![GSH APP](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/gshok.jpg)
![Download on Apple Store](https://balkanweb.com/wp-content/uploads/2019/01/ios.jpg)
![Get it on Google Play](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/android-app.png)
Kishte dalë të festonte me shoqet, por kthimi në shtëpi vonë dhe në gjendje të dehur i 53-vjeçares Q.Rama, nuk është kapërdirë nga bashkëshorti i saj. Ky mesa duket ka qenë dhe shkaku, që Ramazan Rama 56 vjeç, banues në Fushë-Krujë ka goditur me thikën e bukës bashkëshorten e tij. Me t’u kthyer nga festa, Ramazan Rama, duke mos pranuar dot faktin që gruaja e tij ishte në gjendje të dehur ka nisur t’i kërkojë asaj llogari.
Kjo e fundit, në mënyrë të pavetëdijshme nga pija i është përgjigjur të shoqit se: nuk të jap llogari ty, më lër rehat. Kaq ka mjaftuar që 56-vjeçari të rrëmbente thikën e bukës dhe t’ia qëllonte bashkëshorten e tij, duke e lënë të plagosur rëndë. Kanë qenë familjarët ata të cilët kanë ndërhyrë menjëherë, duke larguar bashkëshortin dhe transportuar 53-vjeçaren drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.
Pas arrestimit, Ramazan Rama, ka deklaruar për policinë se krimin e ka kryer në gjaknxehtësi e sipër. “Gruaja erdhi në gjendje të dehur në shtëpi si asnjëherë më parë. Kjo gjë më shqetësoi jashtë mase, por situata u agravua edhe më tepër kur e pyeta pse kishte ardhur në këtë gjendje në shtëpi. Ajo refuzoi të më jepte llogari. Nuk doja që situata të arrinte deri në këtë pikë, por e qëllova në gjaknxehtësi e sipër”, mësohet të ketë deklaruar në polici, Ramazan Rama.