DOSSIER

“Flamuri në Vlon’, kombin e bashkon”

11:35 - 29.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Prej Presheve gjer’ n’ Prevez
Kjo gluhë nëne – Shpirtin ndez”




“O ma, o ma… qysh po m’doket krejt si Smajl Qemali. Qenka ai o ma, shiko atje, qenka Smajl Qemali”, e teksa ktheva shikimin drejt zërit të ëmbël mbushur me pafajësi fëmijnore, që mes Vlore tingëllonte aq bukur në dialektin verior, shikimi më përcolli imazhin e një vogëlusheje veshur me bluzën qëndisur flamuri e mbi ballin imcak kish’ lidhur shiritin e kuq, mbi të cilin shkruhej fraza aq e dashur prej nesh “Jam krenar që jam shqiptar.”
Ju afrova teksa po e përkëdhelte me duar fytyrën e derdhur në bronx të atit tonë, e nuk desha t’ja prish lumturinë, ndaj thjesht e përgjoja nga pas sesi i lutej posi një perëndie njeriut që kushedi sa shpesh e ka dëgjuar gojëdhanave dhe e ka mbrojtur me dashuri në vete. Nën vështrimin e asaj përmendore, ne nderojmë një burrë shteti që “I lutej Zotit të ishte dëshmori i parë i Atdheut të tij”.
”Nuk ke qenë herë tjetër në Vlorë?” e pyës, e sikur të më njihte prej kohësh më tha pa kurrfarë ndrojtje “Na ka sjellë babi me mamin, mua dhe vllaun, për me e vizitu Shqypninë për festën e flamurit. Nuk kam qenë më parë, jam e knaqun, po du me hy brenda me pa, se mami m’tha që është muzeu i pamvarësisë, por dera qenka mbyllun.” Vjosa ishte nisur nga Prizreni për me qenë krah Vjosës që gufon në shtratin e vet, se era e lirisë si sot e 110 mote kaluar, pat’ shkruar një fat të mbarë për vendin e vogël gdhendur buzë ëndrrash.
Tutje- tëhu, larg prej gumëzhimës ku qenë mbledhur grupe – grupe vizitorët, qëndronin hijerëndë tre burra krejt të moçëm në pamje, veshur me kostumet popullore dhe plisin anuar mbi kokë, tek shfaqej po aq krenare shqiponja, a thua se ishte thurur me lëmin e mallit që vlonte kraharori. Mustaqe përdredhur e llullën ndezur, e mua më erdhi keq si nuk m’u ndodh një shtamë raki, t’u qasesha për një dolli. “Me ç’sebep t’u vete, po sikur të më paragjykojnë e të bëjnë ironi,” ishin mendimet e para që më stepën, por e kapa shpejt fillin e u ftillova: a kishte gëzim më të madh për të gjithë ne sesa kjo ditë, të afroheshim e të uronim sho – shoq për ta trashëguar këtë tokë secili në dialektin e tij, e të tërë bashkë në të mjaltën gjuhë që na flet zemra?
Ç’ fisnikëri transmetonin; dhe qeshë e sigurt sesi ai vështrim i ashpër fshihte të vërteta të pathëna, por që shpirti i tyre do i ketë provuar gjer’ në asht. Mora vesh se ata ishin pjesë e batalionit të UÇK-së, prej Drenasit; dhe këtë tokë ndjenin se u takonte, se e kishin ujitur me gjak bijsh. Të parët që hynë në Muze pa pyetur kërkënd, pa pritur zakonet e salltanetet e burokracisë institucionale, me thjeshtësinë e njeriut që mbart mbi vete historinë, a thua se kishin mbushur një thes meraqesh prej bijës Kosovë që sot lumturohej për Shqipen nënë, e donin t’ja rrëfenin flamurit, Vlorës, vatanit, në tyren mënyrë: me shikimin e kthjellët drejt ardhmërisë. Gjëmonte dheu prej atyre hapave të rëndë, të cilët në harmoni mes tyre dukej sikur thurnin një gërshet, t’na mbante lidhur përgjithnjë.
“O gjysh të t’bëj një foto?” “Po do ma bësh me k’të vllaun tem e ta kqyrim me fëmijët tanë nesër darka. Ja, le të jetë flamuri nga pas, bash mu k’tu bëjna”, duke më treguar me gisht vendin ku dëshironin të kishin kujtimin e ditës. I treti mes tyre ishte duke biseduar në telefon me vajzën mërguar dhe ai shikim i kristaltë që i mbeti më pas ndrinte brengë. Desh’ të ishte i fortë, por lotët përballë diellit kthehen në diamante dhe verbojnë.
“Ta gëzojmë Shqipërinë!” Sa s’kërceva entuziasmi!
“Ta gëzoni o bijë, ta gëzoni, po m’dhemb që s’po mujni as ju ktej e as rinia jonë prtej kufii me e gzu si po e doni. E ne pleqtë s’mundemi me e jetu pa ju.”

70d7bf94-ce5f-47f6-bbd4-dcd684de378f 77e81e09-3589-490c-ba85-2e24abac32c3 315525255_676819300614747_1562149938528086144_n
<
>

Teksa shihja kaq shumë dardanë që sot patën shkelur tokën amë, m’u përfytyrua realiteti i Kosovës, me të cilin shpjegova gjithë këtë zjarr që tek gjaku ynë përtej kufiri rri zgjuar për Shqiptarinë. Ishte dimri i 17-të shkurtit të vitit 1999, ku mbi Malin kryelartë të Pashtrikut, viganit që ushqehet nga ujrat e rrëmbyera të Drinit të Bardhë, pika doganore e Morinës qe kthyer në qerthullin e vdekjes. Njëzet e tre vite që ndanin kujtesën në dysh, prej luftës në festë, njezet e tre plumba që çdo kosovar sot mbante mbi shpinë për t’na thënë se liria që festojmë ka emër. Sepse përkujtimi i 1912-ës nuk mbart plotësisht atë peshë emocionale që na gëlon kraharorin, nëse nuk kujtojmë edhe ditët kritike të historisë sonë të jetuar, që krijojnë një skenar të denjë për Shkretëtirën e Tartarëve, vetëm se përtej nuk kishte indigjenë lëkurë tjerur nga Dielli i Saharasë, por vëllezërit tanë, që të lartësuar nga sakrifica sublime e Jasharëve, të verbuar nga dhimbja për viktimat e Raçakut, e të vendosur për të vënë në vend padrejtësinë e madhe historike, luftonin në një betejë të pabarabartë ndaj një hordhie që nuk njihte as rregulla lufte e asnjë kod moral. E këtë histori e kemi parë me sytë tanë, është pjesë e dhembjes ende të freskët që na zgjon makthe lufte. Ndaj Kosova feston aq shumë sot, sepse e di çmimin që ka paguar liria për me ardh’ plot ngjyra për ne.
Qeveria e Vlorës pati meritën për të kuptuar se pa hapur dyert e mendjes, pa çlirimin prej padijes e pa mprehur fjalën nuk mund të kishte një Shqipëri të përparuar. Nën udhëheqjen e Ismail Qemalit u krijua Akademia e parë Kombëtare për Çështjet e Gjuhës, u ngritën 64 shkolla dhe u vendos Shqipja në piedestalin e gjuhës amtare.
“Unë, biri yt, t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj, t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet, t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kulluara, ta di gjakun që të vlon në gji”. Himn dedikuar mëmës së sfilitur prej gjëmave, nga një prej penave më të shkëlqyera të letërsisë shqipe, Ali Podrimes, shkruar me përvëlimin prej dashurisë. Mes përkujtimit të figurave më të ndritura që na kanë trashëguar të ardhme do mund t’i flasim historisë sonë me kokën lart dhe me premtimin për ta mbajtur gjallë amanetin e përjetësisë së Shqipërisë, si dëshmi e një rrugëtimi jo të lehtë për ata që gdhendën shpirtin në Memorien e Pavarësisë.
Në kujtimet e tij, Dhimitër Zografi e përshkruan udhën e 110 viteve më parë si një triumf sakrifice, që lajmëronte pranverën e kombit tonë.
“Vlora nga Durrësi nëpër det mban 5-6 orë, po nëpër tokë, në dimër mban 4 ditë me kuaj të mirë. Ç`kemi parë dhe ç`kemi hequr në këtë udhë bëhet roman më vete. Për të vënë re ish guximi, kurajua, fytyra e ëmbël dhe e pandryshuar e plakut Ismail Qemalit, i cili shkonte gjithnjë përpara.”
“Kam ardhur nga Kërçova dhe do qëndroj dy ditë, ta shijoj këtë kohë. Nesër jam në Tiranë, e mandej sërish në shtëpi”, më tregoi me një frymë Latifja, pa harruar t’më kujtojë krenarinë për të birin, gazetar i Deutsche Ëelle në shqip. “Është im bir, e unë vetë jam arsimtare”, më thotë; ndërsa m’u ndezën shkëndijat e bisedës për edukimin, një investim të cilin e ruaj si pasion për vendin tim. Folëm paksa, shkëmbyem kontaktet dhe lamë një takim të dytë, përtej kufirit zyrtar, por në kufijtë etnikë të tokës sonë.
Dhe më e këndshmja pamje që të kapte vështrimi qe grupi i të rinjve valltarë ardhur prej Prizreni. Veshur me kostumet tona popullore, ata djem e vajza kishin tre dite poshtë e përpjetë sa nga Tirana në Vlorë, nuk ndalnin çapin; mbushur plot gëzim qenë diell i Shqipes. Gjithkush e bëri një foto me ta, ishin kopertina e shumë drejtuesish institucionesh, por keqardhmja ime qe si askush nuk u dha një falënderim që të buronte prej shtetit. Nuk kërkonin shumë, një certifikatë mirënjohje prej kujtdo që shijoi praninë e të rinjve plot shend e verë.
Gazmendi, profesori dhe koreografi i tyre fliste me aq pasion për Ansamblin e Prizrenit, ata 250 artistë që për pak ditë festonin 16 vjetorin e krijimit. “Janë artistë nga mosha 7 vjeçare, deri në 55 vjeç dhe ne kemi vizituar aq shumë vende së bashku. Por, problemi ynë i madh janë vizat dhe burokracitë, që na kanë penguar jo pak”, më rrëfen me keqardhjen e një shtetasi që lirinë e ka brenda vetes, por bota i kërkon t’ja vërtetojë se e ka dhe me letra!
Pashë shumë pak shqiptarë brenda trojesh e aq pak vlonjat sot, në rrugët e boshatisura. Ndoshta sepse lebërit durojnë shumë, por kur u plas xhani, dinë si të bëjnë zhurmë dhe në heshtje!
E unë dua ta mbyll me vargjet e një vlonjati të mirë, që i shkroi në kohën kur “Plaku i Vlorës” takoi përjetësinë, Ali Asllani vajtonte jo për një baba, por për një “Profet”.
“Mir po Plaku i vërtetë
Ish Profet dhe mbet Profet;
Dhe qëndron ashtu si ishë;
Do mbaj emrin si e kishë;
Emr’i tija i vërtetë;
Ësht’ Nëntor Njëzet’ e tetë.”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.