DOSSIER

“Mehmet Shehu ishte arrogant”, kujtimet e ish-kryehetuesit të diktaturës: Marrëdhëniet e kryeministrit me Ramizin, debatet e ashpra edhe për artin e kulturën

07:56 - 27.08.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Qemal Lame




Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Marrëdhëniet e Ramizit me Mehmetin

Ramiz Alia i është shmangur përgjegjësisë së tij direkte dhe nuk ka shpjeguar të vërtetën për vdekjen e Mehmet Shehut. Ai ka deklaruar e argumentuar zyrtarisht dhe publikisht të kundërtën e qëndrimeve të tij të vërteta ndaj Mehmetit. Këtë qëndrim ruan edhe në deklarimet që bën pas 30 vjetësh. Ramiz Alia ka bërë pas 30 vjetësh disa vlerësime për Mehmet Shehun, por ato bien në kundërshtim me qëndrimet që janë mbajtur në të vërtetë kundër tij para, gjatë dhe pas ngjarjes dramatike të propaganduar si vetëvrasje. Ai vepron me të gjitha mundësitë për të shmangur përgjegjësinë personale dhe për të shpëtuar nga gjykimi e dënimi nga ligji dhe nga historia.

Ramiz Alia ka deklaruar e komentuar marrëdhëniet e tij me Mehmetin që nga koha e Luftës Nacionalçlirimtare. “Shehu ka qenë një nga udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë. Ai ishte i njohur si luftëtar antifashist. M. Shehu kishte marrë pjesë si vullnetar në Luftën e Spanjës kundër fashistëve të Frankos. Sapo u kthye në Shqipëri, mori pjesë aktive në radhët e Luftës sonë NÇL. Gjatë Luftës ai ishte Komandant i brigadës së parë Sulmuese të Ushtrisë NÇL, brigadë e cila mori pjesë në betejat më kryesore kundër pushtuesve të huaj për çlirimin e vendit, duke përfshirë edhe çlirimin e Tiranës. Emri i M. Shehut përmendej me simpati e shpresë nga shumica e njerëzve, ndërsa me frikë të madhe nga bashkëpunëtorët e pushtuesve, nga ballistët.

Pas lufte M. Shehu ka qenë Shef i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Popullore deri në vitin 1948 dhe më pas ministër i Brendshëm, ndërsa pas vitit 1953 deri në vitin 1981 kryeministër i Republikës. Që nga kongresi i i partisë ishte zgjedhur vazhdimisht anëtar i Byrosë Politike. Ai karakterizohej nga vullneti në punë, këmbëngulja dhe disiplina, por në të njëjtën kohë edhe nga arroganca. Në kuptimin e vërtetë të fjalës, M. Shehut ia kishin frikën edhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt në aparatin e qeverisë. Që kur isha nxënës në gjimnazin e Tiranës, e kisha dëgjuar emrin e M. Shehut sa herë flitej për Luftën e Spanjës dhe vullnetarët shqiptarë që kishin marrë pjesë në të.

Më pas, gjatë luftës, kur gjendesha në Berat e Skrapar, kam dëgjuar të flitej për të thuajse përditë. Bëmat e çetës së Mallakastrës kishin jehonë të madhe në Berat. Ndërsa pas krijimit të Brigadës së Parë, komandant i së cilës ishte Mehmet Shehu, betejat e saj përcilleshin me tregime të gjata.”

Njohja dhe kontaktet pas Çlirimit të vendit midis Mehmetit dhe Ramizit.

“Megjithatë, gjatë kohës së Luftës mua nuk më ra rasti të takohesha e të njihesha personalisht me M. Shehun. Njohja e parë ndodhi pas Çlirimit, në vitin 1945, pasi e lashë Divizionin V dhe u ktheva në Shqipëri, si anëtar i sekretariatit të BRANSH-it, u caktova të punoj edhe si drejtues i organizatës së rinisë në ushtri. Atëherë ende nuk ishte krijuar Drejtoria Politike, prandaj që të kisha mundësi të lëvizja pa pengesa në njësitë e repartet e ushtrisë, u emërova si inspektor pranë Shtabit të Përgjithshëm.

Në këtë zyrë në atë kohë punonte dhe Shefqet Peçi, një komandat i shquar i luftës, me të cilin u lidhëm me një miqësi që u rezistoi të gjitha situatave që u krijuan. Kur vajta në Shtabin e Përgjithshëm, u paraqita te M. Shehu sipas rregullave ushtarake: “Shoku Gjeneral, Ju paraqitet… etj etj”. Më dha dorën dhe ashtu në këmbë më tha: “Fillo punën me shkollën ‘Skënderbej’, mbarëvajtja e së cilës ka rëndësi të veçantë për ushtrinë”. Kaq, dhe u ndamë. Asnjë fjalë më tepër.”

Marrëdhëniet midis Ramiz Alisë dhe Mehmet Shehut mbetën zyrtare, duke respektuar njëri-tjetrin në Këshillin e Ministrave dhe në Byronë Politike. “Deri vonë, ndoshta deri në fund të viteve ’60, marrëdhëniet e mia me M. Shehun kanë qenë thjesht zyrtare, natyrisht duke respektuar njëri-tjetrin. Jo vetëm sa kohë isha Udhëheqës i Rinisë, por edhe kur isha Ministër i Arsimit, pra anëtar i Kabinetit Qeveritar, që e kryesonte M. Shehu, takoheshim vetëm për çështje pune. Por duhet thënë se megjithatë marrëdhëniet tona ishin korrekte dhe karakterizoheshin nga respekti reciprok. Unë vlerësoja aftësitë e Mehmetit dhe jam i bindur se edhe ai kishte mendim të mirë për nivelin e punës sime. Kur unë kalova në aparatin e KQ, lidhjet mes nesh u shtuan. Dua të theksoj se Mehmeti përpiqej të ishte korrekt me aparatin e KQ të Partisë. Siç dihet, në aparatin e KQ unë drejtoja edhe sektorët e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës. Sa herë që Këshilli i Ministrave do të merrte ndonjë vendim që kishte të bënte me këta sektorë, M. Shehu gjithnjë, para se të merrej ndonjë vendim, kërkonte të dinte edhe mendimin tim, pra të aparatit të KQ të Partisë.”

Ramiz Alia deklaron për zgjerimin e miqësisë dhe për marrëdhënie më të ngrohta me kalimin e kohës, megjithatë diçka nuk shkonte midis tyre. “Duke qenë anëtar i të njëjtit organ udhëheqës të Partisë, pra anëtarë të Byrosë Politike, me kalimin e kohës edhe miqësia jonë u zgjerua dhe marrëdhëniet tona u bënë më të ngrohta. Megjithatë, diçka nuk shkonte midis nesh. Pa dyshim për këtë ndikonte karakteri dhe natyra jonë e ndryshme.”

Qëndrimet e rrepta, të egra në marrëdhëniet me punonjësit, në politikë, diskutime të ashpra. “Dihet tashmë se M. Shehu ishte i rreptë, bile herë-herë dhe i egër. Kështu që jo rrallë krijonte konflikte të kota me njerëz, duke përfshirë edhe me punonjësit e artit e të kulturës. Disa herë raste të tilla bëheshin shkak që midis ne të dyve të kishte diskutime shpesh edhe të ashpra, për arsye se unë ngulja këmbë që shkrimtarëve e shkencëtarëve nuk mund t’u imponohen kriteret dhe normat e disiplinës së partisë.”

Ramizi e cilëson Mehmetin si sektar në qëndrimet ndaj njerëzve dhe në politikë. Këtë e argumenton me qëndrimin e Mehmetit, se: “sa më përpara shkon ndërtimi i socializmit, aq më tepër ashpërsohet lufta e klasave”?! “Mehmeti ashtu siç ishte sektar në qëndrimin ndaj njerëzve, jo rrallë i tillë ishte edhe në politikë. E kishte zakon që gjërat t’i çonte deri në ekstrem. Ja një shembull: Në prag të Kongresit VII të Partisë, që u mbajt në vitin 1976, Mehmeti nëpërmjet Drejtoreshës së Shkollës së Partisë, që ishte bashkëshorte e tij, Fiqiret Shehu, si dhe të Ndreçi Plasarit, që ishte zv/ drejtor i Institutit të Studimeve Marksiste- Leniniste, shtroi çështjen që në Kongres të shtrohej teza se “sa më përpara shkon ndërtimi i socializmit, aq më tepër ashpërsohet lufta e klasave”?!

E nxirrte këtë konkluzion duke u nisur nga ngjarjet që ndodhën gjatë viteve ’70, pra me anë të dënimeve që u dhanë ndaj grupeve “armiqësore” në gjirin e Partisë, si ndaj atyre të kulturës, të ushtrisë, dhe të ekonomisë (Lubonja, Balluku, Këllezi).”

Enver Hoxha bëri një zgjidhje kompromisi, por sidoqoftë më të saktë, thekson mendimin e tij Ramizi. Në raportin që mbajti në Kongresin VII e formuloi kështu këtë tezë: “Lufta e klasave herë rritet, herë ulet, në raport me zhvillimin e gjendjes së brendshme dhe të asaj ndërkombëtare”, thekson Ramiz Alia. “Qysh në fillim këtë tezë e konsiderova të gabuar, që ishte jashtë logjikës normale, sepse duke u zhvilluar e duke përparuar shoqëria socialiste nuk ka arsye të mendohet se shtohen armiqtë e saj, por në të kundërtën rriten e shtohen miqtë e saj, përkrahësit e saj! Prandaj në një mbledhje me F. Shehun dhe Nd. Plasarin unë dhe bashkëpunëtorët e mi (F. Çami, S. Pëllumbi) e kundërshtuam dhe e hodhëm poshtë këtë tezë sektare. Pasi ia shpjeguam Enverit “kundërshtimin tonë me tezën e paraqitur në emër të Mehmetit”, E. Hoxha në raportin që mbajti në Kongresin VII e formuloi kështu këtë tezë: “Lufta e klasave herë rritet, erë ulet, në raport me zhvillimin e gjendjes së brendshme dhe të asaj ndërkombëtare”. Një zgjidhje kompromisi, por sidoqoftë më e saktë.”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.