OPINION

Shqipëria, i vetmi vend në rajon pa një plan për gratë

06:20 - 07.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Bernd BORCHARDT

 

– Rezoluta 1325 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndryshoi mënyrën e të menduarit të komunitetit ndërkombëtar për paqen dhe sigurinë. Ajo ka sjellë shumë ndryshime edhe në Shqipëri. Kur u ktheva këtu, pas gjashtë vitesh, një nga gjërat e para që më ra në sy qe prania e kaq shumë oficereve të policisë, gjë që nuk ishte e dukshme kur u largova, më 2010. Sigurisht, edhe në atë kohë kishte disa, por jo kaq të dukshme e në pozicione të larta si tani. Kjo sepse, më në fund, gratë njihen si agjente të paqes. OSBE-ja e ka dëshmuar ndër vite angazhimin e saj ndaj grave në fushën e sigurisë. Përfshirja e grave është thelbësore për qëndrueshmërinë e përpjekjeve në parandalimin, menaxhimin dhe zgjidhjen e konflikteve. Këtë vit, kryetari i radhës i OSBE-së po nxit pjesëmarrjen e grave në disa përpjekje madhore për të negociuar marrëveshje paqeje, si në Diskutimet Ndërkombëtare të Gjenevës, në Procesin e Minskut dhe në Procesin e Marrëveshjes së Transdniestrienit. Arsyeja për këtë, siç njihet tashmë, është se proceset e paqes mund të jenë të suksesshme në planin afatgjatë vetëm kur merren parasysh zëri, perspektivat dhe nevojat e grave. Përveç kësaj, kryetari ynë i radhës ka planifikuar për 2017-ën një sërë veprimtarish për rolin e medias në zbatimin e Rezolutës 1325, me qëllim nxitjen e raportimit me ndjeshmëri gjinore mbi konfliktet në zonën e OSBE-së.

Me gjithë ndryshimet, Shqipëria fatkeqësisht është i vetmi vend në rajon që nuk ka një Plan Kombëtar Veprimi për Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Forcimi i rolit udhëheqës të grave kërkon përkushtim të vërtetë. Qeveritë qendrore duhet të akordojnë burime për zbatimin e axhendës së grave, paqes dhe sigurisë. Shqipëria ka shënuar përparim të konsiderueshëm, por ekzistenca e një Plani Veprimi për Rezolutën 1325 i krijon mundësinë shtetit dhe shoqërisë civile që t’u kthehen rezultateve të arritura vitet e fundit në fuqizimin e mëtejshëm të grave e të reflektojnë mbi to. Për shembull, strategjia e re kundër dhunës me bazë gjinore, ligji për dhunën në familje, rritja e përfaqësueseve gra në qeveri, parlament dhe në qeverinë vendore, si dhe emërimi i një gjeneraleje në Forcat e Armatosura Shqiptare janë që të gjithë tregues të qartë të përkushtimit në këtë drejtim. Shqipërisë i duhet një Plan Veprimi i përshtatur sipas kontekstit të saj politik dhe i hartuar bazuar te mësimet e nxjerra nga vendet fqinje, që e kanë tashmë këtë dokument. Ne u bëjmë thirrje institucioneve shtetërore që t’i bashkërendojnë dhe t’i institucionalizojnë këto përpjekje. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen e selisë qendrore në Vjenë, është plotësisht e përkushtuar për ta mbështetur me ekspertizë hartimin teknik të këtij dokumenti. Gjithashtu, ne do të përpiqemi që përmes trajnimeve të rrisim kapacitetet e aktorëve të institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile për të hartuar siç duhet një Plan Kombëtar Veprimi. Ndër vite, Prezenca e OSBE-së e ka mbështetur fuqishëm diversitetin dhe barazinë gjinore në Shqipëri. Në fushën e sigurisë, ne kemi asistuar policinë në fushatën e rekrutimit të grave, më 2009-n kur kuotat gjinore u futën në zbatim për herë të parë. E mbështetëm policinë duke ndihmuar personelin policor që të kuptojë më mirë diversitetin dhe mjetet që garantojnë integrimin gjinor. Gjithashtu, kemi udhëhequr fushata të shumta kundër dhunës në familje në Tiranë, Korçë, Elbasan dhe Gjirokastër.

Hartimi i Planit të Veprimit për rezolutën 1325 nuk është rekomandimi ynë i vetëm kryesor në fushën e fuqizimit të grave. Zgjedhjet e 2017-ës po afrojnë dhe dua të them edhe diçka të fundit: pavarësisht prirjes pozitive vitet e fundit në Shqipëri, numri i kandidateve gra në listat e partive është ende i pamjaftueshëm. Ndonëse nga pikëpamja ligjore, kjo gjë kërkon ndryshime shumë të vogla në Kodin Zgjedhor, duhet vullnet politik që të ndodhë. Ne do të donim të shihnim më shumë përfaqësuese gra, gjë që ka sjellë tashmë ajër të freskët në shumë bashki; më shumë angazhim në përfshirjen e grave, më shumë përpjekje në çdo kuptim, edhe pse nuk është akoma e parashikuar në Kodin Zgjedhor.

Lista e veprimeve që duhen ndërmarrë është e konsiderueshme. Megjithatë, investimi në diversitet dhe barazi do t’i japë shumëfish rezultatet sa i përket rritjes së besimit dhe arritjes së ndryshimit. Keni mbështetjen tonë të plotë në çdo përpjekje që do të ndërmerrni. OSBE-ja është e prirë të punojë me aktorët shqiptarë në këtë proces të rëndësishëm, në dobi të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë.

* Fjala e ambasadorit të OSBE në konferencën “Rezoluta 1325: Gratë, paqja dhe siguria në Shqipëri”

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.