Intervista

14:34 - 03.02.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Enton Bido




Duke kaluar pa mendje kanalet telvizive nga njëri tek tjetri, ose duke bërë « zaping », siç thonë tani, e hoqa gishtin nga telekomanda – e cila na është bërë zgjatim i dorës – dhe më zuri veshi një reklamë te « Qamet TV» :
« Pushues të të gjitha moshave dhe sekseve ! Vraponi për të kaluar pushimet në resortin  Kodra pas bregut . Aty do të gjeni çlodhje, relaks, vila ideale plus plehra, pishinë plus ujë që ndoshta mund t’ju infektojë, organet gjenitale ; pastërti, ku mushkonjat do t’jua bëjnë më të këndshëm qëndrimin; nuk është nevoja të blini spry kundër tyre, apo të dezinfektoni mjedisin apo banesën, mjafton që t’u flisni me fjalë dhe ato do t’ju shoqërojnë netëve rrëzë veshit me melodinë e tyre të ëmbël, si të dalë nga teli i një violine  të Stradivarit.
Një ofertë tjetër është qetësia e mendjes dhe rënia rehat e veshëve tuaj të dashur llapushë. “ Dhe si arrihet kjo? – do pyesni ju! Fare thjeshtë. Në mëngjes hapja me rrapëllimë e qepenave të shitoreve, të cilat hapen me ndërkoha të sinkronizuara, sa hapet e para, bëhet pak qetësi dhe ti mendon të kthehesh pak nga ana tjetër; zëri i lartë i atyre që pijnë kafen e paramëngjesit, ndonjëri që, si ferrarist që mendon se është, parakalon rrugëve boshe me tërsëllimë me 150 km në orë, megjithëse nuk ka kurrfarë nguti dhe askush nuk i ikën, as sharabajka, as avioni. Pastaj, gjatë ditës veshët mund t’ju mësohen me zhaurimën e trafikut, por do t’ju cingërisin nga pak shitës shëtitës që pëllasin – mund të keni fatin të dëgjoni edhe ndonjë gomar-tenor ngarkuar me frutat e stinës. Ky është okazion, pasi nuk do të paguani asgjë për të dëgjuar ndonjë “a capella”. Ju shkon mendja mbase te muzika me zë të lartë, por kjo vjen disa orë më pas. Në pasditen e vonë hapen restoranet apo muzik-baret, sa më shumë kalojnë orët aq më lart ngrihet volumi i muzikës (duhet të shijojnë diçka edhe ata që nuk dëgjojnë) p.sh: lokali X-i luan tallava (fjalë që më ngjan si shartim mes tavëll & bakllava), bar Y-i ia kthen me upci-tupci pa lidhje, Z-ia merr në kthesë me një këngëtare çingie alla turka që të shushat fare, aq shumë stonon. Dhe kësisoj ju, fëmijët tuaj e mbi të gjitha prindërit e moshuar dhe të sëmurët, do të kënaqen duke ndenjur edhe pa gjumë. ( Fundja ç’u duhet gjumi? A kanë shkuar me pushime?!). Gojë të liga thonë se, andejpari ka kaluar edhe policia, ose ata që merren me ndotjet akustike dhe bënë sikur vunë ca gjoba. Por këtë mos ma merrni për të madhe, se me të dëgjuar e kam.
Shpeshherë, kur të shkoni pasditeve në plazh, pasi të jeni zhveshur vrik, saqë nga nguti desh keni hequr edhe rrobat e banjës me rrezikun për të dalë gollomesh, do të suleni të djersitur për t’u freskuar në det. Kur, sapo të keni futur këmbët në ujin e pafajshëm, sikur do t’ju gicilojë hundët një aromë jo dhe aq e këndshme. Pasi jeni kredhur së pari për t’u mësuar me ujin, i cili në fakt është i ngrohtë, do të nxirrni kokën dhe do të merrni frymë thellë. Hundët dhe mushkëritë do t’ju mbushen me kutërbimin simpatik erëmirë të mbeturinave ushqimore trupore, copëra pluskuese amfibe këto, të cilat e kanë prejardhjen nga kanali simpatik i ujërave që derdhet aty rrotull. (Ndokush mund të pyesë se për cilat ujëra e kam fjalën, për të bardhat apo për të zezat, por mendoj se nuk duhet ta teprojmë me pyetje pa vend).
Mund të hasni edhe zonja të rënda që shullehen, rreziten e përvëlliten në diell megjithë tesha e po me tesha veshë futen në det. Unë mendoj se disa syresh thjesht nuk duan të bëjnë pis pllazhën, rërën dhe detin, ose fundja ndonjërës edhe mund t’i kenë shkuar mornica nga temperatura e ujit dhe kështu ka mbajtur brekushet veshur. Pra edhe vetë nuk mërdhet, edhe dynjaja mashkullore nuk ia shikon format kurbalinje të trupit.
Pra, për të gjitha këto dhe për të tjera, që i kam me hamendje dhe për ndonjë mrekulli që e kam harruar, juve vendas dhe sidomos turistëve të huaj që kanë mësyrë e do mësyjnë këndej pari si miza në kërcu të lisit, pushime të mbara në  Kodra pas bregut ! «
Ashtu i shushatur siç isha nga kjo mrekulli që më dëgjuan veshët, hova nga kolltuku dhe thirra familjen të bëhej gati për pushimet e ëndërruar në atë vend të mrekulluar. Mirëpo, askush nuk m’u përgjigj. Në shtëpi nuk kishte njeri. I rashë ballit me dorë. « Mos, kaqol ! Tani është fundi i shtatorit. Ata kanë shkuar në punë. Lejet e zakonshme, apo të jashtëzakonshme qofshin i kanë bërë me kohë». Reklama ishte e disa javëve parë. Thjesht kishin harruar ta hiqnin programuesit. Ç’të bësh ?! Kismet për pushimet dimërore, tani.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.