DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Dëshmitë, apeli i nënës së 11-vjeçarit: Shpëtoni Mariusin tim. Nxënësit: Shoferi ynë ishte i pirë

07:00 - 28.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

28 maj 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




Dëshmitë, apeli i nënës së 11-vjeçarit: Shpëtoni Mariusin tim. Nxënësit: Shoferi ynë ishte i pirë

Rrëfimet e fëmijëve që panë vdekjen me sy. Klodiana Boxhani, vajza që humbi kujtesën jep shenjat e para. Mësuesi në gjendje të rëndë: Ka nevojë për plazmë. Gjithçka mbeti e pa treguar nga tragjedia e së shtunës pranë Dukatit

 Drejtoria: “Ekskursioni ishte pa leje”

Berat-Nxënësit e dy klasave të shkollës “Babë Dudë Karbunara” që të shtunën vetëm mrekullia i ka shpëtuar nga një tragjedi, dje pothuajse nuk kanë zhvilluar fare mësim. Dy të tretat e nxënësve kanë munguar për çdo klasë, ndërkohë që një pjesë e tyre kanë ende plagë – ndonëse jo të rënda – për të mjekuar. Madje edhe vetë drejtoria e ka nisur mësimin me vonesë, pasi në orën 08.00 të mëngjesit ka zhvilluar një mbledhje me të gjithë mësuesit. Drejtori Bujar Çipi i ka kritikuar mësuesit dhe u ka kërkuar të rrallojnë organizimin e ekskursioneve të tilla që paraqesin rrezikshmëri. Më pas ai ka deklaruar për “Gazetën”: “Unë nuk e kam miratuar këtë ekskursion. Ka një udhëzim që thotë se nuk dueht të organizohen ekskursione të tilla pa miratim të Drejtorisë Arsimore”.

 

 

Elona Mile: Shoferi, pronari i autobusit dhe dy mësuesit porositën birra e raki

“Shoferi ynë ishte i dehur”

Nxënësit tregojnë drekën: Ne donim të iknim

Berat

Shoferi ynë ishte i pirë. Ai bashke më mësuesit porositën për një kohë të gjatë birra e raki, megjithëse unë nuk mund të them se sa ka pirë njëri dhe sa tjetri”.

Këtë histori e ka treguar Elona Mile, vajza më e vogël e grupit, pasi është vetëm 12 vjeçe, nxënëse e klasës së gjashtë, në shkollën 8-vjeçare “Thimi Tani” në Berat. Ajo ka shkuar në ekskursion me komshien e saj.  “Pasi nuk na pranuan në dy lokale, sepse ishim shumë vetë, ndaluam në të tretin. Atje shoferi, mësuesi, mësuesja e fatorino filluan të pinin. Ne u kërkuam të iknim, por ata nuk pranuan. Nuk e di se sa pinë ata, por shihja kamerierin që shkonte herë pas here”, përfundon 12-vjeçarja.

Të njëjtën histori ka treguar dje edhe nxënësi Indrit Mançe, i cili, ashtu si shumë shokë të vet, nuk ka shkuar dje në shkollë, pasi ka qenë ende i tronditur. Dy klasat e shkollës “Babë Dudë Karbunara” kanë drekuar të shtunën në një lokal të pikës turistike në Llogara. Nxënësit janë ulur brenda lokalit. “Ndërsa shoferi, pronari dhe mësuese Shpresa u ulën së bashku në një tavolinë jashtë. Po pinin birra e raki, me ç‘pashë. Më pas me ta u ul dhe piu edhe mësues Luçi. Dikush nga nxënësit propozoi që të hanim shpejt e të shkonim direkt në një disko të Vlorës. Shkuam 3-4 shokë dhe ua thamë këtë, por ata nuk pranuan. “Kemi ardhur për qejf dhe nuk kemi arsye përse të ngutemi”, na tha mësues Luçi”, tregon nxënësi Mançe. Gjithnjë sipas tij, “ata vazhduan të pinë dhe për pak kohë. Por zuri shiu dhe i detyroi të çoheshin, rreth orës 14”. Më pas Mançe tregon: “Shoferi po ecte shumë shpejt, kthesat i merrte larg dhe frenonte shpesh. Unë i thashë: “Kujdes, mos të këputen frenat”, por shoferi u mërzit e, pasi ndaloi autobusin, e hapi derën, tha: “Kush nuk duron dot, të zbresë”. Më pas autobusi, sipas dëshmive, ka ecur përsëri deri në kthesën e fundit, në Qafën e Llogarasë. Pikërisht atje është përplasur me autobusin tjetër, atë me targa e pasagjerë nga Vlora.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.