rrezik, ne do ta lëmë, vetëm se do të marrin masa qe ta mënjanojnë nga funksionet e rrezikshme.

ENVER HOXHA: Se do të zgjerojmë edhe lidhjet. Ishte e domosdoshme të pushkatohej Beqir Balluku? Po të mos e kishim pushkatuar atë, ai me siguri do të na nxirrte shumë gjëra tani, por ja, iku, e pushkatuam dhe i vdekuri s’flet, kështu nuk keni gjë nga ai tani.

KADRI HAZBIU: Po, po, do të na nxirrte. Tani këtë kam unë, shoku Enver, e para. E dyta, mendoj që në këtë situatë duhet ta kemi kujdes sigurimin, gjë qe ju e dini vetë. Pse duhet ta keni kujdes?

ENVER HOXHA: Po, po.

KADRI HAZBIU: Duhet ta kemi kujdes, se këto faje dhe këtë lëmsh pune armiqësore mund të gjejmë njerëz me faje, megjithatë sigurimi do ruajtur, mendoj unë. Ju e dini vetë, shoku Enver, po është një situatë e disfavorshme kjo që është krijuar për organet e sigurimit.

ENVER HOXHA: Po, tani, ashtu është.

KADRI HAZBIU: Tani, ministri i Punëve të Brendshme u arrestua, u arrestuan edhe disa të tjerë pas tij, rrjedhimisht nga kjo mund t’i ngarkohen sigurimit shumë gjëra. Bile një orvatje u bë, qysh përpara se të ndodhte vetëvrasja e Mehmet Shehut, janë bërë përpjekje që ta bënin përgjegjës sigurimin për të gjitha ato që u folën, se ishin parullat e tyre ato, ju e dini ketë.

ENVER HOXHA: Po, të tyret ishin.

KADRI HAZBIU: Mendoj gjithashtu, shoku Enver, që në këta situata duhet të ruhemi dhe nga dizinformacioni i mundshëm.

ENVER HOXHA: Po, edhe kjo ka mundësi të ndodhë.

KADRI HAZBIU: Pse e gjykoj unë këtë kështu? Sepse është një punë e pastër spiunazhi kjo, gjë që është e qartë. Ne qoftë se ne Beqir Ballukun ose me të tjerët vajtëm me ndonjë përqindje më të vogël dyshimi, jo te Beqiri, po te grupi i tij, këta tani janë spiunë dhe Mehmet Shehu ka qenë në ato pozita që edhe për kuadro nga më të ndryshmet ka folur si ka dashur. Ju, me të drejtë, keni pasur takime me të dhe ju duhesh të bisedonit me të, si është karakteristika e këtij apo atij personi etj.

ENVER HOXHA: Po, po, shumë gjëra medoemos që duhet të kishim biseduar ne me të, deri te plani i Kosovës.

KADRI HAZBIU: Tani Mehmet Shehu këto gjëra i ka biseduar te tera shtruar e hollë me Fiqret Shehun.

ENVER HOXHA: Medoemos që i ka biseduar me të dhe s’ka asnjë dyshim për këtë.

KADRI HAZBIU: Fiqret Shehu di tani çfarë kam unë në biografinë time, kur jam kritikuar, përse jam kritikuar, për njërën e për tjetrën. ENVER HOXHA: Po, po, të tëra i di ai dhe, si rrjedhojë i di edhe Beogradi.

KADRI HAZBIU: Po, po flas për këtë që kemi në hetuesi tani. Mbi këto baza Fiqret Shehu mund të sajojë çdo gjë.

ENVER HOXHA: Po, po, medoemos.

KADRI HAZBIU: Domethënë të thotë që ky njeri nuk është kështu, po është kështu.

ENVER HOXHA: Nuk na e hedh dot kollaj ne ajo, ajo mund të ngarkojë njerëz të mirë, po të jesh i bindur që s’na e hedh dot kollaj.

KADRI HAZBIU: E unë këtë ia thashë edhe shokut Hekuran. ENVER HOXHA: E kemi ne atë përvojë.

KADRI HAZBIU: Jo, këtë nuk e kam për vete, po e kam hallin te shokët që merren atje drejtpërdrejt me këtë punë. Ata nuk ka si ta fshehin çdo gjë që do të dalë, veçse duhet të bëjnë një seleksionim të kujdesshëm, po ama një seleksionim duhet ta bëjnë. Se çfarë mund të them unë tani, ajo s’është në pozita të sakta, kaq lidhje jep ajo. E

ENVER HOXHA: E jep? Hiç, hiç, gjë nuk jep.

KADRI HAZBIU: Hiç gjë. Ajo kish lidhje me Feçorrin, po ky vetë me kë vallë i mbante lidhjet?

ENVER HOXHA: Po lidhje me Feçorrin mbante, këtë e thotë vetë ajo.

KADRI HAZBIU: Po vetë Feçori me kë i mbante lidhjet? I mbante në Dajt, i mbante këtu, i mbante te Peço Fidhi, i mbante te Vango Mitrojorgji etj.

ENVER HOXHA: Po, po.

KADRI HAZBIU: Mundet që ajo sajon këtu, po kam frikë se mund të na sajojë edhe gjëra të tjera. Këtë e them kështu, nga mendja, se djalli e merr vesh këtë punë të saj.

ENVER HOXHA: Po ne do të kemi kujdes xhanëm, do të kemi kurdoherë kujdes me njerëzit..

KADRI HAZBIU: Për sa i përket veprimtarisë armiqësore, shoku Enver, na mbetet si detyrë zbërthimi i gjithë kësaj pune agjenturiale. Sipas analizës që i kam bërë unë gjithë kësaj veprimtarie, mendoj se këtu kemi të bëjmë me drejtimin e jugosllavëve.

ENVER HOXHA: Po.

KADRI HAZBIU: Në këtë drejtim evidentohen Fiqret Shehu dhe Feçorr Shehu si lidhje, por mendoj që këta janë edhe të sovjetikëve.

ENVER HOXHA: Duhet të jenë.

KADRI HAZBIU: Në këtë veprimtari mua më duken interesante disa gjëra, shoku Enver. Më tha shoku Hekuran që në dosjen e Sami Muhametit është hequr implikimi i Andrea Manços.

ENVER HOXHA: Po.

KADRI HAZBIU: Ju e dini problemin e Andrea Mancos?

ENVER HOXHA: Mos është ai artisti?

KADRI HAZBIU: Jo, Andrea Mançoja është vëllai i Todo Naços që ne e kemi ekzekutuar, ai që ka pas punuar në tregti.

ENVER HOXHA: Po, po, tamam ky duhet të jetë.

KADRI HAZBIU: Unë ju thashë atëherë dhe ju shpreha mendimin që ky njeri të mos ekzekutohej. Ju ishit dakord me mendimin tim, prandaj kam folur për këtë çështje edhe me shokun Haxhi Lleshi në atë kohe për këtë njeri.

ENVER HOXHA: Po.

KADRI HAZBIU: Në fakt, në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor që u bë për të diskutuar çështjen e tij, ju nuk keni qenë.

ENVER HOXHA: E fali apo jo Presidiumi këtë?

KADRI HAZBIU: Jo, shoku Enver, e dënoi me vdekje.

ENVER HOXHA: E dënoi?

KADRI HAZBIU: Po. I thashë shokut Haxhi pas ekzekutimit të tij ,more po përse e miratuat ju dënimin e tij me vdekje? -Nuk mund t’ua imponoja dot mendimin tim shokëve të tjerë të presidiumit, m’u përgjigj ai. Tani, në drejtim ta sovjetikëve, mund të ketë ndonjë gjë në këtë çështje me jugosllavët. Cili është mendimi im dhe pse e evidentoi këtë para jush? Tani është vështirë të flasësh, po të shikohet protokolli i kësaj mbledhjeje të Presidiumit del se të tërë kanë qenë kundër që ai të ekzekutohej, apo mos kish dhe ndonjë që ka kundërshtuar.

ENVER HOXHA: Po, po, mund të jetë ndonjë person midis tyre.

KADRI HAZBIU: Unë, shoku Enver, atëherë i kam thënë shokut Haxhi se mendimi i shokut Enver është që Andrea Mangoja të mos pushkatohej. Në këtë drejtim më duket shumë interesant edhe çështja e Zia Këlliçit, shoku Enver..

ENVER HOXHA: Po mos del gjë ky si njeri i sovjetikëve?/Panorama.al

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.