Speciale

Gjendja aktuale në Iran, mullahët dhe alternativa demokratike MEK

14:37 - 19.10.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Xheni Shehaj




Prej gati një muaji situata në Iran është tepër e tensionuar. Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini solli protesta e demostrata në shumë qytete të vendit. Protestat u shoqëruan me vdekje, arrestime dhe rrahje nga ana e gardës islamike dhe policisë iraniane. Megjithatë protestuesit nuk u ndalën. Studentë, gjimnazistë, punëtorë, burra, gra janë ngritur më këmbë dhe kërkojnë rrëzimin e regjimit. Regjimi përgjigjet me dhunë, shkopinj, armë, arrestime e së fundmi edhe duke i vënë zjarrin burgut Evin për të zhdukur provat e mizorisë dhe dhunën e ushtruar tek të burgosurit.

Masat e marra nga regjimi i mullahëve janë nga më ekstremet: shkëputja e internetit, bllokimi i rrugëve, dhunimi i grave në mes të rrugës, rrahja deri në vdekje e djemve. Këto masa në fakt janë shfaqje publike e mungesës së lirisë, e dhunës, vandalizmit dhe tregues të frikës që pushteti ndjen. Mullahët mendojnë se duke burgosur, dhunuar, vrarë do të mbjellin frikë në zemrat e iranianëve. Ata nuk duan ta kuptojnë e as ta besojnë se pushtetit të tyre mjeran po u vjen fundi.

Irani është në kapërcyell të një epoke të re. Iranianët kanë derdhur dhe po derdhin shumë gjak për të fituar lirinë.

Në gjithë këtë situatë të tensionuar, mbushur me gjak, lot e dhimbje, nxjerr krye platfomra e Maryam Rajavit e quajtur “Alternativa Demokratike”. Plani me 10 pika i Lideres së muxhahedinëve është si një ylber që del pas shiut. Nuk do të ndalemi gjerësisht tek pikat por do të japim një përmbledhje të shkurtër për të treguar se sa vlerë ka ky plan në situatën aktuale në të cilën ndodhet vendi dhe sa punë do të zgjidhte në Iranin e trazuar e pa orientim.

Në planin e zonjës Rajavi kërkohet të arrihet: liria e fjalës, liria e shtypit, e internetit, e tubimeve, e partive politike, liria e feve, ndarja e fesë nga shteti, heqja e dënimit me vdekje, shpërbërja e Trupave të Gardës Revolucionare, e forcave terroriste Qods, barazi e plotë gjinore, pjesëmarrja e grave në politikë, e drejta për të zgjedhur veshjen lirisht, e drejta për tu martuar lirisht, për tu divorcuar lirisht.
Këto janë vetëm disa nga pikat e planit por mjaftojnë për të kuptuar vizionin dhe projektimin e së ardhmës së Iranit. Ato që kërkon Maryam Rajavi dhe organizata muxhahedine janë më se të drejta dhe aktualisht mungojnë në Iranin e udhëhequr nga mullahët.

Iranianët nuk e gëzojnë lirinë e fjalës, nëse flet të vërtetën arrestohesh/vritesh.

Gazetarët iranianë (përveç atyre që janë pro mullahëve) nuk kanë liri shtypi, nëse shkruajnë kundër pushtetit dënohen.
Iranianët nuk kanë liri për të lundruar në internet, herë pas herë mullahët e ndërpresin internetin duke shkëputur njerëzit nga lidhja me botën.

Iranianët nuk mund të tubohen, të mblidhen për të protestuar paqësisht për ankesat e tyre ndaj shtetit, nëse e bëjnë arrestohen/rrihen/vriten. VINI RE SE ÇFARË PO NDODH ME PROTESTAT QË KANË NISUR E PO VIJOJNË.

Në Iran ka vetëm një parti dhe është ajo e mullahëve e cila garon vetëm në zgjedhje, vetëzgjidhet në pushtet.

Iranianët nuk kanë liri besimi, shpesh herë mullahët arrestojnë/vrasin njerëz me besim Bahaii.

Në Iran ekziston dënimi me vdekje dhe mund të shkosh në litar edhe për gjëra të vogla.

Ekzistenca e Gardës Revolucionare, e Forcave Qods, Milicisë, etj që mbjellin terror dhe frikë në popull është një fakt i pakundërshtueshëm në Iran.

Pocizioni i grave iraniane është tejet i brishtë dhe i lëkundur. Ato ndeshen me shumë kufizime duke filluar që nga mënyra e veshjes (nuk mund të vishen ashtu si dëshirojnë); nga liria për të zgjedhur partnerin e tyre (ligji për martesë në Iran është 13 vje, pra vajzën e marton babai ose vëllai që fëmijë); nëse bashkëshorti është i dhunshëm, pijanec, i papërshtatshëm, etj gruaja iraniane nuk mund të divorcohet, nuk e ka këtë të drejtë; gratë iraniane nuk mund të shkojnë në mbledhje prindërish në shkollat e fëmijvë të tyre; gratë iraniane nuk marrin pjesë në sferën politike, aktualisht në qeverinë e Raisit ka vetëm një grua të punësuar.
Nga çfarë shihet ligjet dhe situata e krijuar nga mullahët në Iran është shumë larg të qenit demokratike. Irani në arenën ndërkombëtare gjatë sundimit të mullahëve njihet si vend i errët ku sundon ligji fetar, ku burrat fshikullohen në mes të qytetit, gratë burgosen që në fëmijëri me martesa të sajuara, mbulohen me hixhab e mbyllen brenda mureve, fëmijët jetojnë pa fëmijëri e prindërit me frikë për të ardhmen.

Protestat e përhapura gjerësisht në gjithë vendin janë tregues se Iranit të vjetëruar nën regjimin e mullahëve po i vjen fundi. Një erë e re po fryn, është era e lirisë që troket në portën e Iranit të gjakosur nga thundra e gjakatarëve. Është era e ndryshimit që sjell te rinia besimin dhe shpresën që e ardhmja do të jetë e tyrja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.