OPINION

Shqipëria e 1970 dhe sfida e hyrjes në Bashkimin Europian

06:23 - 07.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Rexhep QOSJA

 

– Në Shqipëri për herë të parë isha në janar të vitit 1970, për herë të fundit në nëntor të vitit 2015 dhe shumë herë të tjera mes këtyre dy viteve. Këto qëndrime në Shqipëri në kohë të ndryshme më kanë dhënë mundësinë të shoh sa shumë ka ndryshuar Tirana, sa shumë është rritur në të gjitha pikëpamjet: me popullsi, me ndërtesa, me institucione, me kulturë, me vlera të gjithëllojshme. Kjo rritje e saj është posaçërisht e madhe dhe posaçërisht përshtypjebërëse në njëzet e pesë vitet e fundit.

Në shekullin e ri, të njëzetenjëtin, si komb kemi hyrë me të arritura të mëdha, gjatë të ëndërruara, ndër të cilat dy më të mëdhatë janë: e para, pavarësia e Kosovës dhe e dyta, hapja e mundësive për bashkëmarrëveshje, mbi një shekull plotësisht të penguara, mes Shqipërisë e Kosovës dhe shqiptarëve të të gjitha trojeve, të cilët padrejtësia politike ballkanike dhe evropiane do t’i lërë jashtë kufijve të shtetit amë. Këto të arritura të mëdha janë fryt i mendjes, i penës, i armës dhe i pasurisë në radhë të parë të atdhedashësve tanë këtu e në botë, sidomos në SHBA e në Evropë.

Me gjithë këto të arritura të mëdha e shumëpremtuese për të ardhmen tonë kombëtare, ne duhet të dimë se jemi para sfidash epokale, të cilat përmbajnë edhe vështirësi të mëdha, por edhe premtime të mëdha: premtime për zgjidhjen e drejtë, përfundimtare, historike të çështjes shqiptare që do të ndodhë pashmangshëm gjatë rikompozimit korrigjues gjeopolitik të Ballkanit dhe premtime për zhvillimin, përshtrirjen, modernizimin e jetës sonë shpirtërore e materiale si përbërës qendrorë të kulturës dhe të qytetërimit tonë.

Nuk ka dyshim se këto përpjekje tonat do të jenë më të frytshme në qoftë se i kuptojmë e i pranojmë krijueshëm.

Togfjalëshin e madh Bashkimi Evropian duhet ta plotësojmë me përpjekjen që këtu, në jetën tonë, në shoqërinë, në politikën, në kulturën, në shpirtin tonë të bëhemi Evropë. Mosrendin, mosmasën, mospamjen e qartë, mospunën, mosdijen duhet t’i zëvendësojmë me rend, me masë, me punë, me dije, me qartëpamje.

Përpjekjet për t’i heshtur të arriturat duhet t’i zëvendësojmë me përpjekjet për t’i treguar ato; përpjekjet për të zvogëluar të lartat e të bukurat duhet t’i zëvendësojmë me përpjekjet për t’i shquar ato.

Rendet e vlerave, disa tashmë të shpërfytyruara e disa të rrënuara plotësisht, duhet të bëjmë çmos për t’i rilindur, sepse vetëm me to shoqëria jonë dhe shtetet tona bëhen çka duhet të jenë: shoqëri dhe shtete etike.

Atdheu është thënë prej atdhetarëve të hershëm evropianë, është përmbledhje e madhe obligimesh.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.