OPINION

Lojëra bizantine antishqiptare në Shkup

06:26 - 13.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Shaban MURATI




– Vetëm në Ballkan mund të ndodhë ajo, që udhëheqësit politikë nënshkruajnë marrëveshje dhe dokumente zyrtare dhe pastaj i mohojnë, ose thonë të kundërtën e asaj që kanë nënshkruar. Ndaj ngjalli me të drejtë habi konferenca e shtypit e kryetarit të partisë “Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë”, Zoran Zaev, në 10 mars, e organizuar në selinë e partisë LSDM, ku ai paraqiti programin e qeverisë së re të kryesuar prej tij. Me të drejtë analisti i mirënjohur Nijazi Muhamedi shtronte pyetjen se si mundet që një program qeverie, i rënë dakord me partitë politike shqiptare, të paraqitet vetëm nga partia LSDM. Simbolika e selisë dhe e grupit udhëheqës të partisë socialdemokrate, me të cilën kryetari Zoran Zaev vendosi të paraqesë publikisht programin e qeverisë së ardhshme është shumë më e thellë se sa vetëm një shfaqje politike megalomane e pretendentit për kryeministër dhe e partisë së tij. Problemi bazë që shkakton kryeministri pretendent me programin e qeverisë, duke neglizhuar jo thjesht paraqitjen qeveritare dhe parlamentare me partitë shqiptare pjesëmarrëse të koalicionit, që i kanë dhënë mundësinë dhe mbështetjen për të krijuar qeverinë, është se po hedh në erë bazën mbi të cilën duhet të funksionojë qeveria e tij të re. Shkurt, ai hodhi poshtë thelbin, frymën dhe nënshkrimin e tij në marrëveshjen e partisë së tij me partitë politike shqiptare. Kryesorja është se ai mohoi apo përgënjeshtroi atë që ka nënshkruar dhe përmbysi qëndrimin ndaj së drejtës së popullit shqiptar në Maqedoni për statusin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, bashkë me maqedonishten. Në programin e shpallur qeveritar, pretendenti për kryeministër deklaroi se, “do të sjellim ligjin për avancimin e gjuhëve, që do t’u mundësojë të gjithë qytetarëve të funksionojnë në komunikimet me institucionet shtetërore dhe kjo do të jetë në kuadër të Kushtetutës. Për qytetarët shqiptarë do të mundësojmë të komunikojnë me institucionet në gjuhën e tyre. Do të mbështesim një politikë gjuhësore në përputhje me nevojat e qytetarëve, gjë që do të zgjerojë përdorimin e gjuhës shqipe në vend dhe do të garantojë përdorimin administrativ të gjuhës maqedonase”.

Kryeministri pretendent shpall programin e qeverisë, ku publikisht konfirmohet se për të dhe për qeverinë që do të kryesojë ai, nuk do të ketë për gjuhën shqipe status të gjuhës zyrtare. Gjuha shqipe do të ketë të njëjtin trajtim dhe avancim si gjuhët e minoriteteve të shumta etnike në Maqedoni dhe gjuha unike zyrtare e sistemit shtetëror dhe administrativ do të jetë gjuha maqedonase. Me një fjalë, kërkesa kryesore e partive politike shqiptare, të cilat me një platformë të përbashkët dhe me kërkesa të përbashkëta, i ofruan mbështetjen parlamentare Zoran Zaevit për të formuar qeverinë, nuk hyn në programin e kryeministrit dhe as të partisë së tij. Ai praktikisht hedh poshtë marrëveshjen e nënshkruar me partitë politike shqiptare dhe e bën këtë në një kohë, kur miratimin e tij për statusin e gjuhës shqipe në Maqedoni si gjuhë zyrtare e ka shpallur publikisht si gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 dhjetorit 2016, ashtu edhe pas tyre; si para opinionit publik maqedonas, ashtu dhe para opinionit publik shqiptar në vend dhe në diasporë. Të flasësh ndryshe dhe të veprosh ndryshe është një nga format tipike të bizantinizmit politik dhe diplomatik, por tani pasurohet kjo praktikë me vënien e firmave në një marrëveshje zyrtare dhe me mohimin e të njëjtës firmë dhe marrëveshje, siç po vepron Zaevi.

Kjo që po bën Zaevi nuk është rastësi, por vazhdim i lojërave dhe intrigave tipike bizantine, që po luhen në Maqedoni prej 26 vjetësh kundër të drejtave jetike të popullit shqiptar atje. Para Zaevit, të njëjtën lojë bëri edhe ish-kryeministri dhe kryetari i partisë sunduese VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, i cili meqë fitoi dy deputetë më shumë se LSDM në zgjedhjet e dhjetorit, ishte i mandatuari i parë për të krijuar qeverinë dhe zhvilloi bisedime me partitë politike shqiptare për të siguruar shumicën parlamentare. Burime të larta nga BDI bëjnë të ditur se VMRO-DPMNE e pranoi platformën e përbashkët të partive politike shqiptare lidhur me kërkesat, që kanë partitë shqiptare për një pjesëmarrje në qeveri. Këto burime bëjnë të ditur se partia BDI disponon marrëveshjen e nënshkruar dhe po të jetë e nevojshme do ta bëjnë publike. Nikolla Gruevski jo vetëm e mohoi atë që kishte nënshkruar me partitë politike shqiptare, por të gjithë fushatën për të sabotuar marrjen e mandatit kryeministror nga rivali i tij maqedonas Zaev, e ndërtoi mbi sulmet dhe akuzat ndaj dygjuhësisë dhe statusit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Mbi këtë bazë akuzash, presidenti Gjorgje Ivanov, një kukull e ish-kryeministrit Gruevski, shpiku artifisin bizantin, që nuk ia jepte mandatin partisë së dytë fituese maqedonase, pa siguruar paraprakisht shumicën parlamentare, gjë që nuk ia kishte kërkuar protektorit të vet Gruevski. Pasi partia LSDM arriti të sigurojë mbështetjen e partive politike shqiptare dhe shumicën prej 67 deputetësh për të formuar qeverinë, presidenti Ivanov shpiku artifisin tjetër, që nuk e jep mandatin, sepse marrëveshja e LSDM dhe e partive politike shqiptare për krijimin e qeverisë së re, që përfshin statusin e shqipes si gjuhë zyrtare, shkel Kushtetutën e Maqedonisë.

Me një farë naiviteti disa shqiptarë në Maqedoni besuan se kundërshtari i vetëm i madh i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare dhe i të drejtave të popullit shqiptar në Maqedoni ishte kryeministri Nikolla Gruevski dhe VMRO. Temjani propagandistik proshqiptar i Zaevit hutoi dhe trullosi jo pak shqiptarë, të cilët sipas numrave ende të pakonfirmuar, arritën nga 50 deri 70 mijë shqiptarë të votojnë për Partinë Socialdemokrate maqedonase. Nuk është e qartë perse kozmopolitët ruralë në Shkup, në Tiranë dhe në Prishtinë u gëzuan aq shumë që fronti elektoral shqiptar kishte shkuar me batalione tek oborri i kundërshtarit, si armatat e Fon Paulusit, që u dorëzuan në Moskë në Luftën e Dytë Botërore. Zjarri i kashtës maqedonase nuk mbajti gjatë dhe kryeministri në radhë, Zoran Zaev, doli në 10 mars për t’u hedhur edhe votuesve të tij shqiptarë dushin e ftohtë të programit qeveritar, ku refuzon të drejtën e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni.

Duhen analizuar mirë këto lojëra bizantine, politike, personale dhe nacionaliste të udhëheqësve maqedonas, që luhen me një përmbajtje antishqiptare. Zoran Zaevi po kërkon prej dy vjetësh me çdo kusht të bëhet kryeministër dhe tani që e ka pjatën në tavolinë, nuk do ta lëshojë dhe natyrisht koston, si gjithmonë në Maqedoni, ua faturojnë shqiptarëve dhe të drejtave të tyre. Kryeministri në radhë, i cili këtë program qeveritar ia ka dërguar zyrtarisht edhe presidentit Ivanov, e shpall refuzimin për dygjuhësinë dhe afishon edhe intransigjencën e tij nacionaliste maqedonase si kredencial tek presidenti. Kjo mund të jetë edhe një lojë për të acaruar situatat në vend dhe për ta çuar në pikën, ku e dëshiron Gruevski dhe lobi serbo-rus në Maqedoni për zgjedhje të reja të parakohshme. Zaevi po tenton të provokojë zemërimin e partive politike shqiptare, të cilat përballë faktit që kryeministri po i shkel në besë dhe në firmë, mund të tërhiqen nga shumica parlamentare dhe t’i heqin atij mundësinë për të krijuar qeverinë. Në një situatë pa rrugëdalje, kuptohet se vendi do të detyrohet të shkojë prapë në zgjedhje. Nga ana tjetër, Zaev po zhvillon një lojë bizantine në kurriz të shqiptarëve, sepse po acaron situatat në një kohë që i gjithë komuniteti demokratik ndërkombëtar, BE, OSBE, KE etj. janë angazhuar që atij t’i jepet mandati i kryeministrit nga presidenti. Duke përfituar nga angazhimi i faktorit demokratik perëndimor, kryeministri pretendent po kërkon t’i verë në pozicion trekëndëshi partitë politike shqiptare, që ta kapërdijnë tradhtinë e Zaevit ndaj marrëveshjes me ta. Partitë politike shqiptare janë vënë midis dy zjarresh, sepse nga një anë kanë shkeljen e marrëveshjes nga kryetari i LSDM, por nga ana tjetër do ta kenë të vështirë të tërheqin mbështetjen për Zaevin, për shkak të interesit ndërkombëtar që të largohet nga pushteti Gruevski prorus. Llogaria bizantine që bën kryetari i LSDM është se përballë alternativës së zgjedhjeve të parakohshme dhe mundësisë së riardhjes së Gruevskit prorus në pushtet, faktori perëndimor do të ushtrojë presion mbi partitë politike shqiptare që ta vazhdojnë mbështetjen për Zaevin, edhe me kërkesat e tyre të refuzuara.

Po asistojmë në lojëra dhe intriga bizantine në Shkup të ekzekutuara nga partitë politike maqedonase, qoftë VMRO-DPMNE, qoftë LSDM, që kanë si strategji të nxjerrin të humbur partitë politike shqiptare dhe popullin shqiptar në Maqedoni. Përballë këtyre intrigave të isteblishmentit politik maqedonas, partitë politike shqiptare duhet të jenë më të sofistikuara në taktikat e tyre. Në qoftë se presidenti i Maqedonisë nuk u kërkoi atyre të formonin shumicën me Gruevskin dhe pasta t’i jepte mandatin atij, ata mund të mos e kishin pranuar dredhinë e re të presidentit maqedonas. Në qoftë se partia VMRO- DPMNE e nënshkroi marrëveshjen e formimit të qeverisë me partitë shqiptare, duke pranuar platformën e tyre, partia kryesore shqiptare nuk ka arsye ta ruajë në sepete atë dokument. Madje, duhet ta kishte publikuar me kohë për t’i treguar presidentit Ivanov se partia e tij e ka pranuar platformën e partive shqiptare, të cilën presidenti po e përdor sot si pretekst për të mos i dhënë mandatin partisë LSDM. Madje, duhet ta kishin publikuar përpara se VMRO-DPMNE të hidhte në rrugë kundër shqiptarëve dhe kundër gjuhës shqipe ata mijëra mitingashë nacionalistë maqedonas.

Platforma e partive politike shqiptare dhe kërkesat e saj të drejta nuk duhet të ndjekë fatin e keq të marrëveshjes së Ohrit, që nuk realizoi as premtimet për statusin e barabartë kushtetues të popullit shqiptar me popullin maqedonas, as të drejtën e statusit të gjuhës zyrtare për shqipen dhe as të drejta të tjera themelore. Populli shqiptar në Maqedoni nuk mund të vazhdojë të pranojë statusin e popullit të kategorisë së dytë për hir të së ashtuquajturit stabilitet të Maqedonisë, stabilitet i cili nuk do të realizohet kurrë pa barazinë e popullit shqiptar në Maqedoni me popullin maqedonas. Thirrjet dhe politikat e isteblishmentit maqedonas për shtet unitarist dhe njënacional maqedonas do të jenë gjeneratori i krizave dhe i konflikteve të reja në të ardhmen. Koha jo vetëm ka ardhur, por edhe ka kaluar, që popullit shqiptar t’i realizohet kuadri kushtetues i së drejtës së barazisë kushtetuese me popullin maqedonas. Siç kam theksuar në librin tim “Shqiptarët e Maqedonisë – prioriteti i çështjes shqiptare”: “Tashmë duhet kaluar nga faza e koalicioneve qeveritare formale në fazën e drejtimit të përbashkët shtetëror”, (Tiranë 2016, fq. 266). Kjo do të thotë që populli shqiptar në Maqedoni nuk mund të rikthehet mbrapa dhe të kënaqet me kocka pa ndonjë vlerë si posti i kryetarit të parlamentit, të cilin e kanë pasur shqiptarët edhe në kohën e diktaturës komuniste titiste. Populli shqiptar duhet të ketë barabar me popullin maqedonas të drejtën e vendimmarrjes në punët dhe në drejtimin e shtetit.  Shqiptarët në Maqedoni nuk mund të kenë më pak të drejta dhe status se sa serbët në Bosnjë-Hercegovinë, që nga gjuha e deri tek statusi kushtetues.

* Katovica


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.