EKONOMI

A mund të vijnë fermat holandeze në Shqipëri?!

17:22 - 01.04.23 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play
Nga Fatos Fico

Shqipëria ka subvencione qesharake në formë dhe sasi për bujqësinë.




Ajo nuk ka nevojë për subvencione, por për ndërhyrje strukturore në miliarda euro, ashtu siç marrin mbështetje vendet e ish-Lindjes në BE, për të krijuar kushtet bazë të prodhimit të qëndrueshëm bujqësor, e zhvillimit rural, si infrastrukturën e ujit, të rrugëve e komunikimit rural, të tregjeve, të magazinave e përpunimit.

“Boerburgerbeweging” është fjala, por “bear with me”, që në anglisht do të thotë, – të lutem duro/qëndro me mua deri sa të them/bëj diçka.

Duket e parezistueshme që të bësh krahasim mes fjalëve të gjuhëve të tjera me gjuhën shqipe. Fare lehtë mund të nxirret përfundimi se fjala fermer në holandisht vjen nga fjala burrë në shqip.

Fjalët boer – fermer në holandisht, bear, – mbaj qëndro, në anglisht, e burrë në shqip duken të ngjashme. Një burim etimologjik i lidh ato tria më rrënjën proto indo europiane *bheu – të jesh, të ekzistosh, të rritësh. Fjala weging holandisht, duket si fjala vozit, fjala vegjë (tezgjah) e shqipes, do të thotë lëvizje.

Fjala burger, jo si qoftja me sallatë në mes të bukës, ose burgu si institucion, por qytet. Të gjitha këto si një hyrje për “Boer-burger-beweging” shkurt BBB, i cili është emri i partisë më të re e më të famshme të momentit, në Vendet e Ulëta, ose siç njihet më së shumti, Holandë.

“Lëvizja Fermer Qytetar” përkthehet emri në shqip dhe pa shumë surpriza për qytetarët e fermerët e Holandës, por si surprizë për establishmentin politik, ajo është forca e parë me mjaft diferencë në zgjedhjet e fundit vendore e ato për Senatin holandez, me 17 senatorë nga 75 vende të Senatit.

Në vend të dytë, partia e kryeministrit Rutte në pushtet, që nga viti 2010, me 10 vende. E krijuar në vitin 2019, BBB kishte deri tani vetëm një deputet në Parlament me Caroline van der Plas, kryetaren e saj.

Parlamenti holandez ka dy dhoma, një vendimmarrëse me 150 deputetë të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme, dhe tjetra, Senati, me 75 vende të cilët dalin nga zgjedhjet vendore. Ai ushtron kontroll lidhur me ligjshmërinë dhe u jep përfaqësi rajoneve të vendit.

Politika në Holandë nuk mund të thuhet se kuptohet e shijohet aq lehtë si pikturat e Van Gogh, sidomos për jo holandezët. Me atë shprehjen “m’a shpjego sikur të jem 5 vjeç”, të shikojmë një tablo më të thjeshtë për BBB dhe Holandën.

Çfarë është BBB

BBB është krijuar si reagim ndaj kërkesës për mbylljen e fermave, ndalimit të investimeve për rritje të fermave blegtorale, e më tej pezullim e reduktim të aktiviteteve në ndërtim, transport rrugor e aviacion, për shkak të tejkalimit të normave të ndotjeve azotike.

Një direktivë e BE-së e vitit 1991 për azotin ka si objektiv reduktimin e ndotjes së ujërave e parandalimin e ndotjeve të mëtejshme. Kjo direktivë nuk është respektuar në Holandë, një vend i vogël me bujqësi superintensive e përdorim të lartë të inputeve kimike. Fermat, ashtu si shumë biznese jobujqësore, kanë vazhduar të punojnë e investojnë, edhe pse në shkelje, me premtimin se do ta zgjidhim më vonë këtë çështje.

Johan Vollenbroek, një kimist me origjinë nga një familje fermere, është një holandez tipik, i cili ka mision, mbrojtjen e natyrës e mjedisit. Ai ka themeluar një organizatë të vogël të quajtur “Mobilizimi për Mjedis”, e cila rregullisht ka paditur e dërguar në gjykatë kompani ndotëse të mëdha apo të vogla.

Ai ka marrë edhe dekoratë për punën në mbrojtjen e mjedisit. Në vitin 2019, Gjykata e Lartë e Holandës, në zbatim të direktivës së BE, përballë shkeljeve e me kërkesën e “Mobilizimit”, vendosi të mos jepen më leje për aktivitet ekonomik për ato biznese që nuk respektojnë normat e azotit, por vazhdojnë të ndotin e premtojnë se do ta rregullojnë ndotjen më vonë.

Kështu Qeveria, e cila prej vitesh nuk vepronte e mbyllte të dy sytë, u detyrua të marrë masa konkrete, si ulja e kufirit të shpejtësisë së makinave në rrugë, pezullimi përkohësisht i ndërtimeve, kufizimi i fluturimeve në aeroporte, e si masë më të ashpër e më të prekshme të planifikojë mbylljen e rreth 3000 fermave blegtorale ndotëse të mëdha pranë atyre që janë zona natyrore ekzistuese nën rregullimin e BE, Natyra 2000.

Për fermat që do të mbyllen e për masat e tjera është lënë një periudhë prej 13 vjetësh e si kompensim është planifikuar fillimisht nga qeveria një fond prej 24 miliardë eurosh.

BE konsideron se në territorin e saj humbjet e azotit kanë një kosto prej 70 miliardë eurosh, 81% e azotit në ujëra vjen nga prodhimet blegtorale, e se 87% e amoniakut në atmosferë shkaktohet po nga blegtoria.

 

Biznes si zakonisht?!

Tabloja ka dy këndvështrime, vazhdimi i të bërit biznes si zakonisht i kërkuar nga BBB, e gjërat duhet të ndryshojnë rrënjësisht e kërkuar nga mjedisorët, qeveria aktuale dhe BE. Nivelet e larta të azotit në tokë sjellin acidifikimin e saj, zhdukjen e biodiversitetit, atrofizimin e ujërave të lumenjve e deteve, gazra amoniakë në ajër.

BBB nuk është dakord me pasojat, por thotë se duhen bërë më shumë studime, më shumë matje, e duhet diskutuar më shumë me fermerët për të gjetur një zgjidhje, pa i mbyllur fermat e bizneset e tjera. E për këtë, duhet roli politik i saj, ku fermerët të vendosin bashkë me qytetarët.

Bujqësia holandeze po njeh momentet më të mira për prodhim e shitje. Eksportet bujqësore janë rreth 100 miliardë euro në vit.

Prodhimi dhe investimet bazohen në heliksin – prodhues, universitete e kërkim shkencor (njohuri), biznes, qeverisje. Portet e mëdha detare, pozita gjeografike, lidhja e mirë me infrastrukturë hekurudhore, lumore, rrugore, të diturit të të bërit biznes e tregti, janë shtylla ku marrëveshja shoqërore e Holandës për të prodhuar, për të ofruar shërbime e për të eksportuar sa më shumë, qëndron e fortë.

 

Nga bujqësia në shërbime?!

Në fillim të viteve 2000 me futjen e vendeve të reja të Europës Lindore me sipërfaqe të mëdha bujqësore në BE, si dhe me përfundimin e epokës së gazit të lirë nga Deti i Veriut, ku bazoheshin serrat e famshme me ngrohje,

Holanda mendoi seriozisht të kalonte nga një vend prodhues bujqësor, në një vend ofrues shërbimesh, teknologjish e njohurish bujqësore për vendet e tjera, duke i parë ato si avantazhet e saj konkurruese e jo prodhimin.

Problemi i ndotjeve azotike ishte përsëri një faktor për këtë, sepse prodhuesit nuk mund të zgjeronin lirisht aktivitetin, e as të krijoheshin prodhues të rinj. Një hipotezë që toka të shtetëzohej dhe pastaj t’ju rijepej fermerëve në përdorim kundrejt kushteve e rregullave strikte për natyrën kishte përkrahje.

Vendet e reja europiane, jo vetëm nuk e konkurruan dhe zëvendësuan prodhimin e saj, por lëvizja e krahut të lirë punës nga këto vende drejt Holandës, i bëri edhe më konkurruese prodhimet e saj dhe lejoi që ata të investonin në më shumë masa për reduktimin e ndotjeve e në rritje të mëtejshme të prodhimit e eksporteve.

Vendet e ish-Lindjes, megjithëse marrin më shumë fonde nga CAP, si p.sh. Bullgaria 1,14 miliardë, Hungaria 1,7 miliardë, Lituania 808 milionë, Rumania 3 miliardë, e Holanda vetëm 790 milionë euro, nuk afrohen në sasi e nuk arrijnë të konkurrojnë me shumë prodhime bujqësore holandeze.

Disa prodhues holandezë thonë se nuk i duan fare fondet e BE, vetëm na lejoni të prodhojmë e të rritim investimet, duke rritur fermat. Në periudhën e sotme, cikli ekonomik kërkon një stad të ri me më shumë prodhim, e më pak kosto.

Lufta në Ukrainë me çrregullimin e të gjitha tregjeve, e sidomos shtrenjtimin e inputeve bujqësore, rrjedhimisht zvogëlimin e sasisë së prodhimit në botë, ndryshimet klimatike, rritja e vazhdueshme e kërkesës për ushqime, e rrisin gati në mënyrë eksponenciale kërkesën për prodhimet holandeze.

Fermerët holandezë dinë se si, e kanë kushte më të mira, t’i amortizojnë goditjet e krizave se sa 99% e vendeve të tjera. Një arsye është edhe pse vendi është një demokraci e qëndrueshme, me bazë të gjerë, e cila bazohet në konsensus e te puna e pakursyer e fermerëve.

Është e lehtë të imagjinohet, apo ndoshta jo, zhgënjimi i tyre, kur edhe pse ju ofrohen shifra të përafërta me 10 milionë euro për mbylljen e fermës blegtorale, a për më pak krerë, në mënyrë që ata të kujdesen më shumë e me pagesë nga BE për zogjtë, fluturat e lulet në tokat e fermës, e kundërshtojnë me forcë, e kërkojnë vetëm të rrisin numrin e lopëve, të punojnë e investojnë më shumë në fermat e tyre.

Bujqësia e ferma janë mënyra jetese, e prona të trashëguara, duket e paimagjinueshme që një fermer holandez të lërë trashëgimi një llogari bankare të pasur, e jo fermën e tokën në gjendje më të mirë se sa ia lanë atij vetë.

Apo ndoshta jo, sepse fermerët në Shqipëri, jo vetëm nuk kompensohen për ndonjë gjë që ka lidhje me natyrën, mjedisin, por kur një rrugë publike do të kalojë në tokat e tyre, jo vetëm nuk kompensohen siç duhet, por ju shkatërrohet pronat e natyra pranë.

Apo ndoshta jo, sepse Holanda ka një PBB prej gati 1 trilion euro dhe bujqësia është vetëm 1.6% e saj. Në bujqësi punojnë vetëm 1.2% e punonjësve, 93% e popullsisë prej 17,4 milionë banorësh jeton në qytete. Nga 53 mijë ferma, vetëm 3 mijë kërkohen të mbyllen me dëmshpërblim.

“Ne nuk mund të jemi ai vendi i vogël që ushqen botën e dhjet veten” thotë tipikisht si holandez Tjeerd de Groot, deputet i koalicionit qeverisës. “Makinat më parë ndotnin shumë më tepër, por patën shansin të përmirësoheshin me inovacion. Kjo është ajo që kërkojmë”, – thotë Caroline van der Plas, kryetarja e BBB.

Problemi i ndotjeve azotike ekziston dhe për shumë vende të tjera si Danimarka, Belgjika, Gjermania e Mbretëria e Bashkuar, të cilat po e ndjekin me interes se si do ta zgjidhë Holanda këtë krizë.

 

 

Po Shqipëria

Qeveria shqiptare ka rekomanduar për bizneset shqiptare në krizë për fuqi punëtore, të gjejnë punëtorë nga Bangladeshi. Ende nuk i shikon fermerët holandezë në lëvizje, të cilëve po ju mbyllen fermat në Holandë të vijnë të investojnë në ferma blegtorale në Shqipëri, për të cilat ka aq shumë nevojë.

Dy kryeministrat Rutte dhe Rama bashkëpunuan për një plan Makron lidhur me Europën me shpejtësi të ndryshme integrimi, por pa ndonjë rezultat të dukshëm.

A do të ketë vende të tjera ku mund të shkojnë? Fermerët holandezë kanë ikur shpesh kur ju ka ndenjur i vogël vendi i tyre, për ferma të reja si në Amerikë, në vendet latine, e më pak në vendet e Europës Lindore.

Demokracia, konsensusi, tregjet funksionalë, njohuritë, infrastruktura, bankat, besimi tek institucionet, te njerëzit, drejtësia e pavarur, rendi, politikat e masat që i ruajnë këto e krijojnë të reja më të mira, janë të domosdoshme, kur kërkon të jetosh duke punuar e duke prodhuar. Asnjë fermer lopësh holandez sado i dëshpëruar e me para nuk do të vijë në Shqipëri të zëvendësojë fermën e mbyllur me gjendjen që ka ajo sot.

Shqipëria ka subvencione qesharake në formë dhe sasi për bujqësinë. Ajo nuk ka nevojë për subvencione, por për ndërhyrje strukturore në miliarda euro, ashtu siç marrin mbështetje vendet e ish-Lindjes në BE, për të krijuar kushtet bazë të prodhimit të qëndrueshëm bujqësor, e zhvillimit rural, si infrastrukturën e ujit, të rrugëve e komunikimit rural, të tregjeve, të magazinave e përpunimit.

Për shpërndarjen e njohurive të reja dhe teknologjisë së informacionit te fermerët. Të rrisë mekanikën e teknologjinë në ferma. Të mbyllë si procese pronësinë e tokës, e regjistrimin. Të ketë një sistem kapilar falas ose me kosto të ulët për analiza të tokës, e sidomos për analiza të prodhimit, që të rivendoset besimi prodhues blerës e të mundësohen eksportet në tregjet me standarde.

Prodhuesit bujqësorë e blegtoralë duhet të kenë një treg inputesh e ushqimesh për kafshët konkurrues, ku vetëm inputet kimike ndotëse të taksohen, sa për të dekurajuar përdorimin e pa masë, e për parimin që ndotësi paguan, por jo inputet e ushqimet e kafshëve të cilat sigurojnë rendiment e cilësi, të cilat edhe pa taksa janë mjaft të kushtueshme e vendi nuk i prodhon.

Prodhuesit duhet të kuptojnë e të dinë cilat janë kostot reale të prodhimit me standarde, e jo atij të mbushur me ilaçe e helme nga frika e dëmtuesve dhe sëmundjeve. Të ketë një sistem më të fortë social për banorët ruralë, që fermat të mos jenë njësi mbijetese sociale, por njësi prodhimi e shitje.

Bujqësia të lidhet me natyrën e mjedisin, e ashtu si në BE, fermerët të paguhen për rolin ndaj natyrës. Fermat të jenë përfitues e prodhues mikro e të vegjël të energjisë të rinovueshme nga dielli për të ulur kostot, e për të gjeneruar sadopak të ardhura, e të mos mbeten përfitues partiakë tollonash nafte.

Nëse në Holandë, bujqësia edhe pse me 100 miliardë euro eksporte është vetëm sa 1.6% e PBB. Në Shqipëri ajo arrin në 20% të PBB. Një rritje sado pak e industrisë apo shërbimeve në Holandë e kompenson edhe sikur të reduktohen fermat e prodhimi i tyre bujqësor.

Ndërhyrjet strukturore në Shqipëri nuk janë thjesht për bujqësi, por janë shërbime, të cilat mund të rriten vazhdimisht e duhen investuar për të rritur efektivitetin e prodhimit bujqësor, duke rritur në këtë mënyrë, shërbimet e industrinë e duke ulur peshën e bujqësisë në PBB.

Si mundet që një sektor me 20% të peshës së ekonomisë të subvencionohet nga sektorët e tjerë, nëse prodhimi del me humbje ose nuk konkurron dot me importin, siç thonë gjithmonë fermerët?

Si do të mund të ulim shpenzimet e familjeve për ushqim që janë sa gjysma e të ardhurave? Nëse Shqipëria lëviz drejt BE, atëherë “bear with me”, kemi ende shumë kapituj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.