Intervista

Matilda Imeraj: Dëmtimi i veshkave te fëmijët, si ta zbuloni në kohë

10:23 - 06.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola Mitre

 

Dëmtimi i veshkave te fëmijët ndodh në mënyrë graduale e të fshehtë për një periudhë të gjatë kohore, çka sjell një diagnostikim të vonshëm. Ndërkohë që, zbulimi i hershëm është i rëndësishëm për të parandaluar sëmundjet kronike të veshkave”. Deklarata vjen nga Matilda Imeraj, mjeke në Shërbimin Nefrologji-Dializë, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për suplementin ‘Life Pages’, të “Gazeta Shqiptare” shpjegon në detaje shenjat e para, që duhet t’ju çojnë te mjeku.

Doktoreshë, çfarë janë sëmundjet e veshkave te fëmijët?

Këto sëmundje janë cilësuar si “vrasës të heshtur”, pasi dëmtimi i veshkave ndodh në mënyrë graduale e të fshehtë për një periudhë të gjatë kohore, prej muajsh apo vitesh, çka sjell një diagnostikim të vonshëm të tyre. Veshkat janë dy organe në formë fasuleje, të vendosura poshtë kafazit të kraharorit në secilën anë të shtyllës kurrizore. Çdo ditë, të dyja veshkat filtrojnë rreth 120 deri 150 litra gjak për të prodhuar rreth 1 deri në 2 litra urinë, të përbërë nga mbeturinat dhe lëngje shtesë. Fëmijët prodhojnë më pak urinë sesa të rriturit, dhe sasia e prodhuar varet nga mosha e tyre. Veshkat punojnë gjatë gjithë kohës. Ureterët janë tuba të hollë, një në çdo anë të fshikëzës së urinës, që mbajnë urinën nga secila veshkë deri në fshikëz. Fshikëza e urinës e grumbullon atë derisa personi të gjejë kohën dhe vendin e duhur për të urinuar.

Cilët janë shkaktarët e këtyre sëmundjeve?

Sëmundja e veshkave te fëmijët mund të shkaktohet nga defektet e lindjes, sëmundjet e trashëguara, infeksionet, sindroma nefrotike, trauma, si dhe bllokimi ose refluksi i urinës. Nga lindja deri në moshën 4 vjeç, shkaqet kryesore të mosfunksionimit të veshkave janë defektet në lindje dhe sëmundjet e trashëguara. Midis moshës 5 deri 14 vjeç, mosfunksionimi i veshkave shkaktohet më shumë nga sëmundjet e trashëguara, sindroma nefrotike dhe sëmundjet sistemike. Midis moshës 15 deri 19 vjeç, sëmundjet që prekin glomerulat janë shkaku kryesor i mosfunksionimit të veshkave.

Kur një prind duhet të shqetësohet e të çojë fëmijën e tij te mjeku?

E rëndësishme është të konsultohemi me doktorin nëse fëmija ka ndonjë nga shenjat e mëposhtme: Temperaturë të pashpjeguar, ënjtje përreth syve dhe ënjtje të këmbeve, dhimbje në fund shpinë, dhimbje barku persistente (të vazhdueshme), dhimbje koke frekuente, apo urinim natën në mënyrë të pavullnetshme, sidomos kur e kanë mbushur moshën pesë vjeç. Shenja të tjera të rëndësishme janë dhe: Urimin me erë të keqe, me ngjyrë të turbullt ( e kuqe ose kafe), rënie e oreksit, rënie në peshë dhe trup i vogël apo lëkurë e zbehtë dhe lodhje e këputje trupore. Për fëmijët e vegjël shenjë janë dhe të qarat gjatë urinimit, ndërsa për fëmijët më të mëdhenj djegie gjatë urinimit.

Sa i rëndësishëm është zbulimi në kohë?

Nëse një prind do të gjendej përballe faktit që fëmija i tij vuan nga sëmundja e veshkave, natyrshëm do të jetonte me brengën nëse mund të kishte bërë diçka për ta parandaluar. Duke u fokusuar në çfarë duhet bërë, duhet të kemi parasysh: zbulimin e hershëm, trajtimin adekuat dhe ndjekjen e këshillave të doktorit. Kjo është rruga më e mirë për të ndjekur fëmijën pas diagnostikimit. Zbulimi i hershëm mund të ndihmojë parandalimin e progresionit të sëmundjes së veshkave në sëmundje kronike të veshkave.

Si diagnostikohet sëmundja e veshkave?

Sëmundja e veshkave te fëmijët diagnostikohet nëpërmjet një vizite nga doktori, historia mjekësore e tij, si dhe nga simptomat dhe shenjat që ka fëmija. Për të konfirmuar diagnozën kryhen edhe disa analiza të tjera, si: analiza të urinës, e cila evidenton albuminurinë nëse ajo është prezente dhe infeksionin urinar. Analizat biokimike janë: azotemia, kreatinina dhe gjaku komplet. Shumë me rëndësi është dhe imazheria, ekografia e aparatit urinar.

Çfarë duhet të kenë parasysh prindërit e fëmijëve, që vuajnë nga këto sëmundje ?

Për fëmijët me sëmundje kronike të veshkave ushqyerja është shumë e rëndësishme, pasi ushqimi mund të ndikojë në funksionimin e veshkave të tyre. Prindërit, të cilët kanë fëmijë që vuajnë me sëmundje kronike të veshkave, duhet të konsultohen gjithmonë me doktorin përpara se të bëjnë një ndryshim në ushqyerjen e fëmijës. Proteinat, kaliumi, kripa, fosfori dhe elementë të tjerë duhet të jenë të pranishëm në dietë, por në sasi të kontrolluara. Gjithashtu, dieta hidrike ka rëndësi. Ajo duhet përcaktuar me doktorin në të sëmurët e vegjël.

Çfarë mund të bëhet për parandalimin e tyre ?

Fëmijët duhet t’i ruajmë nga mbipesha, e cila është faktor risku për diabet dhe hipertension arterial. Duhet të adaptohet një stil jetese sa më i shëndetshëm, ndërkohë që gratë shtatzëna nuk duhet të konsumojnë alkool dhe duhan.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.