OPINION

Bujqësia e lënë në treg të lirë dhe (pa)varësia ushqimore

10:19 - 20.06.22 FRAN GJOKA
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prof. Dr. Fran Gjoka – Universiteti Bujqësor Tiranës – Siguria ushqimore është një problem madhor i shoqërisë së sotme të konsumit, ku nevojat janë shndërruar në dëshira. Një element thelbësor i saj është vetë-mjaftueshmëria ushqimore. Dhe vetë-mjaftueshmëria është pavarësi. Këto kohë, ka një shqetësim dhe angazhim në rritje në shkallë globale për vetë-mjaftueshmërinë.
1. Vetë-mjaftueshmëria ushqimore në kontekstin e krizave globale
Për herë të parë termi siguri ushqimore është përdorur në konferencën e parë botërore të ushqimit të mbajtur në Romë në 1974, në fokus të së cilës ishin problemet e shkaktuara nga kriza ushqimore e fillim viteve 1970 dhe kriza e karburanteve e 1973. Më tej koncepti është zhvilluar më shpejtësi për shkak të rëndësisë që ka siguria ushqimore në kuptimin e plotë të fjalës. Indeksi i sigurisë ushqimore përmban tre parametra kryesorë, njëri prej të cilëve është disponueshmëria e ushqimit, që më së paku është mjaftueshmëri. Vendet e ndryshme, duke përfshirë ato të zhvilluara, ndonëse pjesë të tregut botëror, janë përpjekur në vazhdimësi për të rritur shkallën e pavarësisë ushqimore. Por, ndryshimet klimatike, pandemia e koronavirus dhe konflikti në Ukrainë treguan ndërvarësinë globale në njërin prej elementeve me kritike të sigurisë së njeriut që është siguria ushqimore. Sipas indeksit global të sigurisë ushqimore (GFSI-2021), vendin e parë në Europë e zë Irlanda (me 84%), dhe të fundit Serbia (me 61%). Shqipëria, Kosova dhe tre vendet e tjera të rajonit tonë nuk rezultojnë në këtë listë!
Pa kaluar plotësisht dhimbjen e krizës ushqimore të viteve 2007-2008, të shkaktuar nga rritja e çmimit të naftës dhe kufizimi i eksporteve, bota hyri në krizën e radhës Rusi-Ukrainë që solli kufizim të eksporteve të produkteve bujqësore ushqimore, duke bërë që vëmendja e shumë prej vendeve të zhvilluara apo në zhvillim të kthehet menjëherë tek nevoja për pavarësi ushqimore, temë kjo që nuk është e vjetëruar siç mendohej. Siç duket, mbështetja e tepruar në tregtinë ndërkombëtare dhe pamjaftueshmëria e subvencioneve në bujqësi në vëndet në zhvillim rezultuan në vetë-pamjaftueshmëri në prodhimin e ushqimit. Kjo më e theksuar në vendet ku bujqësia është lënë në treg të lirë dhe ku çmimet dhe sasia e prodhimit u bënë edhe më të paqëndrueshëm në aspektin social. Ndërsa, vendet e zhvilluara kanë modifikuar tregun për produktet bujqësore, duke stabilizuar përgjithësisht çmimet e tyre. Në vendet e Unionit Europian, këto ndërhyrje mbështeten në fondin Europian të garancisë bujqësore. Sipas raporteve, indeksi i çmimeve të ushqimit të BE-së u rrit me 8.9% në Prill 2022, krahasuar me një vit më parë, përkundrejt rritjes me 29.8% të indeksit (global) të FAO-s (FFPI) për të njëjtën periudhë.
Një vend që të quhet i vetë-mjaftueshëm në termat e disponueshmërisë së ushqimit duhet të prodhojë ushqim të paktën sa konsumon. Në konceptin Aristotelian të vetë-mjaftueshmërisë, ndërmjet tre të mirave, nevoja për ushqim është e para. Duke qenë se ushqimi dhe bujqësia nuk mund të ndahen, vetë-mjaftueshmëria ushqimore shërben si tregues i performancës së vetë bujqësisë. Nga ana tjetër, duke qenë se toka është një nga tre bazat kryesore fizike të bujqësisë, kuptohet varësia direkte e vetë-mjaftueshmërisë nga madhësia dhe përshtatshmëria e burimeve tokësore të çdo vendi.
Parimi se “më shumë është më mirë” vlen edhe për këtë rast. Sa më i lartë indeksi i vetë-mjaftueshmërisë (mbi 100%) aq më mirë është për vetë bujqësinë, e cila vetëm kështu mund të bëhet e qëndrueshme në tre objektivat e njohur të sajë. Kjo nënkupton që vetë-mjaftueshmëria nuk është një koncept as ekstrem dhe as izolacionist, siç pretendojnë kritikët e tij, por një strategji e dobishme për të të arritur sigurinë ushqimore nëpërmjet rritjes së kapacitetit vendas për të prodhuar ushqim, ndërkohë që vendi mund të angazhohet në import dhe eksport të ushqimit. Të tre këto variabla (prodhimi, eksporti dhe importi i produkteve bujqësore) përfshihen në formulën e përllogaritjes së këtij treguesit të disponueshmërisë ushqimore. Në një analizë të disa viteve më parë, Organizata Botërore e Bujqësisë dhe Ushqimit (FAO) nënvizonte se pavarësia ushqimore dhe tregtia ndërkombëtare nuk duhet parë si një dikotomi e vërtetë, dhe se politikat në mbështetje të një vetë-mjaftueshmërie ushqimore më të madhe janë plotësisht të përligjura.




2. Niveli i vetë-mjaftueshmërisë ushqimore në Shqipëri

Në këtë pjësë të shkrimit synohet tu jepet përgjigje dy pyetjeve: 1. Si ka ndryshuar niveli i vetë-mjaftueshmërisë ushqimore në dy periudhat, para dhe pas vitit 1990? 2. A mundet që Shqipëria të jetë e vetë-mjaftueshme në prodhimin e ushqimit dhe një vend eksportues i rëndësishëm?
Në Shqipëri, diskutimi teorik i konceptit të vetë-mjaftueshmërisë apo pavarësisë ushqimore është pothuajse inekzistent. Në komunikimet akademike dhe mediatike shpjegimi i detajuar i këtij koncepti është i pakët dhe i mangët, ndërsa në ligjërimin politik dhe në dokumentet qeveritare për zhvillimin bujqësor dhe rural mungon krejtësisht! Kjo ndoshta shpjegohet me përdorimin e ekzagjeruar deri në banalizim të termave apo koncepteve të tillë si “pavarësi”, “sovranitet”, “vetë-mbështetje”, etj. nga propoganda komuniste e kohës dhe zbatimi praktik brutal i tyre për afro dy breza nën socializëm, duke bërë që edhe sot të ketë një tabu rreth përdorimit të tyre. Ndërkohë që, si në vënde të tjera, ky koncept ka gjetur zbatim praktik vetëm në nivelin e familjes fermere. Kurse, popullsia urbane është shumë më e varur nga produktet bujqësore ushqimore të importuara.
Nga ana tjetër, studiues dhe institucione të huaja japin informacion të dobishëm mbi këtë temë për Shqipërinë. Kështu, Berit Backer (antropologe dhe etnografe Norvegjeze), në një analizë të zhvillimit ekonomik të vendit tonë në fundvitet 1970, nënvizonte se reputacioni i fituar për mbështetjen në forcat e veta ishte një mit dhe jo nje fakt, por se synimi për zbatimin e këtij parimi ishte arritur në një masë të madhe. Këtu fjala ishte kryesisht për prodhimin e drithërave të bukës, ku për këtë qëllim u bënë shpenzime kolosale në drejtim të zgjerimit të fondit të tokës së punueshme, që u bë në dëm të ekosistemeve natyrore kullosore dhe ligatinore. Gjithashtu, është i njohur fakti i investimeve të konsiderueshme në importin e serrave Holandeze për prodhimin e perimeve. Gjithashtu, Departamenti Amerikan i Bujqësisë, në një publikim për bujqësinë e vendeve të huaja (1992), flet për një raport vetë-mjaftueshmërie ushqimore për Shqipërinë prej 85%, dhe 100 për qind në prodhimin e grurit. Për nga ky tregues vendi mund të krahasohej me disa vende të përparuara të Europës Qëndrore, por politikat e kolektivizimit total dhe likuidimit të fermave familjare çuan në recesion ekonomik dhe kolaps në prodhimin e ushqimit në dekadën 1980-1990. Kësaj i duhen shtuar edhe efektet e thatësirës së zgjatur të viteve 1983 -1988 dhe të 1990. Sidoqoftë, progresi bujqësor i vendit, para së gjithash duhet parë si rezultat i punës vetëmohuese të shkencëtarëve dhe specialistëve të bujqësisë.
Periudha 1993-1996 njihet si periudha e rimëkëmbjes së ekonomisë kombëtare, pas prekjes së fundit në 1990, duke përfshirë sektorin e bujqësisë tërësisht të privatizuar. Por, trazirat e fillimvitit 1997, që prodhoi kolaspi i skemave piramidale, sollën përveç të tjerash shkatërrimin e infrastrukturës bujqësore, kryesisht asaj ujitëse, pakësimin e sipërfaqes së tokës bujqësore të kultivuar, dhe për pasojë reduktimin e prodhimit të ushqimit. Të dhënat tona tregojnë se shkalla e vetë-mjaftueshmërisë për produktet bujqësore si drithrat, gruri dhe mishi është e ulët (65%, 49% dhe 79%, respektivisht) dhe e lartë për vezët, perimet dhe frutat (mbi 90%). Pra, aktualisht vendi nuk është i vetë-mjaftueshëm në produktet ushqimore bazë. Krahasuar me 2005, ky indeks është rritur me rreth 40% për frutat dhe vetëm 9% për mishin. Me ndonjë përjashtim, ndryshimet e parëndësishme në kohë për produktet e analizuara tregojnë se struktura e prodhimit dhe konsumit në vend ka ndryshuar pak. Në vendet e BE-së vlerat e këtij indeksi janë të gjitha mbi 100%, përveç atij të frutave.
Bazuar në statistikat kombëtare të sipërfaqes së tokës arë, asaj të mbjellë me drithra dhe rendimenteve respektive mund të konkludohet se Shqipëria mund të jetë e vetë-mjaftueshme në prodhimin e ushqimit. Për këtë, rëndësi kritike ka treguesi i sipërfaqes së tokës së punueshme për person, që të paktën statistikisht është i krahasueshëm me atë të Bashkimit Europian, 0.24 ha kundrejt 0.22 ha. Kushti themelor për të arritur këtë objektiv është rritja e sipërfaqes së mbjellë me drithra, që sipas përllogaritjeve tona duhet të jetë rreth 147500 ha nga rreth 131300 ha në 2020. Dhe kjo rritje i shkon kryesisht sipërfaqes së mbjellë me grurë që duhet të arrijë në 127900 ha nga afro 54000 në 2020, duke e mbajtur të pandryshuar nivelin aktual të rendimentit, që është afro 28% më i ulët se mesatarja e BE-së. Kjo pasi, një rritje e rëndësishme e tij në afat shkurtër duket e pasigurtë. Për të kuptuar që vendi ka potencial për këtë, mjafton ti referohemi shifres prej rreth 200000 ha të mbjellë me grurë në dekadën 1980-1990. Përkundrazi, sipërfaqja e mbjellë me misër për drithë mund të ulet nga rreth 57000 ha në 2020 në 30000 ha. Rendimenti i tij krahasuar me atë mesatar të BE është vetëm 11% më i ulët. Shifrat e mësipërme janë korrektuar për numrin e popullsisë në 2021.

3. Disa hapa që mund të ndërmerren për të arritur nivelin objektiv të vetë-mjaftueshmërisë

Rruga për të arritur një nivel vetë-mjaftueshmeërie ushqimore të krahasueshëm me BE nuk do të jetë as e shkurtër dhe as e lehtë. Disa nga hapat në këtë drejtim mund të jenë: (i) Harmonizimi i nevojës për vetë-mjaftueshmëri ushqimore me kërkesën kapitaliste për të prodhuar sipas avantazhit krahasues që maksimizon kthimin nga investimi, e thënë ndryshe, gjetja e ekuilibrit midis sovranitetit ushqimor të vendit dhe bashkëpunimit me BE-së; (ii) Përcaktimi i nivelit të pranueshëm të vetë-mjaftueshmërisë ushqimore, që në opinimin tim nuk duhet të jetë nën 90% (iii) Përfshirja në dokumentet qeveritare të zhvillimit bujqësor dhe rural të vendit të objektivit të përcaktuar të vetë-mjaftueshmërisë; (iv) Rritja e substanciale e mbështetjes direkte për fermeret me të paktën 18 herë nga ç’është aktualisht për të arritur në mesataren e rajonit; (v) Rishikimi i legjislacionit për tokën bujqësore, ku të sanksionohet ndalimi i ndryshimit të destinacionit të përdorimit të tokës, me përjashtime të kufizuara – një variant shumë më i butë se ligji Izraelit i pronësisë kombëtare mbi tokën; (vi) Zhvillimi i programit të konsolidimit të tokës duke përdorur praktikat më të mira të BE-së, për të arritur në madhësinë mesatare të fermës prej te pakten 3 ha nga rreth 1 ha që është sot, të krahasueshme me mesataren e rajonit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.