DOSSIER

“Më sulmoi tërë jetën pas shpine!”/ Tefta Cami rrëfen konfliktin me Haxhi Lleshin: Ju tregoj prapaskenat e Presidentit për t’i hequr titullin ‘Heroi i Popullit’ babait tim!

13:17 - 17.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Get it on Google Play

Haxhi Lleshi dhe Tefta Cami janë dy nga ish-zyrtarët e rëndësishëm të regjimit komunist, respektivisht President i Republikës dhe ministre e Arsimit. Të dy nga Dibra. Atëherë kur në opinion udhëheqja shfaqej kompakte dhe në unitet të plotë, dy të ardhurit nga Dibra kanë qenë në një konflikt permanent.




Këtë fakt të panjohur e bën publik për herë të parë në kujtimet e saj të shkruara së fundi. Konflikti sipas saj starton që në vitet e luftës, kur i ati i Teftës ka drejtuar luftimet për çlirimin e Peshkopisë me 300 dibranë, ndërkohë që këtë meritë ka dashur ta përvetësojë Haxhi Lleshi, i ardhur në atë kohë në Dibër nga Beogradi me 300 sllavë. Po si ka vazhduar më tej përplasja e Lleshit me fisin Cami.

Më poshtë kujtimet e zonjës Tefta Cami.

FISI CAMI, PREJARDHJA

Kanë ardhur nga Malësia e Madhe dhe janë vendosur në Selitë të Mirditës. Kanë qenë katolikë. Filmi i Kinostudios “Shqipëria e Re” me titull “Shembja e Idhujve” është historia e fisit Cami. Kanë qenë të bashkuar dhe pjesëmarrës në luftërat për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga sulmet osmanllie, serbe e bullgare. Në Dibër janë myslimanizuar, por nuk mbahen si mysliman fanatik. Të parët kanë qenë krerët e Malit të Gollobordës, deri në maj të vitit 1943, kur u krijuan Këshillat Antifashiste. Stërgjyshi, Shaban Cami, është vrarë si komandant çete në Luftën e Parë Botërore kundër forcave pushtuese serbo-bullgare. Është Dëshmor i Atdheut. Gjyshi, Feta Shaban Cami ka qenë komandant çete e ka luftuar kundër forcave pushtuese serbo-bullgare, është vrarë e masakruar nga serbët dhe është shpallur Dëshmorë i Atdheut. Babai, Ahmet Feta Cami, ka marrë pjesë në Luftën e Parë Botërore pas vrasjes të të atit, Feta Camit.

Ka mbaruar studimet e larta ushtarake, ka qenë oficer në Shkodër, Gjirokastër dhe Elbasan. I qëlloi të përcillte Zogun deri në Kapshticë, mandej u kthye e ka puth flamurin, duke dhënë njëherazi dorëheqjen si ushtarak i monarkisë. Menjëherë u kthye në Dibër. Aty merret me organizimin e propagandës kundër pushtimit fashist. Mban një fjalim me 28 nëntor 1939 në pazarin e Homezhit për rëndësinë e ditës së 28 nëntorit dhe për situatën politike në krahinë e në Shqipëri, që mirëpritet e duartrokitet nga dëgjuesit. Në janar të vitit 1940 krijoi çetë antifashiste, duke e quajtur Çeta e Gollobordës (të Malit të Gollobordës), nga që të gjithë anëtarët e saj ishin pothuajse nga krahina e Grykës së Vogël. Në fund të prillit 1941 organizon me punëtorët e rrugës hedhjen në lumin Drin të dy makinave okupatorëve të ngarkuara me armatim, që po kalonin nga Librazhdi për në Shupenzë.

Haxhi Lleshi dhe Enver Hoxha

Ndërkohë në 2 prill 1941 organizon aksionin për marrjen e armëve në depot e Divizionit “Firencia” i dislokuar në Krivarek të fshatit Tërbaç. Ishin këto aksione që bënë bujë të madhe në zonën e Dibrës dhe më tej, por që Haxhi Lleshi, i ardhur rishtas në zonë nga Beogradi bëri ç’është e mundur t’i përvetësojë.

Sipas kujtimeve të tij (Haxhiut), i ka raportuar Enver Hoxhës në vitin 1944 për këto aksione, sikur ato i kishte bërë çeta e tij. Interesante është ndërkaq përgjigjja e Enverit: “Çeta jote qenka para çetës së Pezës. Atëherë përse nuk është shkruar? Për mosnjohje apo për zili”. Kjo për mua ka qenë tentativa e parë e Haxhi Lleshit për të venitur rolin e çamëve në luftë dhe për të ngritur rolin e tij dhe të shpurës ju8oslalve që e ndiqte nga pas në atë periudhë.

Po, po, luftëtarët e vërtetë të asaj kohe e dinë mirë kontributin e sllavëve që shoqëronin Haxhi Leshin në Dibër. Më 7 prill 1941 vjen Haxhi Lleshi me dy nipërit dhe i kërkon Ahmetit të takojë një major serb që ishte në Krivarek dhe t’i mbështeste ato për të penguar sulmin e forcave fashiste italiane ndaj Jugosllavisë. Ahmeti i përgjigjet: “Hasmi i vjetër nuk bëhet mik”. “Unë do të luftoj më vete e jo me ju”.

Haxhi Lleshi me majorin serb komandonin forcat jugosllave për të penguar sulmin e forcave italiane ndaj Jugosllavisë. Ndërsa në Historikun e LANÇ-të popullit të Dibrës shkruhet se Haxhiu ka ardhur me 300 dibranë, që s’është e vërtetë, sepse kanë qenë 300 jugosllavë. Ahmeti atë natë dërgon një njësiti prej 5 vetësh të komanduar nga i vëllai i vogël i tij, Fasli Cami, normalisti i Elbasanit, për të shkuar në Gjoricë me një letër dhe porosi, që të luftojnë më vete e jo me jugosllavët.

Atë natë brezi kufitarë ka qenë i pushtuar nga forcat italiane dhe ato jugosllave. Gjatë udhëtimit të njësitit u ndesh në një pritë të pararojës jugosllave ku vritet Fasli Cami, që njihet si mësuesi i parë dëshmor në Shqipëri. Pastaj arrestojnë 19 burra e djem me Ahmet Camin në krye, që e kanë akuzuar si organizator. Qëndrojnë në burgun e Tiranës e Burrelit një vit e gjysmë.

tefta cami 6

Pasi dalin që aty, Ahmeti qëndron pak kohë në Grykë Nokë te Shaqir Rusi dhe kthehet e riorganizon çetën antifashiste. Si çetë antifashiste ka bashkëpunuar në fillim me çetën antifashiste të baba Faje Martaneshit e të Lim Zenelit në Grykë të Madhe, me Mahmut Pervizin në Zerqan. Vetëm kur i ka shkuar Zoi Themeli e ka biseduar me Ahmetin, ai ka pranuar të bashkëpunojë më çetën partizane të Zogjes, të krijuar në maj të vitit 1942 me komandant Haxhi Lleshin.

Më 25 maj të 1943, kjo çetë njihet si çetë partizane që pranon si komisar mësuesin korçar Spiro Velko, që punonte si mësues ne Radovesh pranë fshatit Viçishtit dhe kishte miqësi me mësuesin Fasli Cami, si dhe ishte pjesëtar i çetës antifashiste të Ahmetit që me krijimin e çetës. Çeta partizane e Gollobordës ka qenë e pranishme në krijimin e Batalionit partizan të Dibrës, sepse ishte Ahmet Cami iniciator e organizator i krijimit të Batalionit partizan të Dibrës. Por Vukmanoviç Tempo sjell Haxhi Lleshin si komandant dhe Esat Ndreun si komisar të Batalionit, sepse ishin komunist.

Ahmet Cami qe ftuar për të marrë pjesë në Labinot të Elbasanit në krijimin e Shtabit të Përgjithshëm, por Tempo e kthen nga rruga dhe dërgon Haxhi Lleshin, sepse Haxhiu ishte komunist, ndërsa Ahmetin e kishte cilësuar si nacionalistë të thekur. Çeta e Ahmetit ka bërë shumë aksione për çlirimin e zonës së Gollobordës e të Grykës së Vogël dhe të Dibrës së Madhe e të zonave të tjera shqiptare përtej kufirit.

Në organizimin e festës së çlirimit në Dibrën e Madhe, Ahmeti bie në konflikt me Tempon, sepse Tempo urdhëron heqjen e flamurit shqiptar nga tribuna, sepse sipas tij, Dibra e Madhe ishte Jugosllavi. Por Ahmeti i përgjigjet: “Ju keni premtuar, se me fitoren e Luftës kundër fashizmit viset shqiptare në Jugosllavi do t’i bashkohen shtetit Shqiptar. Çetat tona partizane i çliruan këto krahina, prandaj duhet të vendoset flamuri ynë kombëtarë.

Nëse do të hiqet flamuri shqiptar, e gjithë Dibra është e rrethuar dhe nuk mund të dalim paq prej këtu në këtë ditë të çlirimit të Dibrës së Madhe”. Ahmeti ishte ngarkuar me çetën e tij dhe të një pjese të Batalionit të Martaneshit për ruajtjen e rendit e të qetësisë të qytetit të Dibrës së Madhe e të fshatrave për rreth.

Me insistimin e Ahmetit, flamuri shqiptar nuk hiqet. Tempo i bën dy letra Enver Hoxhës me kërkesën që të kthehej Haxhi Lleshi në Dibër, se kanë ngrit krye forcat nacionaliste.

Enveri i çon letër Haxhi Lleshit, që ishte në Krujë dhe i shkruan që të kthehej në Dibër, se Tempo na akuzon për nacionalizëm. Kthehet Haxhi Lleshi në Dibër të Madhe dhe u jep urdhër çetave partizane të ktheheshin brenda kufirit të Shqipërisë për të marrë pjesë në luftën e Peshkopisë. Gjatë kthimit, vetëm çetës së Ahmetit i bëhen dy prita, por kaluan pa dëme nga strategjia që ka përdorur dhe nga influenca e njohjet e mëdha që kishte Ahmeti.

Në luftën e Peshkopisë në krah të çetës partizane të Gollobordës vihet një çetë serbo-malazeze prej 45 vetash dhe luftime janë bërë vetëm midis tyre, si dhe të vrarë e të plagosur ka pas vetëm në çetën e Ahmetit, ku është plagosur rëndë edhe Ahmeti dhe ka ndërruar jetë pas një jave me 30 tetor 1943 në Spitalin e Tiranës.

Çetës partizane të Gollobordës i kanë vënë emrin çeta Ahmet Cami, Ka qenë propozuar dy herë nga Dibra para viteve ‘70, për t’iu dhënë titulli “Hero i Popullit”, por e ka penguar Haxhi Lleshi, sepse e ka pas cilësuar si nacionalist ashtu siç e patën cilësuar Tempo e Jugosllavë të tjerë.

tefta

Në fondin e Haxhiut në Arkivin Qendror ndodhet materiali i bisedës së Haxhi Lleshit me profesor Kristo Frashërin, që ishte thirrur për të shkruar Historinë e Popullit të Dibrës gjatë LANÇ. Haxhi Lleshi, e urdhëron profesorin: “Të hiqen çamët nga historia, të mos përmenden as për mirë e as për keq! Ata ishin të gjithë tradhtarë. Edhe disa dëshmorë unë (Haxhiu) i bana. Tefta ishte me biografi të keqe, por më pyetën mua (Haxhiun) dhe e çova në shkollë të lartë”.

SHKOLLIMI DHE NGRITJA IME NE PERGJEGJESI

Unë s’arrita ta njoh babain tim, sepse babai ishte në luftë dhe ne si familje jetonim në fshatin Lubalesh tek Ali Kotili, ose në Sopot te daja Islam Kamberi, sepse përndiqeshim si familje komuniste nga regjimi kolaboracionist i atyre viteve të luftës. Mbarova shkollën fillore në fshatin Viçisht dhe vazhdova shkollën 7-vjeçare e të mesmen pedagogjike në Peshkopi. Për rezultatet e shkëlqyera që arrita me përfundimin e shkollës së mesme pedagogjike, më akorduan bursë për të vazhduar studimet e larta në BS. Sipas njoftimit, shkova në Durrës, për t’u nisur me anije.

Por aty mësova se brusa ishte anuluar dhe do të vazhdoja studimet për gjuhë-letërsi shqipe në Fakultetin Histori-Filologji. Ashtu bëra dhe studimet i mbarova me rezultate shumë të mira. Sakaq, pas ndërrimit të sistemit, mësova emrin e personit që më kishte hequr nga lista për të studiuar në BS. Ai ishte Haxhi Lleshi dhe nga një bisedë që kam pasur me prof. Kristo Frashërin, i cili ka qenë pyetur për gjithçka për Dibrën. Ai më ka treguar se Lleshi ka ndërhyrë për të ma ndërprerë bursën në BS duke më cilësuar me biografi të keqe.

Ai tërë jetën e pati bindje se Camaj ishin nacionalist dhe e urrenin regjimin e Hoxhës. Me mbarimin e Fakultetit, u emërova mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe në shkollën 11-vjeçare “Demir Gashi”. Në tetor të vitit 1967 u emërova redaktore në gazetën lokale të rrethit të Dibrës. Në atë periudhë pasqyrova në gazetë vizitat e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut e të Kadri Hazbiut në kantieret e punës për zhdukjen e pasojave të tërmetit 9 ballësh të 30 tetorit të vitit 1967. Me 15 dhjetor u deklarua zhdukja e plotë e pasojave të tërmetit. Në vitin 1968 mora pjesë për herë të parë në plenumin e KP të rrethit për revolucionarizimin e shkollës. Pata ndjekur diskutimin e madh popullor për revolucionarizimin e shkollës ku ishte i deleguar sekretari i KQ të PPSH-ës, Hysni Kapo.

Një moment unë kërkova fjalën për të diskutuar dhe fola për mënyrën e organizimit të diskutimit që ishte bërë nëpër shkolla duke sjellë dhe propozime konkrete. Në mbyllje të plenumit e mori fjalën Hysni Kapo tha: “Më tërhoqi diskutimi i kësaj gazetares që foli si ministre Arsimi”. Me sa duket ecuria ime dhe përshtypja që lashë me diskutimin në atë mbledhje partie u bënë shkak që atë periudhë të zgjidhesha kryetare e BG të Dibrës.

Në dhjetor të vitit 1969 u zgjodha sekretare e dytë e KP-së të rrethit të Dibrës, ku sekretar i parë ishte Sali Stafa. Gjatë punës si sekretare e dytë patëm konstatuar shifrat fiktive në fushën e ekonomisë dhe e bëmë problem. Sakaq tërhiqte vëmendjen dhe fakti që 70 apo 80 për qind e atyre që ishin shpallur kulakë dhe nuk kishin triska fronti kishin qenë familje patriote. Në Dibër kishte mbetur në fuqi deri në vitin 1971 një urdhër i Koçi Xoxes, sipas të cilit persekutoheshin të gjitha familjet antisllave. Bëra një studim dhe pasi ia paraqita Byrosë së Partisë, vendosëm t’u kthejmë triskat e frontit pjesës më të madhe të familjeve që nuk ishin implikuar më vonë.

Njëherazi i dërguam një raport KQ të PPSH-ës, ku ia shtjelluam me kujdes këtë dukuri. Ai e përshëndeti frymën, me të cilën ishte diskutuar në forumet tona dhe sugjeroi thellim të mëtejshëm në forcimin e rolit të Partisë në luftën kundër frymës së komandimit e të bajraktarizmit në parti dhe mungesën e demokracisë. Në diskutimin e mëtejshëm që u bë në organet e partisë në Dibër u shkarkua sekretari i parë e kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe disa kuadro drejtues të ekonomisë. Ishte ky një moment tjetër kur u konfliktova me Haxhi Lleshin. Më kërkoi që ta takoja dhe më tregoi që, kur të punohej fjalimi i shokut Enver për këto çështje në Byronë e Plenumin e KP të rrethit, unë të ngrihesha e të thosha se nuk qëndrojnë ato kritika, se Dibra ishte Heroinë e Punës Socialiste. Aty për aty unë e kundërshtova: “S’mund ta bëj, se ato probleme që ngre shoku Enver ne i kemi pasur dhe i kemi pasqyruar në raportin e byrosë që kam firmosur unë”. Më tërhoqi vëmendjen, se unë isha e vetmja nga Dibra që nuk shkoja të konsultohesha me të dhe po aty më bëri ofertën se do t’i jepte babait tim titulli “Hero i Popullit” dhe mua titullin “Heroinë e Punës Socialiste”.

Një joshje kjo siç dukej haptazi që unë vetëm të ngrihesha në mbledhjen e Byrosë e të Plenumit të Komitetit të Partisë dhe të deklaroja se kritikat e Enver Hoxhes për Dibrën nuk qëndrojnë, sepse Dibrës i ishte dhënë titulli “Heroinë e Punës Socialiste”. Unë i shpjegova se problemet që ka kritikuar Enver Hoxha janë të drejta. Me sa kam dëgjuar, Ahmeti ka qenë propozuar dy herë nga Byroja e Partisë e Dibrës për t’iu dhënë titulli “Hero i Popullit”, por nuk i është dhënë se jugosllavët e kanë cilësuar nacionalist. Unë s’e meritoj titullin “Heroinë e Punës Socialiste”.

Atëherë Lleshi u skuq në fytyrë e më kërcënoi, duke më thënë: “Nëse ti nuk e bën, unë (Haxhi Lleshi) do të ta nxij biografinë ty e babait tënd”. Me 20 korrik të vitit 1973, Haxhi Lleshi erdhi në mbledhjen e Byrosë së Partisë të rrethit të Dibrës e më përjashtuan nga partia me motivacionin për mohim të sukseseve të partisë të rrethit të Dibrës, që ishte Heroinë e Punës Socialiste, për zbutje të luftës së klasave, për mendjemadhësi e shfaqje të intelektualizmit dhe biografi të keqe, siç edhe u shpreh në mbledhje, se Tefta është vajzë parie, babai i saj, Ahmet Cami ka qenë zogist, nacionalist, s’ka pranuar yllin në flamur e kapele dhe se ai e kishte bërë dëshmor të atdheut.

Unë origjinën shoqërore e kisha të shkruar në dokumente nëpunës i lartë. Unë iu përgjigja: “Dëshmor babai im është bërë me gjakun e tij si gjithë paraardhësit e tij. Ndërsa babai yt ka udhëhequr forcat serbe, se ka dashur ta vërë kufirin në Qafë-Buall e Qafë-Muhurr.

Në Grykë të Madhe janë varret masive të të vrarëve, të vrarë nga serbët të udhëhequr nga nënkoloneli i Beogradit, Halit Lleshi”. Haxhiun e befasoi përgjigjja ime dhe u largua nga mbledhja e Byrosë. Më 7 shtator më njoftuan për mbledhjen e Sekretariatit të KQ të PPSH-ës, që u zhvillua më 8 shtator. Në pasditen e 7 shtatorit, më thërret Hysni Kapo dhe më thotë: “Thirra edhe Hekuranin (sekretar i parë i KP në Dibër në atë kohë) dhe e porosita të flisni vetëm për punën e jo kundër njeri-tjetrit!”.

Unë i thashë se s’kam fol kundër sekretarit të parë, me gjithë rezervat e mia. Por unë do të sqaroj akuzat për biografi të keqe, që më ka bërë presidenti në mbledhjen e Byrosë së KP të rrethit. Konflikti me presidentin ka filluar që më 7 prill 1941 me babain tim. Nxora nga çanta një nga fletoret e ditarit të babait tim, Ahmetit, ku shkruan se Haxhi Lleshi ka ardhur më 7 prill 1941 me forca jugosllave. (E kishim biseduar me vëllain, që ta çonim atë fletore deri tek udhëheqja e lartë, për të mësuar ata për ardhjen e Haxhi Lleshit këtej kufirit).

Hysni Kapo u ngrit në këmbë dhe më tha: “I di Partia, se ç’është shkruar aty. Të urdhëroj, të mos flasësh keq për presidentin. Ma përsëriti tri herë urdhrin. Ne do ta trajtojmë problemin si kundërvënie ndaj emancipimit të gruas”.

Nuk e preku fletoren dhe unë e zhgënjyer e futa në çantë. Në mbledhje të Sekretariatit do të diskutoheshin disa raporte: Një material prej 90 faqesh i ekipit të Aparatit të KQ të PPSH të ushtruar në korrik të vitit 1973, tri raporte të Haxhi Lleshit, si i deleguar i KQ, 19 letra nga Dibra, që kish marrë Haxhi Lleshi me të njëjtat përmbajtje kundër babait tim dhe meje, si dhe një letër anonime, ku unë cilësohesha si kryetare e grupit armiqësor në Dibër. Merrnin pjesë, përveç sekretarëve të KQ, edhe Haxhi Lleshi, Adil Çarçani, Sul Baholli, Gafur Çuçi, që kishte drejtuar ekipin e KQ në Dibër gjatë muajit korrik 1973 dhe Mihal Bisha, drejtor i kuadrit në KQ të PPSH-ës.

Në mbledhje, përveç diskutimeve e debateve të shumta Enver Hoxha pyeti: Keni dëgjuar të ketë në Shqipëri familje me tri breza dëshmorë të atdheut, siç është familja e Teutës? (Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha më thirrnin Teuta, sepse është i njëjti emër, apo forma e parë e emrit Tefta).Hysni Kapo tha: “Tefta është e bija e patriotit të madh, dëshmorit Ahmet Cami, që ka derdhur gjak”.

Sul Baholli tha: “Tefta është vazhdim i punës armiqësore të Zoi Themelit”. Enveri i tha: “Zoi Themelin e dënuat ju të Dibrës. Por ne të kemi thirrur që të bësh autokritikë për shifrat fiktive dhe frymën e komandimit në parti në Dibër, që i ke futur ti si sekretar i parë. Adil Çarçani dhe kryetari i ekipit të KQ të PPSH-ës në rrethi e Dibrës, Gafur Çuçi thanë: “Tefta punon mirë, por nuk e duan disa kuadro të Dibrës, që punojnë jashtë Dibrës”.

Kontrolli i ekipit të KQ të PPSH-ës ishte organizuar për të verifikuar një letër anonime, ku mua më vinin në krye të punës armiqësore të rrethit të Dibrës. Kjo qe edhe arsyeja, që më kontrolluan edhe shtëpinë më 18 korrik 1973, kur nuk ndodheshim në shtëpi. Enver Hoxha për këtë rast u shpreh: “Nuk jam dakord me observimin, që i është bërë Teutës”. Enveri e trajtoi problemin si kundërvënie ndaj emancipimit të gruas. Kur mbaroi mbledhja, Mihal Bisha më tha: “Je e para që fiton në konflikt me Haxhi Lleshin, sepse të gjithë të tjerët janë përjashtuar nga partia e burgosur”.

Pas asaj mbledhje, Haxhiu organizoi letra pas letrash si letra veteranësh, të grave, të Bashkimeve Profesionale, letra anonime, intervista me veteranë e ish luftëtarë të Ahmetit me të njëjtat akuza dhe Enveri ka shënuar: “Dihet burimi”. Konflikti me Haxhi Lleshin vazhdoi edhe kur isha ministre. Kur ndërroi sistemi, mendova, se u mbyll ai kapitull. Por jo… Kërkova që të studioj fondin e tij, me shpresë se mos gjeja ditarin e luftës të babait, meqë kur ishte Haxhiu ministër në MPB na u sekuestrua biblioteka e babait. Nuk e gjeta ditarin, por lexova shpifjet e akuzat e Haxhiut ndaj babait tim e gjithë çamëve, ndaj meje dhe vëllait e motrave të mia që s’kishin të bënin fare me të. Në janar të vitit 1976 zgjidhem sekretare e parë e KP të Rajonit Nr. 1, që mbulonte organizatat e partisë të KQ të PPSH-ës, të Kryeministrisë e Ministrive, të institucioneve arsimore dhe kulturore e artistike e shkencore dhe sportive të Tiranës.

Në prill 1976 emërohem ministre e Arsimit dhe e Kulturës. Nga studimi në AQSH i fondit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, del se Haxhi Lleshi dhe zëvendësi i tij, Shefqet Peçi, kanë votuar kundër emërimit tim si ministre në atë mbledhje. Më vonë, Shefqet Peçi më ka kërkuar falje, duke më thënë: “Nuk ju njihja, kam qenë nën ndikimin e tij, që e ka zemrën katran”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.