Kryesore

Hakerimi nga Irani, ambasadorja e SHBA në OKB: Kemi nisur përgjigjen! Do të vazhdojmë diskutimet me qeverinë për mbështetjen ndaj Shqipërisë

23:26 - 08.11.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Linda Thomas-Greenfield ka deklaruar se vota e Shqipërisë është po aq e rëndësishme sa ajo e Amerikës si bashkëpengmbajtëse për çështjen e Ukrainës.




Ndërsa ambasadori Ferit Hoxha u shpreh se ky rol e nxjerr Shqipërinë në ballë të çështjes. “Pra, bashkëpengmbajtja për Ukrainën me Shtetet e Bashkuara na bën propozuesit e parë për gjithçka që do të ose mund të ndodhë në Këshill”, tha ambasadori.

Ajo foli edhe për sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë. Greenfield u shpreh se në Shqipëri ka mbërritur Këshilltari i posaçëm Presidencial për këtë çështje. Ai do të diskutojë me qeverinë shqiptare se si mund të përgatitemi të përballemi me sfidat që iranianët kanë paraqitur ndaj sistemit kibernetik.

Pjese nga intervista:

Blendi Fevziu: Sigurisht, të jemi pak më të hapur. Dakord, bashkëpunojmë, jemi miq të ngushtë, por Amerika është Amerikë. Shqipëria si vend i vogël mund të ndihmojë me disa gjëra, por vërtet, keni nevojë për ndihmën tonë?

Ambasadorja Thomas-Greenfield: Jemi 15 vota…

Blendi Fevziu: Me të vërtetë?

Ambasadorja Thomas-Greenfield: Jemi 15 vota në Këshillin e Sigurimit dhe çdo votë ka rëndësi. Dhe vota e Shqipërisë është po aq e rëndësishme sa vota e Amerikës. Dhe kur jemi në Asamblenë e Përgjithshme, secila votë është e barabartë. Pra, po, mund të jetë vend i vogël, por është një vend i vogël që mban më shumë peshë.

Blendi Fevziu: Jeni e kënaqur me ambasadorin tonë në Kombet e Bashkuara?

Ambasadorja Thomas-Greenfield: Nuk mund të isha më e lumtur se sa jam me ambasadorin tuaj në OKB dhe me vendin tuaj në përgjithësi. Ka qenë një fillim i jashtëzakonshëm, një partneritet vërtet i fortë që kemi kur punojmë për çështjet, qoftë kur merremi me situatën në Ukrainë, kur merremi me sulmin e fundit nga iranianët kundër sistemit tuaj kibernetik, po punojmë shumë ngushtë me Shqipërinë dhe është një partneritet që do të mbetet gjithnjë i fortë.

Blendi Fevziu: Normalisht në fund të mandatit dy-vjeçar të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, do ju pyes, a ngelët të kënaqur me Shqipërinë? Sepse tani jemi në mes të mandatit. Por, po pyes Ambasadorin, çfarë do të thotë për ju të jesh bashkëpenëmbajtës me Shtetet e Bashkuara në OKB?

Ambasadori Hoxha: Faleminderit Blendi që e bëtë këtë pyetje sepse është shumë e lehtë për t’u shpjeguar. Të jesh bashkëpenëmbajtës praktikisht do të thotë të mbash penën, pra të shkruash variantin e parë, të propozosh ose…

Blendi Fevziu: Të shkruash me dy duar…

Ambasadori Hoxha: Ndonjëherë, në kompjuter, po. Por do të thotë të jesh në ballë të një çështjeje. Pra, bashkëpenëmbajtja për Ukrainën me Shtetet e Bashkuara na bën propozuesit e parë për gjithçka që do të ose mund të ndodhë në Këshill. Dhe jemi të parët që thërrasim mbledhje. Jemi të parët që propozojmë dokumente si projekt-rezoluta. Jemi të parët të propozojmë ndonjë deklaratë të përbashkët…

Ambasadorja Thomas-Greenfield: Dhe negociojmë bashkë edhe me anëtarë të tjerë. Pra, zëri i tij është po aq i fortë sa zëri im si bashkëpenëmbajtës, sepse po negociojmë me partnerët tanë për të siguruar mbështetjen e tyre për rezolutat që hartojmë.

Blendi Fevziu: Në Kombet e Bashkuara.

Ambasadorja Thomas-Greenfield: Po.

***

Blendi Fevziu: Si janë marrëdhëniet tona me Iranin në Kombet e Bashkuara?

Ambasadori Hoxha: Hm, të ngrira.

Blendi Fevziu: Të ngrira, e di…

Ambasadori Hoxha: Nuk kemi më marrëdhënie me ekipin e Iranit. Është pjesë e mënyrës si zhvillohen marrëdhëniet kur shkëput lidhjet diplomatike. Por ama flasim për Iranin. Çdo herë që kemi diçka për të thënë dhe flasim për Iranin kur flasim për Sirinë, flasim për Iranin kur flasim për të drejtat e njeriut, siç bëmë me Ambasadoren Linda kur organizuam takimin e parë dhe unik. E quajtëm Formula Arria. Është një takim joformal i Këshillit mbi protestat që vazhdojnë në Iran dhe kjo është shumë e rëndësishme. Pra, nuk e harrojmë Iranin.

Blendi Fevziu: Por ata po e kërcënojnë Shqipërinë, media, jo qeveria. Po e kërcënojnë Shqipërinë madje me sulme dronësh apo çfarëdolloj terrorizmi tjetër.

Ambasadori Hoxha: Mendoj se kanë bërë më shumë se sa kërcënime sepse kemi sulmin kibernetik dhe ne po…

Blendi Fevziu: Po flasim për sulme fizike…

Ambasadori Hoxha: Dhe po merremi me atë. Shpresoj që nuk do të shkojnë kurrë aty sepse është një shkallë tjetër dhe një lloj tjetër situate. Duhet ta marrim shumë seriozisht. Po diskutojmë me partnerët. Po diskutojmë, sigurisht me SHBA, por edhe me aleatët europianë dhe NATO. Dhe shpresoj shumë se nuk do të ndodhë ndonjëherë. Por nëse ndodh, ne do të dimë si të përgjigjemi, jo vetëm, por me partnerët tanë.

Blendi Fevziu: Si mund ta ndihmoni Shqipërinë në këtë drejtim? Në lidhje me Iranin.

Ambasadorja Thomas-Greenfield: Kemi filluar tashmë të përgjigjemi ndaj sulmit më të fundit kibernetik; identifikuam Iranin si burim të atij sulmi dhe e ndamë atë informacion menjëherë me qeverinë e Shqipërisë. Këshilltari ynë i Posaçëm Presidencial dhe Ambasadori i Posaçëm për Kibernetikën është këtu në Shqipëri sot duke punuar me qeverinë për të folur se si mund të përgatitemi që të përballemi me sfidat që iranianët kanë paraqitur ndaj sistemit tuaj kibernetik këtu. Dhe do të vazhdojmë diskutimet me qeverinë se si mund të mbështesim më shumë.

Blendi Fevziu: Ata po mbështesin gjithashtu hapur Rusinë në luftën me Ukrainën. Po u dhurojnë rusëve dronë dhe armë të tjera.

Ambasadorja Thomas-Greenfield: Po, ministri i Jashtëm në fakt e pranoi, fillimisht.

Blendi Fevziu: Vetëm në fillim të luftës…

Ambasadorja Thomas-Greenfield: Në fillim e mohuan. Tani thotë që kanë furnizuar dronët, por jo sistemet e armatimit. Por ne e dimë se çfarë kanë bërë dhe i kemi treguar me gisht për atë që kanë bërë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.