KULTURË

Gruaja dhe dëshira: Erosi, krijimi, pavarësia, barazia dhe seksualiteti

10:00 - 29.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Luan Rama – Dëshira, femrat, qytetërimet dhe emancipimi shoqëror, duket një temë e përjetshme dhe nga vitet 1968 e këtej, gjer në këtë fillim mijëvjeçari, debati rreth rolit të gruas në shoqëri ka qenë gjithnjë i pranishëm, herë në shkëlqimet e veta me Colette, Beauvoir, Duras, Kristeva, Path, etj e herë në rënie, por aktualisht i thekshëm si një problem ku vetëm Perëndimi duket se është në pararojë, pasi aty ku sundojnë ideologjitë dhe religjionet barrazhet janë të vazhdueshme, të vështira, gati të pamundura për tu kapërcyer. Një problematikë të tillë rreket të trajtojë edhe një nga librat e fundit të shtëpisë botuese « Ramsay », një vepër kjo kolektive e drejtuar nga Ermira Danaj, Fabienne Leloup dhe Tamara Magaram, me pjesmarrjen e 35 grave intelektuale, zëra të ndryshme në fushën e kulturës si shkrimtare, sociologe, eseiste, antropologe, gazetare, filozofe, botuese, poete, psikologe, drejtuese shoqatash e lëvizjesh feministe jo vetëm në Francë por që prek një gjeografi të gjerë të botës. Në fakt diskutimi në këtë rast është rreth një çështje të ngushtë : Dëshira tek gratë, një temë e kapur me mënçuri për të sjellë diçka të freskët në debatin e sotëm të lëvizjeve feministe, ku « Me too » ka hyrë në debatin e përditshëm. « Désir », « désirare », « désirer », nuk është thjesht ajo që të mungon, siç vë në dukje dhe një nga autoret, por është diçka më shumë. Dhe kjo është e vërtet, pasi dëshira, që në antikitet e madje që në krijimin e llojit njerëzor është ngjizur në genet e tij, ai është i ngjizur atje, është matricë. Çështja është realizmi i saj, çka shoqërive të ndryshme u është dashur shekuj për të arritur deri diku. Veç debatit, ajo që më tërhoqi interesin në këtë libër ishte se ndër këto 35 figura feministe tre ishin shqiptare : Ermira Danaj, Ajkuna Tafa dhe Barbara Halla. Tri intelektuale që nuk i sheh në emisionet e bujshme të mediave shqiptare, në ekranet televizive, në posterat e konferencave, etj, madje për të cilat flitet pak ose aspak, çka përbën një çudi shqiptare, një paradoks të shoqerisë shqiptare, pasi pikërisht personalitete të tilla janë prezente në një debat ndërkombëtar dhe punojnë e jetojnë në një mjedis internacional duke përfaqësuar njëkohësisht Shqipërinë: Ermira Danaj, sociologe, doktore e shkencave sociale, e shkolluar në Tranë, Zvicër dhe në Amerikë (The New Scool), autore e librit « Women, migration and gendered experiences » botuar në édition « Springer » ; Ajkuna Tafa, shkrimtare, përkthyese, e linguiste që jeton në New York, e formuar në New York dhe Gjermani për studimet antropologjike, dhe Barbara Halla, redaktore për kritikën letrare në revistën « Asymptote », një intelektuale e angazhuar që po merr pjesë aktualisht dhe për krijimin e muzeut « Musine Kokalari ».




 


« Të pyesësh gratë mbi dëshirën – ç’mision kureshtar ! – shkruhet në parathënien e këtij libri. Pra bëhet fjalë për gra të shumë nacionaliteteve, identitete profesionale të ndryshme, gra të njohura nga shkrimet e tyre por edhe ato anonime, gra të gjeneratave të ndryshme me dëshirën për të thënë e dëgjuar se ç’mendojnë ato për dëshirën. Erosi, mëmësia, seksualiteti, dëshira për të qenë e pavarur, të qënit grua plotësisht. Romanciere të ndryshme sjellin këtu fragmente romanesh që flasin për dëshirën: dëshira e rrëfimit, dëshira e guximit për të treguar historinë e një përdhunimi dhe përjetimin konkret apo thjesht për të thënë dëshirën e feminitetit, të trupit, të seksit të tyre, ajo çka u përket dhe që është vetëm e tyrja. Octavie Delvaux, një nga romancieret e letërsisë erotike sjell një përvojë interesante. Janë vallë ato të dominuara ?… Historitë e tyre janë personale, të jetuara, shpesh të dhimbshme. Janë dialogjet e tyre të brendëshme, histori të vjetra që u rishfaqen dhe dëshira për ti treguar këto ankthe që i përndjekin deri në denoncimin e tyre. Barbara Halla merr shkaks nga një shkrim autobiografik i botuar nga Annie Ernaux në revistën feministe « Marie Claire » me titullin « Kujtim vajze » për të thënë se nganjëherë dëshira është kokëfortë dhe shkon në të kundërt të ideve të filozofeve feministe. Dëshira nganjëherë nuk i përgjigjet botëkuptimit. Eshtë ajo që prin… Për Ajkuna Tafën « Të shkruash dëshirë » është më shumë se dëshirë, është guximi i shkrimit, është dhimbja për atin e humbur që guxoi të shkruajë dikur. Vetëm « dëshira për të shkruar në totalitarizëm » do ishte, mendoj, një libër më vete, madje një bibliotekë e tërë. Nganjëherë kritikojmë sensualitetin tek gratë, dëshirën e tyre për tu mbajtur, për të treguar hiret e tyre, trupin e bukur, gjinjtë. Eshtë një dëshirë natyrale, padyshim. Yjet e kinemasë na e kanë dëshmuar gjithnjë : Garbo, Dietrich, e deri tek Belucci. Por në jetën tonë të përditshme a e pranojmë këtë me gratë tona. Vallë është pronësia që i mundon burrat aq shumë ?…
Edhe pse një temë e fokusuar disi, përsëri të duket se është e gjërë, pasi dëshira përbën diçka organike në gjithë thelbin njerëzor. Çdo të ishte një njeri pa dëshirë ? Çdo të ishte një shoqëri, çdo të ishte familja, vazhdimësia e llojit njerëzor? Pa dëshirë, njerëzimi nuk do të kishte bërë përpara. Pa dëshirë do të ishte një kthim prapa, një zvetnim i vetë njeriut ! Dëshira pra është burimi i jetës, dëshira për të bërë përpara. Eshtë padyshim një hapësirë diskutimi pa kufij, e lirë në kohë dhe hapësirë, pasi bota ndodhet para sfidash të mëdha : luftrat, ndryshimet klimatike, eksplozioni demografik, shterimi i burimeve jetësore. Të gjitha këto nuk do të gjejnë zgjidhje pa pjesmarrjen e gruas dhe rolit të saj. E që roli i saj të jetë i plotë duhet që ajo te gjejë vetveten në shoqëritë ku shpesh maçizmi e pengon atë. Dhe padyshim, në shoqërinë shqiptare, pavarësisht nga progresi i bërë deri tani, mbetet shumë për të bërë : nuk janë vetëm pjesmarrja në qeverisje, politikë, por së pari në kulturën e marrëdhënieve njerëzore, në atë çka ndodh ne gjirin e shoqërisë gjer në shtresat më të varfëra dhe të periferisë urbane e ku padyshim, prosperiteti, edukimi do të sjellë një nivel më të lartë të rolin të gruas. Atëherë debati për dëshirën do të jetë tjetër.
Përvoja e këtij libri është një mësim i nevojshëm sociologjie që dhe ne shqiptarët të kuptojmë nivelin e vërtetë në të cilin ndodhen raportet burrë-grua, në hapësirën që i lejohet gruas apo në hapësirën që ajo duhet të fitojë dita ditës përmes forcës së saj. Ja pse për gruan shqiptare të dëshirosh do të thotë së pari të guxosh… Catherine Oberle, themeluesja e « Akademisë së Feminitetit » ndër të tjera në një shkrim poetik « Ti, dëshira ime » shkruan:
« Shpesh pyes veten / se çfarë bën kur ti je larg meje ? / ku ndodhesh kur nuk je tek unë ? / ç’duhet bërë që të rikthehesh / shpesh kam frikë të të humb… »


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.