KULTURË

Historia e shkollës “Skënderbej” nëpërmjet kolanës së 5 volumeve të autorëve Kujtim Boriçi dhe Maksim Fejzulla

07:45 - 25.03.23 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ –




Në 78-vjetorin e Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, na vjen historia e një shkolle legjendë, nëpërmjet kolanës 5 volumëshe “Skënderbegasit ndër vite” të autorëve të mirënjohur Kujtim Boriçi dhe Maksim Fejzulla.
28 mars 1945 është një ditë e paharruar, e shënuar dhe simbol, ditë historike në kujtesën e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Në këto ditë hapi dyert shkolla e pionierëve të luftës, me 200 partizanë të vegjël, midis të cilëve dhe 7 vajza. Komandanti i parë i shkollës, Dule Pashaj, thërriti një staf të zgjedhur mësuesish e komanduesish, me të cilët shkroi historinë e ditëve dhe të viteve të para të shkollës. Në program u vendosën plotësisht lëndët e arsimit të përgjithshëm dhe lëndë të formimit ushtarak. Në tërë veprimtarinë e saj shkolla kishte një trupë pedagogjike e komanduese të nivelit të lartë. Mësuese dhe oficerët ishin të përgatitur, kërkues, këmbëngulës dhe të përkushtuar në kryerjen e detyrës. Shumë prej tyre ishin diplomuar jashtë shtetit në perëndim Itali, Gjermani, Austri dhe BS. Të pajisur me njohuri, të gjëra shkencore, trupa pedagogjike bëri përpjekje të vijueshme që dijet e fituara t’ua jepnin me devotshmëri e përkushtim çdo skënderbegasi. Mësuesit dhe kuadrot ushtarake, i gjeje pranë skënderbegasve, duke treguar kujdes të veçantë.
Në fillesat e para të saj shkolla nuk kishte bazë materiale mësimore, as kabinete e laboratorë. Por falë punës pasionante e këmbëngulëse të oficerëve e mësuesve, shkolla u modernizua. Programi arsimor i shkollës realizonte ndërthurjen e arsimit të mesëm me atë të edukimit fizik e ushtarak. Stërvitja ushtarake ishte e planifikuar dhe zhvillohej me intensitet të lartë. Në këtë drejtim, një vend të rëndësishëm zinte përgatitje rreshtore, përgatitja e zjarrit, njohja dhe përdorimi i armëve me të cilat ishte e pajisur ushtria, aftësimi i nxënësve për qitje, si dhe përgatitja taktike. Në çdo veprim që kryenin skënderbegasit vihej re një organizim i përsosur ushtarak. Rreshtimi dhe parakalimi çdo ditë të hënë, marshimet pas Malit të Dajtit, pjesëmarrja në stërvitje me trupa, në spartakiada e manifestime, në parada, vizitat ne fabrikat e uzinat ushtarake, në regjimentet e Aviacionit e të Flotës Detare, në reparte ushtarake, formonin dhe shtonin më shumë dashurinë e skënderbegasve për karrierën e tyre ushtarake.

 

277083164_496322548736416_6691388475915414597_nqwwqwqwq 277225946_646586126448747_4144044906187449229_nqwqwwq 277238880_712242033280197_199522605530310037_nsaassa 277200038_1153628312040064_1125464573549159448_n111 276981092_323453229767492_6094347428009944038_nsasasa 276031675_294453949479081_8824388146777771320_n1222
<
>

Në vitin 1954 përfundon studimet matura e parë, e cila do të mbahet mend për rezultatet e larta të saj dhe që nga ky vit, skënderbegasit kishin mundësi të vazhdonin studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve dhe më vonë në të Marinës e Aviacionit.
Sukseset dhe arritjet e Shkollës “Skënderbej” nuk mund të realizoheshin pa kontributin e pazëvendësueshëm të stafit pedagogjik e ushtarak të shkollës. Atyre ju takon çdo sukses i arritur. Çdo arritje e skënderbegasve e ka bazën tek mësimet që morën nga mësuesit e tyre të mrekullueshëm, të cilët ishin më të zgjedhurit në Tiranë e më gjërë. Ata nuk ishin vetëm mësues e pedagogë, por siç thotë populli me tërë kuptimin e fjalës, ishin shpirt njeriu, që dinin të administronin me kujdes ndjenjat e skënderbegasve.
Pas viteve 60 Shkolla “Skëndebej” u bë burimi kryesor i furnizimit të shkollave ushtarake në vend. Misioni i saj ishte përgatitja e nxënësit me kulturë të përgjithshme ushtarake, duke vënë në themel të programit mësimor lëndët kryesore të arsimit të përgjithshëm, për të vazhduar studimet e larta jo vetëm në shkollat ushtarake, por dhe në universitetin shtetëror. Shkolla dhe stafi drejtues tregonte kujdes të veçant për pajisjen e skënderbegasve me kulturë të përgjithshme qytetare dhe ushtarake. Kështu në progarmin mësimor, krahas lëndëve të formimit të përgjithshëm arsimor si gjuhë shqipe, letërsi, histori, gjeografi, gjeometri, triginometri, algjebër, analizë matematike, astronomi, biologji, kimi, fizik, gjuhë e huaj anglisht, rusisht, punë mekanike, kujdes tregohej për lëndët ushtarake dhe përgatitjen fizike që shërbente në përballimin e vështirësive të profesionit të ushtarakut.
Në vitin 1961 në shkollën “Skënderbej” u shtuan dhe grupet mësimore për mjekësi dhe kulturë. Ndërsa në vitin 1963 për nevojat e ushtrisë pranë shkollës u krijua një kompani që studionte në shkollat profesionale Politeknikumi “7 nëntori”, Shkolla e Mesme Ekonomike, Polteknikumi Mjekësor dhe Shkolla e Kulturës.
Prej vitit 1968 e në vazhdim, maturantët me rezultate të larta në mësime, ndiqnin studimet në Universitetin e Tiranës. Shumë skënderbegas dolën në jetë inxhinierë, mjekë, ekonimistë, gazetar, kineaist, operatorë, historian, fizikant, redaktor letrar, artist, trajner, etj. Të gjithë punuan e drejtuan sektorë të ndryshëm të ushtrisë, si dhe në jetën civil në pushtet dhe në ekonominë shqiptare. Koha ka treguar dhe vërtetuar se kuadrot që dolën nga kjo shkollë e justifikuan plotësisht besimin e familjeve dhe të shoqërisë në shërbim të detyrës të mbrojtjes së vendit. Nga bangot e saj kanë dalë ushtarak madhorë, gjeneral, profesor shkencëtar, pedoagog, deputet, politikan, ambasador, aviator, poet, shkrimtarë, biznesmen etj.
Shkolla Ushtarake “Skënderbej” nuk mund të qëndronte e shkëputur nga problemet e zhvillimit të vendit. Skënderbegasit punuan dhe kontribuan në ndërtimin e veprave të pesëvjeçarëve, në hapjen e rrugëve, në veprat energjetike dhe në ndërtimin e hekurudhave. Aktivitetet ku mori pjesë Shkolla “Skënderbej” ishin tharja e kënetës së Maliqit në vitin 1950, hapja e tokave të reja në Bizë të Martaneshit në vitin 1966, ndërtimi i rrugës së Malësisë së Madhe në vitin 1968, hapja e tarracave për agrume në brigjet e Jonit në Lukovë e Ksamil në vitin 1971, tarraca këto që për vite me radhë do të thirreshin me emrin e shkollës “Skënderbej”, ndërtimi i hekurudhës Librazhd-Përrenjas në sektorin e Qukësit në vitin 1973, etj. Shkolla ka marrë pjesë në mjaft aksione në ndihmë të bujqësisë në fshatrat e Lezhës, Lushnjës e Fierit. Kjo listë e kontributeve të shkollës nuk është e plotë, sepse aktivitetet e saj janë të panumerta.
Skënderbegasit kanë të drejtë të krenohen me shkollën, sepse kjo shkollë, krijoi një traditë të shkëlqyer në përgatitjen e kuadrove për vendin, dhe ka lënë gjurmë në Forcat e Armatosura. Me programet e saj në përmirësim çdo vit mësimor mundësoi përgatitjen e oficerit të edukuar, të disiplinuar, të aftë dhe me botëkuptim atdhetar, në shërbim të atdheut. Të gjitha këto cilësi u manifestuan në vite, por në mënyrë të veçantë në vitet ’90, në kohën e transformimeve të thella të ndryshmit të sistemit shoqëror. Gjatë këtij procesi spikati figura e oficerit qytetar, korrekt, besnik ndaj popullit dhe vendit, e që përkrahu proceset demokratike në vend.
Në shtator të vitit 1992, shkolla mbylli dyert për nxënësit e saj skënderbegas, ëndrrat e të cilëve u ndërprenë në mes. Drejtori i fundit i shkollës Shkëlqim Dervishaj, ka theksuar se mbylljen e shkollës në mënyrë krejt arbitrare e të papritur, pa marrë parasysh mundësitë që krijonin zonat nga vinin nxënësit, për arsimin e mëtejshëm të tyre, e quan një vendim të keq. Në atë vit, drejtori shprehet se nuk mund ta mendonin e as ta besonim se ky monument historik do të etiketohej si shkollë “jeniçerësh” në një kohë kur ishte përgatitur një armatë kuadrosh nga më të diturit e nga më atdhetarët, me kontribute të çmuara në jetën e vendit. Për fat të keq, shumë mendje të çoroditura e dashakeqe, nuk e kanë kuptuar dhe nuk duan të kuptojnë shpirtin e rrallë dhe krejtësisht demokratik të skënderbegasit, ku valon vetëm e përparuara dhe atdhedashuria. Shkolla “Skënderbej” nuk ekziston më, por askush nuk mund ta errësojë lavdinë e saj. Në fakt, vendi e veçanërisht ushtria, humbën një legjendë, që ju deshën 47 vjet për t’u bërë ikona e arsimit shqiptar, simboli i dijës dhe i kulturës, i edukimit ushtarak dhe atdhetar. Shkolla Ushtarake “Skënderbej” i ka sot dyert e mbyllura dhe nuk mund të hyhet në gjirin e saj. Sot ka një shoqatë e cila ka hapur dyert e dritaret për të gjithë skënderbegasit, mësuesit e oficerët që punuan e kontribuan për ta bërë shkollën elitë të arsimit shqiptar, që me të drejtë ka merituar titullin “Nderi i Kombit”.
Po mbushen 31 vite që nuk ka më Shkollë të Mesme Ushtarake “Skënderbej”, nuk ka më skënderbegas, imazhi i adoleshentëve me uniformë. Kjo i përket të kaluarës. Por shkolla “Skënderbej” tashmë ka hyrë në historinë e kombit dhe në këtë histori një kontribut të rëndësishëm e të veçantë kanë dhënë skënderbegasit Kujtim Boriçi dhe Maksim Fejzulla. Këta me kolanën e pesë vëllimeve vuluminoze i kanë ngritur një përmendore të madhe, krahas përmendores së Skënderbeut në sheshin qendror të vendit në mes të Tiranës. Këto vepra do të rrojnë në shekuj dhe brezat do të krenohen dhe do ta lartësojnë më tej figurën e skënderbegasit, modelit të patriotizmit shqiptar.

*Aktiviteti zhvillohet në Muzeun Historik Kombëtar, ditën e martë, më 28 mars 2022, ora 11:00


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.